“Grushti i Shtetit në Turqi u inskenua nga Erdogan”

0
3289

Elton Koka, Dita11-12 gusht 2016

Ish-Atasheu Ushtarak shqiptar në Turqi, Hajro Limaj, është i mendimit se grushti i shtetit ka qenë një inskenim i vetë Presidentit Erdogan, për të fajësuar Gylenin dhe për të goditur të gjithë kundërshtarët e tij politikë.

Limaj mbështet tezën se gjendje e jashtëzakonshme pas grushtit të shtetit është vendosur në Turqi për të ligjëruar objektivat që kishte Erdogani, të cilat nuk mund t’i realizonte në kushte normale. Sipas tij, Erdogan prej kohësh kërkon të ligjërojë ndryshimin e sistemit parlamentar në sistem presidencial, të modelit absolutist apo Putin, për të marrë të gjitha kompetencat dhe të bëhet i paprekshëm.

Ish-atasheu ushtarak shqiptar thekson se të vërtetën e kësaj tentative ushtarake mund ta zgjidhë vetëm një hetim dhe gjykim i një institucioni drejtësie ndërkombëtare, në të kundërt gjithçka do të emërtohet siç shprehet dhe dëshiron Erdogani.

Atasheu ushtarak, kol. Limaj me presidentin turk Sulejman DemirelAtasheu ushtarak Kol. Limaj me Presidentin turk Sulejman Demirel

Zoti Limaj, Erdogani akuzon Gylenin për grusht shteti. Por, sipas jush, si qëndron e vërteta?

– Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, në përpjekjen e grushtit ushtarak kanë marrë pjesë 35 avionë, 37 helikopterë, 246 tanke dhe mjete të blinduara, 3 anije si dhe u përdorën 3.992 armë të lehta dhe 8.651 ushtarakë, nga të cilët 1.676 tetar/ushtar, 1.214 nxënës ushtarakë. Këto shifra përbëjnë 1,5 % të numrit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Fatkeqësisht humbën jetën 240 vetë dhe pati rreth 1.200 të plagosur. Por asnjë qeveritar apo autoritet shtetëror jo vetëm që nuk u vra, por as u bë tentativë për t’u arrestuar. Edhe në ato që thuhen për orvatjet në hotelin ku ishte me pushime Erdogani, Marmarisa, forcat ushtarake janë me një numër shumë të kufizuar. Përgjithësisht, grushtet ushtarake janë shumë të fuqishme dhe shumë goditëse ndaj presidentit dhe qeverisë, që kanë planifikuar për t’u rrëzuar.

Fillojnë me arrestimin e krerëve drejtues dhe bllokimin e institucioneve vendimmarrëse, me sulmin dhe marrjen e radiotelevizionit dhe të rrugëve, që i lidhin këto institucione. Ky është shkaku që pothuajse i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka dyshime serioze për aktorët e organizimit të këtij minipuçi të dështuar ushtarak. Puçet e mëparshme ushtarake në Turqi ishin shumë të fuqishme dhe asnjëri prej tyre nuk është zmbrapsur. Unë jam dëshmitar i grushtit ushtarak të vitit 1980, kohë në të cilën ndodhesha me shërbim në Izmir. Çdo godinë qeveritare dhe shtetërore, rrugët, sheshet, ishin nën kontrollin e rreptë të ushtrisë nëpërmjet ushtarëve të armatosur rëndë. E dyta, në këtë tentativë për grusht shteti, u angazhua vetëm një pjesë e vogël ushtarakësh dhe aspak civilë.

Ushtarakët, me përjashtime shumë të vogla, janë mbështetës për vdekje të Ataturkut dhe jo të Gylenit. Mbështetësit e Gylenit janë në hapësirat civile. E treta, në këtë tentativë, nuk ka as komandantë operacioni dhe as qeveri për të drejtuar vendin në ditët e para, nëse do të rrezohej pushteti. Prandaj ajo që ndodhi duket si një skenar tetari… Por, duke qenë se prej 17 Dhjetorit të vitit 2013, Erdogani ka përqendruar mllefet, akuzat publike dhe sulmet ndaj armikut të tij personal, Gylenit, edhe këtë trazirë ai nxitoi ta interpretonte dhe reklamonte si përpjekje për grusht i organizatës terroriste të Fetullah Gylenit, organizatë të cilën asnjë vend i botës nuk e njeh dhe nuk e pranon si të tillë. Shumë analistë politikë dhe strategjistë raportet dhe qëndrimet e Erdoganit me Gylenin i vlerësojnë si ato të Stalinit me Trockin.

Gyleni, edhe po të doje, nuk ka ato mundësi dhe mbështetje që të shkojë deri në grusht shteti. Unë jam mbështetës i tezës së të vërtetës rreth kësaj tentative ushtarake, mund ta zgjidhë vetëm një hetim dhe gjykim i një institucioni drejtësie ndërkombëtare, në të kundërt gjithçka do të emërtohet siç shprehet dhe dëshiron Erdogani. Tani në Turqi çdo gjë është vetëm në një dorë, atë të Erdoganit. Kudo është vendosur gjendje e jashtëzakonshme, për të ligjëruar objektivat që kishte Erdogani, të cilat nuk mund t’i realizonte në kushte normale. Ai prej kohësh kërkon të ligjërojë ndryshimin e sistemit parlamentar në sistem presidencial, të modelit absolutist apo Putin, për të marrë të gjitha kompetencat dhe të bëhet i paprekshëm. Edhe pse Kushtetuta nuk është ndryshuar, edhe përpara tentativës për grusht shteti, Erdogani sillej dhe drejtonte vendin si president i një shteti presidencial, për të cilat ishte në objektiv të kritikave të të gjithë opozitës, akademikëve, analistëve vendas dhe të huaj.

Po si është situata mbas kësaj tentative ?

– Shumë e rëndë. Në terror fizik dhe psikologjik. Kushdo nuk e di të nesërmen. Shifrat janë shumë tronditëse. Arrestime, dhunime dhe masakrime të të arrestuarve. Pamje rrëqethëse që të kujtojnë periudhën e mesjetës, apo të diktaturave të Hitlerit, Stalinit, Pinoçetit, Sadam Hyseinit, etj. Janë ndaluar 18.879 vetë. Nga këta: 10.879 ushtarakë, nga të cilët 157 gjeneralë. Lista vazhdon me kolonelë, nënkolonelë, majorë, kapitenë… Midis tyre edhe komandanti i Armatës së dytë, shqiptari nga Kosova me gradën gjeneral-armate, Adem Hudut. Janë pushuar nga puna, në ndjekje penale apo arrestuar 4.227 oficerë policie, 91 prefektë dhe autoritete lokale, 2.624 prokurorë dhe gjykatës, nga 14.661 që ka Turqia, 630 biznesmenë, 77 gazetarë, disa rektorë universitetesh, 2 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, mbi 60 prokurorë dhe gjykatës të Prokurorisë së Përgjithshme…

Në kuadër të fushatës hakmarrëse apo ndëshkuese të Erdoganit, u bllokuan dhe u sekuestruan pasuritë e 15 universiteteve, 934 shkollave parauniversitare, 109 konvikteve, 104 fondacioneve, 35 spitaleve, 1125 shoqatave, 19 sindikatave, 151 institucioneve të ndryshme të medias dhe shtëpive botuese, gjithsej 2.492 subjekte. Kjo pasuri e vlerësuar në rreth 100 miliardë dollarësh u është sekuestruar pronarëve të ligjshëm dhe ka kaluar në dispozicion të shtetit. Fshesa e hekurt në administratën publike ka hedhur në rrugë 72.078 kuadro, nga të cilët 42.767 nga Ministria e Arsimit, 8.777 nga Ministria e Brendshme, 2.345 nga Ministria e Rinisë dhe Sporteve, 2.990 nga Këshilli i lartë i Edukimit, 1.379 nga Ministria e Ushqimit, Bujqësisë dhe Blegtorisë, 560 nga Ministria e Teknologjisë, 88 diplomatë të Ministrisë së Jashtme, 5.581 nga Ministria e Shëndetësisë, 1.500 nga Ministria e Financave, 1.180 nga Ministria e Tregtisë, 30 kuadro në aparatin e Kuvendit Popullor, 29 nga Këshilli i Lartë i Radiotelevizionit dhe 300 punonjës të radiotelevizionit, 262 nga aparati i Ministrisë së Mbrojtjes, 257 nga Kryeministria…

– Janë shkarkuar nga detyra 1.577 dekanë në të gjitha universitetet.
– Janë larguar nga puna 60.000 mësues.
– U hoqën licencën 21.000 mësuesve të shkollave private.
– Me urdhër të Erdoganit është ndaluar dalja jashtë shtetit e akademikëve.
– Janë nxjerrë jashtë përdorimit mbi 42.000 pasaporta.

Po Kushtetuta nuk mund ta ndalë Erdoganin?

– Ai po tregon se nuk njeh më as Kushtetutë dhe asnjë ligj. Në kuadrin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme tre mujore, duke u konsultuar me 2-3 veta dhe jashtë institucioneve kushtetuese, ai merr vendime në kundërshtim me Kushtetutën. Për këtë arsye, edhe pse është kjo gjendje, disa analistë të gazetave Milliyet dhe Hurriyet vazhdojnë të shkruajnë kundër këtyre qëndrimeve autoritariste apo absolutiste të Erdoganit. Dhe kanë shumë të drejtë. Erdogani shkatërroi me urdhrin që nxori organizimin, përbërjen, drejtimin dhe zinxhirin e komandimit të Forcave të Armatosura. Këtë kompetencë mund ta ketë vetëm pas ndryshimit të Kushtetutës në Kuvend. Në zbatim të skenarit për vënien e ushtrisë në duart e tij, apo të njerëzve më besnikë, Erdogani hoqi nga vartësia e Shtabit të Përgjithshëm Komandën e Forcave Tokësore, që ka në vartësi 4 armata, Komandën e Forcave Detare, që ka në vartësi një armatë dhe i kaloi në vartësi direkte të ministrit të Mbrojtjes.

Komandantëve të këtyre forcave, përveç ministrit të Mbrojtjes, mund t’u japin urdhra edhe kryeministri dhe zëvendës kryeministri, bile direkt edhe njësive në vartësi të tyre. Komandën e Forcave të Xhandarmërisë me një armatë e kaloi në vartësi të ministrit të Brendshëm, ashtu siç kaloi edhe Komandën e Forcave të Mbrojtjes Bregdetare. Shtabi i Përgjithshëm tani është pa asnjë kompetencë në zinxhirin e komandimit dhe të drejtimit. U mbyllën të katër gjimnazet ushtarake, shkollat e përgatitjes së nënoficerëve dhe më e madhja e Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm për Forcat Tokësore, Detare dhe Ajrore, ku për dy vjet përgatiteshin shtaboviket dhe drejtuesit madhorë të ushtrisë. Akademinë e Mjekësisë Ushtarake me Spitalin Qendror të Ushtrisë (GATA) e kaloi në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Të gjitha këto ndryshime kërkonin ndryshime kushtetuese dhe të ligjeve të dala prej saj.

Gjithnjë sipas jush dhe sipas analistëve të pavarur turq dhe ndërkombëtarë, përse i bën këto Erdogani ?

– Forcat e Armatosura të Turqisë me Kushtetutë kanë për detyrë të mbrojnë shtetin laik, demokratik dhe ligjor. Prandaj ato disa herë, me këtë synim, kanë ndërhyrë dhe kanë përmbysur disa qeveri. Tashmë është bërë e kuptueshme apo e qartë se Erdogani objektivin kryesor ka shkatërrimin në themel të shtetit laik, që krijoi Ataturku. Për realizimin e këtij qëllimi “perëndia i solli këtë grusht ushtarak” dhe siç u shpreh, “do ta krijojë shtetin nga zeroja. Forcat e Sigurisë do t’i pastrojmë”. Qysh kur ka ardhur në pushtet Erdogani ka qenë në konflikt me Shefat e Shtatmadhorisë. Arrestoi më 5 Gusht 2013, sapo doli në pension, shefin e Shtatmadhorisë, gjeneral armate Bashbu, shqiptar nga Lugina e Preshevës.

Nga Gjykata e shkallës së Parë e Krimeve të Rënda gjenerali Bashbu u dënua me burgim të përjetshëm. Me një mbrojtje të jashtëzakonshme ai fitoi pafajësinë nga Gjykata Kushtetuese më 7 Mars 2014. Më 3 Janar 2013 paraburgosi ish-shefin e Shtatmadhorisë, Gjeneral armate Ismail Karadaj, mikun e popullit shqiptar, i cili më 1997, me kryeministren Çiller bëri të pamundurën për të shpëtuar tërësinë territoriale të Shqipërisë dhe daljen e saj nga kriza. Arrestoi presidentin e 7-të të Turqisë, Kenan Evren, birin e Kosovës, i cili në vitin 1980 bëri grushtin e shtetit në mbrojtje të shtetit laik dhe demokratik. Mbas 31 vjetësh me nderime dhe respekt masiv, Erdogani e çoi Evrenin në paraburgim, duke e detyruar të shkonte në hetuesi me karrocë. Gjatë kësaj periudhe të vështirë hetimi dhe gjykimi ai vdiq.

Më 16 Prill 2012 arrestoi zëvendës shefin e shtatmadhorisë, gjeneral-armate Cevik Bir me 9 gjeneralë të tjerë, të cilët më 19 Dhjetor 2013 dolën nga burgu të pafajshëm. Po atëherë kishte edhe gjykatës të pavarur, që zbatonin ligjet, ndërsa tani nuk mund të gjesh, sepse ata që dhanë dënime në kundërshtim me urdhrat e Erdoganit sot janë të gjithë në burg. Kampi “kundër” Ataturkut, që kërkon ta rikthejë Turqinë në një vend islam, është mbështetur tradicionalisht prej shumicës më pak të edukuar të popullsisë së vendit, mirëpo deri në vitin 2002 ky rend është ruajtur nga forcat ushtarake, ideologjia përbashkuese kemaliste e të cilëve ka qenë rreptësisht sekulare. Ataturku nuk do të çuditej po t’i shihte këto që po ndodhin; ai e dinte se do të ishte “Islami” ai që do t’i shkaktonte rrënimin Turqisë. Dhe këtë mision po e kryen Erdogani. Në vitin 1999, Erdogani e dënua me 6 muaj burg, si nxitës i urrejtjes me bazë fetare në vend kundër shtetit laik.

Prandaj ushtarakët që janë arrestuar mbas tentativës për puç, i cili është me shumë pikëpyetje, nuk janë pjesë e Gylenit apo grushtit të shtetit të përgatitur prej tij, siç thotë Erdogani, por ata janë mbrojtës së parimeve te Ataturkut. Këtë e shprehu me forcë një gjeneral i arrestuar. “Unë nuk e njoh fare Gylenin. Unë jam mbështetës i Ataturkut, laik. Më pushkatoni!“ Çfarë bindje dhe sakrifice ndaj idealit! Më pushkatoni! Këtë e di mjaft mirë edhe Erdogani, por ai, duke fshehur qëllimin e tij të shkatërrimit të shtetit laik, ka përbotësuar si organizator të puçit Gylenin, i cili prej vitit 1999 jeton në Amerikë. Nga kjo panoramë del qartë dhe lehtësisht përgjigjja e pyetjes, se cili është burimi i krizave dhe rreziku i vërtetë për Turqinë: Erdogani në Ankara, një president i plotpushtetshëm sa një sulltan e diktator dhe që tani ka në duar ushtri, polici, xhandarmëri, drejtësi, mediat, diplomacinë, doganat… apo Gyleni, prej 17 vjetësh në SHBA, që ka në pronësi vetëm shkolla, universitete, konvikte…?

Kur Erdogani pretendon për një grusht shteti nga ushtarakët, çfarë ka me botën akademike?
Hajro Limaj

Hajro Limaj

– Shifrat e mësipërme tregojnë se shumica e spastrimeve me fshesë të hekurt është kryer në institucionet civile të gjithë Turqisë. Kjo po ndodh edhe pse këta civilë nuk kishin asnjë angazhim në tentativën e grushtit të shtetit. Për këtë arsye si shumë politikanë dhe analistë të botës demokratike edhe unë shprehem se “listat kanë qenë të parapërgatitura” dhe Erdogani i vuri në zbatim menjëherë. Prandaj Erdogani ditën e dytë u shpreh fitimtar “nga grushti i shtetit që i dha Zoti”. Pra, sipas tij, zoti e ndihmoi që të bëhej kjo tentativë për grusht shteti për të realizuar spastrimet masive të të gjitha atyre që nuk e duan Erdoganin, duke goditur dhe ndëshkuar ashpërsisht dhe jo demokratikisht çdo qëndrim opozitar dhe mendim ndryshe. Erdogani prej kohësh ka qenë në kontradikta me qëndrimet e akademikëve dhe shkencëtarëve, të cilët shpreheshin kundër qëndrimeve dhe rrugës që përdorte ai ndaj kundërshtarëve brenda vendit dhe aleatëve jashtë Turqisë.

Ai nuk mbështetet fare tek elitat intelektuale, por në shtresat masive të zonave urbane dhe rurale, hapësira ku mbizotërojnë dhe sundojnë popullsia me kulturë të kufizuar dhe e mbarsur me islamizëm jo normal. Këtë qëndrim çuditërisht e shprehu një zonjë në një miting duke bërtitur me histeri. “Mallkuar qofshin intelektualët”. Pra, Turqia ndodhet nën një terror të gjithanshëm politik dhe psikologjik dhe para një rreziku me rrjedhoja të rënda. Uniteti kombëtar fillon që me shkatërrimin e unitetit në familje. Mendimet e kundërta për këto zhvillime i kanë çuar pjesëtarët e familjeve të spiunojnë njëri-tjetrin në polici, si tek ne, në periudhën e diktaturës komuniste. Lufta e klasave dhe lufta ideologjike janë në antagonizëm. Me mijëra turq janë arratisur dhe me mijëra të tjerë janë në pritje. Prandaj BE është e frikësuar. Liberalizimi i vizave për qytetarët turq në tetor, përveç problemeve të tjera, mund të sjellë dyndje të popullsisë turke për strehim politik ne vendet demokratike të Europës.
(Nuk ia liberalizon kush vizat turqve, jo! – shënimi im AÇ)

Po kriza me ish-mikun e ti, Gylen, kur filloi dhe pse duket kaq e ashpër?

– Është data 17 Dhjetor 2013, e cila e thelloi shpejt dhe ndjeshëm krizën në politikat e brendshme. Është koha kur djali i Erdoganit, Bilali, me 3 djemtë e tre ministrave të qeverisë Erdogan dhe me një turko-iranian, Zarrabin, u kapën në flagrancë, duke pastruar 1 miliard dollarë në Bankën Qendrore të Ankarasë. Tre fëmijët e tre ministrave, Zarrabi dhe drejtori i bankës u arrestuan, ndërsa djali i Erdoganit ishte lënë për datën 25. Duke qenë se Gyleni u shpreh se “koha e Erdoganit përfundoi”, ai e shpalli atë nga aleat në armik dhe këto arrestime të bëra pa dijeninë e tij i quajti “Grusht shteti”. Duke qenë se edhe për Bilalin kishte dalë urdhri i arrestit, ai lëvizte në Turqi vetëm me babain, Erdoganin, në makinën e tij. Në vend që Erdogani të jepte dorëheqjen, ashtu si u detyruan të bënin tre ministrat e tij nga ky skandal, prej kësaj kohe Erdogani kërkonte ta mbante pushtetin me dhunë të gjithanshme ndaj shtypit, akademikëve, opozitës dhe çfarëdolloj mendimi opozitar.

Turko-iraniani, Zarrabi, miku i Bilalit, mbasi doli me makinacione nga burgu u nis për në Amerikë, ku u arrestua sapo zbriti në aeroport dhe tani vazhdojnë hetimet për veprimtaritë e tij kriminale. Ndërsa djalit të presidentit Turk, Bilalit i është hapur çështje penale ne gjykatën e Bolonjës për pastrim parash. Presioneve të Erdoganit për mundësinë e tronditjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, kryeministri i Italisë Matteo Renzi iu përgjigj se “Në Itali ka një sistem drejtësie të pavarur, që vepron në bazë të ligjeve dhe që lufton të gjitha format e paligjshmërisë. Gjyqtarët dhe hetuesit përgjigjen vetëm para Kushtetutës italiane dhe jo para Presidentit turk. Këtë sistem e quajmë ‘shteti i së drejtës’ dhe jemi krenarë për këtë”.

edi_rama_erdogan

Erdogan dhe Edi Rama

“Politika dhe qeveria shqiptare duhet të distancohen nga politikat e Erdoganit, pasi ato bien në kundërshtim me interesat tona strategjike dhe me aleatët tanë strategjikë, me anëtarësimin në BE”. Ky është qëndrimi i ish-atasheut ushtarak të Shqipërisë në Turqi, Hajro Limaj, i cili në një intervistë për DITA, thekson se Erdogani dhe politika e tij kanë strategjinë e ripushtimit të Botës Shqiptare në Ballkan, vetëm nëpërmjet islamizimit të popullit, vazhdimin e ngritjes së xhamive dhe të institucioneve të tjera fetare islame për të rigjallëruar marrëdhëniet me konceptet e Perandorisë Osmane. Për Limaj, qeveria shqiptare me në krye kryeministrin Rama duhet t’i japin përgjigjen e merituar kërkesave të autoriteteve turke për mbylljen e shkollave të Gylenit.

Duket dhe shprehet se këto muajt e fundit kanë ndryshuar ndjeshëm edhe marrëdhëniet me SHBA dhe Bashkimin Europian? Cili është komenti juaj për këtë aspekt?

Erdogani tashmë në të gjithë botën demokratike, në Bashkimin Europian dhe në Amerikë, njihet dhe cilësohet si një pushtetar totalitarist, shantazhues dhe kërcënues. Aktualisht me SHBA dhe Bashkimin Europian marrëdhëniet pothuajse janë të ngrira. Amerikën fillimisht Erdogani e akuzoi për gisht në këtë tentativë për grusht shteti dhe vazhdon ta kërcënojë të dorëzojë me ekstradim në Turqi Gylenin. Qeveria amerikane, me të drejtë, kërkon fakte bindëse, por deri tani nga dosjet që ka dërguar Turqia dhe grupet e hetimit, që janë ngritur posaçërisht për këtë çështje në SHBA, nuk po e vërtetojnë akuzën e Erdoganit. Gyleni me të drejtë kërkon të ngrihet një gjykatë e pavarur ndërkombëtare dhe nëse vërtetohen akuzat ndaj tij të marrë dënimin kapital.

Kapur tek ushtria e refugjatëve sirianë, që janë grumbulluar nëpër kampet e Turqisë dhe kërcënimi se mund t’i lejojë të dynden drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Erdogani i kushtëzon BE-së bashkëpunimin e mëtejshëm me liberalizimin e vizave në muajin tetor, kur nuk i ka përmbushur detyrat plotësuese dhe vazhdon t’i shkelë me arrogancë dhe brutalizëm të gjitha të drejtat dhe liritë e njeriut. Ideja e qeverisë turke për të vënë tani një ultimatum dhe për të përmendur tetorin si datë për fillimin e heqjes së vizave është absurde, thonë shumë liderë europianë. Sot shpresat e tyre janë shuar. (Nuk ka asnjë shans të liberalizohen vizat për Turqinë, BE nuk shantazhohet – shënimi im AÇ)

Rexhep Tayip Erdogan u shndërrua nga një reformator në një president autokrat, i cili e minoi shtetin ligjor, shkatërroi lirinë e shtypit, e së fundi me dekretet në gjendjen e jashtëzakonshme, po përgatit përfundimisht transformimin e shtetit turk në një regjim presidencial absolutist. Deklaratat e tij për “spastrime” shoqërore janë një ogur i keq. Erdogani dhe shteti, që ai ka krijuar, nuk janë aspak në gjendje për anëtarësim në BE. Kancelari i Austrisë kërkoi prerazi ndërprerjen e menjëhershme të dialogut me Turqinë për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit. Erdogani në të gjitha mitingjet populiste që organizon qahet se si është e mundur që asnjë ministër nga shtetet e Bashkimit Europian nuk vizitoi Turqinë mbas tentativës për grusht shteti. Papa Françesku para disa ditësh, kur u pyet për këtë çështje, tha se “ne nuk e kemi të qartë se çfarë ka ndodhur në Turqi”. Pra, komuniteti europian nuk e përjashton pistën se kjo tentativë ka qenë një skenar ogurzi, i përgatitur dhe i drejtuar nga Erdogani, kryetari i SHIK-ut dhe Shefi i Shtatmadhorisë.

Po për “Aksionet e spastrimit“ edhe në Ballkan, cili është mendimi juaj?

Aksionet e spastrimit“, siç i quan presidenti Erdogan mijëra arrestimet pas puçit të dështuar, kanë në fokus tani institucionet arsimore edhe në Europën Juglindore. Disa vendeve europiano-lindore u kanë arritur kërkesa me shkrim nga ambasadat dhe konsullatat turke, që të mbyllin shkollat e Gylenit“. Në Ballkan ato konsiderohen si alternativë ndaj sistemit të vjetruar shtetëror të arsimit. Ato vlerësohen për cilësi dhe rendimente të larta të nxënësve të tyre. Ministritë përkatëse të Arsimit në vendet e Europës Juglindore hedhin poshtë çdo akuzë, sipas të cilave në këto shkolla bëhet “punë misionare”.

Shkolla u përmbahet strikt ligjeve të vendit përkatës dhe janë të orientuara sipas planeve mësimore shtetërore. Qëndrimi i Ankarasë ka ngjallur indinjatë tek shtetet e prekura. Ministria rumune e Arsimit i hedh poshtë me vendosmëri të tilla kërkesa dhe siguron, se shkollat nuk do të mbyllen. Nga Bullgaria ka lajme të ngjashme. Në Bosnje ambasadori turk u ka bërë thirrje prindërve dhe nxënësve që t’u kundërvihen shkollave, të cilat ai i cilësoi si “organizata terroriste”. Në Shkup shoqata e minoritetit turk kërkoi “spastrimin” e vendit nga “tradhtarët”. Kësaj i shtohet edhe kërkesa për “dënimin” e publicistit kosovar Berat Buzhala. Qeverisë kosovare iu kërkua, që të veprojë kundër Buzhalës.

Erdogan GylenErdogan dhe Gylen

Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj e quajti këtë kërkesë “të papranueshme” dhe “krejtësisht të ekzagjeruar”. Ndërsa politikanët europianë u kundërvihen ndërhyrjeve të presidentit turk Erdogan. Interes dhe jehonë të veçantë pati deklarata e Kryeministrit të Belgjikës, Bourgeois, kundër ambasadorit turk në Bruksel, në lidhje me kolegjet turke atje: “Këto deklarata janë të papranueshme, për më tepër, të lajthitura. Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që një ambasador t’i mësojë qeverisë flamande dhe Kryeministrit se si duhet të veprojë. Nuk e pranoj kurrsesi akuzën se po mbështesim ndonjë organizatë terroriste. Nëse ka ndonjë njeri që ka dijeni për praninë e ndonjë bashkëpunimi ilegal, besoj se duhet ta dijë se ai për këtë duhet të paraqitet menjëherë përpara gjykatave të pavarura. Gjithashtu, nuk e pranoj që Lëvizja “Gylen” të jetë organizatë terroriste”. Kundërshtimet kanë qenë të ndryshme. Ditët e fundit e kundërshtoi qeveria e Kazakistanit dhe Kirgistanit.

Sistemi arsimor i kolegjeve turke tashmë është në 160 vende të botës, në SHBA, Gjermani, Austri, Belgjikë, Kanada, Zelandën e Re, Australi… Po Erdogani u bën shantazh vendeve të vogla dhe atyre të mëdha për këtë çështje. Prandaj edhe qeveria jonë, me në krye kryeministrin Rama duhet t’i japin përgjigjen e merituar. Marrëdhëniet personale nuk duhet të dëmtojnë shtetin. Këto janë shkollat tona, të hapura dhe të kontrolluara me vendime të qeverisë. Dhe më e rëndësishmja, politika dhe qeveria shqiptare duhet të distancohen nga politikat e Erdoganit, pasi ato bien në kundërshtim me interesat tona strategjike dhe me aleatët tanë strategjikë, me anëtarësimin në BE. Erdogani dhe politika e tij kanë strategjinë e ripushtimit të Botës Shqiptare në Ballkan vetëm nëpërmjet islamizimit të popullit, vazhdimin e ngritjes së xhamive dhe të institucioneve të tjera fetare islame për të rigjallëruar marrëdhëniet me konceptet e Perandorisë Osmane dhe jo me konceptet bashkëkohore moderne, siç kanë bërë qeveritë e mëparshme të Turqisë: Demireli, Tansu Ciller, Exheviti etj. (Edhe kolegjet e Gylenit, medresetë e xhamitë të njëjtën gjë bëjnë, orientimin turqelik të shoqërisë sonë, gjë që edhe nuk na intereson! – shënimi im AÇ)

Si e vlerësoni rikthimin e Erdoganit tek Putini ?

Thuhet se politika është kurvë, por jo kaq e paskrupullt. Kriza që lindi midis tyre për rrëzimin e një avioni ushtarak rus që shkeli hapësirat ajrore të Turqisë, nga Erdogani u propagandua me forcë se ”ne jemi shtet i madh”. Bile ai iu përgjigj Putinit: ”mos luaj me zjarrin”. Ndërsa për rrëzimin e avionit rus, ish-kryeministri turk Davutogllu deklaroi se ”aviatorët turq ishin urdhëruar direkt prej tij”. Ndërsa tani të dy pilotët me urdhër të Edoganit janë arrestuar dhe Erdogani i kërkoi falje publikisht Putinit, akt që disa analistë politikë e kanë përkthyer si nënshtrim të turpshëm të presidentit turk, në një kohë kur u drejtohet me deklarata dhe tone kërcënuese presidentit Obama, kancelares Angela Merkel, kryeministrit italian Matteo Renzi, kryeministrit të Belgjikës, Bourgeois, etj. Më datën 9 gusht, Erdogan do të takohet me Putinin.

Plot ngjarje dhe fakte shprehin se Erdogani prej kohësh është i “dashuruar” me Rusinë dhe me Putinin. Ai edhe pse është anëtar i NATO-s, është bërë pjesë e “Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ushtarak të Shangait”, si vëzhgues. Me Putinin, përveç rithellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis dy vendeve, Erdogan synon dhe kërkon që të ndajë rajonet e influencës në Kaukaz dhe në Lindjen e Mesme. Ata po bëjnë lëshime reciproke për realizimin e interesave gjeostrategjike në këto dy rajone. Erdogani ka për objektiv të bëhet lideri i Botës Islame në Lindjen e Mesme, në Kaukaz dhe më tej. Brenda kësaj strategjie një vend parësor ka edhe Ballkani. Ai ka tronditur marrëdhëniet e besueshmërisë me NATO-n dhe vazhdimi i këtij kursi, i cili është jashtë të gjitha kërkesave të shteteve demokratike të NATO-s, mund ta çojnë deri në largimin e Turqisë nga kjo organizatë. Dhe ai menjëherë do të bëhet anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit Ushtarak të Shangait.


Para disa ditësh në gazetën “Shekulli” u botua një koment me titull “Një përgjigje për ambasadorin turk në Tiranë, ndërsa këshilltari i ambasadës, Sinan Cem Bas, po në këtë gazetë, më 5 gusht, u përgjigj me shkrimin: Kush e komandon Hajro Limajn”.

Është një pyetje që patjetër opinioni publik kërkon një sqarim konciz. Me kujdesin dhe terminologjinë e një diplomati, ambasadorit turk i kërkova që në marrëdhëniet dy palëshe duhet zbatuar Konventa e Vjenës për mosndërhyrje në punët e brendshme të një vendi sovran. Ju referova përgjigjes shumë të ashpër që i dha kryeministri i Belgjikës ambasadorit turk në lidhje me kolegjet turke atje. Fatkeqësisht, edhe këshilltari, Sinan Cem Bas, nëpunësi i Erdoganit në Tiranë, në vend të një përgjigjeje sipas etikës diplomatike, përdori gjuhën e Erdoganit, që është bërë problem botëror. Ky këshilltar të njëjtën gjë bëri edhe me analistin e njohur Mentor Kikia para disa muajsh në “Gazetën Shqiptare”. Ky diplomat natyrisht që do të mbrojë politikat e Erdoganit, sepse nga ai paguhet, ndryshe brenda 24 orëve kthehet në Turqi e shkon në burg si plot shokë të tij.

Pra atë e komandon Erdogani, ndërsa mua nuk mund të më komandojë as Erdogani, as Gyleni dhe askush tjetër. Unë jam një personalitet i pavarur në media dhe drejtues i një instituti të pavarur. Koha provoi parashikimet e mia të botuara me komentet “Sulltanizimi i Erdoganit” dhe “Totalitarizimi i Erdoganit dhe rritja e terrorizmit”, botuar në vitin 2015, të cilat mund të gjenden nëpërmjet Google-s. Si një analist i fushave te sigurisë, për të cilën shteti ka shpenzuar për të më përgatitur dhe bazuar në përvojën time në këtë fushë, shprehur edhe në rreth 1.500 analiza, komente dhe opinione në gazetat kryesore të Shqipërisë, në 5 libra publicistikë dhe studimorë si dhe në shumë debate televizive, unë e ndiej si detyrë t’u bëj thirrje politikanëve dhe shtetarëve të Shqipërisë: “Distancohuni nga politikat e Erdoganit”, siç është distancuar e gjithë Eoropa ku ne duam të integrohemi! Politikat e Erdoganit nuk janë aspak të ngjashme me politikat e paraardhësve të tij në lidhje me Botën Shqiptare.

Turgut Ozali, Demireli, Çilleri, Mesut Jellmazi dhe Exheviti, me të cilët pata fatin dhe nderin të takohesha dhe të punoja në vitet 1993-2001, ishin intelektualë elitarë, pro amerikanë dhe europianë. Ata nuk mendonin dhe projektonin pushtimin e Botës Shqiptare me xhami dhe institucione të tjera fetare, për të realizuar ëndrrën e paraardhësve të tyre, apo aktualisht të Erdoganit dhe Davutoglusë, të rikthimit të perandorisë Osmane në hartat e saj të vjetra apo të mykura. Ky skenar përbën kërcënim për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, pasi bie në kundërshtim me objektivat integruese të vendit. Koha do t’i provojë të gjitha. Populli turk mbetet një popull mik i shqiptarëve dhe ai duhet ndarë nga Erdogani. Ky, si çdo udhëheqës, është kalimtar. Për fatin e tij të keq Erdogani nuk e mendon fundin e tij, siç nuk e mendonin para tij Hitleri, Musolini, Stalini, Pinoçeti, Çaushesku, Sadam Hysejni, Kadafi,… etj.

*Ish atashe ushtarak në Republikën e Turqisë

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here