AS XHAMAT E THYER DHE AS FATMIR SEJDIU NUK E SHPËTOJNË ISA MUSTAFËN

0
273


Shefqet Dibrani

Polemikë:

Pas zgjedhjes së Hashim Thaçit President i Kosovës me votën e delegatëve nga radhët e LDK-së, të gjithë të pranishmit që bënë kuorum dhe ata që votuan i prenë në BESË votuesit e tyre, me të cilët kishin një kontratë publike me sloganin «Jo me PDK-në». Pas datës 26 shkurt 2016, si asnjëherë më parë është tronditur pozita e Isa Mustafës e cila është lëkundur dukshëm, ndërsa autoriteti i LDK-së ka rënë në fund të pusit. Nëse i shohim xhamat e thyer nëpër zyrat e LDK-së nëpër shumë qendra të Kosovës, ku policia e Kosovës nuk ka arrestuar të kap asnjë të dyshuar, tashmë dyshimi duhet të bie mbi skenarin e keq të Isa Mustafës dhe klanit të tij, për këtë inskenim morbid, vetëm e vetëm për t’ua ndrequr deputetëve dhe LDK-së moralin e thyer?!
Por sikur nuk mjaftoi me kaq, disa nga deputetët që votuan Hashim Thaçin për president, kanë nisur fushatë për kamufluar veprimin e tyre se ishin «për shtetin», se ishin «institucionalist», se «janë me Amerikën, por jo me Rusinë» dhe deklarime të tjera prej ma morbide, që vetëm mendja e njerëzve me moral kaq të vrarë mund të flasin kështu siç flisnin e po flasin disa nga deputetet dhe deputetët, madje duke ua hedh fajin presionit ndërkombëtar që e paskan ushtruar mbi ta menjëherë pas votimit në raundin e parë me që rast Hashim Thaçi nuk arriti të grumbulloj as 50% të votave të gjithmbarshme.
Në këtë vazhdë të luftës speciale, veçanërisht sa herë që Isa Mustafa është në krizë, paraqitet prof. dr. Fatmir Sejdiu, i cili ishte kryetari i LDK-së dhe Presidenti i Kosovës. E kësaj natyre llogaritet edhe letra e tij e datës, 01.03. 2016, e cila shqetësoi të gjithë ata që i duan reformat e rrënjësishme në LDK, por nuk e pranojnë rikthimin e Fatmir Sejdiut në LDK, sepse nuk janë të gatshëm t’i shërbejnë revanshizmit të tij, pasi e konsiderojnë qëndrimin e tij si një lojë e mërzitshme në mes “shefit dhe këshilltarit”, fenomene këto që i kam shtjelluar në mënyrë profesionale në librin «11 MINUTA PARA ORËS ‘00», i botuar në Prishtinë qysh në vitin 2011.
Letra e Sejdiut nuk mund të kuptohet ndryshe vetëm pjesë e skenarit për ta shpëtuar Isa Mustafën, prandaj pat thyerje xhamash, nëpër zyrat e LDK-së, në kohën kur në protesta arritën të dalin vetëm gjashtë nëndegë, nuk doli asnjë deputet të reagoj publikisht dhe asnjë kryetar dege nuk shprehu kundërshtim publik, gjë që ndikoi edhe tek pasiguria e deputetëve se kah duhej të rreshtoheshin. Por letra e prof. Fatmir Sejdiut nuk ishte mirë e menduar, pasi ai është i njohur për deklarata të tilla, për t’ia ruajtur pozitën Isa Mustafës, me të cilin si duket kanë ndarë pazare andaj veprimi i tij përjetohet si një lojë në mes «eprorit dhe ushtarit»?!
Në vend se dr. Fatmir Sejdiu të kërkonte falje për padrejtësitë dhe dëmet kaq të mëdha që ia ka bërë LDK-së dhe Kosovës, ai shpreh gatishmërinë e tij për t’u angazhuar, çka nënkuptohet se LDK-ja duhet të sillet edhe për ca kohë në rrethin vicioz në mes binomit “Fatmir Sejdiu & Isa Mustafa”.
Për të respektuar lexuesin po e publikoj një letër personale që ia kam pas nisur dr. Fatmir Sejdiut qysh më 17 qershor 2014, i cili nuk e ka parë të arsyeshme as të veprojë por as të përgjigjet.
Dr. Fatmir Sejdiun e kam takuar vetëm një herë, dhe atë më 26.05.2015, për ta lutur që me sjelljen e tij oportune të mos e ndihmojë zgjedhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së. Veprimet e tij para Kuvendit të VIII-të janë të njohura, por duhet ma në fund të kupton prof. Fatmir Sejdiu, se koha e tij ka përfunduar?! Pasi askush nuk ka faj ma të madh për ardhjen në krye të LDK-së të z. Isa Mustafës se sa vet ai. Andaj do të ishte mirë kësaj radhe prof. dr. Fatmir Sejdiu të mos i ndihmoj mbetjes edhe më tutje në krye të LDK-së të z. Isa Mustafa.
Një lutje të ngjashme prof. Fatmir Sejdiut ia kam pas bërë, edhe më 17.06.2014, edhe më 26.05.2015, por përmbajtjen e asaj letre tani po e bëjë publike, sa për të besuar elektorati i LDK-së se Fatmir Sejdiu nuk është ai personalitet që e nxjerr LDK-në nga kriza, përkundrazi a mundet vetëm ta thellon krizën në LDK.

St. Gallen, 02.03.2016.


Letra origjinale drejtuar prof. dr. Fatmir Sejdiu që mban datën 17 qershor 2014.

Nga Arkivi personal :
LETËR DR. FATMIR SEJDIUT

Von: Shefqet Dibrani [shefqet.dibrani@bluewin.ch]
Gesendet: Dienstag, 17. Juni 2014 20:15
An: ‘Fatmir Sejdiu:’
Betreff: Letër nga Sh. Dibrani (140617)

I nderuar Fatmir Sejdiu,
fillimisht uroj që Ju dhe familja juaj të jeni mirë, miq dhe të njohur gjithashtu. Arsyeja pse po ju drejtohem me këtë letër është sa e thjesht po aq fisnike!
Zhvillimet politike në Kosovë me theks të veçantë brenda LDK-së janë në gjendje krize dhe në shtendosje e sipër, madje pa rrugëdalje, prandaj unë nuk munda të rri indiferent pa ua nisur edhe juve këtë letër miqësore.
Për mendimin tim, çfarëdo zgjidhje që të ndodhë në krijimin e qeverisë, situata në LDK do të mbetet e brishtë dhe pa asnjë perspektivë, prandaj ju kisha sugjeruar për një mobilizim të gjithanshëm ku ju z. Sejdiu keni mundësi me luajtur një rol të madh dhe shumë pozitiv për ta shpëtuar LDK-në nga shthurja dhe degdisja e mëtejme.
Ju lutem më lejon të ju sugjeroj se është koha për një pozicionim tuajin publik, dhe të sqaroheni se Ju nuk keni ambicie për t’u rikthyer në krye të LDK-së, por duhet ta mbështetni një kandidat tjetër për kryetar të LDK-së, në mënyrë që partisë ti hapën shtigjet e reformave. Nëse mund ta bëni këtë gjest ju garantoj z. Sejdiu se Ju do t’i ndërprisnit të gjitha spekulimet që bëhen rreth personalitetit tuaj në njërën anë, kurse në anën tjetër autoriteti juaj do të ngjasonte me rolin e një misionari që ka qëllim për ta shpëtuar LDK-në dhe Kosovën.
Vetëm kjo mënyrë do t’u hapte rrugë reformave dhe ju do të shndërroheni në një anëtar i LDK-së, më i nderuari dhe i respektuari. Madje është mirë që Ju të hiqnit dorë edhe nga përpjekja për tu kthyer në Kryesinë e LDK-së dhe në Këshillin e Përgjithshëm. Në këtë plan ju keni mundësinë e madhe për t’i eliminuar të gjithë ato personalitete që në kohëra të caktuara juve ua kanë bërë lakun dhe nuk kanë pasur qëndrim të mirë ndaj LDK-së.
Gjithsesi kandidati për Kryetar duhet të jetë nga gjenerata e hershme për ta ruajtur traditën, ku rreth tij do të mund të bashkoheshin më shumë edhe grupe dhe individ të lënë anash apo që janë frustëruar. Unë mendoj se duhet të gjeni mënyra për të biseduar me Jusuf Buxhovin i cili mund të bëjë shumë, bile më shumë se askush tjetër. Pastaj janë kandidat të mirë edhe dr. Rexhep Gjergji dhe dr. Zejnullah Rrahmani, e ndonjë tjetër, ku bashkë me Juve në cilësinë e Misionarit do ta realizonit qëllimin fisnik për t’ia kthyer autoritetin e nëpërkëmbur LDK-së.
Mos t’ju vjen keq, por t’ua shtrirë dorën të gjithëve, kërkoju falje të gjithëve dhe shpëtojeni LDK-në, nga gllabërimi poshtërues që po ia bënë Isa Mustafa i cili me një klan rreth tij, ka qëllim ta rehabilitoj të gjithë legjislacionin e hershme dhe të vona të LKJ, që nuk janë pak.
Prandaj që tash nisni nga puna dhe me t’u certifikuar rezultatet duhet krijuar ekipet që do të nisin punën në terren, për t’u materializuar si duhet kjo iniciativë!
Ju lutem mos ma merrni për të keq këtë këshillë, në të kundërtën më vjen keq nëse ju kam bezdisur!

Me respekt!

____________________
Shefqet Dibrani
9014 St. Gallen
Schweiz (Zvicër)

E.Mail: shefqet.dibrani@bluewin.ch

SHKRUAJ NJË KOMENT