HYSË HASA, NA SOLLI PËRSHËNDETJET E SHOQATËS “BIJTË E SHQIPES, NGA FILADELFIA…

0
571

Skicë:

Nga: Prof. Murat Gecaj

1.
Ishte një takim i paralajmëruar, ky i mengjesit të ditës së sotme…Kolegu e miku nga Kukësi, Hysë Hasa, tani me banim familjarisht në Filadelfia të Amerikës, megjithëse ka pak kohë që nga mbërrija në Atdhe, e kishte merak të veçantë që të organizonte një takim me miq të tij, shumica krijues. Prandaj, vetë i bëri njoftimet, sipas një liste të parapërgatitur. Aty ai kishte të shënuar edhe numrat e celularit ose telefonit, për secilin prej tyre. Pikëtakimi do të ishte një lokal modest, përpara pallateve 9-katëshe të kryeqytetit.

Në vendin dhe orën e caktuar, pra 9.00 e mëngjesit, unë arrita aty pranë atij lokali. Sakaq, vërej nga larg mikun tim Hysë Hasa, që ishte ngritur nga tavolina dhe po formonte numrin, për celularin tim. Nga larg, e pamë njeri-tjetrin dhe, duke buzëqeshur, u takuam ngrohtësisht, me dashuri e mall, që nga ndarja më shumë se një vit më parë, pra nga muaji prill 2015, kur ai erdhi së fundi, nga Filadelfia, në Shqipëri.

Kur u afruam te tavolinat e bashkuara të miqëve tanë të përbashkët, u takova me dashamirësi me disa të njohur të mi, nga rrethi i Kukësit, me të cilët jemi në një qark, ku përfshihet edhe Malësia e Gjakovës (Tropoja), pra vendlindja ime. Aty ishin: Prof.Shefqet Hoxha-“Mësues i Popullit”, Isa Halilaj – “Mësues i merituar”, mësuesit veteranë dhe botuesit e disa librave:Fejzulla Gjabri, Beqir Shehu, Isuf Spahia e Nezir Jata. Pas përshëndetjeve të rastit, bisedat tona “u ndezën” menjëherë. Ato ishin për fëmijët tanë dhe plagët e emigracionit, për botimin e librave me temë atdhetare e për traditat më të mira të popullit tonë etj.

2.
Megjithëse dukej se gjithëçka shkonte normalisht, me biseda të këndshme e humor, vetë Hysë Hasa nuk ishte i qetë! Ai kishte përpara një bllok, me disa emra kolegësh e miqësh, të cilët i priste në këtë takim, për kafe. Por ata e falënderonin për ftesën dhe i luteshin që t’i përligjte, se nuk ndodheshin në Tiranë ose kishin planifikuar ndonjë punë tjetër me rëndësi, që më parë.
Kur mikpritësi e dashamiri ynë “u qetësua”, na u drejtua me buzëqeshje e kënaqësi, se gëzohej që ne ishim shëndosh e mirë, bashkë me familjet tona dhe se kishte shprehur dëshirën që të na takonte, për t’u çmallur me të gjithë.

Pastaj, ai na foli me shumë kënaqësi për veprimtaritë e pandërprera të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës. Bashkatdhetarët tanë atje organizojnë, herë pas here, tubime me rastin e festive tona kombëtare, për ditëlindjet ose gëzime tjera të përbashkëta. Pjesë e pandarë e jetës së tyre është edhe shkolla shqipe për fëmijët e emigrantvëe shqiparë, me emrin simbolik “Gjuha Jonë”. Nën kujdesin e kësaj Shoqate, aty japin mësim disa veta dhe, duke marrë parasyshë këtë punë kaq të dobishme, ata e bëjnë vullnetarisht.

3.
Sigurisht, para largimit nga Filadelfia, Hysë Hasa kishte takuar disa kolegë e miq të tij dhe u kishte treguar se do ta organizonte një takim modest, në kryeqytetin tonë, për të cilin ata kanë kaq mall, ashtu si për tërë Shqipërinë. Me këtë rast, ai na solli përshëndetjet e disa drejtuesve dhe anëtarëve të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Ja emrat e tyre: Tajar Domi (kryetar i Shoqatës) e Vlashi Fili (sekretar i Shoqatës), Llazar Vero, Sadik Elshani, Petrit Zanaj, Abedin Teme, Eqrem Murati, Haki Çollaku, Bashkim Bërdufi, Sami Zaimi, Llukan Dylgjeri, Ahmet Shabani, Dritan Matraku, Bujar Gjoka, Kiço Kokthi e të tjerë. Ne i falënderojmë ata, emër për emër e përzemërsisht dhe ju urojmë gjitha të mirat, në punë e në çdo veprimtari, si në jetën vetjake dhe atë familjare.

…Megjithëse bisedat tona nuk po mbaronin, vërejtëm se kishte kaluar një orë e gjysëm, si pa u kuptuar. Prandaj u ngritëm, duke shprehur kënaqësinë e atij takimi dhe duke falënderuar mikun tonë të mirë, Hysë Hasa, i cili u bë nismëtar i tij. Gjithashtu, premtuam se përsëri do të shihemi, së bashku, pasi ai do të qendrojë një muaj, në Tiranë e qytete tjerë.

Për ta fiksuar këtë takim tonin të paharruar, bëmë edhe disa fotografi të përbashkëta, njërën nga të cilat po e botojmë, duke e shoqëruar këtë skicë modeste.

Tiranë, 17 shtator 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here