“E mirëpresim Edi Ramën në Guci”

0
406

Intervistë me Kryetaren e Komunës së Gucisë, Mali i Zi, Anella Çekiç

Nga Musa Kurtulaj, 13 shtator 2016

Anella Çekiç, Kryetare e Komunës së Gucisë në Bjeshkët e Nemuna, është njëra ndër dy drejtueset femra në 23 komunat që ka Mali i Zi. Ajo u zgjodh në këtë detyrë në vitin 2014, kur Gucia u nda komunë më vete nga Plava. Ajo thekson se ndihet krenare që banorët e kësaj komune, në shumicë ia kanë besuar drejtimin një femre, ndërkohë që shpreh brengosjen se si ka akoma të zgjedhur që bëjnë cicmic politik, përkundër interesave të qytetarëve. Ka mjaftuar që një këshilltar te tërhiqet nga koalicioni qeverisës lokal i Partisë Demokratike të Socialistëve, që ajo i përket, dhe të humbet numri i duhur i votave në këshill për miratimin e vendimeve.

Kjo e ka detyruar Qeverinë e Kryeministrit Milo Gjukanoviç në Podgoricë që të shpallë zgjedhje të reja në këtë komunë, të cilat do të zhvillohen më 16 tetor. “Por, do t’ia dal edhe në këto zgjedhje, unë për këtë jam e vendosur sepse qytetarët, pavarësisht kombësive të ndryshme, më mbështesin”, shprehet Çekiç duke shtuar se “ata do të ndëshkojnë me votë papërgjegjshmërinë e individëve të veçantë që u besuan në vitin 2014 dhe, pas dy vitesh, në vitin 2016 bllokuan edhe procedurat e votimit për miratimin e buxhetit të komunës”!

Ajo e pranoi me kënaqësi intervistën që po sjellim, duke i treguar se do ta botojmë në gazetën “DITA” të Tiranës.

Cili është mendimi juaj për shqiptarët në Malin e Zi?

Mendimi im është pozitiv, janë një popull që kanë dhënë kontributin për pavarësinë e Malit të Zi. E kanë pranuar shtetin e Malit te Zi, e respektojnë si shtet qe i konsideron qytetarët e barabartë. Nuk mundet ta mohojmë rolin e shqiptarëve në Malin e Zi, në asnjë mënyrë jo!

Ka rreth dy dekada që shqiptarët në Malin e Zi votojnë ne koalicion me Partinë Demokratike të Socialisteve, që drejtohet nga Kryeministri Gjukanoviç. A kanë bërë mirë apo kanë vepruar gabim duke votuar gjithnjë te njëjtin koalicion, kur ka edhe forca të tjera politike?

Unë besoi se shqiptaret në Malin e Zi kane zgjedhur rrugën e duhur duke votuar për koalicionin e Gjukanoviçit ! Ai me partine qe drejton, edhe si President i vendit, edhe si Kryeministër, ka dëshmuar qe ne kohe lufte se e ka ndihmuar çështjen shqiptare. Kujtoni qëndrimin korrekt ne kushte shume të vështira qe mbajti gjate luftës ne Kosove e me pas deri me njohjen e shtetit te Kosovës. Nuk kanë qenë të lehta këto, ju e kuptoni se si ziente Ballkani ! Gjukanoviç është i vendosur për t’i respektuar pakicat ne Malin e Zi, ndër të cilat shqiptarët zëne një vend te rendesishem. Mendoj se në mënyrë absulute pakicat në Ballkan nuk duhet të provojnë rrugë të panjohura.

E them pa hezitim se shqiptarët këtë e kanë kuptuar mire, ndaj votojnë Gjukanoviçin si alternativën qe ua ka garantuar me kushtetutë të drejtat, dhe si njeriun qe e ka orientuar Malin e Zi në rrugën e duhur të integrimit Evropian. Është e natyrshme që të kenë rezerva ndaj Qeverisë së tij, por jo të gjitha gjërat arrihen brenda një kohe te shkurtër! Shqiptaret janë te zgjuar dhe e kuptojnë këtë! Do të dëshironim qe ta kuptojnë ketë edhe partitë politike qe i perfaqesojne. Në mënyrë absolute unë nuk marr përsipër që t’u jap mend partive politike shqiptare në Malin e Zi, pasi dinë vetë ato si ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Por gjykoj se nuk ka arsye që ato te jene te copezuara në qëndrimet e tyre dhe të krijojnë çoroditje tek pakica shqiptare, ne vend qe te kenë qartësinë e duhur për të mbështetur ato personalitete dhe forca politike malazeze qe e kane dëshmuar me vepra se i respektojnë pakicat pa rezerva dhe i kontribuojnë integrimit të tyre.

Gjatë këtyre ditëve kemi bashkëbiseduar jo vetëm me shqiptarë, por edhe qytetarë të kombësive të tjera në komunën tuaj. Ata shprehin rezerva ndaj Qeverisë, Gjukanoviq, duke theksuar se i ka lënëe disi pas dore komunat në zonat malore siç është edhe Gucia, dhe po kujdeset më shumë për zhvillimin e zonës se bregdetit. A keni një koment për këtë?

E respektoj opinionin e qytetarëve, por në ketë rast nuk besoj se është i bazuar. Komuna e Gucisë ka dy vite që mbahet me fondin që akordon Qeveria, pasi të ardhurat nga taksat lokale janë ende të papërfillshme. Jemi komune e re, akoma ne proces duke ngritur institucionet lokale, ndaj i gjithë aktiviteti ekonomik e social, shërbimet dhe investimet po përballohen me fondet e Qeverisë, kështu qe nuk mund ta pranoj se Qeveria e Podgoricës i ka lënë pas dore komunat e zonave malore.

Banorët e fshatit Vuthaj, një fshat ky i banuar tërësisht me shqiptarë, me burime te shumta turistike natyrore, ankohen se rruga e tyre ka degraduar dhe e ka vështirësuar lëvizjen e turisteve të huaj. A keni ndonjë projekt për këtë fshat?

E njoh shumë mirë gjendjen e këtij fshati. Absolutisht asnjë paragjykim nuk kemi për faktin se ai është i banuar nga shqiptarë, përkundrazi. Vërtetë rruga e atij fshati është e dëmtuar ndaj besoi se së shpejti do ta riparojmë, ndërsa për zgjerimin e saj ne do ta shohim ne kuadrin e një projekti te veçante për rrugët. Mundësitë me fonde deri tani nuk e kane bere te mundur një gjë te tille, por kjo nuk do te thotë aspak se ky fshat është jashtë vëmendjes sonë.

Cila është perspektiva e zhvillimit të komunës së Gucisë?

Bujqësia, blegtoria, turizmi! Ky trinom është baza e zhvillimit në zonën e Gucisë, mjedisi ynë është mjaft i pasur me burimet natyrore e kushte te favorshme në këto tre drejtime. Ne besojmë se një ndihme të madhe do të na japë ndërtimi i rrugës së Vermoshit, që i përket Shqipërisë. Kjo rrugë, tashmë në përfundim, e shkurton mjaft lidhjen tonë me Podgoricën e gjithashtu e forcon bashkëpunimin me Shqipërinë, shpresojmë se do t’u shërbejë shumë qytetarëve te dy vendeve. Ne jemi vende fqinje dhe duhet ta forcojmë bashkëpunimin e ndërsjellë, dhe besoj se kështu po ecim. Ndërtimi i rrugës së Vermoshit i zgjeron shumë mundësitë e këtij bashkëpunimi e shkëmbimi, me interes të ndërsjellë.

A jeni e gatshme ta prisni për një vizitë në Guci, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe një ftesë nga ana e tij që të vizitoni Tiranën?

Me kënaqësi e presim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që ta bëjë një vizitë në komunën e Gucisë! Kjo veç të mira do të kishte, pasi besojmë se e ndihmon bashkëpunimin tonë. Edhe unë, nëse do të më vinte një ftesë nga z.Rama, me kënaqësi do ta pranoja për të vizituar Tiranën, pse jo, pasi janë kontakte qe u shërbejnë qytetarëve që përfaqësojmë. Unë kam qenë në Shkodër, kam qenë edhe në Tiranë, ku kemi marrë pjesë në aktivitete të ndryshme, dhe e kemi kaluar shumë mirë. Them se është me interes qe kontaktet mes qeverive te dy vendeve tona, të zbresin edhe me nivelet e pushtetit lokal, jemi vende kufitare dhe nuk mund te mos komunikojmë e bashkëpunojmë me njeri tjetrin.

A besoni se do të ishte interesant një takim, në nivelin Ballkanik, i femrave që janë angazhuar në politikë, siç janë drejtueset e komunave apo bashkive, deputetet, ministret…?

Kjo është një ide entuziaste! Them se është arritje fakti që në vendet e Ballkanit ka ardhur duke u rritur angazhimi i femrave në politikë, pasi Ballkani ka pasur shumë paragjykime e akoma vazhdon te ketë ne ketë drejtim! Qytetaret kudo ne Ballkan besoj se e kane kuptuar që femrat në politike janë të prirura nga puna në ekip, janë më të ndjeshme në vendimmarrjet që kanë të bëjnë me qytetarët, janë korrekte ne zbatimin e ligjishmerise dhe shume me pak te korruptuara se sa burrat, janë te angazhuara t’i tejkalojnë konfliktet! Prandaj e quaj entuziaste idenë për një takim ne nivel Ballkanik, të femrave qe janë angazhuar në politikë, dhe besoj se do të kishte përfundime pozitive për popujt e rajonit tone. Shpresoj që politikanët burra të mos bëhen xhelozë për këtë! (qesh…)

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here