Dallga e frikshme e nacionalizmit…

0
392

Dionis Xhafa

Në rrjete sociale po bëhet nami. Shqiptarët që mezi shkuan në “Euro 2016” – edhe kjo për shkak se Ballist Morina iu mori 3 pikë serbëve në Beograd – duket se kanë marrë hov më tepër nga se ç’është realiteti. Nëpër “Facebook” u përhap fjala se duhej bërë me hashtag #ALB me qëllim që Kulla Eiffel të ngjyrosej me ngjyrën e flamurit tonë kombëtar, Kuq e Zi. Fotografia e Kullës Eiffel me ngjyrat kuq e zi u shpërnda nga qindra e mijëra shqiptarë. Madje sipas një statusi që arrita ta lexoj teksa më dilnin statuset e shokëve në “Njoftime” dilte se ne ishim ndër tifozët më të flaktë në Europë edhe pse një komb i vogël.

Kam dëgjuar madje edhe se u kualifikuam ne dhe se serbët tani janë jashtë, madje edhe duke i sharë si mos më rëndë këta. Poashtu shahen edhe grekët për shkak se Greqia nuk ka qenë në Europian. Kurse kishte edhe një fotografi ku paraqiteshin serbët teksa mblidhnin patate e punonin tokat tani në verë, kurse shqiptarët shohin Kombëtaren. Një nacionalizëm që po shpërthem si në kazan. Një nacionalizëm që duket se tejkalon çdo lloj normaliteti. Kësaj atomosfere skizofrenie të tifozërisë si ujku që kërkon mjegull i janë lëshuar edhe politikanët tanë. Kryeministri Rama tha se ne e meritonim barazimin pasi dhamë një ndeshje të shkëlqyer sipas tij. Ndërsa nuk ka harruar që ta shfrytëzojë në maksimum ndeshjen e Kombëtares për të qenë patriot.

Ndërkaq edhe Berisha tha se Kombëtarja humbi për shkak se Rama ishte në stadium. Edhe Basha gjithashtu përdori retorikat e nacionalizmit. Po ç’janë këto gjëra more? Po iu harruat se ne në “Euro 2016” na dërgoi Ballist Morina dhe jo se e meritonim aq të ishim aty? E harruat se Serbia humbi në Beograd thjesht prej tifozërisë së vet idiote dhe huligane, por se Serbia si kombëtare është ku e ku në raport me Kombëtaren Shqiptare? Harruat ju që sot talleni me Greqinë se shteti grek ishte fituese e Europianit më 2004. Por se bëjmë festë aty ku na intereson e errësojmë të mirat e kundërshtarëve dhe shteteve fqinje që nuk ngurojmë hera herës ti quajmë edhe armike.

Nuk na intereson fort ta dimë se Serbia është më lart se ne në kualitete, por sesi e “poshtëruam’ në Beograd. Nuk na intereson fort ta dimë se Greqia u shpall kampione e Europës, por se ne e mundëm fill pasi ishte kurorëzuar. Pse more kështu logjikohet? Pse more vetëm gjërat e tua do ndriçosh dhe të të tjerëve ti errësosh? Po nuk bëhet kështu mo. E gjithë kjo situatë për fat të keq nuk është vetëm në sport, pasi do të ishte gjysma e së keqes. Por zhvillohet sidomos në politikë. Në politikën tonë po rriten tepër parti të spektrit nacionalist ndërsa edhe partitë kryesore në fakt e përdorin nacionalizmin për masat.

Ndërsa vazhdojmë akoma të mendojmë se jemi viktima të fqinjëve tanë, ide të tilla janë të rrezikshme. Ndërsa vazhdojmë ti mendojmë Serbinë dhe Greqinë si shtete armike, ide nacionaliste të tilla janë vërtetë të rrezikshme. Ajo çka shoh më dramatike në këtë situatë është fakti se në të ardhmen e afërt mundet që të kemi ndonjë qeveri të mirfilltë nacionaliste populiste e cila shkatërron raportet me fqinjët dhe mashtron masën popullore me ide mesjetare të gjuetisë së shtrigave. Rreziku që i shfaqet Shqipërisë është ndonjë “erdoganizëm’ apo ndonjë lëvizje e tillë e cila krejt shtetet fqinje i cilëson si “inferiore” apo “të këqinj” kurse shtetin e vet më superiorin ndërsa “dënon” edhe anti-nacionalistët.

Ky është rreziku që i shfaqet Shqipërisë së bashku me islamizmin, që do të thotë se të kemi njerëz që mendojnë se ligjet e fesë të jenë në shtet. Por sidomos nacionalizmi mbetet një problem akut që do të ishte tragjik në rast se ndodh të ngrihet si valë. Kemi shumë persona që duke menduar se jemi viktima të fqinjëve urrejnë shtetet e tjera rreth e rrotull nesh. Nëse ngrihet një pushtet i tillë me baza të fuqishme tek nacionalizmi apo qoftë edhe ismalizmi, Shqipëria vihet në rrezik. Kjo sepse është dëshmuar se kombet që kanë ngritur vala të stërmëdha të nacionalizmit, kjo valë iu është përplasur në fytyrë! Nacionalizmi të çon veçse në vetëshkatërrim!

SHKRUAJ NJË KOMENT