Ja çfarë parashikon ligji mbi amnistinë

0
1582

Publikoi Gjin Musa

LIGJ
Nr. 154/2015
PËR DHËNIE AMNISTIE

Në mbështetje të neneve 81, pikat 1 e 2, shkronja “ë”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:

Neni 1
Qëllimi dhe parimet e ligjit

1. Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit të gjithë personat që plotësojnë kriteret, sipas dispozitave të këtij ligji.
2. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik.

Neni 2
I dënuar

I dënuar, në kuptim të këtij ligji, konsiderohet personi i dënuar nga gjykata me vendim gjyqësor të formës së prerë, deri në datën 30 nëntor 2015.

Neni 3
Kriteret për përfitimin e amnistisë

Plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas këtij ligji:
a) personat e dënuar vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2015, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji;
b) personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në datën 30 nëntor 2015) apo personat, për të cilët gjykata deri në datën 30 nëntor 2015 ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit;
c) personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji;
ç) personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji;
d) personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në nenin 5 të këtij ligji;
dh) personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c, 81, 101, 103, 104, 110/a, 139, 140, 141, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283/a, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal.

Neni 4
Kushtet për dhënien e amnistisë nga vuajtja e dënimit

Të gjithë personave të dënuar, të cilët nuk përfitojnë nga parashikimi i nenit 3 dhe përjashtohen nga kriteret ndaluese, të parashikuara në nenin 5, të këtij ligji, u amnistohet:
a) 1,5 vjet të mbetura për personat e dënuar gra dhe personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur.
b) 1 vit të mbetur për personat e dënuar burra.

Neni 5
Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë
1. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:
a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75 të Kodit Penal;
b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c e 81, 82, 83/a, 83/b, 84, 84/a e 85, të Kodit Penal, si dhe në nenin 77 të Kodit Penal Ushtarak;
c) vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87, paragrafin e dytë të nenit 88, 89/a e 99 të Kodit Penal;
ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106, 107/a, 108 dhe 108/a të Kodit Penal;
d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë, 109/b, 109/c, paragrafin e dytë të nenit 110, 110/a, 110/b, 110/c dhe 111 të Kodit Penal;
dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenet 114 dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë, të nenit 117, të Kodit Penal;
e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në paragrafin e dytë të nenit 124, paragrafin e tretë të nenit 124/b, nenet 128/a, 128/b, 129 e 130/a të Kodit Penal;
ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, paragrafin e dytë të nenit 137/a, paragrafin e dytë të nenit 138, 138/a, 139, 140, 141, paragrafin e dytë të nenit 141/a, paragrafin e dytë të nenit 143, 143/a, 143/b, 144/a, 152, 175, paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 180 e 181/a, të Kodit Penal, si dhe në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 59 të Kodit Penal Ushtarak;
f) vepra penale kundër falsifikimit të doku-menteve, të parashikuara në nenet 186, 189 e 191 të Kodit Penal;
g) vepra penale kundër mjedisit, të parashikuara në nenet 206/a e 206/b të Kodit Penal;
gj) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225 të Kodit Penal;
h) krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228 të Kodit Penal;
i) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 230/d, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a dhe 234/b të Kodit Penal;
j) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 248, 248/a, 250, 257/a, 258, 259, 259/a, 260, 265, 265/a, 265/b, 265/c, 266, 267, 270, paragrafin e parë të nenit 278, 278/a, paragrafin e dytë të nenit 282, 282/a, paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 283, 283/a, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 285, 286, 287, 287/a, 288, paragrafin e dytë të nenit 289, 290 e 298, të Kodit Penal, dhe në nenin 70 të Kodit Penal Ushtarak;
k) vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh e 319/e të Kodit Penal;
l) vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, të parashikuara në nenet 326, 326/a, 327, 327/a, 328, 328/a, 330/a, 331 dhe 332 të Kodit Penal;
ll) vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
2. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar, që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë.

Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 21.12.2015
Shpallur me dekretin nr. 9386, datë 6.1.2016, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here