Kadare: Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta të vetmit poetë kombëtarë të shqiptarëve (Intervistë)

0
764

voal.ch | 27 dhjetor 2015

Shkrimtari i njohur në një rrëfim për Gjergj Fishtën, Naim Frashërin, Ernest Koliqin dhe shkrimet e tij gjatë komunizmit. Kadare vjen më poshtë në një rrëfim ndryshe, duke analizuar gjykimet e dikurshme mbi një personazh të rëndësishëm të letrave shqipe siç është Gjergj Fishta apo Naim Frashëri, dhe letërsinë dhe shkrimet e shkruara gjatë komunizmit. Kjo bisedë është bërë për revistën “Hylli i Dritës”.

Akuzoheni se keni shkrue dhe folë kundër At Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit dhe, në përgjithësi, se keni qenë kundër letërsisë dhe vlerave shpirtnore katolikegege. Çka mundeni me thanë për këtë gja dhe si e vlerësoni kontributin e elementit katolik emancipimin e kombit shqiptar?

Po e nis me pjesën e dytë të pyetjes suaj, atë që lidhet me kinse qëndrimin tim mohues ndaj vlerave shpirtërore katolike-gege. Më lejoni t’ju them se kjo nuk është veçse një sajesë e neveritshme. Në këtë rast, më fort se vetë shpifja, më ka habitur zelli me të cilin një pjesë e katolikëve shqiptarë e kanë përqafuar atë. Del pyetja, përse? Më saktë: përse iu është dukur me interes një gjë e tillë? Normalisht duhej të ndodhte e kundërta.

A nuk u ka shkuar ndër mend se, duke i shtuar katolicizmit shqiptar një armik të paqenë, kanë bërë lojën e komunistëve më të skajshëm?

Sepse veç ata ishin të interesuar që katolicizmi shqiptar të kishte sa më shumë kundërshtarë, e aq më tepër një shkrimtar të njohur.

Ka ardhur ky keqkuptim i rëndë nga padija?

Për një pakicë po, por për shumë të tjerë kurrsesi. Këta të tjerët e kanë ditur mirë që akuza është krejtësisht e pavërtetë. Mjafton leximi, qoftë dhe i pjesshëm, i veprës sime për ta kuptuar këtë. Nderimi im për krishterimin shqiptar, e sidomos për atë katolik, e ka zanafillën jo në frymëzimin fetar, por në nderimin tim për letërsinë shqipe dhe atë europiane, rrënjët e të cilave ishin të pandara nga qytetërimi i krishterë. Por, edhe pa e lexuar veprën time, do të mjaftonte biseda aq shumë e përfolur me ish-presidentin komunist, Ramiz Alia, në lidhje me fenë katolike, bisedë që u bë shkas për aq shumë spekulime për kinse antimyslimanizmin tim, në favor të katolicizmit, që kjo sajesë të binte. Unë u gjenda kështu në një skajim paradoksal: nga të dyja anët, nga katolikët dhe myslimanët, u shpalla si kundërshtar i secilës fe, me gjasë në dobi të tjetrës! Nuk dua të zgjatem lidhur me suksesin e shpifjes te katolikët. Dua vetëm të përsëris se disa prej tyre kanë qenë mjaft të lexuar, për ta ditur të vërtetën.

Le ta gjejnë në ndërgjegjen e tyre shkakun. Lidhur me të vërtetën se ç’kam menduar për vlerat katolike-gege, do të mjaftonte romani im “Ura me tri harqe”, botuar më 1976, në kohën më të zezë, në mesnatën e diktaturës. Ky roman, i përkthyer qysh në atë kohë në gjithë Europën e në SHBA, dëshmon qartë çfarë kam menduar dhe, kryesorja, çfarë kam shpallur publikisht lidhur me qytetërimin katolik në Shqipëri. Ky roman është rrëfimi i gjatë i një murgu katolik, që flet si zëdhënës i krejt kombit shqiptar. Të mendosh që vepra u botua në kohën kur feja, e sidomos feja katolike, ishte e ndaluar dhe e persekutuar në Shqipëri, mendoj se s’ka nevojë për koment.

Lidhur me At Gjergj Fishtën, do të thosha, së pari, se po abuzohet me të në mënyrë të palejueshme. Pyetja për poetin bëhet shpeshherë jashtë çdo kriteri të diskutimit intelektual. Ajo bëhet në mënyrë provokative dhe kundër çdo parimi të etikës. Askund në botën e qytetëruar nuk i kërkohet llogari askujt përse nuk e ka pëlqyer ose përse e ka kritikuar një shkrimtar. Të vijmë tek At Gjergj Fishta.

Ka shumë rrahagjoksa sot që, ndërsa bëjnë be e rrufe për Fishtën, nuk kanë guxuar as t’ia përmendin emrin gjatë diktaturës. Natyrisht, nuk mund të fajësohen për këtë. Fishta ka qenë i ndaluar, madje më i mallkuari ndër të ndaluarit. Ndalimi i Fishtës ishte i rrokakrejtshëm (total). Kërkohej me këmbëngulje që as emri mos t’i përmendej. Më i keqi ndër ndalimet ishte pikërisht ky, kur poeti konsiderohej i paqenë. Rrahagjoksat iu bindën ndalimit. Në një pikëpamje duken të pafajshëm, por ka një çast kur mëkati shfaqet. Disa nga rrahagjoksat pranuan të shkruanin studime e sprova për letërsinë e fillimit të shekullit, sidomos vitet njëzet e tridhjetë, duke iu bindur verdiktit: Fishtës të mos i përmendej emri, të quhej i paqenë.

Dikush mund të pyeste: ç’duhej të bënin?

Përgjigjja është e thjeshtë: të shmangnin shkrimet për atë periudhë, kur ai zinte vendin e parë në letërsi. Në këtë pikë, mendimi im ndahej nga ai i rrahagjoksave. Mendoja se heshtja totale, fshirja nga kujtesa e shkrimtarëve të ndaluar, ishte ndalimi më i keq, ishte pikërisht dëshira e vërtetë, qëllimi final i diktaturës. Ndaj kam kërkuar një zgjidhje tjetër, që e mendoja më të favorshme për shkrimtarët e dënuar e, natyrisht, për të vërtetën. Ideja ime ishte: të përmendeshin ata, me çdo kusht, qoftë edhe duke i përcjellë me kritika të rrepta.

Ç’kritika mund të përdoreshin si taksë për përmendjen e emrit?

Ishin pak a shumë dy modele: njëri tepër i skajshëm, si për shembull, kriminel, hienë e zezë, spiun i fashizmit, shërbëtor i pushtuesve etj. Të tilla unë nuk kam përdorur kurrë. Modeli i dytë, më i moderuar: reaksionar, konservator, patriarkal, primitiv, nacionalist, folklorist, shovinist etj. Kam pasur idenë, i bindur se kisha të drejtë, të përdor ato kritika, për të cilat Fishta mund të kritikohej vërtet. Që Fishta ishte konservator, reaksionar dhe nacionalist, madje shovinist, për të mos përmendur folklorizmin e patriarkalizmin, e kisha shumë lehtë ta besoja. Madje, falë dy shkollave të larta, njohjes së letërsisë botërore dhe snobizmit rinor, disa nga këto cilësime s’më dukeshin ndonjë e keqe e madhe. Nuk do të guxoja të shtoja këtu se qëllonte që më dukeshin lavdërime, sikur të mos kisha një dëshmi që e vërteton këtë:

Në botimin e librit tim të parë në Moskë, që u përgatit kur isha student atje, pranova si kusht për botim që, përkthyesi im, David Samoilov, të shkruante në parathënie se kisha ndikime të modernizmit e dekadentizmit borgjez. Kjo kritikë, jo vetëm që s’m’u duk e keqe, por më dha njëfarë kënaqësie. Akuzat ose lavdërimet në botën komuniste shpesh bënin efekt të kundërt. Ato përdoreshin shpesh kundër shkrimtarëve të kohës, atyre që quheshin shkrimtarë të epokës së partisë. Një pjesë të epiteteve që përmenda më lart, madje të pasuruara me të tjera, si vepër kundër partisë, kundër socializmit, kundër popullit, jo vetëm janë përdorur kundër meje, por unë vetë, në një autokritikë të botuar tashmë, i kam thënë kundër vetes.

U zgjata në këtë pikë, ngaqë kjo intervistë botohet në “Hylli i Dritës”, e pandarë nga emri i Fishtës. Siç e thashë në krye, ka një abuzim të madh me të. Është krijuar një mashtrim, që ka lidhje me një nga dukuritë më dinake të komunizmit: atë që quhet transferim i krimit. Diktatura dhe shërbëtorët e saj postdiktatorialë përpiqen të heqin nga supet e tyre barrën e turpit, për ta zbrazur mbi të tjerët. Shkrimtarët shqiptarë kanë përgjegjësinë e tyre për çoroditjen e letërsisë shqipe, por s’janë ata në zanafillë të krimeve të mëdha diktatoriale, tmerret dhe gjëmat e zeza, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e Fishtës, të Koliqit e të tjerëve. Fabrika e ndryshkur e pasdiktaturës vazhdon të prodhojë mashtrime nga më monstruozet.

Një prej tyre, që e dëgjova në një mbledhje publike me shqiptarët e Amerikës, e shpjegonte ndalimin e Fishtës si rrjedhojë e vendimit të një komisioni prej tre vetash, të përbërë nga Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe Ismail Kadare. Ishte e lehtë për mua t’i jepja përgjigje këtij mashtrimi: kur Fishta dhe gjithë të tjerët u ndaluan, unë isha nëntë vjeç. Gjithë salla qeshi dhe unë bashkë me ta. Por nuk ishte për të qeshur. Fara që la pas ai regjim, vezët e gjarprit vazhdojnë të helmojnë atmosferën. Thelbi i mashtrimit është llogaritur në mënyrë djallëzore. Sipas tij, krimet nuk i ka bërë kupola komuniste, por tjetërkush.

Në qoftë se përfytyrohet një komision ndalimi për Fishtën, me dy zyrtarë të lartë dhe një shkrimtar, natyrisht që faji për ndalimin, në radhë të parë i bie shkrimtarit. Rasti e solli që shkrimtari i akuzuar ua kujtoi dëgjuesve se ishte në atë kohë nëntë vjeç, por sa raste të tjera ka kur nuk gjendet kurrkush për të sqaruar të vërtetën dhe kështu gënjeshtra ngadhënjen? Dhe njerëzit mund të thonë: i gjori shoku Ramiz dhe e gjortha shoqja Nexhmije, ku ta dinin si ishte puna e Fishtës? Ishte ai, krimineli i madh I. K., që i ka bërë të gjitha, madje dhe të gjorthin shokun Enver, I. K. e ka nxitur të bëjë krime! (Kjo e fundit, sado fantaziste të duket, është thënë në shtypin gjerman pikërisht nga kinse disidenti që përmendni ju, në krye të kësaj interviste: në Shqipëri ka pasur jo një, por dy diktatorë, E. Hoxha dhe I. Kadare, madje ky i dyti ishte më i keqi!)

Meqë ra fjala, ky kinse disident dhe ish-oficer i Sigurimit, ndërsa është shfaqur si ithtar i Fishtës, në të njëjtën kohë, pasi është deklaruar turk, s’ka lënë sharje pa thënë kundër Skënderbeut. Fishta do të dridhej në varr (nëse do ta kishte), po të merrte vesh se një tip i tillë, pasi lavdëron Gjergj Fishtën, e hedh në baltë Gjergjin tjetër, atë të Kastriotëve, duke e quajtur hajdut kuajsh dhe agjent të italianëve! Në Shqipëri mbrapshtitë nuk kanë fund.

Tashti, pas kaq kohe reflektimi, cili asht mendimi juej për Fishtën dhe vendin e tij në letërsinë shqipe?

Ndërsa për vlerat e katolicizmit shqiptar nuk kam pasur ndonjëherë moskuptim (më 1959, kur isha student në Moskë, romanin tim të parë “Qyteti pa reklama” e kam nisur me frazën e parë të “Mesharit” të Gjon Buzukut), nuk mund të them se kjo ka ndodhur me Fishtën. Gjykimi im i padrejtë për të, mendoj se nuk ka lidhje me komunizmin. Ka gjasë se edhe në një rend tjetër do të kisha, ndoshta, të njëjtin moskuptim. Moskuptimi ka qenë, me sa duket, fryt i një mode pothuajse botërore, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur letërsia klasike, e sidomos shkrimtarët e cilësuar kombëtarë, pësuan një nga sulmet e radhës, prej brezit të ri. Student i letërsisë, në një mjedis disi liberal, fill pas dënimit të krimeve të Stalinit në Moskë, jam gjendur midis kësaj mode, si rrjedhojë e së cilës, për një pjesë të letërsisë botërore e, natyrisht, të letërsisë shqipe, për Naimin, Fishtën, Çajupin e të tjerë, kam pasur ftohtësi dhe paragjykime, sidomos për veprat që quheshin monumentale, si “Histori e Skënderbeut” dhe “Lahuta e Malcisë”.

Duhej të kalonte shumë kohë për të kuptuar se vlerësimi im për ta ka qenë i gabuar. Kam kuptuar, ndër të tjera, se vlerësimi për ata që pranohen, me të drejtë, si “poetë kombëtarë”, nuk kalon nëpër të njëjtat kritere profesionale, si për të tjerët. Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta kanë qenë dhe mbeten dy poetët kombëtarë të Shqipërisë, të vetmit, të fundmit dhe të papërsëritshmit.

Poeti kombëtar nuk është e thënë të ketë atë stërhollim artistik, atë përkryerje apo magji të epërme që ka shpesh arti luksoz dhe elitar. Poetët kombëtarë, për arsye që dihen, e kanë flijuar shpesh artin e tyre në një tjetër altar. Ndërkaq, ata krijojnë me kombet e tyre një raport të habitshëm, gati-gati misterioz, një njëjtësim me peizazhin historik e shpirtëror, të tillë që, duke u bërë njësh me atë të kombit, arrin disa herë ta dyzojë atë. Nëse shpesh ata qëllojnë që nuk janë shkrimtarët më të parapëlqyer e më të lexuar, ata janë, pa dyshim, më të domosdo-shmit. Të tillë na ngjajnë sidomos në kohë të vështira, kur kombi ligështohet dhe katastrofat shfaqen në horizont.

Kam bindjen se, në kohën që jetojmë, në këtë fillim problematik të shekullit XXI, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë përsëri më të nevojshëm se kurrë.

Si i gjykoni sot shkrimet tueja të kohës së komunizmit, ku flisni për E. Hoxhën dhe diktaturën? A mendoni se ka vend për interpretim aty ku nji lexues i randomt sheh nji realitet të lustruem të diktaturës komuniste?

Pas përmbysjes së komunizmit, pyetja se ç’është kjo letërsi që u krijua në kohën e tij dhe si do të gjykohet ajo, bashkë me shkrimtarët që fati e solli të jetojnë në komunizëm, u kthye në një kureshti botërore. Mendimet u ndanë pak a shumë më dysh. Sipas një mendimi që ngjan tepër antikomunist, por që, siç do të shpjegohet më poshtë, del kryekëput komunist, kjo letërsi është kryekrejet komuniste, dhe si e tillë, do të ketë fatin e tij, të përmbyset. Gjithmonë sipas këtij mendimi, në motërzimin e tij shqiptar, më mirë do të ishte që kjo letërsi të mos ekzistonte dhe, bashkë me të, shkrimtarët vetë të mos ishin. Këtyre të fundit haptas iu është bërë pyetja: përse vazhduat të shkruani, përse nuk heshtët, madje përse nuk vdiqët!

Kundërshtarët e kësaj teze ngulmojnë se ajo është në thelb komuniste, ngaqë pranon ngadhënjimin e plotë të komunizmit brenda epokës së vet, madje edhe tani, jashtë saj. Që këtë tezë e pëlqejnë shumë komunistët, kjo nuk është ndonjë habi, por që antikomunistët e pëlqejnë edhe më fort, kjo është një habi e habive.Te teza se do të ishte më mirë që kjo letërsi të mos ekzistonte, kundërshtarët e saj gjejnë racizëm, sidomos kur ajo bëhet prej të huajve.

T’u thuash shqiptarëve se ishte më mirë të jetonin gjysmë shekulli pa letërsi dhe art, për të vërtetuar se komunizmi ishte i keq, do të thotë t’i konsiderosh ata si nënpopull. Është tezë raciste kur popullit shqiptar i parashtrohet diçka që nuk guxohet t’u propozohet as francezëve, as gjermanëve, madje as rusëve të gjendur në kushte të ngjashme (komunizëm, fashizëm ose pushtim nazist). Nënteksti racist i tezës është: s’u bë hataja pse ky popull jetoi pa art gjysmë shekulli, në kohën që quhet fundi i botës nëse jeta kulturore, për shembull, do të paralizohej gjatë pushtimit nazist në Francë, gjë që nuk ndodhi aspak.Një mendim tjetër është ai, sipas të cilit, pavarësisht në ç’kohë krijohet, letërsia gjykohet pas ligjeve të saj dhe jo ligjeve komuniste, fashiste ose jokomuniste, por, si kudo dhe kurdo, ndahet në letërsi të mirë dhe letërsi të keqe.

Mendimi im është me ata për të cilët letërsia duhet të gjykohet si letërsi. Megjithatë, për atë veçanti që pati regjimi mizor në Shqipëri, do të shtoja se në këtë rast kriteri themelor, natyrisht, duhet të jetë vepra, por një kriter kryesor nuk ka si të mos jetë moraliteti i shkrimtarit. Me këtë nuk kam parasysh idiotësitë e shkrimtarëve, pjesë e idiotësive të popullsisë së sunduar, vjershat, këngët për festat, qeverinë apo katundarët e dalluar, për krimet e pafalshme, si spiunimin e kolegëve, dërgimin e tyre në burg a në pushkatim, e të tjera si këto. Është kjo arsyeja që prej më shumë se dhjetë vjetësh kam kërkuar hapjen e dosjeve të fshehta.Lidhur me teorinë e “heshtjes” si qëndresë ndaj regjimit, mendoj se jo çdo heshtje ka vlerë. Heshtja letrare është ajo e një shkrimtari të njohur, që befas e ndërpret krijimtarinë. Në njëfarë mase, atë e bëri Lasgush Poradeci dhe Dhimitër Pasko, por edhe ata me shumë kujdes, ngaqë regjimi ishte tepër përgjues edhe ndaj heshtjes. Në Shqipëri sot kanë dalë shumë mëtues të heshtjes. Ata shpallin pak a shumë mendimin se do të kishin qenë shkrimtarë me vlerë, por parapëlqyen të heshtin.

Si parim është vështirë të kundërshtohet, por, ndërkaq, një pyetje është e pashmangshme: si vërtetohet kjo? Me fjalë të tjera, si vërtetohet talenti, dhe e dyta, si vërtetohet se shkaku i heshtjes nuk është ajo që thuhet, por tjetër gjë (ta zëmë frika)?

Kjo të kujton një tregim të Mark Tuenit, ku përshkruhet një botë paralele, ku qokat janë të ndryshme nga bota jonë. Kështu, poeti më i madh atje nuk është Homeri, por një rrobaqepës, ndonëse nuk ka shkruar kurrë asnjë varg. Shpjegimi zyrtar, dhe natyrisht i atij vetë, është i thjeshtë: unë vërtet nuk kam shkruar kurrë, ngaqë nuk pata kushtet, por po t’i kisha ato, kisha për të qenë mbi Homerin.Të kthehem te pjesa e rrokshme e pyetjes suaj: letërsia që kam krijuar në atë kohë. Do të përpiqem të jem sa më i kapshëm. Për vite me radhë unë vetë kam bërë pyetjen: ç’është kjo letërsi që po bëj? A është letërsia e duhur? A ka ndonjë vlerë, apo do të vdes bashkë me regjimin?

Jam i sigurt se pyetje të tilla janë bërë gjithkund në kampin e gjerë komunist. Ndërkaq, në vitin 1970, në jetën time ndodhi diçka befasuese. Vepra ime, e botuar së pari në Francë, nisi të përkthehej në gjuhët kryesore të Europës e të botës, që nga Nju-Jorku në Tokio.Unë nuk e pranoj që kriteri bazë për të vlerësuar një shkrimtar është përkthimi në botën e huaj. Raste të kundërta ka plot. Por, të ndodhte ky përkthim, i shoqëruar me suksesin, më 1970, kishte një kuptim tepër të madh. Nuk ishte thjesht botim, e aq më tepër sukses jashtë shtetit. Ishte përkitja (kontakti) me botën e lirë. Bota e lirë perëndimore, në metropolet e saj, në Paris, Nju-Jork, në Berlin, në Romë, në Londër, befas lexon dhe çmon një letërsi të krijuar në një vend-burg, më fatkeqin vend të perandorisë komuniste.Shqipëria në atë kohë nuk prodhonte veç terr, mërzi dhe lajme që të ngjethnin mishtë. Dhe, befas, ajo nxjerr një letërsi që, jo vetëm shpërndahet me shpejtësi, por pëlqehet njëlloj sikur të ishte e botës jokomuniste. Ky ishte për mua dhe për gjithë njerëzit një test i pazakonshëm. Si në mrekullitë e përrallave, ky test më çoi mua në të ardhmen. Prej tij kuptova se, pavarësisht se regjimi ishte i çmendur, unë po krijoja letërsi normale. Pavarësisht se Shqipëria ishte burg, kjo letërsi që dilte prej saj ishte e lirë. Ndryshe ajo s’kishte përse të pritej me aq dashamirësi në Perëndim.

Gjithë vepra ime u botua në botën e lirë. Unë nuk kisha dy lloj veprash, një për “këndej”, një për “andej”. U bëra i njohur kryesisht me veprat e botuara në komunizëm, madje të botuara së pari në shqip dhe në Tiranë.Kam thënë shumë herë se vepra ime nuk ka nevojë të quhet as disidente, as komuniste, as antikomuniste, as subversive etj., etj. Ajo është në radhë të parë letërsi dhe ky është nderi më i madh për një vepër që u krijua në një vend si ky.Ka shumë njerëz që ngulin këmbë për ta paraqitur këtë vepër si pjellë të regjimit e të Enver Hoxhës. E kuptoj kur kjo bëhet nga shkrimtarët tepër militantë komunistë, e kuptoj kur bëhet nga Nexhmije Hoxha, ngaqë asaj i duket se po i bëhet nder burrit të saj, i cili nuk paska bërë vetëm vrasje në Shqipëri, por ka pjellë edhe vlera artistike! Por nuk e kuptoj dot se përse kjo mbrapshti bëhet nga ata që shpallen si antikomunistë.Pyetja ngjan si në rastin e atyre katolikëve, që me zell qëmtojnë armiq të katolicizmit. Thelbi është i ngjashëm, veç, në këtë rast, në vend të armiqve qëmtohen miq të paqenë të Enver Hoxhës. Vërtet e çuditshme.Për sa i përket interpretimit prej lexuesit të rëndomtë që ju përmendni, ai ka vërtet nevojë për një lexim dhe interpretim më serioz. Po ju sjell vetëm një shembull të leximit krejtësisht të gabuar.

Është fjala për një personazh themelor të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, plakën Nurihan. Ende sot detraktorët e mi e përmendin këtë personazh si akuzë kundër meje, gjasme si vërtetim të tezës se i kam rënë në qafë klasës së përmbysur.Në të vërtetë është krejt e kundërta. Plaka Nurihan, personazhi antonim i Enver Hoxhës, në “Dimrin e vetmisë së madhe” është një figurë monumentale, që simbolizon klasat e përmbysura në Shqipëri, dhe unë jam krenar që ky personazh është një ndër më dinjitozët në këtë vepër.Ç’është kjo plakë, me tipare mitike, në vazhdën e “plakave të jetës” të “Kronikë në gurë”? Qysh në faqet e para të romanit, ajo ngryset e gdhihet pranë radios, për të kapur prej stacioneve të botës ndonjë lajm, ndonjë shenjë të përmbysjes së komunizmit. Gjatë gjithë romanit, ajo përshkruhet gjithmonë kështu, në pritje, në heshtje, në vigjilim të pafund. Asnjë fjalë e keqe nuk thuhet për të. Për lexuesin “borgjez” ajo ishte mishërimi i shpresës, i ankthit të tyre, i pritjes së pafund për rrëzimin e pushtetit komunist. Për lexuesin komunist ajo ishte plakë borgjeze, shtrigë e keqe, që ëndërron fundin e partisë e të shokut Enver.

Komunistët kishin të drejtë ta urrenin këtë plakë mitike, të kishin tmerr prej saj, por ç’kanë detraktorët antikomunistë?

Për një habi të madhe, në vend që të jenë dashamirës për këtë zonjë borgjeze, këtë farë të shpresës, ata, në mendjet e tyre, e quajnë atë njëlloj si komunistët, shtrigë. Dhe zemërohen me mua që kam krijuar këtë shtrigë.Zotërinjtë shfaqen këtu në një dritë të pikëlluar. S’kam të drejtë ta vë në dyshim antikomunizmin e tyre, por, ndërkaq, nuk kam si të mos them se, pavarësisht nga mllefi antikomunist, mendja e tyre, pa e ditur, ndoshta, as ata vetë, në thellësi ka mbetur skllave e mendësisë komuniste. Meqenëse jemi te ky roman, ai përdoret shpesh si argument për kinse “lustrim të diktaturës”. Për të thënë se është e kundërta, nuk do të përmend acarimin kundër tij, pikërisht të aparatit të diktaturës shqiptare, e cila arriti ta hiqte nga qarkullimi botimin e parë. Do t’i kthehem testit të botës së lirë.

Pas botimit të tij anekënd Europës, kjo botë nuk u mor me imtësirat dhe mungesat e tij të shpjegueshme. Lexuesi i botës së lirë, kapi në këtë roman tablonë globale të komunizmit botëror, një nga më të zymtat, për të mos thënë më e zymta që është dhënë ndonjëherë në një vepër letrare. Dimër i ftohtë dhe ankth, klasa kundërshtare që ëndërrojnë masakra kundër njëra-tjetrës, intriga të errëta midis shteteve kinse vëllezër komunistë, kujtime krimesh, burgjesh, arrestimesh, fantazma ministrash të pushkatuar, që shfaqen në pritje qeveritare, me shenjat e plumbave të gjakut mbi trup, si në dramat e Shekspirit, pyetja plot ankth e personazheve: tani që po shkëputemi nga Lindja, a do të shkojmë vallë drejt Perëndimit?

Në qendër të ngjarjes, mbledhja botërore e 81 shefave komunistë të krejt planetit, përshkruhet si meshë e zezë. Intrigantë, vrasës, mafiozë të vërtetë. Midis tyre është lideri shqiptar, i cili i shpëton këtij përshkrimi për arsye që merren me mend. Moszbërthimi i plotë i portretit, ishte pjesë e taksës së detyrueshme që nuk mund t’i shmangej askush, për të ekzistuar si shkrimtar. E kam paguar atë taksë ashtu si të tjerët, por ajo zë një vend fare të papërfillshëm në veprën time. Ishte taksa që nuk iu shmangën dot as kolegët e mëdhenj Pasternaku, Ahmatova, Bulgakovi e të tjerë. Ndaj ajo nuk pengoi aspak që letërsia shqipe, nëpërmjet meje, të hynte në klubin e lirë të metropolit europian.

Në një intervistë të gjerë me Stephane Courtois, autorin francez të veprës së famshme “Libri i zi i komunizmit”, i cili ka shkruar se “Dimri i vetmisë së madhe”, në një rilexim të vitit 2005 i është dukur më antikomunist se gjatë leximit të parë të vitit 1978, kam shpjeguar se shkëputja e Shqipërisë prej kampit komunist në vitet gjashtëdhjetë, ka qenë i vetmi aksion, historikisht pozitiv, ndonëse i pasinqertë i Enver Hoxhës, aksion me të cilin kam qenë dakord. Ashtu si gjysma e shqiptarëve, kam shpresuar se kjo shkëputje do ta çonte Shqipërinë drejt Perëndimit, gjë që, për fat të keq, nuk ndodhi.
/ Revista saras.al, marrë nga Kadare, Vepra XX, Onufri, Tiranë, 2009.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here