Guximi për të thënë të vërtetën

0
399

Dionis Xhafa

E vërteta nuk është kaq e thjeshtë për tu thënë. Jo jo, të thuash të vërtetën duhet guxim, madje tepër i madh. E vërteta qëndron e fshehur, thjesht për të mos e thënë, sepse njerëzit kanë frikë prej saj. Po, kanë frikë dhe të gjithë thuajse jetojnë me gënjeshtra, duke ushqyer veten se janë mirë dhe se gjithçka është duke shkuar mirë. Në fakt, ata jetojnë me iluzione të kota, të rreme, vetëm për të qenë rehat. E vërterta të çliron, së bashku me këtë të shkatërron, sepse të thuash të vërtetën do të thotë të shkatërrohesh.

E vertëta shkatërron iluzionet dhe të bën të ndihesh ashtu siç është sinqeriteti. Për të thënë atë që nuk është e gënjeshtër, ama duhet guxim. Dhe ky guxim rrjedh nga venat e atyre që dinë të guxojnë, që dinë të thonë të vërtetën, e cila fshihet e përdridhet prej atyre që nuk e duan, që iu pëlqen mashtrimi dhe ndihen rehat duke jetuar në llumin e mashtrimit të madh.

Po e kam provuar ta them të vertetën. Është e vërtetë se ajo të shkatërron në themel, të bën të ndihesh në fundin e botës, të rrënon e të bën të jesh njeriu i fundit në këtë shoqëri të rrejshme, ama dinjiteti yt qëndron lart dhe vërtetë lart. Guximi është për të “marrët”, për ata të “marrë” që kanë mend në kokë, por se janë kaq të marrosur sa dinë ta thonë të vertetën sy më sy, duke hequr mënjanë ushqime të panevojshme të gënjeshtrës e mashtrimit. Dhe, në çastin e duhur duhet thënë e vërteta. Ajo të nxjerr NJERI, në çdo rrethanë e çdo moment.

Kështu do të dish t’i dalësh zot jetës tënde, sfidave të tua, duke mos u ngatërruar në gënjeshtër pas gënjeshtre, në fill pas filli të mashtrimit. Sepse, nëse mashtron njëherë, do të të duhet të mashtrosh për së dyti, për së treti, për së katërti dhe derisa edhe vetë ta kuptosh se je një person, që nuk ke vlerë. As mos fsheh gjë. As ndjenja, as atë që ti po e vuan. Shprehe! Të shprehësh ndjenja, atë që ti e ke pikën tënde të dobët, që të mundon e stërmundon është liri! Kjo është gjëja e duhur. Sekreti të ha së brendshmi dhe të bën të ndihesh një njeri i vuajtur, mes atyre njerëzve që nuk do ta kuptonin kurrë se çfarë të ka bërë të jesh kaq i mërzitur, kaq i heshtur, një gjysmë njeri, që të kanë mbyllur gojën. Jo! Shprehja është ajo që e çliron njeriun. Guximi për të thënë të vërtetën hap dritaret, çel portat, ta bën jetën ta jetosh me çiltërsi.

Të thuash se ky që jetojmë sot është realitet i egër, i ndyrë, i mënxyrë nuk është aspak gjë obskurante, përkundër është realitet, është një femër a mashkull qoftë i zhveshur dhe pa rroba. Shpesh ne duam ta shohim njeriun me rroba, sepse kështu themi: Ja, është më rroba dhe nuk ka asgjë përtej kësaj. Jo jo, njeriu është mish, është shpirt, është zemër, ndjenjë. Sa e sa ndjenja, liri, shprehi, ndjesi kanë humbur e janë shkatërruar në këtë botë të flamosur, vetëm prej faktit se nuk janë shprehur. Askujt nuk i kushton gjë të të falë dashuri, të thotë “Mirëmëngjes”, “Mirdita”, “Mirëmbrëma” apo “Zemër”.

Por ne nuk i themi këto, sepse ngjajmë të “butë” në dukje, ngjajmë sikur jemi të dobët, por e vërteta është se të gjithë në zemrat tona jemi të thyeshëm, të shkatërrueshëm, me ndjenjat tona që ngrihen si vullkani, por ne e mbysim vullkanin e ndjesive dhe bëjmë që të përjetojmë veç hirin e tij. Jo më hi. Jo më ndjesi të rreme. Veç realitet. Duhet modoemos të shpërthejë në nota e në ndjesi liria e ndjesia djaloshare e rinore, e zemrës të thyer, të bërë zemër e plasur e të prishur prej realitetit të rremë. Se zemër e mbarsur me jo dashuri është e rëndë, është plagë e thellë e një cungimi që të çon në atak kardiak për mungesë të dashurisë njerëzore. Se ky shpërthim kurrë s’po mundet të çlirohet në një zemër të mbyllur, të bërë plagë e copë e çikë prej realiteti të egër e mjeran.

Ndriço, çlirohu o zemër e plasur, dil në dritë të diellit e përcjellua njerëzve se liria, se diell i mëngjesit nuk është vetëm për të ndriçuar, se ata duhet të kenë këtë dritë, se ata duhet të thonë ndjenjat dhe të kenë raporte normale me njëri-tjetrin, e jo kafshëri, duke shitur trupat apo duke bërë marrina të turpshme nëpër urbane e vende të tjera publike. Se liri e zemrës së plasur duket se kurrë nuk po vjen. Duhet veç guxim, vëlla, që të thuhet e vërteta dhe të shpërthejnë lulet, të dalë dielli e të ndriçojë mbi fusha, kodra e male.

Se është liri e përditshmërisë, e mbyllur nën prangat e padëshirës, se është çmim që nuk blihet, se është realitet i ankandit të zemrës, i ankandit të dashurisë, i ndjenjave të rreme, i dashurive që nuk janë, i lidhjeve që nuk duhen, i interesit që shkatëron ndjesitë, i plasjes së trupit e ndjesive prej dëshirës së marrë, që kurrë nuk e gjen dritën për më dalë në sipërfaqe e për të shpërthyer në një mijë ndriçime e ylbere të shëndritshme.

Plas zemër e ngratë. Unë të vërtetën do ta them. Do të veproj. Ti moj zemër, hi do bëshesh, do vdesësh, s’do pulsosh më ose do të shpërthesh si notat e larta në një piano, në një odë të madhe të muzikës. O do plasësh prej marazit, o do të përlflakesh në gëzim të paharrueshëm, në ylbere që kapërcejnë qiejt! Rrugë të ndërmjetme nuk ka. Dashuria duhet të jetë dashuri ose duhet paguar me jetë, me zemër, me puls, me shpirt! Me realitetin kjo zemër nuk pajtohet. Plas zemër, plas!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here