BARDHA NIKLEKAJ: ME PASION PËR MËSIMIN DHE EDUKIMIN E BREZIT TË RI…

0
458

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Këto ditë, banorët e krahinës së Nikaj-Mërturit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), të cilët janë shpërngulur nga fshatrat e vendlindjes dhe janë vendosur në Tiranë e pranë saj dhe në rrethe tjerë të vendit, kishin një festë të gëzuar. Tash disa vite është bërë traditë që, me afrimin e festave të fundvitit, ata tubohen dhe kalojnë së bashku disa orë të gëzueshme.

E kanë nisur këtë festë në mjediset e Pallatit të Kongreseve, në kryeqytet dhe e kanë vijuar deri në Shkodër, në kinoteatrin e bukur “Blue Skye”. Me këngë e valle, sidomos nga ato popullore të krahinave të Veriut të Shqipërisë, kalojnë me gëzim e hare orë të tëra. Jorrallë, në këto festa kanë ardhur edhe të ftuar nga Gjakova e rrethinat e saj, ku shumë vite më parë janë vendosur të parët e tyre nikajmërturas.

Këtë fundviti u mendua që të bëhen dy festa të tilla, njëra në lokalin “Stela Resort”, që ndodhet në km.7 të Autostradës Tiranë-Durrës dhe tjetra në Kinotetrin “Blue Skye” të Shkodrës. Pata kënaqësinë që unë të isha pjesëmarrës në festën, që u organizua nga nikajmërturasit, në Tiranë.

Në atë mjedis shumë të bukur e të gëzueshëm, ndër të pranishmit e shumtë që i njihja, ishte edhe arsimtarja Bardha Niklekaj. Kishte ardhur aty me bashkëshortin, juristin Gjin Niklekaj dhe të bijën, Artën, e shoqëruar kjo nga koleget e saj juriste, Jonida e Zana. Sigurisht, në ato 4-5 orë, ne gjetëm kohën të flisnim, si aty,por dhe në një takim të posaçëm, për jetën e Bardhës, diçka prej të cilës po ua tregojmë edhe lexuesve të kësaj skice.

2.
Ka lindur në një lagje të fshatit aq të bukur Curraj i Epërm, në zonën e Nikaj-Mërturit. Prindërit e Bardhës, Zefi e Lena, me gjithë vështirësitë e tyre jetike, u kujdesën shumë për rritjen dhe edukimin e saj, si dhe të vëllait, Martinit e motrave, Zojës e Lulës. Pas mbarimit të shkollës fillore e asaj 8-vjeçare në vendlindje, atë e dërguan në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” të Shkodrës, të cilën e përfundoi me nota të shkëlqyera.

Megjithëse larg ngrohtësisë familjare, në mendje e zemër gjithnjë e kishte fshatin e saj, që ngjan me një amfiteatër gjigand, mespërmes të cilit kalon lumi ujëkaltër e ku lodrojnë troftat pikaloshe. Pastaj, që nga livadhet buzë atij lumi, në Curraj i Epërm, syri të zë drurë të llojeve të ndryshëm, të cilët ngjiten rrathë-rrathë e përfundojnë në bjeshkët me borë të përhershme, si Kakia e Nikajve, Borshi e tjerë.

Në shkollën e mesme pedagogjike Bardha iu përkushtua mësimeve dhe përherë u dallua me sjelljen e saj shembullore, për zgjuarësi e dashamirësi ndaj shoqeve e shokëve dhe respekt të veçantë ndaj mësuesve të saj, të cilët mbetën për të të paharruar dhe shembull për t’u ndjekur, në detyrat e ardhëshme.

Vitet shkollore kaluan si pa u ndjerë dhe, tashmë, për Bardhën niste një jetë e re. Detyra e thërriste të shërbente mesuese dhe edukatore e fëmijëve të malësorëve, ku kishte më tepër nevojë. Për herë të parë e caktuan mësuese në shkollën fillore të Qereshit, në krahinën e Nikaj-Merturit. Pastaj, me radhë, shërbeu me përkushtim, duke përballuar edhe vështirësitë e terrenit malor e të dimrave të egër, me borë e ngrica, në shkollat e fshatrave: Curraj i Epërm, Gjonpepaj e Lekbibaj.

Por Bardha e ndjente të nevojshme që njohuritë e saj t’i plotësonte duke ndjekur shkollën e lartë, pra e nisi dhe e përfundoi me sukses Institutin e Lartë Pedagogjik “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

Pasi u rikthye në arsim, në vendlindje, ajo u njoh me djaloshin nga lagja Kapit e fshatit Gjonpepaj, po të krahinës Nikaj-Mërtur, Gjin Niklekaj. Kështu, ata e lidhën përjetë bashkë fatin e tyre. Lindën e rritën, me kujdes të veçanë, tre fëmijë: Sokolin, Artën e Ilirin, të cilët i dërguan në shkolla të ndryshme dhe ua çelën katërkapakësh, dyert e jetës. Ka vite që ata kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë të gëzuar e të lumtur.

Pas disa viteve punë në krahinën Nikaj-Mërtur, të shoqin e Bardhës, Gjinin, e caktuan me shërbim në Burrel, prokuror ushtarak. Aty Bardha përsëri nuk iu nda detyrës së bukur të mësueses dhe edukatores së brezit të ri. Kështu, dha mësim në shkolln “31 Korriku” të atij qyteti, ku u dallua në detyrat e mësueses e moderatores dhe përvoja e saj u përhap në shkollat tjera, të rrethit të Matit. Më tej, i transferuan familjarisht në qytetin e Shkodrës. Atje Bardha shërbeu mësuese dhe moderatore në shkollën “Ndoc Mazi” e më tej në shkollat: “Ndre Mjeda”,”Vasil Shanto” e “Dëshmorët e Prishtinës”. Kudo, ajo shpalosi cilësitë e një mësueseje të dalluar.

Fatit të jetës nuk i dihet saktësisht. Në vitet pasardhëse, bashkëshortin e Bardhës, Gjinin e dërguan me punë në Shkodër dhe, më tej, në Tiranë, drejtor drejtorie në Ministrinë e Drejtësisë. Ndërsa, për vështirësi të gjetjes së vendit të punës në arsim, ajo shërbeu disa vite në Bibliotekën Kombëtare. Edhe aty shpalosi cilësitë e saj pozitive, me kujdesin e merakun për ta kryer punën sa më mirë, duke u shërbyer lexuesve me kulturë e përpikëmëri.

Por ja, erdhi një ditë, kur Bardha Niklekaj mbushi moshën e pensionit dhe do të largohej nga puna e dashur dhe e pasionuar e saj, mësuese dhe edukatore e brezit të ri, por dhe nga ajo me librin. Megjithatë, asnjëherë ajo nuk ndjen “boshllek”, se kohën e kalon jo vetëm në shtëpi ose në verimtari të ndryshme me bashkëshortin, por dhe me fëmijët e saj. Kështu, ndjen kënaqësinë e nënës së mirë, të cilën e rrethojnë nipër e mbesa të mbarë dhe jetën ia bëjnë kaq të bukur e te lumtur. Ndërsa, përsëri, librin e ka mik të pandarë të jetës së vetë.

…Në përfundim të këtyre radhëve, e përgëzojmë dhe e urojmë mësuesen dhe edukatoren e palodhur Bardha Niklekaj, si për vitet e përkushtuara në arsim, por dhe në punë tjera, që bëri më pas. Ajo le të ketë gjithnjë shëndet të plotë, mbarësi, gëzime e lumturi, si vetjake dhe familjare!

Tiranë, dhjetor 2016

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here