DËBORË

0
494

Ndue Lazri

DËBORË

Bie dëborë,
përtej xhamave të dyfishtë të dritares
shikoj një film pa kolonë zanore.
Dy shoferë
kanë prangosur gomat me zinxhirë
për tradhëtinë e tyre lozonjare mbi akull,
dy fëmijë,
ndërtojnë një burrë prej dëbore,
pastaj njëri vrapon e ia ha hundën prej karote
me kërcime hopthi prej lepurushi të uritur.
Një adoleshente faqkapaputhur
me sytë xhixhë vë në shenjestër
djaloshin bukurosh që kalon çdo ditë parkut
e një top bore në formë zemre të ndrojtur
ia hedh me kurajo mbi flokë.
Zemra e saj shkrihet,
kur në vend të një topi dëbore
merr si përgjigje puthjen e parë.
Një prift me veladon të zi
rrëshqet e bie mbi bardhësinë e pashkelur,
ca pëllumba zbresin fluturim e nisin të çukasin
rruzaret e shpërndara mbi dëborë.
Tabllo surrealiste mbi kanavacë të bardhë.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here