BEDRI DEDJA (1930-2004) – Studiuesi e krijuesi shumëplanësh për fëmijë

0
1473

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Shkrimtari dhe pedagogu, Profesor Bedri Dedja është një nga figurat më të dalluara dhe të dashura të letërsisë bashkëkohore shqiptare për fëmijë. Këtë e dëshmon numri i madh i veprave të tij letrare për fëmijë, si: përmbledhjet me poezi, tregime, përralla, tregime fantastike-shkencore, novela, romane dhe shume studime99.
Krijimtaria 50-vjeçare e këtij autori përbën një pasuri të çmuar në letërsinë e sotme për fëmijë, një “bibliotekë”
më vete për lexuesit e vegjël dhe një pikë referimi për krijuesit e rinj100.
Vepra e parë e shkrimtarit Bedri Dedja është novela “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, botuar në vitin 1954. Një novelë fantastike me subjekt origjinal, ku përshkruhen bëmat e guximshme që kryen heroi në botën e përrallave, ku e çon ëndrra e tij e shqetësuar.
Fatbardh Pikaloshi u bë një personazh shumë i njohur në letërsinë për fëmijë të atyre viteve me heroizmat dhe aventurat e tij të çuditshme. Shkrimtari, duke e çuar personazhin e Fatbardh Pikaloshit në botën e përrallave e fut lexuesin në një botë magjike, për të ndërtuar të ardhmen: “Republikën Demokratike”. Personazhet e tjerë të kësaj novele si:
Shtatëpëllëmbëmjekra e Trepëllëmbëtrupi, Katallan Syzjarri etj., janë përftuar nga folklori, i cili ndikon mjaft në karakterizimin e aventurave të personazhit kryesor. Gjithsesi, ai është një personazh që, ndonëse në shumë raste manifeston qëndrime e sjellje të pahijshme ndaj shokëve, prindërve e shkollës, me pendesën dhe reflektimin ndaj këtyre shfaqjeve negative, por edhe me veprimet e tij të guximshme për të shpëtuar të varfrit nga shtypja dhe shfrytëzimi i të pasurve, fiton simpatinë dhe admirimin e lexuesve të vegjël. Siç shihet, heroi i veprës përfaqëson fëmijën e ditëve tona, që mendon, ëndërron dhe vepron në përputhje me kërkesat e moralit bashkëkohor.
99 Bedri Dedja ka lindur në Korçë më 1930. Shkollën fillore e kreu në Shkodër, të mesmen në Durrës, kurse studimet universiteti për pedagogji dhe letërsi për fëmijë i kreu më 1953, në Universitetin e Moskës ku edhe u specializua. Emri dhe vepra e tij zënë fill që nga vitet ’50, kur nisi të shkruajë e të botojë letërsi për fëmijë. Deri tani shkrimtari Bedri Dedja ka botuar një numër të madh veprash dhe këtu dë të përmendim vetëm disa nga kjo listë e gjatë si: “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Përralla popullore mbi kafshët”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Shkolla e pyllit”, “Kapiteni i shtrëngatës”, “Kryengritje në pallat”, “Republika e 1100 çudirave”, “Beni shkon në malësi me familje e shtëpi”, “Nëpër korridoret e thella të Jonit”, “Shoku i braktisur”, “Përtej portës së shekullit”, “Ushtari trim prej plumbi”, “Si u rrit një komisar”, “Alarmet e qyteti Sdikuisht” etj.
Si dhe veprat me vështrime, artikuj e studime si: “Letërsia për fëmijë për shkollat pedagogjike”, “Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë”, “Shkrime mbi letërsinë për fëmijë” etj.
Gjithashtu, mund të përmendim dhe kontributin dhe rolin e padiskutueshëm në fushën e përkthimeve, hob ky që shfaqet që në moshë të re. Përmendim këtu përkthimet nga gjuha ruse:
Lev Tolstoi: Tregime dhe përralla për fëmijë (1954), Robi i Kaukazit (1959).
V. Majakovski: Për fëmijët (1954); Lexo, shëtit e fluturo (1958); Ç’është mirë e ç’është keq (1966) Nikolla Nosov: Tregime (1964), Aventurat e Dinpakut dhe të shokëve të tij (1957) Mark Tuein: Aventurat e Tom Sojerit (1955) A.S. Pushkin: Përralla e Peshkatarit dhe e Peshkut (1956) H.K. Andersen: Përralla (1956) Maksim Gorki: Jashka; Samovari (1957) Sharl Pero: Maçoku me çizme Përralla ruse (1998, përshtatje e shqipërime nga 18 autorë) etj.
Ka qenë një autor me kreativitet kompleks dhe të larmishëm, poet, prozator, dramaturg, përkthyes, gazetar dhe kritik, studiues i historisë së pedagogjisë dhe i historisë shqiptare për fëmijë.
Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe fitues i shumë çmimeve letrare.
100 Nelaj, Milaim; “Profile letrare” – Studime, Tiranë 2008, f.
36
Akademiku Bedri Dedja si një dijetar shumëplanësh është shquar edhe në lëvrimin e përrallës. Shkrimtari aty është një eksplorator që kërkon të gjejë të panjohurën, të zbulojë të paditurën dhe të thotë të pathënën.
Vihet re prirja e autorit në dy rrafshe: në ritregimin e përrallave popullore dhe në krijimin e përrallave origjinale. Veçanërisht në këtë drejtimin e dytë pena e tij shkëlqen. Është nga të parët që theu kornizën e përrallës tradicionale me subjekte nga folklori. Siç vëren Prof. Odhise Grillo, Bedri Dedja i krijoi përrallat krejt ndryshe nga të tjerët. Ai ka mënyrën e vet të gjetjes së fabulës, të ndërtimit të subjektit, të skalitjes së personazheve, të futjes së problemeve e të frymës së kohës në përrallat e veta, të ndërtimit në mënyrë lodruese të fjalisë e të frazës, të futjes së humorit që është aq i kërkuar nga lexuesit e vegjël etj. Këtu qëndron edhe origjinaliteti i tij që është i papërsëritshëm.101 Përmbledhja “Përralla njëmbëdhjetëkatëshe”, nxjerr në pah mjeshtërinë artistike të autorit si dhe pasurimin e mëtejshëm të kësaj gjinie letrare kaq të dashur për fëmijët. Kritika i ka vlerësuar ato përralla si krijime më të mira të autorit. Veç vlerave letrare e edukative, në to ndrit galeria e personazheve jetësorë, të cilët përfaqësojnë tipa shoqërorë me veset dhe të mirat e tyre.
Struktura e librit është konceptuar në mënyrë origjinale. Çdo kat është një pistë zhvillimi, ku ndërthuren fabulat, ku zhvillohen subjektet, ku bota jepet me fantazi të ndezur e në zhvillim të vrullshëm. Të njëmbëdhjetë përrallat dallojnë nga njëra-tjetra; pallati është korniza që i bashkon ato dhe që organizon subjektin.
Kritika ka vënë në dukje se në këto përralla autori shkrin në mënyrë harmonike traditën popullore të konceptimit me mjediset dhe kushtet bashkëkohore të veprimit të personazheve.
Janë përralla të cilat të tërheqin për fantazinë e tyre. Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe faktin që gjatësia e krijimeve vjen duke u shkurtuar, nga përralla e parë që zë 12 faqe deri tek e fundit që zë vetëm tri faqe. Patjetër që ky fakt nuk mund të jetë një rastësi, por përkujdesje e autorit për lexuesin e tyre fëmijë, që nuk mund ta përqendrojë gjatë vëmendjen.
Veçanërisht në këto përralla luan rol pozitiv njohja e botës, gjuhës e psikologjisë fëminore dhe mënyra e të treguarit në frymën e përrallave popullore.
Gjithashtu, këto krijime dallohen për temporitmin e lartë të zhvillimit. Si në paradë shfaqen një mori personazhesh, ngjarje e ndodhi të ndryshme që kanë të bëjnë me botën magjike të fëmijëve. Me sy vëzhgues e fantazi të ndezur shkrimtari ka zbuluar çdo detaj, send, personazh që nga historia e miut të fundit të botës e deri tek historia e moshamësve.
Bedri Dedja është një krijues i cili i ka për zemër fëmijët, e njeh shumë mirë botën e tyre, kërkon të japi mjaft informacion me penën e tij. Kështu, për shembull, përmbledhja me përralla dallohet për mjeshtërinë krijuese të autorit. Detaji artistik aty është një element i përfillshëm që e gjen në tërë veprën, që nga toponomastika, emrat e njerëzve, neologjizmat e letrarizimet me efekte etj.
Përmendim këtu: në përralla flitet për një gjuhë të çuditshme të minjve që quhet mijishte (f. 8), apo e pëllumbave – pëllumbisht (f. 22); gjetje të bukura janë edhe: njeriu që humbet emrin si dielli kur vrenjtet koha (f.20), policia zoologjike (f.34),
101 Grillo, Odhise; “Përralla njëmbëdhjetëkatëshe”, të B.
Dedjes, (dy fjalë për autorin), Tiranë 1996, f. 4 kryekaposhi, kaposhi pa pendë që i kishte humbur në beteja heroike (f.35), polic pyllor (f.41); shtypet një luan, shteti do të
çalojë- shteti çalaman, makina tallaxhije (f. 44) etj.
Apo të lidhjes së situatave jetësore me fantastiken, gjer fragmente nga e përditshmja: pastaj i dha një kilogram valium dhe të sëmurin e zuri një gjumë elefantësh, që nuk e prishte dot as tërmeti dhjetëballësh…f. 43; do të na falin një pallat me 15 apartamente që t’i japim me qira (f. 45) etj.
Zgjidhjet dhe qëndrimet jepen në forma të ndryshme e me finesë:
Përralla atje por edhe ne atje. f.33
Përralla pa mbaruar, por ne jemi të gëzuar; f. 38 Përralla na ngjethi mishtë, por e lexuam qetësisht: f.46 Përrallën e tregoi Aleksi dhe Tonit të katit VI i erdhi oreksi; f.
53
O përrallë, mos na harro, herë pas here na kujto! f. 64 Përralla, natën e mirë dhe ti, lapsi im, mos qofsh i vështirë. f.
78
Është e qartë që këto krijime të argëtojnë pa masë. Veç këtyre, autori me zotësi ndërthur elementë të tregimit me ato të përrallës dhe kjo i bën ato të pëlqyeshme e më të asimilueshme nga fëmijët.
Po t’i lexosh e studiosh me vëmendje përrallat e këtij autori:
“Përralla popullore mbi kafshët”(1957), “Përralla e tre vëllezërve” (1958), “Kallëzimet e gjyshe Pastërtores”
(1960), “Përrallëzat e Zvicrës” (2002) etj…në të cilën Bedri Dedja ka thurur me ëndje përrallat magjike duke hyrë lirshëm në botën e fëmijëve. Janë përralla që dallohen jo vetëm në formën dhe strukturën e saj të veçantë, duke e bërë përrallën një krijim vërtet letrar, por edhe në përmbajtjen e saj, pasi ka futur në të elementin fantastik, duke e gërshetuar dhe shkrirë edhe me dukuri të realiteti bashkëkohor.
Në përrallën “Përralla popullore mbi kafshët”, autori ka përzgjedhur e ripunuar nga ana letrare përrallën e shkurtër dhe kryesisht me kafshë. Ndërsa në përrallën “Përralla e tre vëllezërve”, të bie në sy përzgjedhja që ka bërë autori:
duke u mbështetur në motive popullore dha modelin e një krijimi letrar nisur nga dy subjekte të përrallës popullore të gënjeshtarëve; duke bërë rikrijimin e situatave dhe të dialogëve i zbërthen tablotë e ngjarjet duke i dhënë ato në përmasat e përrallës së kultivuar. Te kjo përrallë paradokset ndjekin njëra-tjetrën, humori buron nga situata komike që fëmijët i lexojnë me shumë ëndje.
Bedri Dedja është një njohës i botës fëminore, i psikologjisë dhe i gjuhës së të vegjëlve. Fantazia dhe humori janë dy çelësat magjikë që depërtuan në ëndrrat, dëshirat dhe botën e pasur të fëmijëve.
xxx
Një ndihmesë të veçantë Profesor Bedri Dedja dha edhe në lëvrimin e poemës për të vegjlit si: “Numrat”, “Shkolla e pyllit”, “Artan borizani dhe çeta e tij”, “Patoku në plazh”, “Vera, Geri dhe Driloni” etj. Një pjesë e poemave të këtij autori priren në ndërtim të tyre mbi elementë përrallorë e fantastikë, ku veprojnë kafshët me botën dhe jetën e tyre.
Gjithashtu nëpërmjet tablove, ngjarjeve e personazheve personifikohet jeta njerëzore, përcillen vlera estetike për botën e fëmijëve. Vlera të tilla përcillen në poemën-përrallë “Shkolla e pyllit” në të cilën, lexuesit e vegjël, nëpërmjet një fabule të bukur ku veprojnë personazhe kafshë: ketrat, milingonat, lepurushët, shqiponjat, rosat, harabelat, edukohen me dashurinë për shkollën.
Në fakt, është një poemë-përrallë që u drejtohet shkollarëve të vegjël dhe trajton temën e mësimit. Fabula është interesante.
Ngjarjet vendosen në pyll, por në këtë poemë ka mjaft ngjarje e tablo me fantazi, imagjinatë dhe humor. Kështu, gardalina dhe një galë lajmërojnë me trumbetë për lajmin e gëzuar se në pyll u hap një shkollë ku do të mësonin të gjitha kafshët. Subjekti është ndërtuar mbi bazën e konfliktit që lind midis kolektivit të kafshëve të pyllit dhe një lepuri mendjemadh.
Poema ka një vijë subjekti. Është më tepër një mozaik ngjarjesh e tablosh plot fantazi e humor, gjë që i ka dhënë dorë autorit ta përdor imagjinatën jo në gërshetimin e një subjekti, qoftë edhe aventurash, por në vizatimin e situatave të veçanta, prej të cilave rrjedh emocioni dhe morali. Është një poemë spontane dhe e këndshme. Sigurisht që autori u jep kafshëve funksione që janë në përshtatje me natyrën e tyre. Të spikatur janë disa
personazhe: Gardalina – mësuese e matematikës, Ariu – mësues i abetares, Maçoku – mësues i vizatimit, Kanarina – mësuese e muzikës, palloi – rrobaqepës.
Në këtë poemë të gjitha personazhet janë kafshë, por pas tyre jepen raporte njerëzore, janë raportet nxënës-shkollë, ku fëmijët edukohen me dashurinë për punën, shkollën e diturinë dhe për t’u përgatitur për jetën. Por në këtë poemë ideja e rëndësisë së arsimimit të njeriut jepen në dy drejtime: shkolla të jep dije, zanat e profesion, të përgatit e të bën të aftë për jetën; mungesa e saj i kushton rëndë njeriut, si në rastin e lepurit analfabet…
Kjo poemë është shkruar në monokolonë, pa u ndarë në strofa.
Vargu është i matur. Përdoret 4-rrokëshi, 8-rrokëshi e 10-rrokëshi; këto dy masat e fundit herë-herë thyhen, duke krijuar variacione e duke i dhënë ngjarjes dinamizëm aty ku duhet.
Në vitin 1997 autori e ripunoi si përrallë në prozë dhe e botoi në përmbledhjen Republika e 1100 çudirave.
Në poemën me titull “Artan borizani dhe çeta e tij”, nëpërmjet elementëve realistë, ngjarjeve e ndodhive nga jeta bashkëkohore e fëmijëve, përshkruhen mesazhe për marrëdhëniet midis fëmijëve, prindërve dhe të moshuarve.
Autori rrëfen për veprimtarinë e gjallë e të gjithanshme të banorëve të vegjël të një pallati në kryeqytet. Ata krijojnë një çetë me fëmijë vullnetarë. Me forma të gjalla pune dhe me veprimtaritë e tyre të guximshme, fëmijët krijojnë një atmosferë të shëndoshë luftarake kundër çdo gjëje, që bëhet pengesë për edukimin e shëndoshë të tyre.
Personazhi Artan është i gjallë e plot kolorit, po ashtu edhe portretizimi i Gentush Qaramanit me tekat e tij. Me gjithë vlerat e veta estetike e edukative, kjo poemë përshkohet nga fryma e kohës.
xxx
Në krijimtarinë e shkrimtarit Bedri Dedja një vend të rëndësishëm zë dhe romani shqiptar për fëmijë. Përmendim
këtu: “Kalamajtë e pallatit tim”, me dy vëllime, i pari i botuar më 1972 dhe i dyti më 1979, si dhe “Kacamisri rreth globit” (1993), “Qyteti me tri kështjella” (1998).
Vlen të ndalemi këtu te romani “Kalamajtë e pallatit tim”. Në të pasqyrohen natyrshëm tablo nga jeta e përditshme e fëmijëve, marrëdhëniet e tyre me të rriturit, prindërit dhe mjedisin shoqëror. Autori është treguar shumë i kujdesshëm në kapjen e temave dhe çështjeve jetësore që prekin fëmijët siç është tema e preferuar e shkollës dhe edukimit, e gërshetuar dhe e shkrirë me elemente të tjerë, si lojërat, ekskursionet në natyrë, aksionet në ndihmë të fshatit. Por në roman dalin në pah dhe mjaft çështje të rëndësishme që lidhen drejtpërsëdrejti apo tërthorazi me botën e fëmijëve, si për shembull, ajo e emancipimit të gruas, ajo e rrugaçërisë, e luftës kundër veseve të këqija etj. Jo pa qëllim akademiku Bedri Dedja trajton e nxjerr në pah problematika të tilla që prekin shoqërinë tonë, pasi si njeri i fushës së arsimit, kulturës e shkencës, kërkon që ky roman t’u drejtohet jo vetëm fëmijëve por edhe të rriturve.
Shpeshherë prindërit, mësuesit gabojnë… ndaj duhet të mësojnë se çfarë është takti, ç’metoda e punë këmbëngulëse duhet bërë për edukimin e fëmijëve me vlerat morale. Romani shpalos kështu vlera pedagogjike krahas vlerave ideoartistike.
Në roman pasqyrohet dalëngadalë jeta dhe veprimtaria e fëmijëve të një pallati të zakonshëm në kryeqytet. Ngjarjet rrjedhin natyrshëm nëpërmjet veprimit dhe ndodhive të ndryshme. Janë fëmijë të zakonshëm siç mund të shohësh edhe në jetën e përditshme dhe sot, djem e vajza me plot energji, që luajnë, flasin, punojnë me pasion.
Shpalosen një mori figurash fëmijë, gjë e cila i ka dhënë dorë autorit të paraqesë një galeri tipash e personazhesh të ndryshëm, të cilët janë përshkruar me vërtetësi dhe janë marrë nga jeta.
Mes dashurisë dhe respektit të fëmijëve për njëri-tjetrin pasqyrohet bota qytetare e tyre.
Përmbajtja, që shtrihet në një numër jo aq të madh faqesh në 25 krerët e kësaj proze, është një pasqyrim me bazë dhe vërtetësi artistike, paraqitur kryesisht përmes një dialogu të natyrshëm dhe përshkrimeve të pakta dhe të goditura të tërë asaj që ka mundur të jetë përditshmëri dhe realitet i një fëmijërie të një kohe, vendi dhe rendi të caktuar shoqëror.
Nëpër faqet e romanit zbulohen këndshëm dhe me dinamikë ngjarje, episode, skema me detaje e imtësi të shumta, duke e bërë tërheqëse romani. Kështu, në fillim të tij njihemi me një banor të ri, që sapo është sistemuar në pallatin ku banojnë fëmijët.
Kalamajtë e pallatit tim dhe unë banojmë në një godinë të re shumëkatëshe të kryeqytetit…
Kërrtau! Prrauuu! Fring!
O tmerr! Imagjinoni! Tamam në këtë çast… një top futbolli fluturoi nga jashtë e drejt e brenda në kuzhinën time… Ky është kulmi i fatkeqësisë!
Sepse, që ky top i pacipë të vijë nga jashtë, nëpërmjet dritares së mbyllur dhe të qëndrojë para këmbëve të mia, ju mund ta merrni me mend se ç’rrugë i është dashur të hapë…
Unë sigurisht, kur pashë xhamin copë-copë, u bëra bishë
pylli.102
Ai habitet nga lodrat e shumta të fëmijëve, nga zhurma e gazi që ushton në pallat. Të bën përshtypje sesi ai ndonjëherë nervozohet nga sjelljet e tyre, zemërohet nga thyerja e ndonjë xhami, por dalëngadalë fillon që t’i kuptojë, t’u qëndrojë më pranë, pasi ata janë të dashur e të mirë. Ndaj në ndërgjegjen e banorit të ri bëhet një kthesë rrënjësore dhe ai nis e miqësohet shumë me fëmijët e pallatit.
Thyeja e shpeshtë e xhamave bëhet shkak që në frikën e rrëfyesit të hyjnë fëmijët e këtij pallati: Taulanti, Agimi, Sokoli, Genti dhe më pas shoqëria e zgjeruar me: Edlirën, Laurën, Arjanën, Gaztorin, Rudinën, Ajrinën, Lirikën dhe të tjerë, të gjithë fëmijë të moshës parashkollore dhe të ciklit të ulët të fillores, të cilët harrohen në
102 Dedja, Bedri; “Kalamajtë e pallatit tim”, Shkup 2002, f.
10-11
lojëra e vrapime në hapësirën gjithnjë më të ngushtë ndërmjet pallateve, xhamat e të cilëve shpesh kërcasin nga topi i lojës.
Rrëfimi rrjedh natyrshëm, lehtë e bindshëm, saqë duket se shkrimtari nuk është vetëm soditës e rrëfyes, por edhe shok dhe pjesëmarrës në lojërat, shqetësimet, gëzimet dhe brengat e fëmijëve.
Romani “Kalamajtë e pallatit tim”, është një pasqyrim real i një fëmijërie të një vendi shembull të rendit të ashpër partiak socialist dhe kjo ndjenjë dhe atmosferë është dhënë me vërtetësi artistike, si dokument i një kohe të cilën fëmijët e nesërm vështirë do ta kuptonin pa disa shpjegime të të rriturve.
Autori i skalit me dashuri personazhet duke i bërë të afërt për lexuesin. Këta kalamaj, siç i quan shkrimtari, kanë botën e tyre, hallet e tyre.
Secili personazh ka fizionominë e vet, nuk ngatërrohet me të tjerët duke krijuar individualitetin dhe psikologjinë e vet. Për shembull, lexuesi dëshpërohet me historinë fatkeqe të Sokolit dhe gëzohet me përfundimin e lumtur, kur ai gjen babain e vet, zemërohet dhe e urren figurën e Xhasit, rrugaçit e vjedhësit të ndyrë, që përpiqet ta bëjë si veten edhe Sokolin e vogël, kënaqet me humorin dhe shkathtësinë e Taulantit, Platorit e personazheve të tjerë. Genti, banori i ri i pallatit, Skënder Buna, Drita, Miroshja e vogël zbërthehen nëpërmjet ngjarjeve e ndodhive, që janë përshkruar bukur.
Në roman ka çaste që të emocionojnë, kujtojmë këtu punën e fëmijëve për ngritjen e këndit të lodrave, organizimin e spartakiadës në lojërat midis shkollave, ngjarja me mësuesen e matematikës që u jepte fëmijëve ushtrime pa fund për t’i zgjidhur, grindja e Sokolit me Xhasin, zhdukja e regjistrit të klasës, shpëtimi nga fëmijët i Miroshes së vogël, të cilën duan ta martojnë me mblesëri. Në jetën e tyre, mes shqetësimeve edhe të vegjlit dinë të dallojnë të mirën nga e keqja, e në këtë aspekt, gjithnjë e më tepër ata fitojnë vlera morale e shoqërore.
Krahas lojës, gëzimeve dhe shqetësimeve të kalamajve të lagjes, me vërtetësi janë shtruar edhe disa dukuri dhe probleme të tjera nga jeta e fëmijëve në shkollë dhe në organizatat e tyre, problemet edukative dhe shoqërore të kohës.
Mësuesja e aritmetikës, me qëndrimin e saj të rreptë dhe serioz, është fytyrë që shkakton ftohtësi ndaj mësimit dhe shkollës deri në atë shkallë saqë i bën fëmijët e “bandës së zezë” të vjedhin dhe të djegin regjistrin…
Më në fund erdhi ora e tretë e aritmetikës, zilen e së cilës kalamajtë e pritën si ato kambanat e kishave mesjetare…
Mësuesja e pesëdhjetë problemeve hyri në klasë me fytyrën e ftohtë e të ngrirë si mermer… f.70 … Regjistri i grabitur i klasës ishte bërë shkrumb si Xhordano Brunoja nënë tufën e druve të priftërinjve të mesjetës… f. 81 Në roman kapen edhe disa dukuri dhe probleme që sjell mosha e adoleshencës ose djalërisë.
“Ej, kujdes se po troket djalëria! – paralajmëron shkrimtari.
Djalëria nuk është kënetë, po përrua i pastër dhe i rrëmbyeshëm malor!” f. 87 Në faqet e fundit, autori na kthen në vitet e betejës së vërtetë kundër analfabetizmit, kur babai dhe i biri rrinin në një bankë para abetares…
Unë bashkë me çiliminjtë e tjerë të fshatit qëndruam në këmbë prapa grave për të dëgjuar, në atë kohë njëri nga partizanët, ai më i vjetri, më vuri mua dorën në kokë dhe na tha të gjithëve:
A doni të mësoni në shkollë?
Çiliminjtë ulën kokat se nuk dinin ç’të përgjigjeshin, pastaj shikuan njëri-tjetrin dhe ia plasën të qeshurit. E ku dinim ne atëherë se ç’ishte shkolla!
… Pas dy vjetësh në fshat u hap një shkollë fillore, ku të gjithë ne shkuam për të mësuar që të zhdukej analfabetizmi.
Ja ku na doli dhe një fjalë tjetër. Analfabetizmi!
Po ky çfarë është, përbindësh që duhet zhdukur?
… Atë ditë ne po punonim në kopshtin e shkollës. Pas pak mësuesja më dërgoi për të mbushur ujë te burimi i pyllit. Në pyll vura re se zogjtë cicëronin e këndonin të lumtur, pa menduar dhe pa e çarë kokën fare për analfabetizmin. Kjo gjë më çuditi shumë.
Ç’të jetë vallë kjo kuçedër?
Në darkë vendosa të pyes tatën.
Tati im kishte qenë tërë jetën blegtor, pa shkollë, po i zgjuar.
Kur e pyeta, ai më vështroi buzagaz dhe më tha:
Më duket se unë jam analfabetizmi… – u kthye nga zjarri për të ndezur çibukun.
Më pas u desh gati një orë që të më mbushej mendja se në fshat kish shumë të tjerë si tata im, që nuk dinin shkrim e këndim. Ja, këta ishin analfabetizmi! Prandaj, që të zhdukej ky, ose prindërit duhet të mbyteshin në lumë, ose të regjistrohen në kurs.
… Tata im ra në kurs me mua… f. 110
Ky roman ka një ndërtim kompozicional që mbështetet në disa linja. Ai është ndarë në kapituj, nënkapituj, ditare, letra në një mënyrë të tillë që lexuesi i vogël t’i perceptojë më mirë ngjarjet.
Stili i romanit është i shkathët, i ngjeshur, interesant. Dialogu është i gjallë, real. Gjuha është e pastër dhe e kuptueshme.
Fjalitë janë të shkurtra e koncize. Autori, ka bërë kujdes në pasurimin e fjalorit të fëmijëve me fjalë të reja.
Gjithashtu në krijimtarinë e autorit zë një vend të rëndësishëm edhe veprat fantastiko-shkencore, zhanër ky i parapëlqyer nga Bedri Dedja. Kështu, vepra e fundit “Presidenti i Planetit të Kuq”, botuar më 2006, pas vdekjes së tij, është një kryqëzim origjinal midis romanit përrallë dhe romanit fantastiko-shkencor. Një roman shënon një hap të mëtejshëm në krijimtarinë për fëmijë dhe njëkohësisht ruan vetitë më të mira të romaneve të tij të mëparshëm si dhe ngre në një stad të ri letërsinë shqiptare për fëmijë të shekullit XXI.
Ky roman është ndarë në dyzet kapituj, me një subjekt interesant; ngjarjet zhvendosen nga Toka në një planet tjetër, te planeti i kuq ose planeti Mars. Ndërmerret një udhëtim interesant i fëmijëve.
Lexuesit e vegjël e shohin veten si vizitorë në hapësirat e planetit të kuq, ku sigurisht mësojnë të dhëna shkencore për planetin Mars, zakonet e banorëve të Marsit, përjetojnë natën dhe ditën, njihen me stinët, me klimën, kushtet atmosferike, bimësinë, gjallesat, satelitët dhe sistemin diellor. Bedri Dedja është shkrimtar që e njeh në thellësi botën e fëmijëve, dëshirat dhe kërkesat e tyre. Ai e di shumë mirë se çfarë duan dhe pëlqejnë fëmijët. Ndaj, në këtë roman, ndërthuren fantazia, shkenca, dija, ëndrrat, dëshirat, gjithçka…
Kjo duket që në fillim të romanit, e ngjashme me klishetë që kemi ndeshur në përrallat e vjetra: “Na ishte njëherë…”
Nuk ka sesi të mos ndjesh dëshirën dhe pasionin për të lexuar se çfarë do të ndodhë… Me një gjuhë të thjeshtë e të qartë na shpalosen ngjarje që duken sikur vijnë nga lashtësia, mbushur me mistere dhe që vendosen në kozmos, në bashkëkohësi. Dhe fantazia bën punën e saj, arrin majat më të larta, zbulon dhe zhvillon imagjinatën dhe kreativitetin e pafund të fëmijëve. Fëmijët mahniten dhe surprizohen nga pritja plot dashuri e ngrohtësi që u bëhet nga Presidenti i Planetit të Kuq, sikur të njiheshin prej kohësh e të ishin miq të vjetër. Ai qëndron në çdo çast pranë tyre, shijon e gëzon me ta bukurinë dhe mrekullitë e këtij planeti të kuq. Personazhet e vegjël lundrojnë në një det plot ngjyra e fantazi ashtu si Saturni që shpalos përpara shkencëtarëve të vegjël ylberin e ngjyrave të tij.
Dukuritë interesante që shpalosen në faqet e romanit i zhysin fëmijët në mendime dhe dëshira për të mësuar dhe për t’u argëtuar sa më shumë. Libri u transmeton fëmijëve dije shkencore e shumë të vërteta për galaktikën tonë. Leximi i ngjarjeve e i ndodhive ngjall shumë emocione, i argëton fëmijët por kërkon edhe një punë mendore për të zbuluar misteret e shumta. Në fushën e pedagogjisë bashkëkohore synohet drejt hartimit të këtyre librave, që ndërthurin dijen me argëtimin e edukimin, prandaj, siç vlerëson studiuesja Klara Kodra, ky libër i psikologut dhe shkrimtarit të madh për fëmijë Bedri Dedja është ideal për të mësuar dhe argëtuar njëkohësisht lexuesit e vegjël.103 Ky roman për vlerat që mbart u drejtohet jo vetëm fëmijëve, por çdo moshë të lexuesve, pasi në këtë libër përcillen mesazhe shumë të forta, që të bëjnë të mendosh e të reflektosh thellë. Kështu shkrimtari transmeton në mënyrë të natyrshme frymën pozitive për të kontribuar secili nga ne për të mirën e vendit, botës sonë dhe mbarë njerëzimit.
Veprat e këtij shkrimtari të papërsëritshëm lexohen me kërshëri nga fëmijët, sepse nxisin tek ata imagjinatën dhe kureshtjen.
Nëpërmjet fjalës magjike, autori e vë lexuesin e vogël përballë të papriturës dhe interesantes, detyrës dhe përgjegjësisë për të kërkuar zgjidhje. Nëpërmjet mesazheve të ngrohta, ai nxit tek ata vetëveprimin dhe iniciativën, guximin dhe vullnetin, dashurinë për të bukurën dhe përbuzjen ndaj të shëmtuarës.
Profesor Bedri Dedja ishte dhe mbeti njëri nga miqtë më të mirë e më të dashur të fëmijëve.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here