EMERGJENCAT – PROBLEMET REALE APO SHOW

0
229

Zef Gjeta

Shkak për këtë shkrim u bë një emision që mbrëmë ndjeka në TV Klan, në lidhje me situatën e emergjencës nga dëbora dhe ngricat në vend. Fillimisht kam objeksionet e mia në lidhje me fokusimin e problemit: kur do të analizosh mirë një çështje duhet fokusuar aty, e jo të hallaktesh në gjithë sa të “ndërsyen” mendja. Por kjo është çështje e drejtuesit të emisionit, ashtu siç është edhe struktura e panelit, pra të ftuarit në studio, apo organizimi i vetë emisionit: radha e analizës së gjerave, spotet, apo reklamat që futen kohe e pa kohë.

Por, nuk dua të zgjatem me emisionin, pasi dua që ta trajtoj çështjen në thelb, e jo në aparencë. Kështu, realiteti është se që prej ndryshimit të sistemit, pra këto gati 27 vjet, emergjencat civile janë shfaqur në public, në mëdia e në terren, kryesisht duke bërë një lloj spektakli. Ky spektakël, në të gjitha rastet ka qënë në përputhje dhe në shërbim të qëndrimit të drejtuesit të qeverisë. Pavarësisht se drejtuesist e Qeverisë kanë ndryshuar, edhe drejtuesit e strukturave të Emergjencave Civile, kanë ndryshuar, por qëndrimi ka qënë i njëjtë, servilizëm dhe punë për spektakël.

Fillimisht duhet kuptuar qëllimi ndritjes e funksionimit të një strukture, fokusi kryesor i punës si dhe format e punës që përdor. Në vijim, duhet ditur edhe buxheti, logjistika dhe njerëzit që angazhohen për të përmbushur sa më mirë objektivat e caktuara. Në rastin konkret, sipas mendimit tim, Emergjencat Civile kanë një problem që lidhet me konfondimin e rezervës së shtetit, me ndërhyrjen për të shpëtuar apo lehtësuar situatën e njerëzve në nevojë të menjëhershme.

Rezerva e shtetit, pavarësisht nëse do të menaxhohet nga struktura e Emergjencave Civile, nga kjo apo ajo Ministri, ka të bëjë me një kontigjent të caktuar të të mirave materiale, të ushqimeve, të veshmbathjes, të paisjeve të ndryshme, etj., që do të përdoren në raste që mund të përcaktohen me ligj apo edhe me urdhëresa (të nivelit që gjykohet nga Qeveria).

Ndërsa struktura për emergjenca, përbëhet nga njerëz të përgatitur si fizikisht ashtu edhe me njohuri, të trajtuar për situata të veçanta dhe të paisura si duhet me mjete, paisje dhe logjistikë që mundëson kryerjen e ndërhyrjes, shpëtimin e jetës së njerëzve, shpëtimin nga dëmtimi të të mirave materiale, por njëkohësisht nuk rrezikon vetë jetën e personelit të emergjencave.

Në këtë këndvështrimi, ardhja e dimrit apo e pranverës, rënia e dëborës apo e shiut, apo edhe e breshërit në vetvete, nuk përbëjnë emergjencë. Në kushtet e vendit tonë, janë thaujse mirë të përcaktuara të katër stinët: pra pavarësisht nëse ekziston apo jo struktura e Emergjencave, stina do të vijë: një vit më i eger, një vit më i butë, por do të vijë. Ndaj, asnjë nepunës apo drejtues i strukturave të Emergjencës, apo të ministrisë përkatëse ku varen, apo të kryeministrisë, nuk ka pse na del në ekrane e të na thotë që ka trokitur dimri.

Ajo që kreu i qeverisë, minisrti apo ministrat përkatës, si dhe strukturat në vartësi të tyre mund të bëjnë është: të përcaktojnë sa fuqi ka buxheti i shtetit për të mbështetur njerëzit në nevojë. Këtu duhet ndarë në mënyrë shumë të qartë: sa mundësi ka për t’iu gjendur, për të ndihmuar njerëzit që jetojnë akoma në malësitë e vendit tonë, në zona larg nga qëndrat administrative përkatëse dhe që në periudhën e vështirë të dimrit nuk kanë mundësi lidhje me rrugë automobilistike. Pavarësisht nga gjendja e buxhetit të qeverisë: pra pavarësisht nëse Qeveria ka mundësi që të ndihmojë X (një numër të caktuar) familje me 2 litër vaj dhe 5 kg miell, apo mund të ndihmoj me 20 litër vaj dhe 50 kg miel (dhe një listë me sasi të caktuar të produkteve të tjera të shportës ushqimore), duhet të bëjë edhe një plan të furnizimit të këtyre familjeve. Në këtë mënyrë, në muajin Shtator, apo edhe deri në Nëntor, struktura e ngarkuar nga qeveria, duhet të bëjë këtë shpërndarje, me korrektësi, me përgjegjësi dhe në një monitorim rigoroz të strukturave vendore.

Nëse do të veprohej kështu, shpërndarja do të kryhej duke përfshirë familjet që vërtetë kanë nevojë, do të kryhej në kohën e duhur (edhe ariu gjithmonë merr masat për dimrin, le më njeriu), dhe me kosto ku e ku më të lira sesa po të bëhet në “emergjencë”. Por, nuk është vetëm kostoja që përbën shqetësim në rastin e shpërndarjes në kohën e “emergjencës”. Është pikë së pari, një konceptim dhe interpretim shumë i gabuar. Nëse ka ardhë dimri në Dukagjin, kjo është mëse normale. Nëse ka rënë dëborë në Dukagjin në muajin Janar, kjo është mëse normale. Nëse është bllokuar rruga nga reshjet e dëborës dhe është ndërprerë linja elektrike për shkak të reshjeve dhe të erës në Dukagjin, kjo është përsëri normale.

Atëherë, ku fillon anormaliteti?! Anormaliteti fillon menjëherë sapo Qeveria nis helikopter në një fshat të caktuar, për të hedhur nga lartësia 1 apo më shumë kuti, me një dreq e din se me çfarë produktesh është mbushur, a janë domosdoshmëritë e banorit apo janë sipas “oreksit” të një zyrtari që e ka shtëpinë në unazën e vogël të Tiranës. Anormaliteti fillon në momentin që “fryhen” mediat, frikësohet publiku dhe asnjë prej publikut nuk e din sa është fatura e shpenzimeve të “situatës emergjente”. Anormaliteti vazhdon, kur Qeveria, strukturat e saj, nuk marrin asnjë masë për të zhbllokuar rrugën, aq sa rruga e Thethit hapet për makina në fund të muajit Prill e nganjëhere vetëm në fillim të muajit qershor. Anormaliteti vazhdon, kur fshatra të tërë (pavarësisht sa familje jetojën, por së paku ka disa familje atje), lihen pa rrymë elektrike për muaj të tërë.

Anormaliteti vazhdon në përmasa humoristike, kur një ministër apo edhe më lart, shkon personalisht të vizitojë një fshat apo edhe një familje të caktuar në zonën e mbuluar me dëborë. Mirë që shkon ministri, por shkon me një “shpurë” shoqëruesish që në fund të ditës e kanë faturën shumë të fryrë. A thua ky minister është kaq ekspert, që sapo të shikojë situatën, do të bëjë magji, do të japë zgjidhjen e duhur. Ka ikur koha (mirë që ka ikur), kur një ministër “frymëzon” popullatën dhe i angazhon ata në marrjen e masave dhe në stabilizimin e situatës.

Anormaliteti vazhdon më tej me dhënien e këshillave nga disa njerëz, qoftë edhe funksionarë që dëborën e kanë parë në internet, apo e mbajnë mend nga një eskursion në fëmijëri. Si mund ti thuash një malësori që është lindur e rritur, e është pjekur si burrë në zonë ku rregullisht bie dëborë, që të pastrojë rrugën para hyrjes së shtëpisë, apo të marrë masa që të pastrojë çatinë. Në këtë rast, mendoj se nuk është thjeshtë kalamanellëk, apo papjekuri e zyrtarëve, por në fakt është një lloj talljeje me inteligjencën dhe integritetin e malësorëve.

Anormaliteti vazhdon më tej. Megjithëse duket një qeveri e ngritur në këmbë (çdo qeveri e këtyre viteve të tranzicionit), për “emergjencë”, nuk ka një zyrë të koordinimit (sëpaku unë si publik nuk kam informacion), që të rrijë 24 orë në gatishmëri për të marrë lajme e për të informuar për situatën: nga terreni e jo nga ekranet apo ndonjë “kërcim” i gazetarëve deri në skajin më të lehtë të emergjencës. A mos duhej të kishte një numër fiks, apo celulari, më mirë do të ishte një numër jeshil, pa pagesë, i cili me ndihmën e kompanive të celularëve tu dërgojej të gjithë banorëve në këto zona (pa pagesë të askujt), të shfaqej në ekranet e televizorëve lokalë dhe kombëtare (pa pagesë të askujt), në mënyrë që në rast të një emergjence të vërtetë shëndetësore apo të një kërcënimi real, nga një shembje, rrështje apo qoftë edhe nga ujku apo ariu, të mund të njoftonin?!

Në paketën e caktuar të ndihmës nga qeveria mund të përfshiheshin edhe radio me bateri (për rastet kur nuk ka energji në fshatra ekstreme), mund të përfshiheshin libra, por mund të përfshiheshin edhe lodra të ndryshme, që nga domina apo shah, e kështu në vijim. Në paketën e ndihmës për këto zona, mund të përfshiheshin edhe rroba të përdorura, të cilat mund të mblidheshin me një fushatë sensibilizuaese, ose edhe me një pikë të caktuar të grumbullimit (diku në qendra të qyteteve), të cilat mund të përdoreshin nga këta banorë, në situatën e dëborës, apo edhe pas saj. Kjo do të ishte një lloj ndihmese serioze dhe konkrete, e që do të ngjanin shumë më të besueshme e do të tregonin një angazhim ku e ku më serioz të qeverisë e të zyrtarëve, krahasuar me këshillën për të pastruar dëborën para shtëpisë së tyre apo për të ushqyer kafshët që mbarështojnë.

Anormaliteti vazhdon më tej, kur asnjë zyrtar i qeverisë, nga më i vogli e deri tek më i madhi, nuk arrin të të tregojë se si u vihet në ndihmesë (në fakt të kryejë detyrën e vet ndaj shtetasve) në lidhje me shkollimin e femijëve, apo edhe me asistencën shëndetësore. Këto janë dy pika shumë delikate, shumë të rëndësishme e deri nevralgjike. Këto të dyja, sëbashku me rrugën dhe energjinë elektrike, janë shkak e shpopullimit të zonave që nga të huajt quhen “perla”.

U pa si shqetësim ngarkesa në “Rrugën e Kombit”, pasi shumë kureshtarë shkonin atje vetëm për të parë dëborën, për tu kënaqur me familjarët e fëmijët e vet. A mendoni për një moment, sa do të ishte kurioziteti dhe dëshira e njerëzve për të kaluar një natë në Theth, apo në një fshat tjerër, për tu kënaqur me dëborën, por edhe për ta shënuar në jetën e tyre si një natë të paharruar. Nëse qeveritë do të bënin sado pak përpjekje për të plotësuar ato kushte minimale të përmendura më lart, atëherë me siguri që numri i familjeve që do të ishin sot në malësitë tona do të ishte disa fish më i madh. Kjo do të shtrinte turizmin në 12 muaj të vitit e do të siguronte të ardhura të mjaftueshme për banorët e do të “lejonte” qeverinë të vilte edhe të ardhura nga këto zona.

Kushdo që e lexon këte shkrim, e ka të lehtë të kuptojë se çfarë i “mbetet në dorë”, emergjencave. Të jenë në gatishmëri për ndërhyrje, kur të sëmuret apo rrëzohet/pësojë traumë një banor, kur të ketë “humbur” një turist, apo kur të ketë ndonjë rast të rrëshqitjes apo dëmtimeve të tjera të paparashikuara.

Ndaj, kam një lutje për zyrtarët e këtij vendi, për zyrtaruca apo edhe për funksionarë të lartë, për politikanë e drejtues të rangjeve të ndryshme: Ju lutem bëhuni më human! Ju lutem mësoni të kuptoni dhe të ndani situatat! Ju lutem këshillohuni me specialistët e vërtetë në mënyrë që ti vini sa më mirë në ndihmë popullatës (qoftë edhe me pak, por saktë), dhe jo të merreni me pjesën e shfaqjes!

10 Janar 2017

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here