Dosja “Berisha” është gati!

0
500

Xhevdet Shehu, Dita, 24 prill 2016

Pas thirrjes që Berisha i bëri të enjten popullit që të armatoset, reagon avokati Idajet Beqiri. Në këtë intervistë për ‘DITA-n’ ai argumenton pse Prokuroria duhet të fillojë menjëherë hetimet për të gjitha krimet që ai dhe bashkëpunëtorët e tij mendohet se kanë bërë gjatë këtyre 25 viteve. Arsyeja e vërtetë që Berisha e lëshoi këtë thirrje dhe një vlerësim për masën që mori Byroja e Kuvendit ndaj tij. Nga duhet të fillojë ndjekja penale për Berishën dhe a janë të mjaftueshme provat për ta dënuar atë. Pse ai e konsideron një dëshmi tepër të fortë ato që ka thënë Izet Haxhia në DITA prej afro dy vjetësh dhe si duhet të veprojë organi i akuzës në këtë rast. Një paralele midis gjykimit dhe dënimit të Sadam Hyseinit në Irak dhe bëmave të Berishës në Shqipëri.

– Avokat, a mendoni se thirrja e Berishës në seancën e Kuvendit ditën e enjte për të rrëmbyer armët, përbën një shkak që prokuroria të fillojë hetimet dhe ta ndjekë penalisht atë?

Prokuroria duhet të kishte filluar më kohë hetimet ndaj këtij personi. Dosja e tij ka në shumë se dy dekada që është gati dhe e mjaftueshme për ta marrë atë si të pandehur. Po kjo thirrja e tij e fundit në parlament për të rrëmbyer armët është pika që bëri të derdhet kupa e zullumeve të tij të pafundme. Thirrja që ai bëri në Kuvend është një krim i rëndë dhe një thirrje kriminale e dënueshme. Prokuroria duhet ta kishte ndaluar atë menjëherë pasi të delte nga Kuvendi. Po kështu duhet të bënte regjistrimin e procedimit penal dhe të niste hetimet. Kjo gjë është bërë kështu për të gjithë kriminelët, ndaj nuk duhet të bëhet përjashtim për një kryekriminel si ai, aq më tepër që mbi të rëndojnë edhe 11 akuza të tjera që përmbajnë dënimin me burg të përjetshëm. Provat më të forta kundër tij janë dosja e plotë e bashkëpunimit të tij në gjenocid kundër boshnjakëve me thyerjen e embargos së naftës dhe furnizimin me armë të serbëve, dosja për ngjarjet tragjike të vitit 1997, dosja e plot e vrasjeve në Tropojë dhe të vrasjes së Azem Hajdarit, të cilën e ka formësuar dëshmitari okular Izet Haxhia, dosja e Gërdecit dhe dosja e 21 janarit. Këto dosje e groposin përfundimisht Berishën dhe e çojnë gjyqësorin e pavarur t’i japë atij pa hezitim plotë 16 herë dënimin me burgim të përjetshëm, sepse sikurse e dini ne e kemi hequr dënimin me vdekje.

– Byroja e Kuvendit e dënoi Berishën duke e përjashtuar për dhjetë ditë nga parlamenti…

– Kjo masë është e turpshme. Kjo do të thotë të tallesh me besimin e popullit. Kjo është si t’i fërkosh krahët Berishës e ta inkurajosh në krimet e tij. Kjo masë që iu dha Berishës është njëlloj si t’i thoshnin “E teprove pak të enjten, por mos e përsërit më”. Sikur nuk e dinë ata të Kuvendit se me cilin njeri kanë të bëjnë… Mos prisni reformë reale në drejtësi sa të jetë Berisha pa prangat e hekurta në duar. Reforma reale në drejtësi ka të bëjë në radhë të parë dhe mbi të gjitha me krimet makabër të tyre, me prangosjen e tyre, me burgimin e përjetshëm të tyre. Pa këtë ata do të shpikin, do të shpifin, do të inskenojnë, do të ulërijnë si ujqërit me shpirt, por pa dhembë.

Por media, Prokuroria, vetë klasa politike duket e gatshme të merret me çdo gjë, por jo me këto krime. Sipas jush nga duhet të fillojë hetimi?

– Nga rrënjët e krimit. Kriminaliteti i frikshëm i këtyre 26 vjetëve në Shqipëri e ka zanafillën e tij tek fara që mbolli Sali Berisha, Azem Hajdari, Bashkim Gazidede, Agim Shehu dhe Grupi i tyre i strukturuar kriminal kundër vendit, popullit, pasurive kombëtare të shqiptarëve, kundër sigurisë kombëtare, jetës së njeriut. Ky grup i strukturuar kriminal, ka patur dhe ka interesa misionare. Unë e kam theksuar bindjen time se Berisha është politikan i investuar prej agjenturës serbe, kundër shtetit shqiptar dhe pushteteve e tij, institucioneve ligjore të vendit, shqiptarëve në përgjithësi. Ka bërë aq shumë krime në këtë vend, sa më së paku duhet të dënohet 16 herë me burgim të përjetshëm.

2– Me siguri ka persona të gatshëm që t’ju thonë se po e teproni në këto akuza… Të tjerë thonë që është i çmendur…

– Aspak. Sali Berisha nuk është i çmendur, sikurse hiqet në ndonjë rast, apo kërkojnë t’a bëjnë disa, për t’a shmangur nga përgjegjësia penale. Ai ka qenë dhe është i përgjegjshëm që si misionar antishqiptar, e ka patur gjithnjë mbi kokë rrezikun, e ka ditur se një ditë do të paguante për krimet monstruoze që ka kryer. Ndaj përpiqet t’a largoj sa më shumë nga vetja dhe bashkëpunëtorët e tij, anëtarë të bandës së armatosur dhe të grupit të strukturuar kriminal të keqen e madhe të ndëshkueshmërisë. Këta nuk po çohen pas hekurave të burgut, sepse mbrohen me çdo mjet edhe prej strukturave dhe institucioneve të shtetit, të kapura nga ky grup kriminal.

Edhe pse u ndodh në kushtet e flagrancës të krimit antikushtetues të datës 21 prill 2016, krim i cili u bë botërisht në sy të të gjithë botës mbarë, Prokuroria përsëri hesht, nuk bënë ndalimin dhe arrestimin e tij. Kjo situatë e sfidon haptaz shtetin ligjor dhe të gjithë shqiptarët, duke u thënë se krimi dhe krimineli janë mbi ligjin penal shqiptar dhe mbi Kushtetutën e Republikës, ndëshkueshmëria është për qytetarët shqiptarë, por jo për kriminelët potentë që mbajnë peng vendin dhe popullin me krimet e tyre. Edhe Presidenti aktual i Republikës, institucionin e rëndësishëm të shtetit, Presidencën, e ka kthyer nga çdo aspekt, posaçërisht nga aspekti moral, juridik dhe kushtetues në një institucion invalid të grupit të parë. Kreu i shtetit është pozicionuar në llogoren e mbrojtjes dhe të fuqizimit me çdo mjet e mënyrë të sistemit të kalbur gjyqësor dhe të akuzës, vetëm e vetëm që të shmang nga ndëshkimi penal grupin e strukturuar kriminal që ka udhëhequr dhe vazhdon të udhëheq kryebanditi i Shqipërisë.

– A mund të përbëjë një provë për prokurorinë dëshmia që ka dhënë prej afro dy vjetësh ish-truproja e Berishës Izet Haxhia në DITA dhe tani së fundi edhe në një libër?

– Padyshim. Dëshmitë e Izet Haxhisë janë një provë dhe dëshmi shumë e fortë për krimet e Sali Berishës. Libri i tij “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” i përgatitur nga ti, Xhevdet, duhet të përbëjë një bazë shumë të fortë dhe autentike. Çfarë pret më Prokurori i Përgjithshëm në ngritjen e akuzave kundër Berishës? Do akoma dëshmi të tjera, veç atyre që janë dhënë për vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër? Çfarë pret më dhe çfarë i duhet ende për të ngritur akuzat për vrasje masive të shqiptarëve në vitin 1997? Çfarë provash i duhen më Prokurorit të përgjithshëm, kur dëshmitari okular Izet Haxhia, diku edhe bashkëpunëtor në krim, i cili me orë e ditë, me emra konkret personash, me shkaqe e motive, publikisht dhe në mënyrë bindëse tregon se Sali Berisha është bashkëpunëtori kryesor i vrasjes

së Azem Hajdarit? I vrasjes me urdhrin e tij të fiseve kryesore në Tropojë, posaçërisht të vëllezërve Fatmir dhe Halil Hakljaj? Çfarë pret më dhe pse nuk ngre Prokurori i Përgjithshëm akuzë kundër kreut të organizatës kriminale, Sali Berisha, për realizimin e grushtit të shtetit në 12 shtator 1998? Aq më tepër që dëshmitari okular Izet Haxhia dhe dhjetëra dëshmitarë e prova të tjera kanë shprehur gatishmëri të plotë të paraqiten para Prokurorit të Përgjithshëm e video shpjegimet e tyre. Izet Haxhia duhet të merret me cilësinë e dëshmitarit të rëndësishëm për të vërtetuar krimet e Berishës, të jetë dëshmitar nën mbrojtje prej Prokurorisë, duhet të konsiderohet si i penduar për krimet që mund dhe ka bërë në kuadër të zbatimit të urdhrave kriminale të Berishës, duke u zbatuar kështu ndaj tij dispozita ligjore e Kodit Penal për përjashtimin e tij nga dënimi në saj të kontributit të madh dhe me shumë rrezik që po jep në eliminimin e bandës së Sali Berishës, nga më të rrezikshmet kriminale gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar.

– A mjaftojnë provat?

– Unë mendoj se jo vetëm mjaftojnë, por edhe teprojnë. Sadam Hyseini u var në litar vetëm për një urdhër që kishte dhënë për të vrarë disa burra të një fshati në veri të Irakut, ndërkohë që gjatë regjimit të tij, po për shkak të tij ishin vrarë mbi tre milionë irakenë? Ai mund të varej njëmijë herë për krimet e tij, por mjaftoi vetëm një provë që ta çonte në litar. Për Saliun unë mendoj se ka një sërë provash të mjaftueshme dhe të provuara lehtësisht nga Prokuroria. Çfarë prova dhe fakte të tjera i duhen organit të akuzës për të vënë para përgjegjësisë ligjore Berishën, Mediun, Shkëlzen Berishën dhe të tjerë ndihmës në krimin makabër të Gërdecit me 26 të vrarë dhe afro 800 invalidë të përjetshëm nga plagët e marra, përveç dëmeve të tjera të pallogaritshme neuropsikologjike, morale dhe financiare? Pse nuk vepron Prokurori i Përgjithshëm mbi Sali Berishën dhe Lulzim Bashën për 4 vrasjet e 21 janarit 2011, të bëra në sy të kamerave dhe një populli të tërë?

Pak prova janë alibitë e stisura të ish kryeministrit kriminel për të fshehur këto vrasje, duke i hedhur në qorrsokak me dëshmi dhe deklarime të rreme organet e drejtësisë, duke filluar nga sajimi i “thikave me helm”, të “stilolapsave pistoletë”, të pengimit përmes shpërdorimit të hapur të detyrës për arrestimin në flagrancë të zbatuesve të urdhrave kriminale të tyre, të cilët qëlluan mbi 4 të vrarët, apo të zhdukjes së të gjitha provave, urdhrave, kamerave etj? Shto këtu aktin e tradhtisë kombëtare me shitjen e qindra kilometrave det, ku bashkëfajtorë janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Por është pamundur t’i numërosh një për një të gjitha krimet e tyre ndaj këtij populli e këtij vendi. Sali Berisha, nuk mund të mbetet më jashtë përgjegjësisë dhe ndëshkimit të rëndë penal, vetëm e vetëm se gjoja “ka në dorë destabilitetin e vendit” dhe për këtë shkak “t’i hapim udhën të marrit”!

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here