Duke lexuar librin “Shtigje jete” të autores Ardita Lajçi Gjocaj

0
584

Shkruan: Ajet Shala

Autorja Ardita Lajçi me këtë buqetë poezish te vëllimi i parë poetik “Shtigje jete” brumos ëndrrën e saj, përmes rrugës së vargut në hapin e parë poetik. Duke lexuar me kujdes autoren lë për t’u kuptuar se ka një njohuri paraprake në fushën e poezisë. Të bëra paraprakisht viteve të kaluara dhe të botuara te revista të ndryshme letrare, vargu i autores mban peshë të fjalëve qoftë figurative, imagjinare, qoftë atyre metaforike, që ndërlidhen ngushtë me realizmin poetik të autores.

Temat më të shpeshta të Arditës janë ato me motive sociale dhe morale, të skalitura me shumë emocion për familjarët, si për: babanë, vëllezërit, gjyshin, motrat, bashkëshortin dhe tema tjera jetësore, diçka që zakonisht hasim te numri më i madh i autorëve në vëllimet e tyre të para. Ajo çfarë e karakterizon dhe veçon autoren Ardita Lajçin është se kemi të bëjmë më një varg të thurur mjeshtërisht, me mjaft kujdes dhe emocion, duke pasur gjithherë kujdesin që mos ta lodhë lexuesin e sa, j por ta detyrojë atë të lexojë me shumë dëshirë dhe endje.

Nëpërmjet intonimesh nostalgjike poetja ndjen dhimbje dhe vuajtje që është ndarë nga gjiri i vendlindjes, nga blerimi i bjeshkëve të Rugovës, në të cilat bora plakët në majat e thinjura që krijojnë gurrat ujëkristal të rrethuara me petale e aromë lulnajash në grykat e thella ku lumi në zbritje gërryen shkëmbinjtë.

Në vargmalet bora pikturon majat me bardhësi
Nëpër fushat e gjelbëruara ka lule.
Aty ku syri s’ngopet kurrë me bukuri.
Atje ku flladet malorë të puthin supe.

Autorja nëpërmjet vargut në “Shtigje jete”, godet dhe gdhend me shumë endje dhe emocion portretin e malësorit me shallin borë dhe plisin bjeshkë, duke e përshkruar portretin e rugovasit, malësorit autokton me tradicionalen me mustaqe.

Aty mashkulli identifikohet me shall
Kështu e kanë traditë rugovasit e mi
Këtë mësova nga gjyshi im bujar
Qysh kur isha e vogël kur isha fëmijë.

Poezitë e Arditës përmbajnë dashuri shpirtërore, të ndjerë thellë në palcë, të shprehura shpesh edhe si monolog që autorja flet me bjeshkët me natyrën me bukuritë e saj, dashurinë ndaj gjyshit dhe babait.

Atje ku rugovasit mbajnë mustaqe
Mes tyre është dhe babai im
Në shkëlqimin e atyre syve ka manushaqe
Shoh rugovasit që kanë kaq burrëri.

E ky monolog shprehet fuqishëm si cunam edhe për të kaluarën e vet dhe të familjes së saj, për më të dashurit e saj plot vuajtje e kujtime, ku përshkruhet portreti i saj social dhe psikologjik, duke përshkruar me kujdes figurat e dashura familjare nënën, babanë, gjyshin, vëllezër e motra.

Kur isha e vogël, babai gjëra të bukura më tregonte
Nëse lodhesh nga jeta, bijë, mos u dorëzo!
E dashur vogëlushe, kërko në jetë ditë të lumtura
Nëse goditesh pak, kurrë mos u gjunjëzo!

Muzat e vendlindjes autoren se lirojnë duke ia imponuar që të përshkruaj me shumë kujdes çdo cep të vendlindjes në vargjet e saj. Kështu, poetja shkruan pas një kohe, shkëputje nga vendlindja dhe atdheu. Që tani jeton e vepron në shtetin Helvetik, pa e shmangur asnjëherë dashurinë ndaj atdheut, duke e ndjerë atë gjithherë brenda vetës, duke u ngopur me aromën e ëndrrës për atdheun. Ky brumë i përgatitur nga autorja, sot, i paraqitet lexuesit shqiptar me shumë kujdes, duke i treguar atij vendosmërinë e vet se kur dikush vërtet e donë me pasion një gjë edhe e arrin me shumë sukses. Nostalgjia, si brumë kyç i autores te vëllimi i parë, na sjell vargun e pasur me shumë emocion dhe atdhedashuri.

Përse vallë
ndodhem këtu tani ku vuaj?
Ku edhe ajri thithet me vështirësi
Këtu ku jam e huaj.
Këtu ku nuk di se kujt i përkas
Këtu ku gjuhën time s’flas
Ehh… flas e flas
E zërin ma përpin furtuna e gjatë.

Në vargun e autores vallëzon shalli i Rugovës i mbështjell rreth plisit borë këndon malësorin me krenari, që brez pas brezi ruajti traditën me fanatizëm. Vargu i autores është prushi i vendlindjes që ajo e ndjen në gji, dhe atë e nxjerr si dhuratë për lexuesin e saj. Pse jo edhe si një mesazh, se sa e dashur është vendlindja Rugova, nëna Nurije që më shumë dashuri e mall e përshkruan në vargun e saj.

Je e shtrenjtë e shenjtëruar
Një zemër që di të dhurojë vetëm dashuri.
Çdo gjë në qenien time,
vetëm ti e ndjen.
E ndjen kur jam e mërzitur,
Kur kam dhe gëzime.
E kush tjetër më ndjen çdo herë…?!
Vetëm ti, o nëna ime.

Ngjarjet historike dhe liria në Kosovë nuk mund të lënë pa prekur ndjenjën e autores. Autorja bëhet një me vuajtjet, solidarizohet ndan dhimbjen me secilin në secilin cep atdheu. Frymëzimi i saj e ngacmon çdo zemër të lexuesit të saj. Në muzën e saj nuk mungojnë mëngjeset, agimet e bukura, stinët pranvera, vjeshta; petalet e aroma e Bjeshkëve të Rugovës, teli i lahutës së gjyshit të saj të dashur – lahutari i Ali Lajçi, që kush dëgjon lahutën gjithherë kujton atë malësor fisnik me lahutën e tij që aq ëmbël ia thoshte këngës, që i bënte të ushtonin grykat e lagjen e kaprojve.

Autorja i përkushtohet çdo moshe e çdo brezi, malësorëve dhe brezit të saj, duke i përshkruar ato nga çdo mes kudo jeton e vepron qoftë edhe gjatë pushimeve si në Dubrovnikun e bukur, nga Burimi apo nga Zvicra ku jeton e vepron. Dashuria dhe motivi jetësor e ka lidhur poeten me emocionin e saj realistit, ajo e lartëson vargun duke i dhënë jetë, rimë duke e bërë të pëlqyer për lexuesin e saj. Ajo përdor trajtat edhe nga jeta e përditshme duke paraqitur bardhësinë e shpirtit që qanë ndjeshmërinë e zemrës së saj, për humbjen e motrës së saj në moshë fare të re Atlindës.

Ç’është kjo zymtësi që fytyrat ka pushtuar?
Ç’është ai trup i shtrirë në mes që e quani kufomë?
Ç’janë këto gra si shpendkeqe që qajnë pa pushuar?
A s’e shihni… që është e re, ende e njomë!!?

Vargu i autores është realist, por i shoqëruar me atë modern i shprehur shumë natyrshëm dhe me emocion tek vëllimi i saj i parë “Shtigje jete” Për ta kujtuar vendlindjen, familjarët, lavdinë, doket e traditat e malësorëve në rrethin ku autorja ka lindur e jetuar, duke prekur edhe në shumë vende tjera përreth.

Giubiasco, Zvicër, 2016
përgatiti për Fjala.info; Xhevat Rexhaj

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here