Fehmi Abdiu: Berisha të ndiqet penalisht, ka urdhëruar vrasjet më 21 janar

0
251

Si e konsideroni leximin që i bëri “Venecia” ligjit të vetting-ut dhe si è vlerësoni kërkesën e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE¬së, ku i kërkoi Shqipërisë si kusht për hapjen e negociatave zbatimin e ligjit që bën zgjedhjen e gjyqtarëve?

Në lidhje me këtë pyetje, në shumë mjedise sot diskutohet, dhe opinionet e mendimet duken se janë relativisht të ndryshme për aq kohë sa vetë forcat politike kryesore, maxhorancë dhe opozitë, edhe pse në aspektin sipërfaqësor duket se janë të kënaqura, secila prej tyre, mbështesin qëndrimet relativisht të ndryshme që kanë të Vetting¬ut për përgjigjen që ka dhënë komisioni i Venecias.

Gjithsesi, unë mendoj se përgjigjja dhe qëndrimi i komisionit të Venecias duhet konsideruar si një hap shumë i rëndësishëm dhe pozitiv, veçanërisht për kohën dhe kushtet në të cilat është ënë, për të cilat pritej, pse jo edhe për shpresën që ekziston për faktin që ai qëndrim mund të mbështetet nga gjykata kushtetuese. Por qëndrimi i Europës, kam mendimin se duhet parë si puna e asaj gotës gjysmë plot e gjysmë bosh.

Së pari, fakti që është pranuar Shqipëria, ka përparuar në disa drejtime dhe veçanërisht në drejtim të demokratizimit të vendit në formën institucionale, që ka bërë dhe pretendon të bëjë, ky fakt është shumë pozitiv për vendin tonë dhe duhet vlerësuar. Duhet vlerësuar edhe si një tregues i punës së mirë të axhorancës parlamentare, e cila me gjithë vështirësitë e mëdha që ka patur, maksimalisht ka qenë e angazhuar.

Nga ana tjetër, fakti që nuk është vendosur ose që është dhënë një përgjigje e kushtëzuar për të pritur një kohë të përshtatshme kur të krijohet bindja se me të vërtetë reformat po zbatohen dhe detyrat e tjera të dhëna po ecin mirë dhe pozitivisht, tregon se Europa ka shumë për të marrë, shumë pretendime ndaj Shqipërisë, veçanërisht ndaj politikës, sepse kam përshtypjen se është ndërgjegjësuar faktori politik në Shqipëri. Ky faktor që edhe pse drejton reformën, është një faktor negativ.

Është negativ sepse nuk funksionon sa dhe si duhet organi kryesor ligjvënës, që cakton politika e qeverisjes, politikat ligjvënëse, politikat e kontrollit, pse jo dhe politikat e integrimit. Aq e vërtetë është, sipas mendimit tim, sa unë mund të them se zbatimi i këtyre reformave që është shumë i rëndësishëm, është shumë i sforcuar. Edhe për faktin se po i bën një parlament i dobët.

A do të ketë pengesa të tjera si ligji Vettingut?
A prisni ju nga ajo që keni parë, gatishmërinë e PD-së për të vonuar, a mund të kemi pengesa të tjera që mund të na dalin? Pengesat janë të shumta. Pikërisht për këtë ligjvënësi duhet t’i parashikojë ato, për t’i riparuar këto pengesa. Mos harroni se kemi edhe një çështje tjetër në Gjykatën Kushtetuese për sistemin e drejtësisë, dhe ky është një ligj shumë i rëndësishëm. Mund të ketë çështje të tjera pas kësaj. Partia Demokratike me një vendosmëri serioze për t’u shprehur kundër masave të marra, sipas meje, nuk përjashtohet mundësia për të krijuar ndonjë skenar tjetër, për ndonjë ligj tjetër, nga paketa. Dhe shkaqe e arsye mund të gjenden.

Por ajo që më duket kryesore është diçka tjetër. Unë vë re dhe nuk quaj normale faktin, që koncepti që ekziston për reformën është i ngushtë. Të jepet përshtypja sikur reforma do të jetë zgjidhëse e do të implementohet vetëm duke shkarkuar, ose duke larguar nga drejtësia disa gjyqtarë dhe prokurorë që meritojnë t’i heqësh. Kjo pritet dhe është e nevojshme. Pse jo, mbase e domosdoshme. Por reforma nuk është kjo. Reforma kërkon dhe nënkupton krijimin e një mentaliteti të ri të marrëdhënieve të gjyqësorit me popullin.

Ndryshime rrënjësore, radikale, shumë të rëndësishme sa i përket ndershmërisë, integritetit dhe përgjegjësisë. Diskutimi më i madh bëhet për gjykatësit, këta janë problem. Por problem më i madh është kapja e politikës. Nuk duhet nënkuptuar reforma vetëm në këtë masë. Dhe e dyta, pasi të shkarkohen gjyqtarët dhe prokurorët është e domosdoshme që të përgatitet një armatë, ose një numër gjyqtarësh dhe prokurorësh që ta vlerësojnë seriozisht këtë punë, sepse është një punë shumë e përgjegjshme. Prandaj në këtë drejtim, unë mendoj se duhet maturi, kujdes, mençuri, për tu ruajtur si nga njëri qëndrim ashtu edhe nga tjetri, si nga qëndrimet sektare ashtu edhe nga mos lëvizja, sa dhe si duhet.

Reforma nënkupton faktin që të përmirësohen treguesit gjyqësor, cilësia e punës që është skandaloze. Reforma nënkupton një përgjegjësi për çdo punonjës gjyqësori, nënkupton kontroll të ashpër por të drejtë. Të gjithë këta tregues duhen detajuar veç e veç dhe duhen përpunuar. Reforma do të jetë pa vlerë nëse mendojmë ta implementojmë me këtë legjislacion që kemi, reforma nënkupton domosdoshmërish ndryshimin e legjislacionit.
Pse është ndotur sistemi i drejtësisë, kush është fajtori kryesor?

Dobësia e sistemit të drejtësisë e ka burimin te politika e gabuar, e keqe, antagoniste e mbi të gjitha te politika e kapur që ka ekzistuar dhe ekziston në Shqipëri. Deri tani ka pasur përpjekje për ta evituar sa të jetë e mundur se ndikimi i politikës nuk evitohet plotësisht. Mënyra se si do të zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, si dhe zgjedhja e gjyqtarëve të tjerë janë hapa pozitiv, pasi në këtë mënyrë politika nuk do të ketë mundësi të fusë “duart”.

Por mos të harrojmë që politika do të bëjë përpjekje të vazhdueshme për të kapur drejtësinë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtojë veten nga mëkatet që mund të ketë bërë.

Si mund të shpëtohet drejtësia nga kapja e politikës?
Kanë rëndësi dy momente. E para, duhet të respektohen me rigorozitet hapat administrativë që janë bërë dhe që do të bëhen. Vetëm ndjekja e këtyre hapave mund të krijojë premisa, që politika të qëndrojë sa më larg, që ndikimi i qeverive, e presidentëve të jetë zero. Dhe e dyta, duhet vetë gjyqësori të jetë i përgjegjshëm për detyrën që bën dhe me pushtetin dhe kompetencat që ka të mos e përfillë ndikimin e politikës. Në botë dhe në Shqipëri ka me dhjetëra konflikte mes gjykatës dhe politikës.

Madje në vende të ndryshme të botës, institucione të drejtësisë edhe pse kritikohen padrejtësisht nga legjislativi dhe ekzekutivi e kanë përmbushur përgjegjësinë me ndershmëri duke arritur të mos kapen nga politika, madje duke e ndëshkuar në shumë raste atë. Kjo ndjen përgjegjësie dhe kurajo duhet të krijohet te gjyqtarët shqiptarë. Ata mund t’i thonë çdo lloj politikani që do të kapë drejtësinë: Stop.

Duke parë që Shqipëria është një “mëhallë” e vogël dhe ku fijet një gjyqtari i gjinden shumë kollaj, a mund të bëhet realitet kjo që thoni ju?
Është bërë, bëhet dhe mund të bëhet në masë edhe më të madhe, madje mund të shndërrohet në standard, por duhen njerëz më kurajoz dhe të përgjegjshëm. Kemi të tillë njerëz që mund t’i thonë largohu, politikës? Kemi njerëz që mund t’i thonë politikës madje “Ik qërohu”. Po të kujtojmë nenin 145, paragrafin e fundit të Kushtetutës, i cili thotë: Ndalohet hyrja e politikës në veprimtarinë e gjykatave, dhe çdo tentim për ndërhyrje dënohet penalisht.

Çfarë i duhet më shumë se kaq gjyqtarëve, vetë kushtetuta ia thotë troç. Pra duhet vetëm kurajë dhe përgjegjshmëri. Njerëzit duhet ta mësojnë se nuk u lejohet të fusin hundët në punën e tjerëve, padrejtësitë që mund të pretendojnë njerëzit se mund t’i bëhen, mund t’i zgjidhin vetëm duke ndjekur rrugën e ankimit në rrugë gjyqësore kundër vendimeve të dhëna. Gjyqësori nuk ka pse të bjerë pre e komenteve që bëjnë forcat e ndryshme për hesap të politikës ditore të tyre. Pushteti gjyqësor duhet të ketë atributet e veta si pushteti më i rëndësishëm se sa ekzekutivi dhe duhet lihet dhe të përmbushë detyrat që ka. Të gjithë hallkat duhet të punojnë që të krijohet një mentalitet tjetër për drejtësinë.

Ditë më parë ish kryeministri Berisha duke folur për 21 janarin deklaroi mes të tjerave se nëse do të agravonte situata edhe më tej, do të jepte urdhër për të ekzekutuar kryetarin e opozitës së atëhershme, Edi Ramën, sot kryeministër i vendit. Cili është komenti juaj për këtë deklaratë?
Berisha me anë të asaj deklarate e aprovoi se ka drejtuar atë aksion dhe ka gisht në urdhërimin e vrasjeve në 21 janar. Ai e tha troç se po të vazhdonte më tej situata ishte i gatshëm të përgjakte edhe më shumë rrugët e Bulevardit. Pas këtyre deklaratave unë mendoj se ka argumente të mjaftueshme për të vazhduar çështjen penale për ta ndjekur atë bashkë me të tjerë dhe për të thelluar hetimet mbi atë deklaratë.

Dergoi per publikim Gjin Musa, gazetar.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here