Kimete Berisha: Mendtë kanë rrënjë!

0
418

Kjo fotografi të trondit thellë, të trishton, të dëshpëron, të mërzit, të bën të thërrasësh emrin e Zotit dhe të bërtasësh në kupë qielli ‘O jetë e poshtër, a ka drejtësi mbi këtë tokë’.

Kjo fotografi është dramatike, fatkeqe dhe aq e rëndë sa të duket figurë mitologjike e dal nga legjendat!
Kur e shikon këtë nënë që jeton me shpirtra dhe s’del kush që e çliron, e sheh si duket pritja në fotografi, dhe qan, të qan loçka e loçkës të zemrës për pritjen që dhemb, për shpresën që ngjall edhe të vdekurit, për dashurinë që rritet pas vdekjes, për nënën që jeton për të vuajtur, për zërin e djemve të saj të ‘zhdukur’ që thotë se përnat i dëgjon që e thërrasin nanë.
Në qetësi dhe në izolim të thellë, thonë se dëgjohet zëri i Zotit dhe zëri i shpirtërave që mbahen peng.

Pikëllimi i thellë i kësaj nëne të tregon se më e rëndë se pritja janë rrugët e mbyllura, dhe se gjendja më e rëndë është ajo gjendje, kur ti mbetesh peng i pritjes sepse nuk ke kah t’ia mbash, veç nëse merr rrugën e vdekjes, e vetmja rrugë që i përton, anipse e di se kjo duhet të jetë ajo rruga e vërtetë që bashkon shpirtat.

Edhe pritja merr fund, dhe sa më pak kohë që të ka mbetur të presësh të kthehen të gjallë o të vdekur ata që i pret, aq më me durim pret.
Pritja është mënyrë e jetës.

Kur e sheh fotografinë e nënës Ferdonije Qerkezi nga Gjakova, të kujtohet vuajtja jonë e madhe, të kujtohet dhuna e përditshme, vrasjet, përdhunimi i njëzet mijë grave e djemve, shfarosja e familjeve shqiptare, gjenocidi që ka bërë shteti serb kundër shqiptarëve!

E sheh. Drejtësi nuk ka.
17-të vjet pas luftës, serbët nuk dhanë përgjegjësi për krimet masive dhe për gjenocidin kundër shqiptarëve;
e sheh që po të njejtit serbë negociojnë me shqiptarët për ndarjen e Kosovës dhe këtë ndarje e quanë Asociacion;
E sheh që anipse Serbia zyrtare nuk ka kërkuar falje për krime masive ndaj shqiptarëve dhe nuk i ka paguar dëmet e luftës, shqiptarët pas luftës kanë pranuar vullnetarisht të kolonizohen nga Serbia në aspektin tregtar.
Qysh e spjegon ti që shqiptarët (viktimat e mbijetuara të krimeve serbe), nuk ndjejnë (s’po them-neveri) por krenari dhe nuk i refuzojnë mallërat (bërllok) të Serbisë!

Po e shfrytëzoj pyetjen e Fromit për Hitlerin, dhe po pyes:
Nëse politikanët tanë janë ujqër, çka janë ata qindra mijëra shqiptarë që shkojnë pas tyre?
Dele?
Delja nuk shkon pas ujkut.

Si mund të flasësh për krenari dhe për drejtësi njerëzore, kur këta njerëz nuk e kanë gajle, për një ditë blejnë ushqime e mall nga Sebia 1.5 milionë euro, ndërsa për 1 vit blejnë 500 milionë euro mall nga prodhuesit serbë!
Qeveria e Kosovës nuk po ju detyron juve me dhunë të bleni mall të Serbisë, e cila ua mohon lirinë, ua mohon qenien, ekzistencën, ua mohon plagët dhe vuajtjet që ua ka shkaktuar;

Ku është uni, ku ju ka mbet vreri, ku e keni inatin: edhe ju ka vrarë, edhe ju ka mohuar, edhe ju ka dhunuar, edhe Serbia ua merr krejt paret që i keni.

Si mund të flasim për krenari shqiptare, a është mit kjo krenari a çka është, kur viktima e rehabiliton vrasësin e tij dhe sillet sikur ia ka fal të gjitha krimet.

Sepse, ti kur ia ha plazma keksat, kur ia ha bukën Serbisë, kjo do të thotë se ia ke falë krimet.
Më krenar dhe dinjitoz jemi sjellur para luftës, të mbledhur rreth Ibrahim Rugovës, që na mësonte të bojkotojmë Institucionet e Serbisë!

Kush je ti, a je i çmendur a kush po të duket vetja ty që nuk blen miell të bardhë si bora nga Xërxa, nga Barileva, nga Alia, e nga shqiptari tjetër, që e prodhon vet!

Pse s’të vjen inat, pse nuk e blen mallin e Shqipërisë. Po, bërlloku i Serbisë të duket më i mirë, se të ka lënë lezet.
Pse nuk ia lë ti qelbet midis Drenice ushqimi e t’i shkojë poshtë malli i Vuçiqit, e Daçiqit, i barbarëve primitivë, Sheshelit e Nikoliçit, bashkëpunëtorëve të ngushtë të kriminelit Slobodan Milosheviq, që ende e kanë Serbinë në duar!

Nëse politikanët tanë janë ujqër, kush janë ata konsumues që blejnë 500 milionë euro mall në vit nga Serbia!
Qysh e spjegon ti që edhe në dyqanet e ish komandantit të UÇK-së midis Drenice (anipse ndodhet në burg) shitet (sepse blitet) malli i Serbisë!

Nuk kanë faj ata që i shesin.
Faj kanë ata që i blejnë.

P.S. Autor i fotografisë: Artan Korenica.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here