DRITËRO AGOLLI, EMBLEMA E MENDIMIT DHE LETRAVE SHQIPE

0
217

Në 85-vjetorin lindjes:

Nga: Sejdo Harka, publicist e studiues

1.
Dritëro Agolli është një nga figurat më të shquara të mendimit dhe të letrave shqipe. Ai më 13 tetor të këtij viti mbush 85 vjeç. Kaloi një jetë gati shekollore, plot vuajtje e gëzime, plot suksese e dështime, por kurrë s’u lodh e s’u dëshpërua, por eci kurdoherë përpara plot shpresë e krenari, plot forcë e burrëri. Në krijmtarinë e tij ndjen thellë dhimbjen dhe frymëmarrjen e kombit e të gjithë shqiptarve, kudo që punojnë e jetojnë. Dritëroi, ky kolloz i letrave shqipe, ka shkëlqyer në shumë fusha të jetës, por veçanrisht në atë të artit, letërsisë dhe kulturës. Në portretin e tij shqiptarët shohin mendimtarin dhe politikanin e sinqertë, dhe atdhetarin e oratorin gjuhëzjarrtë, gjeniun e letrave shqipe dhe prindin dhe bashkeshortin shëmbullor.

Por ajo që e ndriçon më mirë portretin e tij, është krijmtaria shumëplanshe. Me penën e tij të artë, Dritëroi është shquar si publicist koherent dhe kritik letrar, studiues tepër i thellë dhe përkthyes krijues, romancier i karaktereve të papërsëritshme dhe poet i rrallë. Është kjo arsyeja që Dritëroi shpesh është thirrur me epitetin e bukur “bardi” i muzës poetike shqiptare. Stili i tij krijues, është sa moderrn, aq dhe klasik. Te ky shkrimtar gjen shprehjen e plotë sentenca filozofike, se stili është vetë njeriu. Brenda krijmtarisë së tij gjen shpirtin, kulturën dhe temperamentin e gjallë të Dritëro Agollit.

Në krijmtarinë e tij ndërthuret realja me fantazinë, poetikja me lirizmin, sinqeriteti me thjeshtësinë dhe frymëzimi me spontanitetin. Tematika e krijmtarisë së tij letrare është shprehje e historisë dhe problemeve të mëdha të jetës shoqërore shqiptare, si lufta për liri e demokraci të vërtetë. Krijimtaria e tij ka vite që flet në shumë gjuhë të botës. Qartësia e mendimit dhe puna për skalitjen e karaktereve e gdhendjen e fjalës, janë ato që e dallojnë stilin e tij të papërsëritshëm. Poeti ynë i madh Dritëro Agolli, me penën e tij të artë, ”i bie malit “dhe e bën të mendohet,” i hyn shpirtit brenda “dhe e bën të mbrekullohet,” i bie të keqes” dhe e bën të ndryshojë.

Të shumta janë poezitë lirike, ku ndnjejat dhe mendimet e autorit zbulohen përmes figurave, portreteve, apo mesazheve njerëzore.Poezitë e tij i shmangen shtepërsisë, shartimeve të sforcuara dhe ftohtësisë. Dritëro Agolli lëvron me mjeshtëri një shumllojshmëri poezish, si ato të mendimit dhe të filozofisë të peisazhit e të dashurisë… Krijmtaria e tij dallohet për forcën e frymëmarrjes dhe densitetin e mendimit, për humorin e këndshëm dhe brendinë universale. Ai është një mjeshtër i rrallë i humorit dhe satirës, sidomos në gjininë e fabulës. Pas maskës së kafshëve ai zbulon marrëzitë e kohës. Për të fshikulluar këto shembulltyra, D.Agolli i rikthehet mesazheve dhe karaktereve të skalitura nga kollozët e fabulës, humorit dhe satirës botërore, si Ezopi e La Fonteni.

Humori i tij të sjell ndërmënd O’Henrin dhe mjeshtrin e madh turk Azis Nesin.Për Dritero Agollin edhe sot “Ka njerëz që flasin me buzë/por ka dhe të tjerë që me buzë ndyjnë”. Shpesh ndodh që njeriu i drejtë e i guximshëm, në vend që të ndihmohet e nxitet për të ecur përpara, vihet në shenjestër nga egoistët dhe cinikët. Prandaj D.Agolli, në vëllimin poetik “Gdhihet dhe ngryset” shkruan: ”Ku të futem s’gjej vend tjetër,/Ku të qesh e ku të qaj?/Majtas, vrap më dalin dreqër,/Djathtas, vijnë e presin djaj”. Viktimat e vesit ky poet i madh i dushon me ujë të ftohtë, për t’i zgjuar nga ëndrrat e këqia, ndërsa bartësit e vesit i fshikullon ashpër për të ndryshuar rrugë.

2.
Dritero Agolli, ky kollos i letrave shqipe, kohët e fundit është thirrur edhe me një epitet tjetër të bukur, ”i përndjekuri i dashurisë”. Me këtë emër tepër kuptimplotë e ka pagëzuar libri i tij me poezi erotike, me të njëjtin titull, botuar kohët e fundit. Dashuria dhe thjeshtësia, sinqeriteti dhe bujaria, kultura e gjerë dhe dituria, e kanë ndjekur dhe “përndjekur” tërë jetën, poetin tonë të madh, Dritero Agolli. Ato i gjen në shpirtin e tij të pastër dhe në penën e tij të rrallë, në flokët e tij të bardha dhe në zemrën e tij të zjarrtë, në ëndrrat e tij të bukura dhe në gojën e tij si mjaltë, në mendimin e tij të kthjellët dhe në moralin e tij të lartë, në këngën e tij devolliçe dhe në gotën e rakisë, në brazdat e thella të ballit dhe këngët e dashurisë, në vrullin e rinisë dhe hapat e matura të pleqërisë…

Driteroi, si dhe Rumiu, është shpirti i dashurisë njerëzore. ”Ngricat” shpirtërore, që çuditërisht edhe sot kërkojnë ta mpijnë shpirtin e njerëzve të lirë, poeti ynë i madh ka zgjedhur “t’i shkrijë” me një tufë të bukur poezish për dashurinë. Erotika e D. Agollit mban brenda afshin e zjarrit dhe të ngricave të dashurisë. Në thellësinë e tyre gjallojnë lumturia dhe gëzimi, dhimbja dhe trishtimi, dilema dhe besimi, suksesi dhe dështimi, ëndërra dhe flijimi, shpresa dhe besimi…Poezitë e Driteroit për dashurinë janë shëmbëlltyra më e mirë e poezisë së sotshme moderne shqipe.

Si vazhdues i traditës më të mirë kombëtare dhe botërore, ai krijoi një sistem të papërsëritshëm vjershërimi. I frymëzuar nga muza popullore dhe Naimi, nga Petrarka dhe Bernsi, nga De Rada dhe Poradeci, ai krijoi një sistem vjershërimi të ngjeshur me mesazhe me vlera universale dhe emocione të ngrohta, të cilat përflakin shpirtin e lexuesëve të të gjitha moshave dhe shtresave të shoqërisë. Dashurisë, ai i këndon jo vetëm si emocion, por edhe si fuqi tokësore, që e ndihmon dhe e shndërron jetën vetjake dhe shoqërore. Dashuria konceptohet si produkt i harmonisë ndërmjet bukurisë shpirtërore dhe asaj trupore.

Ajo është, njëkohësisht, dhimbje dhe kënaqësi, shqetësim dhe lumturi, ”robëri” dhe liri. D.Agolli, siç shprehet dhe vetë metaforikisht, në vjershën, ndoshta më të bukur të vëllimit, ”I përndjekuri i dashurisë”, ndiqet dhe ”përndiqet” këmba-këmbës nga dashuria. Kudo që shkel, merr e dhuron dashuri dhe”vret” e fshikullon urrejtjen dhe xhelozinë, dhunën dhe tradhëtinë. Heroi lirik i kësaj poezie, brenda të cilit gjallon edhe vetë poeti, e ndjen veten si”i burgosur”i dashurisë, që vuan nën “prangat“ e saj.

Atë s’e lodh as “dritarja e mbyllur”, as “qelia” e dashurisë, sepse në brendësinë e tyre fshihen lumturia dhe trishtimi, gëzimi dhe shqetësimi. Dashuria konceptohet si një “xhelat”i çuditshëm, që në vend që ta urresh, të bën ta puthësh e ta duash përjetë. Dashuria, ashtu siç lind edhe mund të vdesë një ditë, por poeti dëshiron, që ajo të jetë e përjetshme. Prandaj shkruan: ”Xhelatin e dua të vijë shpesh në qeli”, sepse “të përndjekurit nga dashuria, i vjen mirë”.

Për Dritero Agollin, dashuria është një ndjenjë e trazuar,brenda së cilës gjallojnë kënaqësia dhe shqetësimi, xhelozia dhe mirëkuptimi. Ajo i ngjan një lumi të rrëmbyeshëm, që duke zbritur “rrëpirave” të dejeve, përflak zemrën dhe zbukuron shpirtin e njeriut. Kur krimbi i xhelozisë, mollën e dashurisë ka përshkuar, zjarri magjiplotë i dashururisë “…drejt njeri-tjetrit i ka ngarë”. ”Dashuria është magji e dilemë,/…më e vështira teoremë”(6). Heroit lirik të D. Agollit, dashuria nuk ia zëvendëson botën, por as bota nuk ji zëvendëson dot dashurinë. Për të, dashuria dhe bota janë një dhe të pandarë, gjë që shprehet në vargjet: ”Pa ty, kjo botë do të lëvizte,/Siç lëviz pa ngrohje një vagon”.

Driteroi, ashtu si dhe Naimi, të bukurën e identifikon me gruan. Konceptimi i tij, për këtë nocion të estetikës, përputhet edhe me atë të Platonit, i cili theksonte se bukuria është shkëlqim i së vërtetës. Për Agollin dashuria dhe e bukura janë në lidhje të përjetshme me njera-tjetrën. Ndërsa gruan e quan simbol të dashurisë dhe të ndjeshmërisë. Ndaj asaj i këndon: “E bukura, tokësorja, e thjeshta grua”(11). Ajo, me sjelljen e saj, e bën burrin të vuajë shpirtërisht. Magjia e saj bën që ”…gjaku muret e aortës vrullshëm të godasë”(11).

Për poetin gruaja ka vlera të pazëvendësueshme për familjen dhe shoqërinë. Prandaj, në shënjë dashurie dhe mirnjohjeje, shkruan: ”Të falnderoj që në sajen tënde marr frymë,/Të falnderoj që lulja s’mu tha nga një brymë!”. Është kjo arsyeja, që e bën heroin lirik “…t’i bëjë prangat thërrime”, kur “Mes mjergullës dhe ëndrrave të frikshme, dallon zërin e gruas së tij, që e thërret për ndihmë”.Gruaja ka dalë nga “brinja e burrit”. Por, kur ajo doli në dritë,”brinjët një nga një ia krisi burrit”. Prandaj, për të, shkruan:”Sa dukesh ti në derë, pranvera më hyn në shpirt,/Ndërsa shpirti më zhytet në pranverë”.

Për këtë poet, dashuria është një magji, që shpesh nuk i bindet arsyes: ”…kur e ndjek pas, ajo ikën, ndërsa, kur i largohesh, ajo të ndjek pas hap pas hapi”. Këtë magji të brendshme poeti e shpreh nëpërmjet vargjeve: “Kur ikja larg, drejt teje vija,/Kur vija afër, ti ikje larg”. Dashuria, herë largohet si erë e ftohtë dhe herë rikthehet si afsh i nxehtë. Heroi lirik trembet nga largësia e acartë, ashtu siç trembet nga afria, që i bëhet çark.

Një tjetër poezi e bukur e këtij vëllimi është ajo me titullin ”Dashuria dhe jatagani”. Në themel të brendisë së saj qendron ndeshja midis urrejtjes dhe dashurisë, paqes dhe luftës, lirisë dhe skllavërisë. Përmes personifikimit metaforik, dashuria i lutet Zotit ta shpëtojë: ”Nga i ligu jatagan,/Ta shpinte larg kësaj bote, këtë rrufjan”, sepse ky lugat, në vend të dashurisë, mbjell urrejtjen; ndërsa, në vend të paqes, luftën. Në lirikat erotike të Driteroit ndërthuren bukur dukuritë natyrore, me ato njerëzore. Mallin e dashurisë, ai e derdh në vargje të tillë metaforikë, si ”Hëna brirët lan në lumë,/ylli ujin spërkat”. Ndërsa i dashuruari, nga malli, ”sillet nëpër shelgje fillikat”.

D.Agolli, jo vetëm poet, por edhe qytetar, e ndjen dhimbjen, që shkaktojnë divorcet e shumta, që po tronditin familjen e sotshme shqiptare. Shkak për këtë dukuri negative të kohës janë bërë varfëria dhe pasiguria, grindjet dhe xhelozia, zbehja e dashurisë dhe tradhëtia, lidhjet e përcipta dhe paqendrushmëria. Natën e ndarjes, heroi lirik e quan veten”kalorës të mundur”, që rend në qiellin e turbullt, ku” leckat e reve e lidhin hënën si plagë”. Ndërsa Petrarka vuan dhimbjen e heshtjes së Laurës, Agolli ndjen trishtimin e ndarjes.Për të, gruaja është e bukur si Perëndia e Greqisë së lashtë.

Ai ,siç beson te lëkundja dhe vdekja e dashurisë, beson edhe te ringjallja e saj, gjë që e shpreh nëpërmjet vargjeve metaforikë: “dhe bari derdh gjithë gjelbërimin/dhe zogjtë derdhin këngë e ligjërim”. Driteroi, si dhe Naimi, s’e ndan dashurinë nga virtyti dhe morali. Për poetin “Ka njerëz, që e ruajnë dashurinë, gjersa bëhen pleq”, siç ka edhe të tjerë, që fatkeqësisht, ”…të dashuruar qendrojnë vetëm një muaj”. Konceptimi i Dritëroit për të bukurën, gruan dhe dashurinë, shpesh përputhet edhe me atë të lirikut të madh simbolist francez, Sharl Bodler, i cili në poezinë “Himni i dashurisë”, i drejtohet asaj me vargjet: “O bukuri…/Ti mban në dritë të syrit zjarr dhe borë /… Ti mbjell paqe dhe mjerim,si asnjë e dytë”.

Dritero Agolli është jo vetëm një poet brilant, por dhe një tregimtar dramaturg dhe veçanrisht një romancier i rrallë. Me karakteret e tyre të papërsëritshme, ai përçon te lexuesit mesazhe të ngrohta për jetën dhe larinë, për shpresën dhe dashurinë…, të cilat i japin njeriut forcë e guxim për të ecur përpara.

…Të shkruash për Dritëro Agollin, duhen faqe të tëra. Por unë po i mbyll këto shënime të shkurtëra, me urimin e përzemërt që atij do t’a bënin mijëra lexues dhe shqiptarë, kudo që punojnë e jetojnë, me rastin e 85-vjetorit të ditlindjes.

Edhe njëqind, i nderuar Dritëro! Jetë të gjatë, për të mirën e Kombit dhe të njerëzve, që ti i do dhe të duan shumë!

Tiranë, tetor 2016

SHKRUAJ NJË KOMENT