Kërkimi shkencor në Shqipëri thjesht është kaps!

0
452

nga Artan Fuga, akademik.

Prej vitesh, por ka ardhur duke u theksuar, duke djegur edhe këtë mandat elektoral të politikanëve në pushtet, shterpërsia e asaj që quhet gjoja shkenca shqiptare.

Kërkimi shkencor është thjesht kaps. Pa produkt.

Edhe atje ku me mund e djersë është zhvilluar aq sa ka mundësi, është bërë çmos të injorohet, pengohet sabotohet. Nuk flas kot. Para çdo gjykate ushtarake jam gati ta provoj me fakte që janë djegëse për shumëkënd.

Kam kërkuar përshembull të bëhet auditimi i rezultateve të departamentit të komunikimit në Universitetin e Tiranës, për të treguar një sfidë përpara institucioneve të shtetit shqiptar, por askush nuk e vuri ujin në zjarr.

Keni dëgjuar ju drejtues të kërkoj auditim??? Unë do ta kisha e dashur.

Po ashtu po kërkoj me insistim të bëhet auditimi i akademisë të shkencave, por askujt nuk ja mban!

Keni dëgjuar ju një antar të një institucioni të thërrasë Ministrinë e arsimit, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Kryeministrinë, Presidencën, të monitorojnë dhe auditojnë si duhet rezultatet e punës për të cilat financohet institucioni i tij?

Auditimi i Qendrës albanologjike dhe i instituteve të saj, a është bërë??? Ku janë rezultatet e publikuara në opinion, përse mbahen fshehurazi???

Kush ka frikë ?

Përse nuk vihen përgjegjësit e kërkimit shkencor me “shpatulla për muri” !!! Edhe nga ata prej tyre që bërtasin : reformë, reformë! Dhe kanë vite që vegjetojnë në një limonti marrëzie gjysëm elektoraliste dhe gjysëm nacionaliste.

Kush do ta drejtojë politikën e kërkimit shkencor??? Një zëvendës në dikaster që pasi bëri çorap shkencën dhe arsimin, krejt me pamje të turbullt mbi realitetin, karrierist, tani merret me sharrime pemësh në parqet publike???

Specialist për gjithçka por që kurrë nuk i ka thënë njeri : Punë e mbarë!

Unë tipave të tillë as të fërkojnë parketin e dhomës time të punës me lecka nuk u besoj. Le më t’u besoj të lajnë filxhanët japonezë prej porcelani të çajit.

Integrimi me ekipe kërkimi shkencore të huaja në pikë të hallit. Zero.
Profesora pa fund me tituj të dhënë nga “kalshi”; (shihni çfarë emri, “kalshi”, “kalërofshi”, “kalofshi”, “kafshi”, etj.)
Tituj pa fund, por pa teori, pa zgjidhje teorike, pa propozime konkrete për ta parë botën ndryshe. Zero.
Botime krejt fallco, revista që s’i lexon njeri. Zero.
Institucione akademike që bëjnë reklama për revista të huaja gjoja me faktor impakti, por që në fakt vijnë era korrupsion i gjallë.

Doktoratura që flenë nëpër sirtare shefash.
Asnjë ekspertizë shkencore për sektorë të ekonomisë shqiptare, vetëm me ndonjë përjashtim të rrallë.
Sa doktoratura arrijnë të zbatohen, sa arrijnê të botohen, sa arrijnë të marrin patenta. .
Zhytur në kazanë letrash të vjetra gjoja për të bërë histori.”Baba” thërret : “Përse thërrisini : Duam babën!”. Komedi!!!
Gjuhë, etnologji, arkeologji pa ekspedita prej shekujsh.
Shkencë gjoja, por në fakt është gjysëm ideologji, gjysëm propagandë elektorale e përmirësuar, gjysëm delir, nacionalizëm, gjysëm fiktivitet, zhargon, me një fjalë llapaqenëri.

Gjysma – gjysma, si gjysma gjeli. Futja kot.

Akademia e shkencave e drejtuar sikur të ishte ndonjë institut kërkimi shkencor, ndërtuar keq, ku ai i misrit dikur do të dukej si panteon i dijes.
E plakur. Jo thjesht në kuptimin biologjik të fjalës. Mos u ngatërroni!
Të merr frika të marrësh ndonjë e-mail prej saj sepse një ndër dy informacione publike janë ose qoka, ose lajmërime ikjesh nga kjo jetë njerëzish që e kanë përfunduar misionin e tyre social në kërkimin shkencor.
Eshtë bërë si agjenci ceremonialesh ose si agjenci kateringu për qoka…
Pikërisht në kohën kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për një akademi shkencash, jo ojq – akademi, as akademi si drejtori institutesh shkencore, as akademi si zyrë përmbarimi platformash elektorale.

Qendra albanologjike nuk dihet a ekziston apo nuk ekziston më.

Kujtojnë se fajin e ka Kisha apo xhamia kur prifti pi sa dehet apo hoxha e këndon mprapsht ezanin…

Ca mendojnë së prapthi se fajin ua ka pasur shkolla doktorale. U pika që s’u bie! Ku ka institute shkencore pa doktorantë. Shkencën bazë kush do ta bëjë? Doktorantët do ta bëjnë, jo ata që ankohen nga prostata, nga reumatizma, nga kriza menstruacionesh gjithë ditën…

Si nuk kanë frikë nga ligji ! – më tha një ditë Qenan K..

Çfarë thua Qenan, ata nuk kanë frikë nga vdekja, ti thua nga ligji. Deri ditën e fundit të jetës do ta zhvasin këtë popull e këtë shtet…

Dallkauku i Madh numuron si lekë për kërkimin shkencor, rroga që u jep atyre që i quan si pedagogë të vet. Me aq lekë Kolombi do ta kishte rizbuluar edhe një herë Amerikën, a Indinë…

Në universitete të bësh punë shkencore nuk numurohet si punë sepse nuk të jep lekë njeri për të.

Shkollat doktorale copë – copë. U ngrit furtuna dikasteriale dhe përfundoi si një flluckë sapuni, si një shkumë kafeje; si një rrjedhje uji nga tubi i komshiut mbi tavan, si një igrasi e sëmurë që prodhon myk, si një përmjerje në brekë.

Nuk u morr vesh kush kishte tridhjet a dyzet doktorantë në drejtim, kush përfitonte lekë pa punë, kush kishte abuzuar???

Kanë frikë.

Ka frikë nëpunësi shqiptar. Nesër do të dalë në rrugë dhe prandaj do ta ketë mirë me të gjithë.

Interesi publik? Çfarë budallai je mor burrë! A nuk ka vajt në dreq!

Dhe na flasin për reforma.

Jo hiqe albanologjinë nga akademia, jo vërja akademisë albanologjinë përsëri në të ndejtura. U pika… Ata duan poste, ne presim reforma…

Reforma të leshit – më tha Qenan K.

Shkenca shqiptare e mplakur, e përdhosur, e ngrirë, i ngjan një prostitute plakë…

E shkëputur nga shkenca botërore, e mykur në hauret e veta të qelbura, e kalbur në paradigmat e saj, një plaku Mere që ruan se mos i prekin sepetin ku mban amanetet e plakut, dhe e quan veten si ruajtës të zjarrit, në fiset e egra…

Po infekton mendjet e gjithë një kombi, të rinisë. Midis propagandës dhe fushatave elektorale.

Lojra.

E bëtë ligjin për arsimin e lartë si një pacavure e dështuar? Pse habiteni tani kur në dorë keni marrë një bebe të vdekur pa lindur?

Në vend të kemi një epistemologji të shkencës njëherë. Në vend të bëjmë një analizë sociologjike të kërkimit shkencor njëherë. Në vend të bëjmë një tokë djerrë me auditime të ashpra dhe të rrepta, si Luteri që çkishëroi Papën e kohës të tij. Në vend të bëjmë një analizë për drejtuesit që kanë dështuar.

T’i vendosim para përgjegjësive dhe jo të bëjmë krushqi me ta.

Të shohim sa është rendimenti financiar i shkencës shqiptare. Cfarë sjell dhe çfarë i grabit mendjes dhe xhepit të shqiptarëve.

Pa këtë gjithçka do të dështojë, drejt e në plehra, do të jetë vetëm një gjoja reformë që do t’i hidhet si mish i prishur çakejve që presin natën përtej gardhit duke uluritur : duam posteeeeeeee!

Shënim: Kur shoqëria drejtoghet drejt iluzioneve fetare, drejt irracionales, ka aktivitet, por nuk ka produkt.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here