Çmenduri e përditshme

0
613

Dionis Xhafa

Nga titulli ngjan sikur unë personalisht mos po jetoj në çmenduri të përditshme. Në fakt nuk është tamam kështu, duke mos e mohuar tërësisht se mund të jem i zhytur, më së paku në botën time. Por, ajo që kam dashur të shpjegoj është në terma të përgjithshëm dhe se ka të bëjë pikërisht me çmendurinë e përditshme, e shfaqur në trajtat më të egra, më të poshtra dhe më interesante njëkohësisiht të modernitetit, që e quajnë disa, periudhë kohore, që mendohet se jemi duke jetuar.

Po pra, kjo kohë ka kaq shumë çështje të marrëzisë, siç titullon një roman shkrimtari ynë i njohur edhe ndërkombëtarisht Ismail Kadare. Çfarë tjetër mund ta quash, një realitet, ku përditë ka gjyqe të rënda e të lehta, ku vrasja ndodh thuajse çdo ditë, ka vrasje, ka barbarizma, ka ndarje, ka largime, afrime, tradhti, mosmirënjohje, pabesi, vetëvrasje, harresë, mall, lakmi, marrëzi, kriminalitet, e plot fenomene, që janë shndërruar në diçka normale në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë.

Realiteti është kaq dramatik, saqë e fundit fare është se gjen edhe budallenj, po budallenj, tamam të këtillë, teksa lëvizin rrugëve të kryeqytetit tonë disi të madh. E çfarë t’i thuash kësaj zullumahie, këtij kazani të madh të zierjes së ndjesive njerëzore, të pabesive që ndodhin thuajse te kushdo, të lloj-lloj të këqiave që nuk gjejnë dot fillin e vet. E kështu, aq të çmendur janë njerëzit sa sot duhet të jesh fort racional, që të të mos humbasë tërësisht apo qoftë edhe pjesërisht mendja.

Aq të çmendur siç po thoja janë këta njerëz sot, sa njëherë kur kam pirë kafe te “Flora”, një djalë i ri fliste me vete dhe se mallkonte dikë, ndoshta një vajzë, që kushedi edhe e tradhtonte. Po në këtë lokal, më ka ndodhur mua që dikush me të cilën do ndanim jetën dhe se kishim bërë edhe plane për të, më tha fjalët e fundit. Dhe, kështu sot çdo gjë shkëputet për një çast, e të shembet bota krejt, sikur të bie çatia përmbi kokë.

Sot, robotiku veç fiton, kështu do ta quaja personin që nuk vuan nga jeta e përditshme, që fal kaq shumë çmenduri. Është koha e robotikëve, ata që s’kanë ndjenja ndoshta, që bëjnë ndoshta sikur s’kanë të tilla apo një dreq e merr vesh si mund të jenë ata që e përballojnë këtë kazan të madh të gëlimit të lloj-lloj fenomeni, social më së tepërmi.

Këto janë çështje të marrëzisë, që ndoshta vetëm robotikët janë të aftë t’i kalojnë, pasi njeriu me ndjesi, me zemër, puls e nerv, duket e pamundur, pa e ndjerë më së paku gangrenën e së keqes së përditshme.

D.Xh

SHKRUAJ NJË KOMENT