Inxhinieri zbulon mashtrimin e Murat Mehës (Dokumente)

0
391

Marrë nga: Gazeta Monitor

Inxhinieri i diplomuar i Gjeodezisë, Salih Ahmetaj, u ka dërguar deputetëve, të cilët po bëhen gati të vendosin për demarkacionin me Malin e Zi, një dokument me plotë argumente.

Gazeta Fjala sjell analizën e tij në detaje, ku ka hedhur poshtë të gjitha pohimet e Komisionit Shtetëror për demarkacionin, se Kosova nuk është duke humbur territor.

Sips tij, kryetari i komisionit, Murat Meha (foto djathtas), ka gabuar kur ka pranuar kriterin kadastral si të vetmin kriter, dhe këtë e ka bërë se në atë kohë ka menduar se kufiri kadastral nuk dallohet nga kufiri real, i cili kalon nëpër Qafën e Çakorrit.

Për këtë Ahmetaj thotë se Meha duhet të gjejë forcën dhe ta pranojë se është mashtruar, siç është evidente nga punimet e tij nga 2001 e deri në 2015, shkruan Gazeta Fjala.

Kjo, sipas tij do të qetësonte situatën dhe problemi i demarkacionit do të niste nga e para, sepse edhe pala malazeze e di se ka “mashtruar” në këtë proces.

Më mirë vonë se kurrë!”, shkruan ai në analizën e tij drejtuar deputetëve.

Lexojeni të plotë analizën e inxhinierit Salih Ahmetaj:

Kryetari i Komisionit Shtetëror dhe HALLAKAMA rreth Demarkacionit

Më 19 gusht 2016, portali Telegrafi boton një shkrim “Në atlaset e Murat Mehës kufiri është deri në Çakorr” i cili vëren saktësisht, se Çakorri është vendosur në kufi.

Në vend që të hesht, autori na del me një “demant”, se harta qenka lexuar gabimisht dhe se Qafa e Çakorrit është jashtë territorit të Kosovës “lart te kthesat e rrugës”, dhe në reagimin me 23 gusht 2016:

Murat Meha thote se Qafa e Çakorrit ne këtë harte është lart te kthesat e rrugës jashtë territorit të Kosovës, në mënyrë “profesionale”, “shkencore” e “zyrtare” na “shpjegon”:

Jam i bindur se nxënësit që e mësojnë gjeografinë e lexojnë qartë këtë hartë, dhe shihet që Qafa e Çakorrit është lart te kthesat e rrugës, jashtë territorit të Kosovës ashtu si shihet rrethi i kuq në hartën në vijim”. Fjala është për këtë pjesë të atlasit në faqen 50:

Siç shihet nga imazhi “me të vërtetë çdo nxënës e ka të qartë se ku ndodhet Çakorri!” Duke u nisur nga kjo “qartësi” dhe ky “shpjegim me kthesa”, në vazhdim po paraqesim disa nga “rrathët e kuq”, që në fakt janë vendkalime kufitare, sipas Hartës Turistike të Kosovës, të vitit 2004:

Brenda këtyre imazheve të prera nga kjo hartë janë edhe pyetjet përkatëse, se ku janë vendet që janë shënuar në hartë afër “rrathëve të kuq” (Vendkalimeve kufitare, sipas vetë autorit të Atlasit, hartave dhe reagimit më 23 gusht 2015 – shih imazhin paraprak):

…që Qafa e Çakorrit është lart te kthesat e rrugës, jashtë territorit të Kosovës…”, është i pabazë, sepse në hartën në fjalë nuk ka emërtime të kthesave, siç nuk ka në asnjë hartë në botë.

Autori i reagimit nuk e lë vetëm me këtë “shpjegim”, por në reagimin e tij edhe lavdërohet për “punën e tij profesionale” dhe në njëfarë mënyre shkrimin e Telegrafit të 19 gusht 2016, e merr si reklamë për punën e tij.

Autori bënë këtu dy gabime të rënda:

Na shpjegon me “qartësi se si duhen të lexohen hartat”, dhe nga gjashtë imazhet e paraqitura nga Harta e Turistike e Kosovës të vitit 2004, shihet qartë se shpjegimi i tillë “lart te kthesat” është i padëgjuar i paparë dhe pse mos të themi i turpshëm. Çdo koment tjetër këtu është i tepërt.

Gabimi i dytë është edhe më i madh dhe ai shpjegon shumë mirë “HALLAKAMËN” rreth demarkacionit. Kjo ka të bëjë me Kufirin “zyrtar” (shpallur zyrtar nga vetë autori) e “të saktë” (shpallur i saktë, prapë nga vetë autori) dhe Qafën e Çakorrit. Dhe ky gabim mund të shërbejë edhe si rrugëdalje nga kjo HALLAKAMË.

Autori, “Kufiri ZYRTAR” e i “SAKTË” dhe Qafa e Çakorrit

Në të gjitha botimet dhe punimet që i përmend autori, në reagimin, e tij që nga 2001 deri më 2015, na e tërheq vëmendjen, me krenari, se është vendosur “kufiri zyrtar i Kosovës”, i cili përputhet me kufirin, prapë “zyrtar”, i cili është dakorduar me palën malazeze. Dhe në të gjitha këto punime (harta e atlase) autori e paraqet Qafën e Çakorrit si vendkalim kufitar, edhe pse në reagimin e fundit përpiqet të na e dëshmojë se “…që Qafa e Çakorrit është lart te kthesat e rrugës, jashtë territorit të Kosovës…”, shpjegim ky i padëgjuar ndonjëherë në hartografinë botërore.

Në anën tjetër, në dokumentacionin e KSh, që në fakt janë pamflete kundër oponentëve të “demarkacionit zyrtar” , të vendosur në ueb faqen e Kryeministrit në http://kryeministri-ks.net/?page=1,281, Autori i hartave, atlaseve që nga 2001 e deri me tash, na bind në të kundërtën: Qafa e Çakorrit është jashtë territorit të Kosovës, dhe atë me kilometra.

Pra edhe një herë:

Autori dhe njëkohësisht kryetari i Komisionit Shtetëror në gjitha “punimet” e tij që nga 2001 e deri me 2015 (harta e atlase të llojllojshme) Qafën e Çakorrit e ka të paraqitur si vendkalim kufitar, edhe pse me shpjegimet “…lart te kthesat e rrugës…”, mundohet të na hedh hi syve, shpjegim ky që as parashkollorët nuk mund t’i bindë. Bile Qafën e Çakorrit e vendos në kufi Kosovë – Mali i Zi edhe në një hartë të vitit 1998 (shih një pjesë të saj më poshtë). Pra përfundimi i parë është Qafa e Çakorrit është në kufirin Kosovë – Mali i Zi, edhe sipas autorit.

Në cilësinë e Kryetarit të Komisionit, autori i këtyre “punimeve”, në dokumentacionin (më saktë pamfletet kundër oponentëve të demarkacionit) e paraqitur në http://kryeministri-ks.net/?page=1,281, na bind me qindra herë se Çakorri është jashtë territorit të Kosovës. Pra Përfundimi i dytë është se Qafa e Çakorrit është jashtë territorit të Kosovës, edhe pse kufiri është i njëjte si në “punimet” e autorit ashtu edhe në marrëveshjen e demarkacionit të KSh.

Pra këtu kemi një problem të madh. Në të dyja rastet kufiri është “zyrtar”, “i saktë në centimetra” dhe “përputhet”, sipas Kryetarit të KSh, me të gjitha ligjet, statutet, kushtetutat, marrëveshjet, statistikat… e çfarë jo tjetër. Mirëpo, problemi është se Qafa e Çakorrit lëviz, sipas pozitës që ushtron autori i reagimit: (1) kur është vetëm autor, i hartave e atlaseve, Qafa e Çakorrit është në kufi, ndërsa (2) kur është në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Qafa e Çakorrit është larg, po të njëjtit kufi, me kilometra në thellësi të territorit të Malit të Zi. Paradoks se jo mahi! Në vazhdim do të shpjegohet ky paradoks.

Paradoksi i Çakorrit – Kufiri i njejtë ndërsa Çakorri i lëvizshëm

Si të shpjegohet ky paradoks i Autorit të atlaseve e hartave me Kryetarin e Komisionit, i cili është i njëjti person, por ka qëndrime të ndryshme për vendndodhjen e Çakorrit, varësisht në cilën cilësi është.

Shpjegimi i parë për Çakorrin në kufi “zyrtar” është se edhe autori i hartave e atlaseve, edhe ata që ja kanë bërë këto punime, sepse zakonisht tjetërkush i bënë punimet dhe autori e vendos emrin e vet, e kanë ditur, me gjithë diletantizmin e vetë, se Qafa e Çakorrit është në kufi Kosovë – Mali i Zi. Këtë si thotë populli e “e kanë ditë dhe e dinë krejt dynjeja”, “e dinë edhe zogjtë e malit” e besa edhe zogjtë e Malit të Zi. Apo thënë më mirë deklarata “Qafa e Çakorrit është në kufi Kosovë – Mali i Zi” është E VËRTETË E NJOHUR BOTËRISHT si në Kosovë ashtu edhe në Mal të Zi.

Pra për këtë shkak Çakorri vendoset në “kufi zyrtar”, ku nuk mund ta ketë vendin, mirëpo E VËRTETA E NJOHUR BOTËRISHT është vendimtare për autorin dhe punuesit e hartave dhe atlaseve.

Edhe këtu kemi një paradoks ku dy gabime japin një të saktë: gabimi i parë “kufiri zyrtar” nuk është kufi real Kosovë – Mali i Zi, sepse nuk kalon nëpër Çakorr; gabimi i dytë Çakorri nuk mund të jetë në “kufirin zyrtar” pasi që ky kufi nuk është kufi real. Rezultati e vërteta e madhe Çakorri është në kufi Kosovë – Mali i Zi – edhe pse as kufiri i paraqitur në “punimet” e autorit nuk është real dhe as pozita Çakorrit nuk është mbi atë kufi “zyrtar”.

Autori i hartave e atlaseve, duke punuar shkel e shko, nuk i ka analizuar “punimet” e veta, sepse qysh më 2001 (ai vetë deklaron se punimet e tij janë me “kufi zyrtar” që nga ai vit) do ta kuptonte se “kufiri i tij zyrtar” nuk po funksionon si duhet, dhe do ta shihte se E VËRTETA E NJOHUR BOTËRISHT se Çakorri është në kufi Kosovë – Mali i Zi, nuk po i del E VËRTETË.

Me qasjen shkel e shko, si gjithmonë, autori i nis negociatat me palën malazeze, të cilët në takimin e dytë propozojnë kadastrin si kriter. Kryetari pret deri në takimin e tretë të palëve dhe pranon këtë kriter. Ua lë të gjithë punën palës malazeze, pasiqë “kufiri zyrtar kadastral” nuk mund ta zhgënjej assesi. Dhe kështu vazhdon puna (puna e palës malazeze e mospuna e palës kosovare), larg mediave e opinionit, në mënyrën më jotransparente të mundshme, për rrafsh 3 vite edhe pse kjo punë do të mund të kryhej për më pak se tre muaj, duke pasur parasysh Kadastrin si kriter të vetëm. Po nejse kjo është tjetër temë dhe dëshmon për korrupsionin e të dyja palëve. Informacionet e para mbi këtë proces vijnë nga pala malazeze e jo nga pala kosovare.

Disa personalitete te vëmendshme, nga Kosova, e kuptojnë se diçka nuk është në rregull – kufiri po zhvendosej në brendi të vendit tonë me kilometra të tëra. Komisioni hesht, Qeveria hesht gjithashtu.

Kryetari i Komisionit e kupton që e ka gabim dhe e di se e ka gabim. Të gjitha “punimet” e tij e dëshmojnë këtë. Mirëpo ngul këmbë se e ka mirë. Pasi që nuk ka asgjë të shkruar se çfarë ka punuar Komisioni i tij, pasi që nuk ka punuar asgjë dhe pasi që Demarkacioni bëhet HALLAKAMË E MADHE në Kosovë, fillon brenda Agjencionit të tij Kadastral, që me njerëzit e tij të besueshëm të punojë pamflete (3 të tilla me gjithsej 490 faqe) ku mund të gjendet gjithçka, por asgjë që ka lidhje me demarkacionin, si proces sipas standardeve ndërkombëtare. Në këto pamflete të punuara, si zakonisht, shkel e shko ka:

Shkresa të njëjta të paraqitura në disa vende
Ka kërkesa për të dhëna apo takime, por nuk mund të gjinden përgjigjet
Ka përgjigje pa kërkesa

I kërkohet Komunës së Pejës, që t’ia dërgojë Komisionit koordinatat e kufirit me Malin e Zi, të vulosura e zyrtare. Pastaj i kërkohen sipërfaqet e Zonave kadastrale. Që këto kërkesa janë lojë jo e mirë, dëshmon fakti, se Komuna Pejës këto të dhëna i merr nga serverët e AKK. Pra AKK kërkon të dhëna që i ka.

Pothuajse nuk ka asnjë informatë se çfarë është dhe si është punuar me palën malazeze. Kryesisht, Komisioni aktron punën duke u marrë me shkresa të panevojshme me kryetarë komunash e Kadastra Komunal, në lidhje me informacionet që ndodhen AKK

Në këto pamflete thuhet se është punuar edhe sipas Rezolutës së Kuvendit për Demarkacionin, edhe pse marrëveshja ishte nënshkruar dy javë përpara, se kjo rezolutë të aprovohej nga Kuvendi, nga të dyja komisionet shtetërore.

Shumë faqe janë të padukshme – skanim i dobët
Ka faqe që janë më kokëposhtë

Shkresat që i drejtohen Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm mbyllen kështu: “Falënderojmë për përkrahjen, ndaj jemi në dispozicionin tuaj, me ndërgjegje të pastër, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi shtetërore

Shumica e këtij “dokumentacioni” është punuar pasi që kanë përfunduar të gjitha punët dhe janë nënshkruar marrëveshjet, duke dëgjuar opinionin kosovar dhe duke “përshtatur” dokumentacionin “zyrtar” të KSH për t’i luftuar këto opinione.

Në 490 faqe të këtij dokumentacioni, i ndarë në tri pjesë, më së shumti i kushtohet vëmendje çështjes së Çakorrit, ku “faktohet” se Çakorri kurrë nuk ka qenë në kufi.

Këtu shtrohet pyetja, a është e nevojshme për një komision “me ndërgjegje të pastër, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi shtetërore” të merret se cilat pika janë jashtë e cilat brenda? Jo. Komisioni “me ndërgjegje të pastër, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi shtetërore” e kryen punën e vet dhe nuk merret me cikërrima. Mirëpo pasi që Komisioni, ose më saktë, Kryetari i Komisionit është “me ndërgjegje të papastër, me joprofesionalizëm dhe me papërgjegjësi shtetërore” atëherë duhet të merret me çështje siç është mbetja e Çakorrit jashtë.

Nga AKK, në emër të Komisionit, pothuajse në baza ditore, opinioni bombardohet me kumtesa “që dëshmojnë se kufiri është përcaktuar”, duke i mbështetur ato me dokumenta që nuk kanë kurrëfarë lidhjeje më demarkacionin e kufirit si proces. Mirëpo edhe nuk mund të pritet asgjë tjetër nga personat, që në hartografi zbuluan “qartësinë e kthesave lart” dhe emërtimet e veçanta për to si Qafa e Çakorrit.

Përfundime

Duke pasur parasysh çfarë u tha më lart, mund të nxjerrim këto përfundime:

Autori dhe Kryetari i KSh, e di që ka gabuar dhe shpjegimi “me kthesa” nuk pi ujë. Të gjitha “punimet” e tij që nga viti 1998 deri me Atlasin e vitit 2015 paraqesin Qafën e Çakorrit në kufi Kosovë – Mal i Zi. Bile këtë e bënë edhe në hartat e atlaset, që nga 2001, kur si kufi përdor “kufirin zyrtar”.

Autori e ka ditur (si autor) dhe e di (si kryetar komisioni) se Çakorri është në kufi Kosovë – Mali i Zi. Shpjegimi “me kthesa” vetëm sa e vërteton këtë.

Krejt dynjeja e dinë se Çakorri është në kufi Kosovë – Mali i Zi. Bile edhe zogjtë e malit, e besa, edhe zogjtë e Malit të Zi e dinë që Çakorri është në kufi Kosovë – Mali i Zi.

Prandaj, edhe autori edhe kryetari i KSh, e di që ka gabuar kur ka pranuar kriterin kadastral si të vetmin kriter, dhe këtë e ka bërë se në atë kohë sepse ka menduar se kufiri kadastral nuk dallohet nga kufiri real, i cili kalon nëpër Qafën e Çakorrit, kjo shihet nga hartat e atlaset e tij, që nga 2001 e deri me sot, ku në “kufirin zyrtar kadastral”, vendos Qafën e Çakorrit, që praktikisht nuk është e mundshme.

Duke qenë i bindur, “si krejt dynjeja”, që Qafa e Çakorrit është në kufi Kosovë – Mali i Zi, siç u tha më lart, Kryetari “mashtrohet” nga pala malazeze, dhe gabimin e kupton vetëm pasi që çështja “bahet e madhe” në Kosovë.

Pala malazeze nuk e ka pasur vështirë që të “mashtrojë”, pasi që AKK fjalët “të dhëna zyrtare”, “kufi zyrtar” i përdor vend e pavend, brenda e jashtë, dhe rrjedhimisht edhe në Eurogeographics dhe organizata tjera, ku i ka dërguar të gjitha këto të dhëna “zyrtare” për kufijtë, qysh moti, pasi që në Eurogeographics mund të dërgojnë të dhëna vetëm organizatat dhe agjencitë shtetërore, që janë anëtare të EG, dhe AKK i ka dërguar këto për të gjithë kufijtë, përveç modelit digjital. Mali i Zi ka ndenjur rehat (shih tabelën në vazhdim).

Mirëpo dokumentet ishin nënshkruar nga të dyja palët, në nivel komisionesh dhe duke qenë se eprorëve gjithmonë u kishte premtuar se “…jemi në dispozicionin tuaj, me ndërgjegje të pastër, me profesionalizëm dhe me përgjegjësi shtetërore”, e kishte të vështirë ta pranonte gabimin.

Sidoqoftë situata është shpërthyese dhe kryetari i KSh, duhet të gjejë forcën, që ta parandalojë këtë shpërthim dhe ta pranojë se është mashtruar, siç është evidente nga punimet e tij nga 2001 e deri në 2015. Kjo do të qetësonte situatën dhe problemi i demarkacionit do të niste nga e para, sepse edhe pala malazeze e di se ka “mashtruar” në këtë proces. Më mirë vonë se kurrë!

Deputetët do të lehtësoheshin nga një detyrë dhe përgjegjësi e rëndë dhe nga ankthet e 1 shtatorit.

Nëse pika 8 nuk ndodh, gjasat janë të pakta që të ndodh, atëherë deputetët unanimisht duhet ta hedhin poshtë këtë marrëveshje, që tashmë është e qartë se është tërësisht e gabuar. Në të kundërtën do të bënin diçka, që për gjithë jetën do të ishin të vetëdijshëm se kanë gabuar. Asnjë arsyetim nuk do t’ua lehtësoj këtë ndjenjë, për asnjë çast.

Çështja është në duart e Kryetarit të Komisionit, që ta pranoj gabimin.
Çfarëdo rruge tjetër do të hapte një perspektive tejet të zymtë për Kosovën.

Të gjitha hartat e përdorura në këtë shkrim, si dhe vet shkrimi dhe më shumë, mund të shihen dhe transferohen duke klikuar këtu:

https://drive.google.com/drive/folders/0BwBFAJeI555DYU42cmpuR1FVZU0

/Gazeta Fjala

Salih Ahmetaj
Inxh. Dipl. i Gjeodezisë

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here