FEMRA, FORCË E MADHE, KRIJUESE E SHOQËRORE

0
826

Sot është 8 Marsi:

(Shënime për librin “Për ju, krijuese “, me autor prof. Murat Gecaj)

Nga: SEJDO HARKA, publicist e studiues

Me forcën dhe dinjitetin e vetë, me energji të pashterrshme, femra shqiptare përpiqet që të ringrihet plot dinjitet njerëzor. Edhe ata, që përpiqen ta “vrasin ose ta dhunojnë”, ajo i “vret” me dashurinë dhe mirësinë e saj.

Të shkruash për femrat, do të thotë të shkruash për gjysmën më të mirë të shoqërisë njerëzore. Ajo është bërë simbol i bukurisë dhe i dashurisë, i gjenerimit të jetës dhe shoqërisë, i ëndrrave të bukura dhe besnikërisë…Gruaja është fytyra e vërtetë e shoqërisë.Si të jetë ajo ashtu është dhe shoqëria. Sa më e lirë, e ditur dhe krijuese të jetë, aq më e zhvilluar është shoqëria. Dijet e thella, mendja krijuese dhe virtytet e larta morale e shpirtërore të grave dhe vajzave, e shtyjnë shoqërinë përpara .Ato kanë bukurinë e natyrës së virgjër, ëmbëlsinë dhe shijen e mushtit, shkathtësinë e bletës puntore dhe freskinë e vesës së mëngjesit.Ëndrra e tyre ka hapësirat e gjithësisë dhe kthjelltësinë e qiellit. Zemra e tyre ka bardhësinë e borës dhe ngrohtësinë e diellit,shpirti i tyre ka ëmbëlsinë e mjaltit dhe krahët e pëllumbit. Me duart e tyre ato ndërtojnë e zbukurojnë, me mendjen e tyre krijojnë, me shpirtin e tyre të pastër ngrohin dhe shërojnë. Çajupi ynë ka shkruar: ”Më se rriten foshnjet, /ç’i rritë çiliminjtë? /Dashuri e nënës dhe përkëdhelitë”.

Janë këto disa nga arsyet që prof.Murat Gecaj,librin e tij të ri ose antologjinë, me titull kuptimplotë,”Për ju, krijuese”, ua kushton grave dhe vajzave krijuese, artiste dhe veprimtare shoqërore. Ai është një apel i fuqishëm, drejtuar mbarë shoqërisë ,politikës dhe gjithë lexuesëve:”Duajini e respektojini, ndihmojini e nxitini, në të gjitha fushat e jetës, gratë, nënat dhe vajzat tuaja,sepse pa to s’ka jetë e dashuri, s’ka progres dhe zhvillim!” Sepse, kush i pengon ato, ka dhunuar lirinë,ndërsa kush dhunon gruan, ka” vrarë” shoqërinë.

Ky libër, për vetë tematikën, këndvështrimin dhe stilin e tij, shënon një risi letrare. Objekt i këtyre shkrimeve është bërë krijimtaria dhe veprimtaria shoqërore e 62 poeteve e shkrimtareve dhe e 29 artisteve e veprimtareve shqiptare, të cilat punojnë dhe jetojnë brenda dhe tej kufijve të Atdheut,deri në Amerikën e largët e në Kanada.

Në këtë libër, vend të rëndësishëm zënë bisedat e lira me krijuese e artiste, ndër më të njohurat e vendit, diskutime e analiza për krijmtarinë dhe tematikën e librave të tyre, shkrime për përurim librash e dokumentarësh për jetën dhe vlerat e krijimtarisë e të artit të tyre. Siç shkruan dhe vetë autori, femrat krijuese kanë një botë të madhe e të pasur shpirtërore, të mbushur me mirësi e frymëzim. Në krijimtarinë e tyre lexuesi gjen bukurinë e shpirtit dhe sinqeritetin e ëndrrës, guximin e kohës dhe ëmbëlsinë e këngës. Ato lëvrojnë të gjitha gjinitë, llojet dhe nënllojet letrare. Krijueset tona i këndojnë Atdheut dhe dashurisë, luftës dhe lirisë, punës dhe ëndrrës, jetës dhe zemrës. Me veprat e tyre, ato fshikullojnë e satirizojë plagët e shoqërisë së sotshme, që e detyrojnë femrën të dhunohet e të gjunjëzohet, të shitet si plaçkë tregu e të prostituohet. Në krijimtarinë e tyre ato qortojnë dhe fshikullojnë edhe vetëveten, për heshtjen dhe mungesën e guximit e besimit, për divorcet pa shkak thelbësor dhe për luftën e pamjaftueshme për vetëemancipim, të bindura se liria e vërtetë, nuk dhurohet, por fitohet me punë e talent, me përpjekje e dinjitet.

Krijimtaria e vajzave dhe grave shqiptare ka fytyrën e letërsisë moderne të kohës. Ajo dallohet për frymën njerëzore dhe sinqeritetin e rrallë, për stilin e zhdërvjelltë dhe gjuhën e gjallë. për mesazhet e bukura dhe frymëzimin spontan. Për të kuptuar më mirë ndihmesën, që jep femra shqiptare për modernizimin e letërsisë dhe artit ionë, po ndalemi te disa nga krijueset dhe artistet më të spikatura që autori i këtij libri, prof. M.Gecaj i ka bërë objekt dhe personazhe të shkrimeve të tij.
Libri çelet me shkrimin–bisedë, që autori bën me krijuesen Liljana Kristuli, jo vetëm se ajo është një poete e talentuar dhe mjeke e njohur, atje ku jeton në Itali, por edhe sepse, bashkë me disa mike të tjera krijuese, L.Vladi, R.Çoba, E.Kame, T.Halilaj, S.Pllana e M.Agalliu, e kanë mbështetur botimin e këtij libri. Por dhe secila ka veçoritë e saj në librat e botuar.

Kështu, p.sh. Liljana ka botuar pesë libra dhe po përgatit librin e gjashtë.Poezitë e saj më të bukura i ka përmbledhur në librin “Pemë dhe gjethe”. Ndërsa në novelën “Gra të e harruara”, autorja fshikullon ata, që me cinizmin dhe papërgjegjshmërinë e tyre, kanë bërë që gruaja të nënvleftësohet, përbuzet dhe të harrohet. Krijimtaria poetike e kësaj krijuese dallohet për thjeshtësinë e vargut, qartësinë e mendimit dhe siqeritetin e ndjenjës. Liljana është dhe mjeke e pasionuar. Fryt i punës studimore është dhe libri i saj, “Unë dhe dializa”.Për shpirt të gjallë poetik dallohet edhe krijuesja Angjelina Krasniqi-Bardhaj.Kur ajo ndodhet pranë valëve të Drinit të Bardhë,”Buzët i lyen me mjaltin e bletës”,ndërsa “Sytë i lan me vesën e mëngjesit”… Ganimete Thaçi, ose siç quhet ndryshe, “Çika Hasjane”, nga që e ka përjetuar thellë dhimbjen e kurbetit, shkruan vargje të tillë emocionalë: ”Këtu, në kurbet edhe sytë më janë tharë”. Në krijimtarinë e saj nuk mungojnë as poezitë erotike për dashurinë.Nga puthjet e sinqerta, shkruan ajo, ”Ma mori flaka buzën”.

Për të na njohur me jetën dhe veprimtarinë krijuese të poetes Ilirjana Sulkuqi, e cila jeton në Amerikë, autori merr shkas nga dokumentari”Lirikë shpirti”, me skenar të K.Traboinit.Në krijimtarinë e saj të bollshme, përveç të tjerave, trajton temën e mbrojtjes së dinjitetit të gruas dhe të dashurisë njërëzore. Ndërsa Kozeta Zylo, vjen që nga përtej Atllantiku, në Tiranë, për të përuruar dy librat e rinj. Nëpërmjet librit, “Një fjongo dielli nga Nju Jorku”, ajo sjell te lexuesi shqiptar “diellin “ e lirisë së vërtetë të gruas amerikane. Edhe Majlinda Nana Rama dallohet për krijimtarinë e gjerë e të larmishme letrare dhe veprimtare shoqërore, si brenda e jashtë vendit. Dy nga librat e saj më të lexuar janë ”Hënë e qiellit tim” dhe romani ”Perandorët”. Për përurimin e librit më të mirë shqiptar, ajo ka organizuar edhe panaire libri, jo vetëm në Fier, ku jeton, por dhe jashtë Shqipërisë, si në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Francë, Austri, Hollandë, Belgjikë. etj. Mësuesja e poetja Merita Gjoni shquhet për gjuhën e gjallë dhe vargun e zhdërvellët. Përmes magjisë së fjalës, ajo kërkon tëshkallmojë çdo pengesë, që kërkon të zbehë syrin e saj të mprehtë.

Poezia e vajzës së talentuar Nafie Salhiaj,vjen te lexuesi e kthjellët dhe tepër emocionale, me ngjyrime të thella metaforike, si dhe me mesazhe të fuqishme për jetën, dashurinë Atdheune për tërë shoqërinë. Me guximin e një vajze të emancipuar, nëpërmjet vargut”Mos ma trembni dashurinë”, ajo sfidon dhunimin dhe skllavërinë e femrës shqiptare. Rajmonda Meleçka, ose siç quhet ndryshe “Shota e dytë”, është jo vetëm krijuese e talentuar, por dhe një luftëtare trime për liri dhe drejtësi kombëtare. Ajo ka marrë pjesë, me armë në dorë, për çlirimin e Kosovës dhe në Maqedoni, pa iu trembur syri, as nga burgjet e torturat dhe e as nga plumbat. Një nga 13 librat e saj më të mirë është ai me titull”Mbollëm gjak dhe hodhëm rrënj”, me ngjyrime të thella popullore, që tingëllojnë si një himn i bukur për atdhedashurinë.

Poetja Reshida Çoba, e cila edhe pse jeton në Los Anxhelos të Kalifornisë, mendjen dhe shpirtin e ka te vendlindja e dashur. Poezia e saj është tepër e çiltër, me ngjyrime të thella moderne, të mbush me emocione dhe dëshirë për ta lexuar me një frymë. Vëmendjen e lexuesëve ka tërhequr edhe krijuesja vlonjate Vilhelme Vranari, sidomos me romanin “Dritëhijet e medaljes enigmë”, të redaktuar nga Fatmir Tereziu. Ndërsa publicistja Vjollca Spaho, pëveç librit studimor “Tej kufijëve të fjalës”, ka dalë me vëllimin poetik elegjiak, ”Po të shkruaj”. Poetja Zyba Hysa e ndjen veten si pulëbardhë, që fluturon në hapësira të pafundme.

Kështu, me fjalë vlerësuese e mniratuese, mund të flisnim edhe për poete ose shkrimtare, që janë pjesë e këtij libri, me vlera të disaanshme. Të tilla janë krijueset: Kozeta Zavalani, Raimonda Moisiu, Lida Lazaj Eli Kanina, Zyrafete Manaj, Ermira Jusufi, Lumturi Ymeri, Mimoza Agalliu, Seli Murati, Vera Istrefi, Vitore Stefa, Vjollca Pasku, Vojsava Nelo, Enkelejda Tahiri etj.
Pjesën e dytë të librit, autori M.Gecaj ua kushton jetës dhe veprimtarisë së gjerë, interpertuese e kulturore të disa nga artistet tona. Me punën dhe talentin e tyre të rrallë, ato e kanë ngritur lart dinjitetin e Kombit dhe të femrës shqiptare. Në ballë të këtyre shkrimeve qendron” Artistja e Popullit “dhe “Nderi i Kombit”, Vaçe Zela. Zëri rrallë i kësaj këngëtareje, i ngjan një ujvarë e pandalshme mali, që zbret rrëmbyshëm për t’i dhënë frymëmarrje Himnit tonë Kombëtar. Shqiptarët, kudo që ndodhen, s’kanë për t’i harruar kurrë disa nga këngët e saj më të bukura, si”Fëmija e parë”,”Gonxhe në pemën e lirisë”, ”Nëno, moj, do pres gërshetën”,”Valsi i lumturisë”…, të cilat janë bërë model dhe hit i bukurisë së këngës shqiptare.

Një zë i paarritshëm i këngës shqiptare, është dhe ai i Nexhmije Pagarushës, për të cilën flitet me nderim në këtë libër. Kënga e saj duket sikur buron nga thellësitë e tokës shqiptare, si një melhem për të shëruar plagët e mahisura të Kombit Shqiptar, në shekuj. Gjithashtu, e papërsëritshme, për hapësirat dhe llojet e këngëve, që interpretoi, mbeti artistja dhe “Mjeshtrja e madhe”, Fatime Sokoli”, e cila është thirrur “Bilbilja tropojane”, por është dhe“valltarja flutur”, Xhevahire Gashi” etj..
Një vend të rëndësishëm, në shkrimet e këtij libri, zënë edhe disa nga emrat më të njohura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. E tillë është artistja e madhe, Tinka Kurti, e cila ka luajtur 120 role të suksesshme, në teatër e kinematografi.

Me respekt të veçantë shkruhet në këtë libër edhe për “Artisten e merituar”, të ndjerën Besa Imami. Për aftësitë e larta interpertuese ,ajo është vlerësuar me titullin e lartë,”Nderi i Skenës Shqiptare”. Në libër flitet edhe për piktoren e talentuar Lule Bajraktari (Suedi), drejtueset e pasionuara në arsim dhe edukim: Persa Grabova(Shkodër), Marie Brozi (Mirditë) etj.
Ashtu siç është nënvizuar, në të gjithë shkrimet e këtij libri ose kësaj antologjie, me autor prof. Murat Gecaj, publicist e studiues, femra shqiptare është jo vetëm krijuese e talentuar dhe interpertuese e rrallë, por dhe luftëtare dhe guximtare e pamposhtur. Kur atë e pengojnë, si në punë, krijim e në jetë dhe synojnë ta gjunjëzojnë, ajo tregohet e paepur dhe guximtare. Me forcën dhe dinjitetin e vetë, me energji të pashterrshme, femra shqiptare përpiqet që të ringrihet plot dinjitet njerëzor. Edhe ata, që përpiqen ta “vrasin ose ta dhunojnë”, ajo i “vret” me dashurinë dhe mirësinë e saj.

Tiranë, mars 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here