Jo fushatë me rrugë, por luftoni korrupsionin

0
552

Nga: MENTOR KIKIA

Aroma e zgjedhjeve të përgjithshme po ndihet. Dibranët, ndërsa duhet të zgjedhin vetëm kryetarin e bashkisë së tyre, janë gjendur  në syrin e një cikloni politik. Në garë nuk janë vetëm dy kandidatë, por dy partitë e mëdha, PD e PS, që po bëjnë provën gjenerale për zgjedhjet e përgjithshme. Në garë janë madje edhe PDIU dhe LSI, kush të sigurojë më shumë vota, për t’i treguar PS-së se cila është më e nevojshme për të si aleate. Kjo ka bërë që në Dibër të zbarkojnë nga Tirana shtabe elektorale, deputetë, biznesmenë që kanë edhe mandat deputeti, tregtarë, batakçinj, makina me logo e pa logo, me targa e pa targa, private e të administratës.

Shtyllë kurrizore e luftës politike është bërë Rruga e famshme e Arbrit, ajo që praktikisht mban Dibrën të izoluar. Ata që e nisën po premtojnë se do ta bitisin, ndërsa ata që as e nisën dhe as e vazhduan, po prometojnë gjithashtu se do ta përfundojnë. Por jo vetëm në Dibër. Një tjetër rrugë e mbetur rrugëve, ajo Tiranë-Elbasan, mori një premtim për përfundim. Kreu i autoritetit rrugor deklaroi se projekti do të përfundojë në qershor 2017, pra fiks në të njëjtën kohë me zgjedhjet.

Rrugët ishin kryefjala e fushatës së Berishës, që kërkoi tre vjet më parë të mbante partinë e tij në pushtet. Ai brodhi me podium në krah fshat më fshat e rrugë më rrugë, përfunduar e pa përfunduar, duke prerë shirita. Por nuk ia doli. Nuk ia doli t’u merrte votat as elbasanasve, të cilëve u mbajti premtimin për ndërtimin e tunelit, duke ua shkurtuar lidhjen me Tiranën në vetëm gjysmë ore. Rama nuk ka çfarë të përurojë në këtë drejtim, pasi shleu borxhet që la rrugëve Berisha. Por qytetarët nuk shikojnë letrat, ata shikojnë veprat. Megjithatë, parë kështu, nëse do të ishin rrugët argument për të marrë apo mbajtur pushtetin, për hir të së vërtetës sot duhej të ishte ende Berisha kryeministër.

Shqiptarët e larguan Berishën, edhe pse ai ndërtoi rrugë më shumë se çdo qeveri tjetër në këtë vend. E larguan sepse korrupsioni i tij kishte dalë nga kanalet nëntokësore dhe po harbohej rrugëve. Berisha e vuri pushtetin në shërbim të një grupi njerëzish të afërt, përfshi edhe familjen e tij, të cilët u pasuruan në kurriz të popullit dhe në kurriz të ekonomisë kombëtare. Sot ajo qeveri është në opozitë dhe kërkon sërish pushtetin, pa asnjë ndjesë për atë që ka bërë, e mbi të gjitha pa asnjë katarsis. Basha duhet ta dijë që ne e dimë se ai ka në skuadër të njëjtët hajdutë që kishte Berisha në qeveri. Sado rrugë të premtojë, ai mund të vijë në pushtet vetëm nëse shqiptarët janë mërzitur vërtet keq me Ramën.

Edi Rama erdhi në pushtet si njeriu antikorrupsion. Shqiptarët nuk besuan se ai ishte Mesia dhe do t’i prishte magjinë e zezë këtij vendi. Ai erdhi me premtimet se do të zhdukte monopolet në ekonomi, koncesionet korruptive e klienteliste, që po shkatërrojnë pasuritë mbi dhe nëntokësore të këtij vendi. Do të denonconte aferat e atyre që i kishin bërë këto prapësi, apo zullume siç ai preferonte t’i quante. Do të padiste ata që me paratë e popullit kishin paguar dhjetëra miliona euro spote publicitare, për të fshehur vjedhjet dhe mashtruar popullin.

Por Rama nuk bëri asnjërën nga këto. Koncesionet jo vetëm që nuk i anuloi, por hapi të tjera, edhe më abuzive. Shuma marramendëse nga fondet publike u shpenzuan e po shpenzohen, në formë koncesionesh e tenderash abuzivë, për t’u kthyer mbrapsht sipërmarrësve paratë që shpenzuan për të financuar fushatën e Partisë Socialiste. Asnjë ish-zyrtar i korruptuar nuk u ndëshkua. Oligarkia që krijoi Berisha, jo vetëm që s’u lëkund, por u shndërrua menjëherë në kliente e qeverisë së Ramës. Monopolet nuk u shkatërruan, por jo më larg se javën e kaluar, me lejen e shtetit, u ngulën një tjetër thikë në kockë shqiptarëve me çmimin e rritur nga oligopoli i sigurimeve. Shqiptarët tashmë e dinë se oligarkia e këtij vendi nuk është thjesht një serbator i politikës, por tashmë ajo po i shkruan vetë ligjet dhe vendimet që miratohen në qeveri e parlament, për interesat e saj. Dhe këtu të gjitha palët merren vesh pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Vendimet për interesat e oligarkisë votohen pa debat e pa vota kundër.

Rama ka meritën, si asnjë kryeministër tjetër, që vuri në binarë një pjesë të shtetit, i dha fund epokës së vjedhjes masive të energjisë, ndaloi ndërtimet kaotike nëpër fusha e male, formalizoi pjesën më të madhe të ekonomisë etj. Por këto nuk mund t’i sigurojnë atij një vend në histori, derisa njerëzit po vazhdojnë të ndjejnë dhe të jenë dëshmitarë të korrupsionit që përfshiu qeverisjen që në mandatin e saj të parë.

Ndaj Edi Rama nuk duhet të hidhet në fushatë me premtime rrugësh, me dhe pa tunele. Nuk duhet të futet në fushatë me idenë se matanë gardhit është gogoli Berisha “që mund t’ju vijë sërish, nëse nuk më votoni mua”. Aq më pak nuk duhet të futet në fushatë me llogaritë se sa vota do të blejnë aleatët e vjetër e të rinj në pazarin elektoral të injorancës dhe varfërisë së fshatrave dhe periferive urbane.

Shqiptarët gjithmonë kanë zgjedhur të keqen më të vogël mes dy të këqijve. Por kësaj radhe duket se do të jetë e vështirë të identifikosh se cila do të jetë më e vogla mes disa të këqijave.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here