DITËLINDJA E 80–të E AKADEMIKUT REXHEP QOSJA

0
418

Më 25 qershor të këtij viti Rexhep Qosja mbush plot 80 vjet

Shtëpia Botuese “Toena”, si botuese e veprës së tij dhe Instituti i Librit dhe i Promocionit, që ka nderin ta ketë një prej 5 anëtarëve të Bordit Drejtues të tij, i urojnë jetë të gjatë e të shëndetshme, mendje të ftohtë e penë të fortë për krijimin e veprave të reja për lexuesin, kulturën dhe shkencën shqiptare!

Të skicosh profilin e një personaliteti të shumanshëm si Ai është një punë e vështirë, aq më tepër brenda caqeve të kufizuara të një shkrimi në një rast jubilar si ky.

Me jetën dhe veprën e tij prof. Rexhep Qosja dëshmohet si një personalitet i shquar, një nga figurat më të shquara të shkencës dhe të kulturës bashkëkohore shqiptare, si njëri prej protagonistëve të realitetit të sotëm historik e kulturor shqiptar, figurë poliedrike e shkencëtarit, prozatorit, dramaturgut dhe kritikut letrar, eseistit dhe publicistit, mendimtarit dhe pedagogut, intelektualit atdhetar dhe qytetar, që e ka lidhur jetën dhe krijimtarinë e tij me fatet e vendit dhe të kombit të tij, të kombit tonë një dhe të pandarë.

Vepra e shumanshme e Rexhep Qosjes është një pasqyrë e kontributit të tij për zhvillimin e shkencës, të arsimit dhe letërsisë shqipe; ajo ka luajtur një rol themelor në proceset e emancipimit dhe të ngritjes së ndërgjegjes atdhetare, qytetare e morale të popullit të vet, e afirmimit të aspiratave të tij, për rritjen e prestigjit të shkencës dhe të kulturës kombëtare të shqiptarëve në mbarë botën shqiptare dhe përtej saj.

Studimet për procesin historik të zhvillimit të letërsisë shqipe të shekujve të shkuar, gjykimet për zhvillimet e saj aktuale dhe shkrimet polemike të ngjeshura me argumente historike, për çështjen kombëtare të shqiptarëve, përbëjnë fondin kryesor të veprës shkencore të krijuara në një hark kohor pesëdhjetëvjeçar.

Ajo është shprehje e ndërgjegjes intelektuale të epokës kur për këtë popull proceset e njësisë dhe të lirisë, të zhvillimit mendor e shpirtëror, janë pjesë dhe kusht i qenies sonë dhe i ardhmërisë sonë, në vorbullat e kohëve të trazuara që kemi kaluar e kalojmë, ende të kërcënuar prej rreziqesh që vijnë nga anë të ndryshme, por jo rrallë edhe prej vetvetes. Në këtë mes Rexhep Qosja, me veprën e tij voluminoze ka kryer rolin e një institucioni.

Në gamën e gjerë të veprimtarisë intelektuale të R. Qosjes, vendin kryesor e zë shkenca, studimet në fushën e historisë së letërsisë sonë kombëtare, që i vënë vulën profilit të tij shkencor. Letërsia jonë kombëtare, në prerjen e saj diakronike dhe sinkronike, në truallin mëmë të Shqipërisë gjuhësore dhe në diasporë, problemet dhe proceset bashkëkohore të jetës letrare, kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve, të zhvillimit të gjuhës shqipe dhe të rolit të shkrimtarit në këtë mes, albanologjia dhe në mënyrë të veçantë një nga degët më të reja të saj, historiografia letrare, probleme dhe aspekte metodologjike të zhvillimit të saj dhe të kulturës, gjithçka që ka të bëjë me progresin shpirtëror, mendor e shoqëror të popullit të vet dhe u shërben përpjekjeve për të mbrojtur identitetin etno-kulturor të kombit, nuk është e huaj për interesat intelektuale, për ndërgjegjen shkencore dhe qytetare të R. Qosjes.

Letërsia artistike, një nga monumentet e mëdha të gjalla të kulturës së kombit, dëshmi e gjenisë së tij krijuese, është për prof. Qosjen edhe “dëshmi e dinjitetit sovran të kulturës shqiptare”. Në kushtet e një politike të egër shoviniste dhe të një gjenocidi edhe kulturor që ushtrohej ndaj shqiptarëve në shtetin tashmë të shpërbërë jugosllav, puna e albanologut e sidomos e historianit të kulturës shqiptare, nuk ishte thjesht një profesion, por një mision, për të mbrojtur dhe afirmuar vlerat identitare të kombit. Me vetëdijen e këtij misioni, R. Qosja, si shumë intelektualë të tjerë të brezit të vet, iu kushtua kësaj fushe të dijes.

Ai, midis të tjerave, i hyri projektit për një histori të letërsisë kombëtare duke shkrirë në studimet e tij talentin e rrallë, erudicionin dhe pasionin shkencor e qytetar, duke i dhënë jetë një biblioteke të pasur veprash shkencore. Midis tyre mjafton të përmendim veprën madhore “Historia e letërsisë shqipe”, të projektuar në shumë vëllime prej të cilëve deri më sot janë botuar tri vëllimet e para për romantizmin (1984, 1986), monografinë me titull “Porosia e madhe” (1986) kushtuar veprës së poetit kombëtar, Naim Frashërit, monografitë “Asdreni dhe vepra e tij” (1972), “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979) dhe “Tri mënyra të shkrimit shqip” (2004), përmbledhjet me studime e kritika “Dialogje me shkrimtarët” (1968), “Kontinuitete” (1971), “Panteoni i rralluar” (1973), “Shkrimtarë dhe periudha” (1975, 2005) etj.

Kontributi që sjell R. Qosja me këto vepra është një kontribut themelor për historinë e letërsisë dhe të kulturës kombëtare, sidomos për institucionalizimin e historiografisë letrare si disiplinë e mirëfilltë e pavarur shkencore, për ngritjen e prestigjit të saj dhe për konstituimin e shkollës shqiptare historiko-letrare.

Tipar i profilit shkencor të R. Qosjes është fusha e gjerë e pamjes së tij si historian i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Me vizionin e tij të hapur historik ai ka rrokur universin letrar shqiptar në ato përmasa që rrallë ka mundur ta bëjë studiues tjetër, madje dhe në një kontekst më të gjerë ballkanik dhe evropian. Por rëndësia e kontributit të R. Qosjes në studimet letrare nuk qëndron thjesht në rrethin e gjerë të çështjeve që ka bërë objekt studimi, por në radhë të parë në thellësinë dhe në metodën e trajtimit të tyre, në risinë metodologjike dhe në mjeshtërinë e analizave të formës e të poetikës së zhanreve letrare, në pasurinë e ideve dhe të zgjidhjeve shkencore që jep ose të tezave të reja që shtron, të cilat i hapin rrugë zhvillimit të mëtejshëm të mendimit shkencor.

R. Qosja, duke iu përmbajtur një koncepti shkencor historicist, e sheh letërsinë si një proces të kushtëzuar nga faktorë të brendshëm e të jashtëm. I gjendur midis dy skajeve: trajtimit të letërsisë “si pasqyrë e realitetit shoqëror, si shprehje besnike e tij, si strukturë e drejtuar kryekëput prej rrjedhave shoqërore, domethënë prej makrostrukturës historike”, nga njëra anë, dhe trajtimit të letërsisë “si një strukturë plotësisht e pavarur prej rrjedhave shoqërore dhe historike”, nga ana tjetër, ai parapëlqen ta shohë veprën artistike “si një tërësi, si një totalitet të strukturuar sipas ligjësive të veta specifike, të kushtëzuara prej natyrës së saj specifike dhe, njëkohësisht heton edhe lidhjet e ndryshme që ka me strukturat jashtëletrare, prej të cilave asnjë formë e aktivitetit intelektual dhe imagjinar nuk mund të jetë plotësisht e pavarur”. Me këtë synim të qartë studiuesi i hyn labirintit të procesit letrar duke propozuar dhe një skemë të re periodizimi që merr në konsideratë të gjithë faktorët, tekstin dhe kontekstin, evolucionin e stileve, ndryshimet në sistemin e zhanreve dhe këmbimin e rrymave e të shkollave letrare.

Koherenca e metodës shkencore që ndjek R. Qosja në studimet e veta fiton një vlerë e rëndësi të veçantë në kushtet e eklektizmit metodologjik, ose të krizës metodologjike, që mundon sot e kësaj dite historiografinë dhe kritikën letrare. R. Qosja nuk ndjek modat dhe studimet e tij mund të mos jenë “në modë”, por janë moderne.

Studimet e R. Qosjes, të realizuara mbi bazën e një njohjeje të thellë të objektit, të një erudicioni dhe informacioni shkencor bashkëkohor, të frymëzuara nga ndjenja e thellë e kulturës shqiptare dhe e gjallërisë së saj, janë rezultat i kërkimit këmbëngulës të së vërtetës shkencore, të çliruar nga idealizimet romantike nacionaliste dhe nga komplekset e inferioritetit, në mos të nihilizmit, që ndjekin shpesh kulturat e popujve të vegjël.

Një shkencëtar që ia ka kushtuar jetën artit të fjalës njerëzore nuk mund të jetë indiferent ndaj magjisë së gjuhës. R. Qosja e ndien thellë forcën dhe bukurinë e fjalës dhe çmon krijimtarinë gjuhësore të shkrimtarëve që në kohën e tyre i japin jetë të re fjalës, duke pasuruar e lëvruar gjuhën e kombit. Me këtë lidhet vëmendja që u kushton ai, në studimet e tij, zhvillimit të gjuhës së letërsisë artistike të Rilindjes, aspektit gjuhësor të stilit të shkrimtarit, formave të ligjërimit dhe funksionit të tyre artistik. Po me këtë lidhet edhe përkushtimi ndaj çështjeve të zhvillimit të gjuhës letrare të njësuar e të kulturës së gjuhës, preokupimi për përgjegjësinë gjuhësore të shkrimtarit dhe të çdo punëtori të letrave, të kritikut, të publicistit dhe të shkencëtarit.

Rexhep Qosja e kërkon fjalën e bukur, shprehjen e çlirët dhe të përpiktë edhe në shkrimet e tij. Me kujdesin e mjeshtrit që skalit gurin ai punon të skalisë gjuhën e shkrimeve të veta të cilat shpesh të rrëmbejnë me forcën dhe bukurinë e stilit. Për veprën e tij është karakteristike edhe stili i rreptë shkencor dhe stili polemit i pasionuar, fryma objektive dhe patosi ironik; ana racionale dhe emocionale janë shpesh të shkrira në një të vetme në studimet, kritikat dhe esetë e tij.
Përmasa e vërtetë e personalitetit të Rexhep Qosjes nuk mund të kuptohet pa angazhimin e tij për çështjen kombëtare.

Studimet, artikujt dhe polemikat e tij kushtuar problemit kombëtar dhe pozitës së shqiptarëve në Jugosllavinë e djeshme, me argumente historike, politike e kulturore, e kanë trajtuar zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve si një të drejtë legjitime dhe si një synim historik ende të parealizuar. Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë dhe njësisë kombëtare kalon përmes aksionit të vetëdijshëm kombëtar, me shkrimet dhe studimet e veta të përmbledhura në librat “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, “Paqja e përgjakshme”, “Tronditja e shekullit”, “Strategjia e bashkimit kombëtar” dhe të tjera, pjesë integrale e veprës së tij shumëvëllimëshe, Rexhep Qosja e shtron problemin edhe në perspektivë historike, duke përvijuar një program për zgjidhjen e tij, dhe duke përcjellë një mesazh historik.

Ky mesazh që përshkon tejendanë këtë pjesë të veprës së Qosjes, i ka dhënë lexuesit kohën të provojë se mendësia e nënshtrimit dhe e pritjes pafund mund të çojë në zhburrërimin e substancës njerëzore kombëtare, dhe ka ndihmuar të ndërgjegjësohet jo vetëm faktori kombëtar, por edhe faktori ndërkombëtar, për drejtësinë e aksionit çlirimtar të një populli që kërkon të jetojë i lirë në truallin e vet.

Por Rexhep Qosja nuk mund të kuptohet as pa angazhimin e tij intelektual dhe qytetar për çështjen kombëtare dhe për pozitën e shqiptarëve që kanë mbetur jashtë kufijve politikë të shtetit të sotëm shqiptar. Ai me argumente historike, politike e kulturore e trajton zgjidhjen e çështjes kombëtare të shqiptarëve si një të drejtë legjitime dhe si një synim historik ende të parealizuar. Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë kombëtare kalon përmes qëndresës dhe aksionit të vetëdijshëm kombëtar, me shkrimet dhe studimet e tij të përmbledhura në librat “Populli i ndaluar” (1990) dhe “Ligjërime paravajtëse” (1996), R. Qosja e shtron problemin në perspektivë historike, duke përcjellë mesazhin e moralit të kurajës, të dinjitetit dhe të qëndresës.

Vepra e krijuar prej Rexhep Qosjes është para së gjithash rezultat i një përkushtimi e mundi mbinjerëzor dhe i një disipline pune e organizimi të admirueshëm të kohës. Ai nuk ka kaluar asnjë ditë të jetës së tij të ndërgjegjshme pa bërë asgjë, ndërsa gjithë jetën ka bërë pikërisht atë që duhet të bënte, i është kushtuar kulturës, studimit shkencor dhe çështjes së kombit të vet.

Në profilin shkencor të R. Qosjes kanë lënë gjurmën e tyre parimet e moralit të tij njerëzor. Njeriu, siç shkruan ai, në çdo punë të vetën vë dhe një pjesë të nderit të tij. Ky parim i etikës shkencore është një nga veçoritë e punës së këtij dijetari me mendim të pavarur, me temperament e shpirt antikonformist, të këtij shkencëtari dhe intelektuali të shquar, ndërgjegjja morale e të cilit nuk mund të pranojë asnjë kompromis e diktat që i bën dhunë të vërtetës dhe vë në pikëpyetje objektivitetin, nderin dhe ndershmërinë shkencore e njerëzore.

Profili i Rexhep Qosjes si krijues bashkon në një shkencëtarin dhe artistin, shkrimtarin që me veprën e tij letrare, spikat si një zë i veçantë në zhvillimet e letërsisë shqipe, me ndikim të veçantë në proceset e zhvillimit të letërsisë shqipe në Kosovë e në Shqipëri, të emancipimit të saj prej trysnisë që bënin mbi të faktorët jashtëletrarë politikë e ideologjikë.

Është e njohur ndjeshmëria dhe angazhimi i tij intelektual dhe qytetar ndaj dukurive negative që pengojnë funksionimin normal të një shteti normal të së drejtës në Shqipëri dhe Kosovë, ose angazhimin e prof. Qosjes për mbrojtjen e një prej vlerave më të mëdha të kulturës sonë shpirtërore, gjuhës letrare të njësuar, të gjendur kohët e fundit para një përpjekjeje sistematike për të fabrikuar një të ashtuquajtur “neostandard”, përkrahur fatkeqësisht, jo për arsye të brendshme gjuhësore, por si shprehje të një mendësie të ngushtë regjionaliste të bartësve të saj, që nuk arrijnë të shohin përtej rrezes së katundit të tyre, ose të minares së xhamisë të bajrakut të tyre.

Koherent në bindjen e vet se rruga drejt lirisë, njësisë kombëtare dhe demokracisë, kalon përmes aksionit të vetëdijshëm kombëtar e shoqëror, Rexhep Qosja e shtron problemin edhe në perspektivë historike, duke përvijuar një program për zgjidhjen e tij, dhe duke përcjellë një mesazh qytetar. Ky mesazh, që përshkon tejendanë veprën e Rexhep Qosjes, i ka dhënë kohë lexuesit të provojë se mendësia e nënshtrimit, e pritjes pa fund, e indiferencës dhe e heshtjes, mund të çojë në zhburrërimin e substancës njerëzore e kombëtare.

Parimi i etikës shkencore, është një nga tiparet e punës së këtij intelektuali me mendim të pavarur, me temperament dhe shpirt antikonformist, të këtij shkencëtari të shquar, ndërgjegjja morale e të cilit nuk mund të pranojë asnjë kompromis e diktat që i bën dhunë të vërtetës dhe vë në dyshim objektivitetin, nderin dhe ndershmërinë intelektuale e njerëzore.

Një vend të veçantë në veprën e prof. Qosjes zë angazhimi i tij intelektual dhe qytetar për çështjen kombëtare. Duke mos qenë një soditës i rrjedhave historike që mund ta çonin fatin e kësaj çështjeje ose drejt zgjidhjes ose drejt humbjes së shansit historik, por një protagonist aktiv në përpjekjet për zgjidhjen e saj, Rexhep Qosja, jo vetëm me librat e tij për çështjen kombëtare, por edhe me ditarët e tij, hedh dritë në anë të njohura dhe të panjohura të këtij procesi, duke mbajtur gjithmonë anën e atyre forcave dhe zhvillimeve që shprehnin tendencën historike, si një të drejtë legjitime të një populli për të cilin, sipas pikëpamjes së Rexhep Qosjes, bashkimi kombëtar është një synim historik ende i parealizuar, por absolutisht jo i dënuar si ireal për shkak të mendimit politik konjuktural.

Vepra e shumanshme e prof. Qosjes është shprehje e ndërgjegjes intelektuale dhe qytetare të kësaj kohe, kur për shqiptarët, proceset e lirisë, të njësimit kombëtar, të emancipimit të përgjithshëm dhe të ndërtimit të një shoqërie demokratike, janë pjesë dhe kusht i qenies sonë dhe i ardhmërisë sonë, në vorbullat e kohëve të trazuara që kemi kaluar e kalojmë, ende të kërcënuar prej rreziqesh që vijnë nga anë të ndryshme, por jo rrallë dhe prej vetvetes.

(Ky material është përgatitur nga Botimet Toena dhe ILP, bazuar në studimet e prof. Jorgo Bulo (1939 – 2015), akademik, ish kryetar i Bordit Drejtues të Institutit të Librit dhe Promocionit mbi veprën e Akademikut Rexhep Qosja).

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here