Arti i daltuar…

1
700

Prend Buzhala

Ky vëllim, me titullin kuptimplotë “Arti i daltuar (Arsim Berisha: Gjurmë arti, kulture e jete)” i Ismet Krasniqit e Idriz Berishës, ndahet në tri pjesë. Kur në fillim të një teksti, lexojmë fjalën “trinom” (trinomi bashkon tri gjymtyrë në algjebër, në gjuhësi tri fjalë në një, etj), këtu e na e shpalos metaforikisht përmbajtjen dhe gjithë lëndën e librit. Së këndejmi, ky vëllim, që merr formën e një monografie, ndahet në tri pjesë: “Trinomi artistik i Arsim Berishës”. “Opinione” dhe “Nga shtypi i përditshëm dhe periodik në diasporë dhe Kosovë për artistin Arsim Berisha”.

Në këtë Zvicër të elitës botërore të artit e kulturës, Arsimi jo vetëm që krijon dhe e zhvillon jetën kulturore, artistike e kombëtare, porse ai na e jep njërën dëshmitë më të bukura të shqiptarit atje: se interesat e të mërguarit të Njeriut Tonë atje, nuk kufizoheshin vetëm tek një strehim dosido sa për ta shpëtuar kokën për shkak të përndjekjes politike; këto interesa nuk kufizoheshin as te sigurimi i kafshatës së gojës (për çka kanë mërguar shumica atje). Jo. Sepse Fjala e Parë na është Kosova. Prandaj këto interesa ishin shumë më të gjera: ato shtrihen edhe tek veprimtaria politike e atdhetare (dhe për këtë veprimtari japin dëshmitë e opinionet e tyre mjaft autorë).

 width=

Arsimi (si jo pak mërgimtarë tanë atje) zgjodhi rrugën e tij origjinale: duke e njohur traditën e diasporës shqiptare në Zvicër që nga Aleksandër Mosiu e këndej, ka dashur, që, kështu, të mbesin përgjithmonë të pashkëputshme me vendlindjen, me Atdheun ato fije shpirti e jete. Dhe në jo pak këso veprimtarish, dëgjohet gjithnjë dhe një zë i artikuluar, modest, fisnik, shpirtkrijues dhe shpirtveprues: ai i Arsim Berishës. Nëse tek pjesa e parë shpalosen shkrimet e dy piktorëve Gani Bytyçi dhe Idriz Berisha, duan të vënë në pah, se Arsimi prin me pikturën në punë në artit; janë dhe dy pjesët tjera, në të cilat autorë të shumtë paraqesin, shpalosin, zbërthejnë dhe parashtrojnë veprimtarinë e tij atdhetare, por edhe punën e tij në lëmin e kulturës, të koreografisë, valleve, veprimtarinë e tij në kuadër të asambleve artistike, posaçërisht të “Vatrës” së Bylahut, por e japin edhe portretin e tij si njeri fisnik, humanist, atdhetar e veprimtar. Asgjë të sforcuar nuk ka te këto paraqitje, mendime e opione.

Janë miq të Arsimit, por edhe autoritete nga Zvica e Kosova që e njohin protagonistin e gjallë të kësaj monografie. Kështu, Xhemali Berisha me shkrimin “Katër dimensionet e Arsim Berishës”, Rrustem Selca me shkrimin “Për ne krijuesit në diasporë është kënaqësi që kemi Arsim Berishën”, pastaj Ariana Kosova me “Atdhedashuria në artin e Arsim Berishës”, Don Marjan Marku: “Arsim Berisha posedon një vullnet dhe energji të madhe për artin dhe kulturën”, Ndue Ukaj “Kontributi i Arsim Berishës, piktor e koreograf, dhënë ansambleve simotra në diasporë”, Ismet Krasniqi – LALA: “Si u njoha me artistin e piktorin Arsim Berisha” dhe Nexhmedin Isufi “Për mikun Arsim Berisha dhe Adem Kica: Pikturat e tij përfaqësojnë Kosovën si ambasadoret më të denjësishme” – lexohen jo vetëm si tekste që zgjojnë kërshërinë e paraqitjes së protagonistit të përbashkët nga disa këndvështrime, por edhe si lëndë me vlerë njohëse të diasporës sonë. Se veprimtaria e Arsimit është ndjerë e gjallë gjithandej dhe la gjurmë në kohë, dëshmojnë shkrimet tek pjesa e tretë e këtij vëllimi, si ato të gazetarëve Rexhep Rifati, Mikel Gojani, Blerim Shabani, Hevzi Kryeziu, Sefer Isufi etj. Ndërsa në fund jepet dhe një bibliografi shkrimesh nëpër shtypin tonë e që nuk janë përfshi te ky vëllim.

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar

1 KOMENT

  1. 20.03.2017.
    MIRËDITA I NDERUARI Z. GJIN MUSA.
    TE FALENDEROJ ME ZEMER PER BOTIMIN NE GAZETË “FJALA E LIRË”.
    ARTI I DALTUAR
    ME ERDHI SHUMË MIRË KUR E PASHË
    TË DESHIROJ SHENDET PUNË TE MBARË EDHE NE TE ARDHMEN.
    PERSHENDETJE
    AGRONI.

SHKRUAJ NJË KOMENT