Fan Noli, “Klubi i Shkodrës” dhe kundërshtarët e tij (1908)

0
716

Nga: PAUL TEDESCHINIBota Sot, Më: 2 DHJETOR 2016

Profesor Nasho Jorgaqi është studiuesi më i thelluar dhe mbledhësi kryesor i dokumentacioneve të aktivitetit të gjërë të jetës, veprimtarisë fetare, kulturale dhe politiketë imzot Theofan (Fan) Stilian Nolit. Shumë interesant është psh. ”Vëllimi me letërkëmbimet” konfidenciale të Fan Nolit me Ahmet Zogun si dhe me Enver Hoxhen, të cilat profesor Nashua i ka gjetur dhe i ka publikuar.

Gjithë materiali mbi Nolin është mbledhur dhe përgatitur në 6 volume nga Akademia e Shkencave të RPSH-s, nën kujdesin e Prof. Aleks Buda (redaktor përgjegjës); prof. Vehbi Bala; prof. Koço Bihiku; doc. Nasho Jorgaqi; prof. Arben Puto dhe me kontributin e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Arkivi i Akademisë së Shkencave te RSH-së.

Në “VEPRA 2” të Fan S. Nolit (botimi i Akademisë së Shkencave në vitin 1987) në faqet 157-158 jepet shkrimi i Fan Nolit “KLUBI I SHKODR?S”, i publikuar me 25 nëntor 1908 në revisten patriotike “Kombi”.

Le t’i hedhim më parë një sy kohës kur Noli e ka shkruar artikullin “KLUBI I SHKODRËS”. Jemi në vitin 1908. Xhonturqit për ta shpëtuar nga shëmbja Kalifatin Islamik të Perandorisë turk-osmane, bënë ”Kushtetutën e re” dhe komitetin “Bashkim e Përparim” me shumë premtime, të cilat në fakt u shoqnuen më vonë me shtërngesa, dhunë dhe raprezalje ndaj lëvizjes kombëtare të atdhetarëve të Rilindjes per pamvarsinë e shqipëtarve. Rilindësit shfrytëzuan mundësitë legale mbas shpalljes së Kushtetutës së re, për të organizue lëvizjen politike-kulturore, me qellim ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare të popullit. Kështu u krijuan ”Klube Kulturore” patriotike në Shkodër dhe disa qytete të tjera.

Prof. dr. Ragip Gjoshi në shkrimin e tij ”Nga monografia – Mësimdhënia e gjuhës shqipe në Kosovë”(7) (15.09.2016) ndër të tjera shkruan:
“…Zhvillimi i lëvizjes politike-kulturore kombëtare ndeshi jo vetëm në pengesat e autoriteteve xhonturke, por edhe në kundërshtimin e atyre klerikëve konservatorë, myslimanë e ortodoksë, që u shërbenin fuqive të huaja. Në Tiranë, në Durrës, në Shkodër, në Ohër, në Strugë, në Dibër dhe në vende të tjera, klerikët turkomanë u përpoqën t’i ndalonin shkrimin dhe mësimin e gjuhës shqipe, duke i shpallur në kundërshtim me fenë myslimane e me Kur’an-in. Në disa nga këto qendra administrata lokale turke kërcënonte me internim atdhetarët që përhapnin shkrimin e shqipes, ndërsa në Shkodër nxiti klerikët fanatikë myslimanë t’i dërgonin telegrame të stisura Ministrisë së Brendshme, në të cilat thuhej se nuk njihnin gjuhë tjetër zyrtare, veç turqishtes. Edhe shovinistët grekë e klerikët ortodoksë grekomanë u orvatën ta pengonin hapjen e shkollave të para shqipe në Shqipërinë e Jugut. Këta vijuan t’i përdornin për këtë qëllim të gjitha mjetet e mundshme që nga kërcënimet, mallkimet e shkishërimet e atdhetarëve, që i dërgonin fëmijët në shkollat shqipe…”.

Këtu në vijim jepet shkrimi i Fan Nolit, marrë nga Noli “VEPRA 2” në faqet 157-158 të botimit të vitit 1987.

 width= width=

“KLUBI I SHKODRËS”

“Lajmat nga gazetat e huaja na e rrëfejnë të ndryshmë shkakun e mbylljes së Klubit të Shkodrës. Do të perpiqemi pra me pak fjalë t’i përmbledhim këto të gjitha që t’u japim të kuptojnë shqiptarët cila është thellazi përseja e këtyreve paudhësive që po ngjasin njera pas tjatrës ndë Shkodër.

Një telegraf i “Tajmsit” (“Times”) të Londrës na rrëfen për shkak mysylmanët, të cilët domosdo kërkonin që shqipja në qoftë se munt të shkruhet, duhet bërë vetëm me shkronja arabisht. Gazeta greqishte “Pyrros” na rrëfen që mysylmanët u mblodhën një natë të Ramazanit, nonjë mijë, e rrethuan klubin dhe kërkonin ta diqnin, se shqiptarët që e bënë këtë klub qënkeshin vegla të Austrisë. Qeveria (turke) tjatrën ditë e mbylli klubin dhe zbriti tabellën e tij.

Përandaj katholikët shqiptarë, nuk deshin të merrnin pjesë në konferencën që u bë prej mysylmanëve për të protestuar kundër Austrisë për çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës. Një letër prej Elbasani nga tjatra anë na rrëfen për shkak një gjë që ka më tepër rëndësi nga këto të gjitha. Kjo letër na tregon që mysylmanët shkodranë u tërbuan kur mësuan se në këto klube janë shkruar katër a pesë mysylmanë dhe menjëherë u hodhën t’i mbyllin dhe pak mbeti t’ua diqnin shtëpinë atyre mysylmanëve që kuxuan të shkruhen anëtarë në këtë klub.

Nuk na çuditë fare fanatizma e mysylmanëve të Shkodrës dhe kurrë nuk ushqyem shpresën e kuximshme që munt të bëjshin njerës të rij, pasi u vendos konstitucia. Po çuditemi për qeverinë, e cila s’është e zonja t’u vërë fre këtyre egërsirave dhe i lë të bëhen shkak për të derdhur gjak vëlla me vëlla. Sa pandehim që shqiptarët atdhtarë të Shkodrës të mos e gëlltitin dhe këtë shuplakë pa nxjerrë zë, si burgosjen e Dervish Himës. Kemi frikë se, ndë qoftë se mysylmanët e Shkodrës sillen me këtë paturpësi barbarë, të krishterët do ta humbasin durimin dhe, në dhënçin besën, që ta marrin gjakun gjithë Malësia, do mos mëntojnë ta shikojmë Shkodrën të mbytur në gjak, dhe fajën do mos e kenë të krishterët, dhe ata që do të pendohen do jenë mysylmanët e Shkodrës dhe qeveria turke. Dhe në këtë gjë me anën e katholikëve të Shkodrës, të cilët s’kursejnë veç të drejtat që rrjedhin prej konstitucies, do të qëndrojnë gjithë të krishterët dhe mysylmanët e Toskërisë, të cilët prej kohë kanë kuptuar çdo me thënë qytetërim.

Para se të mbarojmë, kemi dy fjalë për klubin e shqiptarëve edhe ca më tepër per atë të Manastirit që eshtë si krye. Përse këto klube nuk protestohen këtyre padrejtësive, po pushojnë? Po munt të na thonë se s’trazohen në politikë simpas kanunoreve. Jo, or zotërinj, se kur shkruani që do të përkrahni Xhamietin e xhonturqve, na thoni që do të përpiqi për lirinë dhe përparimin e perandoritë otomane. Mirë! Ashtu e kuptoni përparimin e përandrisë otomane? Dhe kur të bëhet gjak në Shkodër, do mos jini fajtorë, posa që s’deshtë ta lajmëroni qeverinë në ç‘greminë po baret, dyke sjellë prapë në Shkodër kohën e errët të tiranisë së vjetër.

Po kemi një shpresë dhe kjo na jep kurajë! A janë të zotërit katholikët e Gegërisë tua kthejnë shuplakën atyre që dashkan të mos ketë klub shqiptar?”

Botuar në “Kombi”, 1908, 25 nëntor, nr. 164 (fundi i shkrimit të Nolit).

Natyrisht mbas vitit 1908 e këndej, Shkodra ka ndryshuar shumë. Shkodra s’është më sot një “Vilajet turk-osman i mbyllur” si dikur, por një qytet shqiptar i hapur me drejtim europian.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here