RECENSION PËR LIBRIN NË GJUHËN ITALIANE “GLI ANNI DELL’ORGOGLIO NAZIONALE” (VITET E KRENARISË KOMBËTARE)

0
464
Florim Zeqa - Gli anni Dell'orgoglio nazionale

Florim Zeqa, 21.04.2022

RECENSENT: ATTILIO MIANI

Atdheu mbrohet me çdo kusht, qoftë edhe me jetë!

Attilio Miani
Attilio Miani

E vetmja gjë që prisnim në atë kohë ishte tortura apo plumbi serb, i cili na ndoqi hap pas hapi, por nuk u përkulëm kurrë”.

Me këtë frazë të thjeshtë dhe të fuqishme mund të përmbledhim veprën emocionuese me titull “Vitet e krenarisë kombëtare”, të autorit Florim Zeqa, botuar nga shtëpia botuese Lena Graphic (Prishtinë) në vitin 2020 në shqip dhe në vijim në italisht, libri përbëhet nga një kronologji e ngjarjeve personale, profesionale dhe kombëtare nga ku lind një bashkim origjinaliteti i rrallë, i aftë për të transmetuar tek lexuesi pastërtinë e ndjenjave që sot vështirë përjetohen dhe, në të njëjtën kohë, shumë aktuale në një skenar gjeopolitik në evolucion të vazhdueshëm: ndjenja e atdhedashurisë, dashurisë për tokën, rrënjët, popullin.

Të mbrohet atdheu me çdo kusht, qoftë edhe me jetë.

Rrëfimi i Zeqës nis nga vitet e rinisë së tij, kur plot entuziazëm iu bashkua Forumit Rinor të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Që nga ai moment, duke u përballur me mosmarrëveshje dhe pengesa të shumta, autori – si dhe protagonisti i tregimit – nuk ka pushuar kurrë së luftuari për vendin e tij, i cili, kujtojmë, e mori pavarësinë në vitin 2008 pas pushtimit të gjatë serb.

Vlen të përmendet veçanërisht angazhimi i tij në arsim, me punën e tij në shkollën fillore “Azem Bejta” në Grabanicë.

Guximi dhe peripecitë e punës së Zeqës hapen për reflektim për rolin e mësuesve në periudhën më të vështirë për Kosovën, në të cilën liria kaloi edhe përmes edukimit të gjeneratave të reja.

“Të jesh pedagog në atë periudhë historike ishte një sakrificë dhe një sfidë e vështirë, sepse përballja me regjimin serb ishte e drejtpërdrejtë dhe e përditshme”, shkruan autori, duke zbuluar detaje të veprës së tij që dëshmojnë për gjithë sakrificën intelektuale dhe morale të mësuesve kosovarë të asaj kohe.

Një nga betejat më të vështira që bëheshin në atë kohë, për shembull, konsistonte në mbrojtjen e emrave të institucioneve shkollore, mbrojtjen e tyre nga skllavërimi ideologjik i regjimit serb.

Por lufta për pavarësi, siç u përmend më lartë, nuk u kufizua vetëm në “betejë intelektuale”, por me mbrojtjen e fuqishme të lirisë për të afirmuar dhe lartësuar etninë e vet.

Ka nga ata që u është dashur të paguajnë me gjakun e tyre dhe ndonjëherë edhe me jetën e tyre. Kështu e ka parë dhe përjetuar vetë autori në pushtimin serb të vendlindjes së tij, Bokshiqit, më 23 shkurt 1993.

Një datë e gdhendur në kujtesën e tij si momenti më i vështirë i ekzistencës së tij, por që në të njëjtën kohë forcoi moralin dhe ndjenjën kombëtare, duke u ngritur një rezistencë paqesore ndaj shtypjes mizore të pushtuesve serb.

“Sa më shumë ushtronin dhunë kundër meje, aq më i fortë dhe më i guximshëm bëhesha”, kujton Zeqa, duke iu referuar një kontrolli dhe keqtrajtimi të përjetuar nga forcat e armatosura serbe, të cilat e kishin maltretuar atë fizikisht dhe psiqikisht teksa po udhëtonte me autobus.

Veçanërisht prekëse në këtë kuptim janë, për më tepër, historia e disa momenteve të jetuara të autorit me të atin dhe nderimi për Ali Zeqa, i cili vdiq në moshën 65-vjeçare në spitalin e Pejës për shkak të lëndimeve të rënda fizike të shkaktuara nga serbët.

Edhe pse pushtetarët politikë nuk e përmendin, ky njeri ishte një dëshmor i vërtetë “i orëve të para”, duke u flijuar për lirinë e Kosovës; kujtimi i tij dhe i të gjithë të rënëve duhet nderuar, respektuar në mënyrë solemne, ndërkohë që shpesh, siç denoncohet nga autori, indiferenca është e shfrenuar dhe mbizotëron si në radhët e qytetarisë ashtu edhe në ato të politikës.

Nuk është për t’u habitur që historia e Zeqës përfundon me një reflektim të hidhur për kushtet aktuale në të cilat ndodhet Kosova, në mëshirën e interesave të fuqive të mëdha botërore dhe manipulimeve të cilave iu nënshtrohet rajoni i Ballkanit, një nga më të cenuarit nga pikëpamja gjeopolitike.

Edhe ndjenja e solidaritetit dhe vëllazërisë që kishte karakterizuar tranzicionin e trazuar drejt pavarësisë duket se është zbehur, tashmë e zëvendësuar nga idealet e një shoqërie të bazuar në individualizëm.

Por nuk ka humbur gjithçka, sugjeron autori, duke kujtuar një figurë tjetër emblematike: atë të Miftar Sejdiut, një intelektual dhe veprimtar i përkushtuar dhe i palodhur që luftoi për vendin e tij në periudhën më të vështirë, nga paslufta e dytë deri në vitin 2006 (viti i vdekjes së tij).

Atij i detyrohemi një citat të veçantë dhe domethënës, një frymëzim i fortë për të gjithë ata që luftojnë për vlerat e tyre morale dhe lirinë e vendit, me të cilin dëshirojë ta përfundojë recensionin për librin e autorit Florim Zeqa: “Nëse jeni nisur një rruge, mos u ktheni, edhe nëse hasni në vështirësi, sepse mbërritja në destinacion do t’ju shpërblehet”.

(Attilio Miani, drejtor i International Web Post)

Dërguar për publikim nga autori i librit: Florim Zeqa, 21.04.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.