Gazetarët, çfarë janë ata?!

0
406

Autore: LEONORA ALIU, GAZETAEXPRESSE martë, 03 Maj 2016

Fol mos u tut”, është slogani i fundit i Asociacionit të gazetarëve të Kosovës, që organizon protesta në baza diskriminuese për anëtarët e saj, që formën më të mirë të luftimit të padrejtësive ndaj gazetarëve e ka reagimin publik, a që “tutet” të merret me problemet reale të gazetarëve
Disa pyetje, në vend të urimit për Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit

Kur fëmijët nisin të shfaqin vështirësi në mësime, adresa e parë e pedagogëve për të gjetur shkaktarët është institucioni i parë- familja. Ndryshe ndodh me gazetarët, sepse kur ata kanë vështirësi me punën, adresa kryesore për të gjetur shkaktarët duhet të jetë institucioni ku punojnë – mediumet.

Prej vitit 93` nga Organizata e Kombeve të Bashkuara 3 Maji është caktuar si ditë e lirisë së medias në nderim dhe zbatim të plotë të deklaratës së Windehock të nënshkruar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më maj të vitit 1991 e që në thelb promovon media të lira dhe pluraliste. Në të vërtetë në Kosovë nuk ka vend për shënim të 3 majit.

Deklarata e Windehock, ishte rezultat i një vështrim të gjatë dhe të sinqertë në problemet e medias së shkruar të Afrikës në vitet e 90-ta. Dokumenti rendit raste të kërcënimeve, burgimit dhe censurës ndaj gazetarëve në të gjithë Afrikën. Me qëllim të krijimit të një shtypi tërësisht të pavarur dokumenti bën thirrje për media të lira, të pavarura dhe pluraliste në të gjithë botën duke pohuar se shtypi i lirë është thelbësor për demokracinë dhe një e drejtë themelore e njeriut. Sepse vetë informimi është e drejtë themelore e njeriut. Në vitin 1993 Asambleja e Përgjithshme e UNECSO e kishte miratuar këtë deklaratë duke bërë si dokument bazë për lirinë e medias dhe për shumë dokumente tjera që rregullojnë lirinë e shprehjes.

Të kthehemi në Kosovë. Mediat presupozohet të jenë gardiane të lirisë së shprehjes, shtyllë e demokracisë. Por, pikërisht kur mendoj për mediat, pjesën dërrmuese që kemi, e dorën në zemër janë bërë shumë, në vend se të uroj sot kolegët e mi gazetarë për 3 maj, pas gjashtë viteve si gazetare në Kosovë, vendosa të bëjë atë që gazetarët mendohet se dinë të bëjnë më së miri – disa pyetje. Vetëm se kësaj radhe, për dallim prej gjashtë viteve paraprake, pyetjet e mia nuk do t’i adresohen as politikanëve e as kriminelëve, por kolegëve të mi-gazetarëve.

“Fol mos u tut”, është slogani i fundit i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, organizatës së vetme e kinse më të fuqishme në Kosovë që do të duhej që të avokonte që Deklarata e Windehock të gjejë zbatim të plotë edhe në Kosovë. Por, që në vend të kësaj, organizon protesta në baza diskriminuese për anëtarët e saj, që formën më të mirë të luftimit të padrejtësive ndaj gazetarëve e ka reagimin publik, a që “tutet” me u marrë me problemet reale të gazetarëve. E ato nisin në vendin e tyre të punës. Me shkeljet që i bëhen gazetarëve nga menaxherët e pronarë të mediave, e që dorën në zemër po që se do te inspektoheshin më shumë nga Inspektorati i Punës, fare pak do të dalloheshin nga politikanët e kriminelët të cilët i kritikojnë në baza ditore. Hajde po e zëmë gazetarët po vendosin të flasin, pyetja ime është, kujt? Kujt t’i flasin? Kush do t’i dëgjojë? Kujt duhet t’i besojnë? “Kush do t’i mbrojë?”.

Kolegët e mi gazetarë e dinë, se viteve të fundit kemi parë një trend në rritje të injorimit të lajmeve që botohen në media nga pushtetit. Pikërisht para një viti në një tryezë të organizuar për ditën e lirisë së medias nga OSBE në Kosovë, redaktorë e kryeredaktorë mediumesh, pronarë e gazetarë ishin dëshmitare të asaj që thuhej se “liria e shprehjes në Kosovë shkelet”, se “pushteti duke mos reaguar ndaj lajmeve që gazetarët po publikojnë, pra duke i injoruar qëllimshëm lajmet dhe gazetarët, po i baraspeshojnë me shkelësit e ligjit për të cilët po raportohet”.

Dhe këto janë pohime të sakta, sepse liria shprehjes po shkelet madje edhe në ato institucione ku do të duhej të promovohej, vetë mediat, ashtu siç është fakt se gazetarët po injorohen, jo vetëm nga politikanët por edhe vetë gazetarët dhe menaxherëve e pronarëve të mediave. Prej të parëve sepse po “tuten” të flasin publikisht për vështirësitë që kanë duke mos pasur guxim as përkrahje për t’i denoncuar padrejtësitë që iu bëhen, nga droja e pasojave që mund të bartin (e humbja e vendit të punës është minimumi). E prej palës së dytë, menaxherëve e pronarëve të mediave, që po i fshehin shkeljet që i bëjnë deri në atë masë saqë fare pak dallojnë nga ata “bosët” e paprekshëm të shoqërisë kosovare.

Deri më tani Asociacioni nuk ka adresuar thellësisht raste të tilla. Prandaj, slogani i fundit “Fol mos u tut” i AGK-së kam frikë se i shkon për shtati vetë AGK-së e cila deri më tani është fokusuar vetëm në çështje sipërfaqësore.

LEXO EDHE
Gjendja e Lirisë së shtypit në Kosovë, më e keqja në Ballkan

Pse nuk raportojmë për shkelje të bëra nga vetë mediumet? ­ Si duket ende është në fuqi një ‘marrëveshje xhentëlmenësh’ ndonëse e pa diskutuar dhe e panënshkruar asnjëherë por e aprovuar në heshtje nga të gjithë drejtuesit e mediave, sipas së cilës asnjëri nuk raporton kundër njëri tjetrit. Me përjashtim të vogla.

Gazetarët hasin në vështirësi të shumta, duke filluar nga vendi i tyre i punës. Mungesa e kontratave të punës, oraret e stërzgjatura dhe mos-kompensimi i tyre, mungesa e infrastrukturës për punë, pagat e ulëta janë vetëm disa nga shkeljet ligjore me të cilat përballen gazetarët në Kosovë. Tutje, denigrimi profesional që i bëhet gazetarëve nga vetë redaksitë dhe kampanjat shpifëse që ndërmerren kundër gazetarëve që guxojnë të ngrehin zërin kundër padrejtësive, tashmë është bërë “kulturë e punës.” “Nuk ka ditë kurrë me shkru”, është vetëm një prej muhabeteve që i ngjiten pas çdo gazetari që vendos të mos bëhet pjesë e këtyre padrejtësive por të ndajë rrugët me “bosët”, e tillë.

Sisteme të këqija qeverisës dhe padrejtësi ka çdo kund. Fatkeqësi ndërkaq është kur sistemet e këqija qeverisëse dhe padrejtësie përqafohen në atë masë nga shoqëria sa bëhen të zakonshme, nuk ngrenë habisin tek askush dhe për më tepër adaptohen në metoda fitimprurëse.

Fatkeqësi akoma më e madhe se kjo ndërkaq, është kur viktimat e sistemeve të këqija të qeverisëse apo padrejtësive, në mënyre represive i adaptojnë metodat e “keqbërësve” të tyre ndaj të tjerëve.

Hiq më larg se një jave para se të shënohet dita e lirisë së medias, dy gazetar të rinj, të një medium po ashtu të rinj, e që menaxhohet nga gazetarët të njohur, dolën publikisht për të folur rreth mungesës së kontratave të punës, pagesave nën pagën minimale të standardi të Kosovës e madje ndalesa për trust pensional, mos kompensimin për punët shtesë që kanë bërë jashtë atyre që janë marrë vesh me pronarët, ngacmimeve në vend të punës etj.

Por çka ndodhi? Ajo që është akoma më shqetësuese se fakti se dy gazetar të rinj, të cilët sapo kanë nisur shtegun edhe ashtu të gjatë të gazetarisë, u detyruan që të flasin publikisht për padrejtësitë ndaj tyre, është fakti se asnjë nga mediumet e ashtuquajtura “mainstream” të Kosovës, nuk i publikuan shqetësimet e tyre. Pa dashur të etiketojë ndokënd personalisht dhe pa dashur të jap përfundim për epilogun në organet kompetente për këtë çështje, ajo që doli në shesh, e për çka pajtohen pjesa dërrmuese e gazetarëve “ jo të pasur”, me të cilët kam pasur rast të diskutojë për këtë rast, është në fakt pasqyra reale e shumicës së mediave në Kosovë.

Përveç disa portaleve më pak të lexueshme askush nuk e morri guximin për trajtuar problematikën që i prek të gjithë gazetarët në Kosovë. Po të ishte në pyetje një institucion shtetërore, kjo do të përbënte “ekskluzivitet.”

E këtu, patjetër që na lindin pyetjet e reja, për gazetarët. “Pse?”, “A nuk është lajm, kur dikush prej juve (gazetarëve) ka vendosur të flas për padrejtësisë që ju i përjetoni çdo ditë?”, “A duhet patjetër që të bëhemi ‘gazetar rrahagjoksë’ (siç i quan Agron Halitaj gazetarët që punojnë për famë e pasuri), që të dëgjohet zëri ynë?”, “A përnjëmend po ‘tuteni’ a?”

Përgjigjet në pyetjet e mia, unë i kam, siç i kanë sigurisht të gjithë kolegët e mi gazetarë, të cilët patjetër që do të gëzojnë respektin tim përherë për punën që bëjnë.

Por do të doja shumë që t’i dëgjoja ato përgjigje prej secilit gazetar publikisht e pa drojë. Do të doja shumë që, ne gazetarët, të ishim shembull për të rinjtë, motivues për të gjithë ata që e duan po aq sa ne gazetarinë. Se po të mos donim këtë punë, nuk do të humbnim asnjë sekondë të kohës, dhuratës më të vlefshme të jetës për të, e as për t’i adresuar pyetjet që unë besoj i kemi gjithë sot. Përgjigje nuk pres në fakt, megjithatë i shtrova këto pyetje sot sepse me heshtjen ndaj këtyre fenomeneve shqetësuese, e për të cilat jemi mësuar t’i i kritikojmë të tjerët, po e mbysim gazetarinë në Kosovë, dhe po e hapni shtegun për jo-profesionalizëm, për humbje të besimit, për propagandë të pushtetit, për shpifje, e denigrimin e një prej profesioneve më humane sepse Gazetaria presupozohet të jetë gardiane e një prej të drejtave elementare të njerëzimit – të drejtën për t’u informuar.

Pyetjet e mia sot, kanë dozë dëshpërimi, por nuk mund të quhet ndryshe veç së dëshpërim, ndjenja që kam teksa shoh çdo ditë ata të cilët vihen përballë një miliardë (pa ekzagjerim) rreziqeve në luftën ndaj padrejtësive nuk e kanë akoma guximin që të luftojnë padrejtësitë ndaj tyre.

Shumë urime, e mesazhe lexova sot për ditën e lirisë së medias. Por, po e spikas një mesazh të preferuat timin, të një kolegut gazetar. “Në një vend si ky i yni, ku gënjeshtra dhe mashtrimi kanë pushtet absolut, muhalife është të flasësh për lirinë e shtypit!”, ka shkruar në Facebook, në ditën e lirisë së shtypit, kolegu Bardh Frangu. Krejt kjo në kohën kur Asociacioni i ashtuquajtur i gazetarëve të Kosovës bënë thirrje me “fol pa u tut”. E unë, megjithatë, vazhdoj të kërkoj përgjigje në pyetjen time. Edhe po që se vendosim të flasim, nëse ne jemi njëlloj si politikanët e shkelësit e ligjit të cilët i kritikojmë, kujt t’i drejtohemi? E, nëse NE, s`kemi kujt, t’i drejtohemi, çfarë do të bëjnë qytetarët kur të kenë nevojë?!

(Autorja është gazetare. Ky shkrim reflekton mendimet e saj personale)

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here