Ateroskleroza – nga Detina Zalli

0
838

WeSpeakScience.com, 16 nëntor 2016

Ateroskleroza konsiderohet të jetë një nga shkaktarët kryesorë të humbjes së viteve produktive dhe vdekjeve mbarë botën. Është sëmundje progresive karakterizuar nga akumulimi i lipideve dhe elementeve fibrotike në arteriet e mëdha. Në gjendjen normale arteriet e shëndosha janë fleksibile dhe elastike, por me kalimin e kohës muret e tyre mund të forcohen dhe të humbin elasticitetin.

Ateroskleroza në vetëvete nuk paraqet rrezik direkt për jetën, por pasojat dhe eventet si përçarja e pllakës aterosklerotike, infarkti i zemrës dhe pika në tru mund të kenë përfundim fatal. Arterioskleroza dhe ateroskleroza janë dy koncepte të ngjashme dhe që shpesh përdoren si një. Arterioskleroza është term i përgjithshëm për forcimin dhe trashjen e arterieve, ndërsa ateroskleroza është një lloj i arteriosklerozës dhe i referohet shtresimit të yndyrnave, kolesterolit dhe substancave të tjera në muret e arterieve.

Si zhvillohet ateroskleroza?

Arteriet janë enë gjaku të cilat dërgojnë gjakun nga zemra në pjesë të ndryshme të organizmit. Secila arterie është një tub muskularë i përbërë nga tri shtresa:

– Intima, shtresa e brendshme e quajtur endotelium
– Media, shtresa muskulore që mundëson arteriet të përballojnë presionin e lartë nga zemra
– Adventia, shtresa që mundëson lidhjen me indet perreth

Tek ateroskleroza fokusimi qëndron tek shtresa e brendshme – endoteliumi. Funksioni i tij është i shumëfishtë: rregullon qarkullimin e fluideve dhe molekulave mes gjakut dhe indeve, funksionon si një sipërfaqe anti-koagulante, kontribuon në homeostazën dhe riparimin vaskularë, si dhe ka rol jetësor në tonusin vaskular e rregullimin e qarkullimit të gjakut. Rrjedhimisht, dëmtimi i kësaj shtrese medoemos çon në prishjen e homeostazës intravaskulare.

Pasi që endoteliumi është dëmtuar (nga faktorë të ndryshëm, shih më poshtë), qelizat e gjakut dhe substancat e tjera ndalojnë dhe grumbullohen tek vendi i dëmtuar. Me kalimin e kohës, depozitat yndyrore të përbëra nga kolesteroli, kalciumi dhe produktet tjera qelizore formojnë të ashtuquajturën pllakë yndyrore, e cila e krijuar tek sipërfaqja e dëmtuar ngushton diametrin e arteries duke vështirësuar kështu qarkullimin e gjakut.

Paraqitje skematike e dallimit mes arteries normale (A) dhe arteries aterosklerotike (B)

Shkaktarët

Disa faktorë rreziku në zhvillimin e aterosklerozës

Shkaktari kryesorë i ateroskleroszës nuk dihet me skatësi, por studimet klinike dhe epidemiologjike gjatë 50 viteve të fundit kanë zbuluar një mori faktorësh rreziku të rëndësishëm në etiologjinë e aterosklerozës. Këta mund të grupohen në faktorët me komponentën gjenetike dhe faktorët me bazë stilin jetësor.

Në faktorët me komponentën gjenetike përfshihen:

Nivelet e larta të LDL/VLDL (kolesteroli i keq)
Nivelet e ulëta të HDL (kolesteroli i mirë)
Shtypja e lartë e gjakut
Nivele të larta të aminoacidit homocisteinë
Historia familjare për sëmundje të hershme të zemrës
Diabeti
Mbipesha (sidomos obesiteti abdominal)
Nivelet e larta të faktorëve hemostatik
Depresioni dhe sjellet e lidhura me të
Gjinia mashkullore
Inflamimi sistemik
Sindroma metabolike
Në faktorët me bazë stilin jetësor përfshihen:

Dieta me sasi të lartë yndyrnash
Pirja e duhanit
Nivele të ulëta të antioksidantëve në organizëm
Mos aktiviteti fizik
Agjentët infektiv
Mos ngrënja e pemëve dhe perimeve
Pirja e tepruar e alkoolit

Edhe pse shenjat klinike nuk mund të evidentohen deri në moshë të mesme apo të shtyrë, ateroskleroza si një sëmundje komplekse dhe progresive fillon qysh në moshë të re. Ju mund te jeni 40 vjeç dhe me gjendje të mirë shëndetësore, dhe përsëri të keni rreth 50% mundësi zhvillimi të kësaj sëmundjeje gjatë jetës tuaj. Rreziku më i lartë qëndron në faktin se shumë pacientë nuk zhvillojnë simptome të sëmundjes dhe nuk arrijnë të diagnostikohen deri pas infarktit të zemrës apo sulmit ne tru.

Simpotmet dhe diagnoza

Duke qenë një sëmundje që zhvillohet gradualisht, simptomet gjatë fazës së mesme janë pak apo aspak të dallueshme. Zakonisht simptomet nuk paraqiten deri sa arteria është aq shumë e ngushtuar apo e bllokuar saqë nuk arrin të furnizojë me gjak organet dhe indet përkatëse.

Simptomet e fazës së mesme deri të rëndë tek ateroskleroza varen nga arteria që ka prekur.

Nëse aterozkleroza është zhvilluar në arteriet e zemrës (arteriet koronare), simptomet e mundshme janë dhimbje apo presion në gjoks. Kjo gjendje e njohur si anginë ndodh kur muskuli i zemrës nuk furnizohet sa duhet me gjak të oksigjenuar.
Në rastin kur arteriet drejt trurit janë prekur nga ateroskleroza, shenjat përkatëse janë:
Ligështimi i papritur
Paraliza ose mpirja e fytyrës, krahëve, këmbëve, sidomos në njërën anë të trupit
Konfuzioni
Vështirësi në të folur dhe keqshqipëtimi
Humbje e përkohshme e të pamurit në njërin apo dy sytë
Probleme në frymëmarrje
Marramendje, vështirësi në të ecur, humbje balanci/koordinimi
Humbja e vetedijes
Kokëdhimbje e rënde dhe e papritur
Këto janë shenja të sulmit të përkohshëm iskemik, që po u la pa trajtuar mund të pasojë me sulm në tru.

Nëse ateroskleroza ka prekur arteriet periferike (të këmbëve dhe krahëve), ju mund të përjetoni simptomet tipike të çrregullimit të arterieve periferike si dhimbje në këmbë gjatë ecjes dhe mpirje të gjymtyrëve.
Në rastin kur arteriet drejt veshkëve janë prekur nga ateroskleroza, tensioni i lartë i gjakut dhe pamjaftueshmëria e veshkëve janë nga simptomet tipike, përfshirë këtu ënjtjen e këmbëve dhe duarve.

Mjeku juaj do të diagnostikojë aterosklerozën duke u bazuar në historinë familjare dhe mjekësore, ekzaminimin fizik dhe testeve specifike. Shenjat e arterieve të ngushtuara apo të forcuara mund të evidentohen gjatë ekzaminimit fizik. Varësisht nga rezultatet e këtij ekzaminimi, mjeku juaj mund të ju sygjerojë për një apo më shumë teste diagnostike të mëtutjeshme, përfshirë:

Analizat e gjakut
Ultrazërin Doppler
Elektrokardiogramin
Rrezatimin X të gjoksit
Ekokardiografinë
Angiografinë
Stres testin
Teste të tjera si tomografia e kompjuterizuar (CT) dhe rezonanca angiografike magnetike (MRA)
Trajtimi dhe Parandalimi

Ky process vdekjeprurës mund të parandalohet dhe të trajtohet. Ndryshimet në stilin jetësorë si dieta e shëndetshme dhe aktiviteti i rregullt fizik, janë shpesh gjëja më e duhur në parandalimin dhe trajtimin e ateroskleroszës. Megjithatë, ndodh që trajtimi me barna apo me anë të ndërhyrjeve kirugjike të jetë i domosdoshëm poashtu.

Trajtimi me barna

Barna të ndryshme mund të ngadalsojnë, madje edhe të mbrapsin efektet e aterosklerozës. Disa nga barnat më të zakonshme përfshijnë:

Barnat për kolesterolin – Janë këto barna të cilat me mekanizmin e tyre ulin nivelin e lipoproteinave me densitet të ulët (kolesterolin e keq), në këtë mënyrë duke zvogëluar grumbullimin (depozitimin) e yndyrnave tek muri i arterieve, dhe formimin e pllakës yndyrore. Në anën tjetër rritja e niveleve të lipoproteineve me densitet të lartë (kolesterolit të mirë) mund të ndihmojë gjithashtu. I takon mjekut tuaj të përzgjedh mes grupit të statineve apo fibrateve në trajtimin e hiperkolesterolit..
Barnat kundër koagulimit të gjakut – aspirina në doza të vogla (baby aspirin) mund të përshkruhet me qëllim të ulë mundësinë që pllakëzat e gjakut që kalojnë përgjatë enëve të ngushtuara, të mos shkaktojnë koagulim dhe të bllokojnë arterien.

Beta bllokuesit – ky grup barnash përdoret më shpesh në rastet kur ateroskleroza ka prekur arteriet e zemrës (koronare). Keto barna ulin ritmin e zemrës dhe shtypjen e gjakut. Në këtë mënyrë reduktohet kërkesa e indit të zemrës për gjak të oksigjenuar dhe shpesh zbut simptoment e dhimbjes në gjoks.

Inhibitorët e enzimës konvertuese të angiotenzinës dhe bllokatorët e kanaleve të kalciumit – këto barna mund të ndihmojnë në ngadalsimin e procesit të aterosklerozës me anë të mekanizmit të tyre në uljen e shtypjes së gjakut.
Diuretikët – shtypja e lartë e gjakut është një nga faktorët kryesorë në zhvillimin e aterosklerozës. Duretikët janë barna të dorës së parë në trajtimin e hipertensionit.
Ndërhyrjet kirurgjike

Në rast kur ndryshimi i stilit jetësor si dhe marrja e barnave nuk mjafton në përmirësimin e gjendjes, procedura të tjera, procedura më agresive janë të nevojshme. Gjendjet si bllokimi i arteries e cila rrezikon mbijetesën e organit përkates, kanë pasojë të paevitueshme ndërhyrjen kirurgjike. Ndër to janë:

Angioplastika dhe vënja e stentave
Endarteroktomia
Terapia fibrinolitike
Kirurgjia bajpas (Bypass)
Terapia alternative

Mendohet se disa ushqime dhe shtesa ushqimore mund të ndihmojnë në reduktimin e nivelit të lartë të kolesterolit dhe presionit të lartë të gjakut, rrjedhimisht edhe në aterosklerozë. Nëse pas konsultimit me mjekun tuaj keni marrë dritën e gjelbërt, ju mund të konsideroni edhe këto produkte si terapi alternative në trajtimin dhe parandalimin e aterosklerozës:

Acid alfa-linoleik
Elb
Beta sitosterol
Qaji I zi
Kalcium
Kakao
Vaj peshkut
Koenzima Q10
Vaj peshku
Acid folik
Hudhra
Qaji i gjelber
Krunde tërshëre
Sitostanol
Vitaminë C
Informatë shtesë

Ateroskleroza si sëmundje e enëve të gjakut mund të ndodh në cilëndo arterie, por jo edhe tek venat. Pse?

Ateroskleroza edhe pse sëmundje e enëve të gjakut, prek shumë më shumë arteriet sesa venat. Arsyeja prapa kësaj qëndron në rrjedhjen e gjakut me presion të lartë nëpër arterie krahasuar me venat, duke ngacmuar dhe përçarë kështu shtresën e brendshme të enëve dhe në këtë mënyrë krijon një ambient ku elementet si kolesteroli mund të depërtojnë në thellësi.

Konkluzion

Trajtimi dhe avancimet në trajtimin e aterosklerozës kanë reduktuar dukshëm numrin e vdekjeve nga kjo sëmundje. Megjithatë, ateroskleroza vazhdon të mbetet një problemet kritik shëndetërorë dhe i përgjithshëm. Ju mund ta parandaloni apo të ngadalsoni procesin e aterosklerozës dhe pasojat që mbart në vete. Duke bërë ndryshime në stilin tuaj jetësor si dhe duke bërë vizita të rregullta shëndetësore, ju mund të mënjanoni problemet e aterosklerozës dhe të jetoni nje jetë të gjatë e të shëndetshme.

“Megjithatë, ateroskleroza vazhdon të mbetet një problemet kritik shëndetërorë”.

Për më shumë informacione për sëmundjen e Arterosklerozës, ju ftojme të shikoni videon e mëposhtëme. Video është marrë nga youtube.

Copyright: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Besa Emini (University of Aberdeen, University of Antwerp) dhe Detina Zalli.

Referencat:

Aldons J. Luis. Atherosclerosis. Nature. 2000
Libby P., Ridker PM., Maseri A. Inflammation and atherosclerosis. Circulation. 2002
Libby P., Ridker PM., Hansson GK. Progress and challenges in translating the biology of atherosclerosis. Nature. 2011.
http://www.mayoclinic.org/diseases-conditions/arteriosclerosis-atherosclerosis/home/ovc-20167019
Zadelaar S. et al. Mouse models for atherosclerosis and pharmaceutical modifiers. Atheroscler Thromb Vasc Biol. 2007
https://www.nhlbi.nih.gov/health/health-topics/topics/atherosclerosis
https://www.nhlbi.nih.gov/health/health-topics/topics/atherosclerosis (image)
Atherosclerosis and plaque rupture: an update. http://jpma.org.pk/full_article_text.php?article_id=3330
The natural history of atherosclerosis in childhood. http://onlinelibrary.wiley.com/doi/10.1111/j.1749-6632.1991.tb43714.x/abstract;jsessionid=CBCD70B234F739B677C51B36EF0F552E.f01t04
http://www.webmd.com/heart/picture-of-the-arteries#1

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here