…Karagjoz??… …A fenomen??… Fenomeni “Luiz Ejlli”

0
315
Fenomeni Luiz Ejlli

Albert Vataj

Ai është Luiz Ejlli, një shkodran tipik, i talentuar dhe me aftësi të pashpjegueshme, për të qenë gjithnjë në fokus dhe për të rrëmbyer një adhurim popullor të pagjasë.

Ai është në apogje, duke soditur dhe shijuar atë çfarë ka arritur. Nuk ka më të famshëm se ai, sot për sot. Ka rrëmbyer përdhunshëm shkëlqimin e një ylli, duke sfiduar të gjithë mbretërimit e kultit të individit, që ishin jo pak. Si një fenomen befasues televiziv, ka kapërcyer çdo cak dhe rrëzuar çdo pretendim. Për të flitet gjithkund ku flitet shqip, dhe jo vetëm. Janë krijuar këngë e kanë ardhur në jetë vepra arti, dedikuar atij. S’guxon të hapesh rrjetin e masmedias, sepse ai është aty në të gjithë lakimet e mundshme. E dashurojnë marrëzisht dhe e urrejnë për vdekje. Gjithçka e skajshme i rrethvjen atij.

Çfarë ka ndodhur?

Kësaj pyetjeje askush nuk i jep një përgjigje. Ka prej atyre që e injorojnë si realitet televiziv dhe shoqëror, por pa mundur ta shkulin prej tabanit të së sotmes. Ai ka arritur t’u bëjë magji edhe atyre aliazheve më rezistente njerëzore duke i bërë ata për vete. I ka pataksuar të gjithë edhe pse askush nuk e pranon, se ka kontribuar që kjo pagjasshmëri të ndodh, pavarësisht larmisë së sharjve, ironive, cinizmit dhe deliriumit anatemuese, që disa koka të mençura kanë përdorur si benzinë për të shuar zjarrin që desh mori dynjanë.
Nuk e teproj nëse them se ky tip, jo tamam për fajin sikurse as për aftësinë e tij, i ka budallepsur, manipuluar dhe mrekulluar njerëzit në një masë gati të pashpjegueshme.

Asnjë “viktimë” e këtij zombizmi, nuk do të jetë në gjendje të shpjegojë, se ai, një karagjoz si Luiz Ejlli, ka arritur të rrëmbejë, jo vetëm kohën por edhe zemrën e shumë e shumë, të llojit njerëzor.

Një hipnotizim i përmasave të tilla, ishte, është dhe do të mbetet për një kohë të gjatë fron i parrëzuar. Ajo që arriti Luiz Ejlli, përmes kësaj mundësie që ishte e tillë për të gjithë ata që bashkëjetuan me të në këtë shtëpi të supersurvejuar, nuk besoj se ka lidhje me formatin, se sa me vetë individin. Kësisoj, do të ishte naivitet nga ana ime, të besoja se ky tip, pavarësisht vitalitetit dhe integritetit artistik dhe intelektual, të jetë i aftë që përmes një shqise shtesë të magjeps në masë kaq të madhe njerëzish të tipave dhe karaktereve, sa të ngjashme aq dhe të ndryshëm nga njëri-tjetri.

E kam të lëkundur besimin se ky magnetizim t’i referohet aftësisë së Luiz Ejllit; si këngëtar, aq më pak si kërcimtar, si elekuen në një debat, e aq më pak si komik, si kavalier galant në përkushtim, aq më pak si vetëmohues në një marrëdhënie. Ai nuk është i përsosur në asgjë, siç nuk mbetet rreptësishtë korrekt edhe marrëdhënia apo komunikimi rutinor i tij me banorët e tjerë shtëpisë së Big Brother VIP.
Se ç’është ai, as ai vetë nuk është në gjendje të na tregojë, por se çfarë arriti, ka mjaftuar që të shokojë të gjithë, të urtët e të lajthiturit.

Pa diksutim, Luiz Ejlli, nuk është vetëm fitues i edicionit të dytë të Big Brother VIP Albania, por mbetet fenomeni më atipik i kësaj ngjarjeje televizive. Ai arriti të shtynte tej caqet e së mundshmes të një RealityShow, jo vetëm duke rrëmbyer një interesim historik, absolutisht të pakonkurrueshëm për shumë kohë, por edhe duke instaluar në vetëdijen kolektive një model adhurimi, krejt diçka tjetër ngase konsumimi i kohës televizive gatuan e servir.

Askush nuk do ta besonte që një personazh i tillë të katapultohej kaq lart në qiellin e famës. Pak prej nesh arrin të deshifrojë përmes një logjike racionale, mënyrën se si kjo dukuri humane të shndërrohej në fenomen. Natyrshëm që ekspertët mund dhe duhet të kenë diçka për të thënë, por gjithëpoaq, ai, Luiz Ejlli do të mbetet i padeshifruar, për mënyrën se si u shndërrua në ikon.

Nuk jam i mendimit se mes atyre që kanë për të thënë diçka, të mund të thuhen të gjitha, sepse jo pak, ky përvijim ka tentuar dhe ka arritur të shkallmojë të gjithë kufizimet e rrokshmërisë arsyetuese të qenë në zotërim. Ata që do të ngrenë supet, sikurse edhe ata që do të dorëzohen, me mohimin e një pohimi, do të lënë pas shumë mister. Kjo jo për aftësinë e Luiz Ejllit, si një banor i shtëpisë Big Brother VIP, si supervital në një marrëdhënie bashkëjetese, as për mënyrën se si algoritmi i kundërvihet logjikës kolektive, por për një përjashtim që sfidon rregullin.

Luiz Ejlli është një arsye për t’u konsideruar dhe trajtuar si fenomen. Mënyra se si ai rrëmbeu interesimin e miliona njerëzve është një befasi, por jo një rrufe në qiell të kthejellët. Ai nuk ishte as i pari, siç nuk do të jetë as i fundit, që sfidon veten në një format të tillë RealityShow. Por arritja e tij për një kohë relativisht të gjatë do të mbetet të pakonkurrueshme dhe kjo në kundërvënie të të gjitha parakushteve.

Luiz Elji është tashmë një fenomen televiziv, social, shoqëror dhe psikologjik. Ndoshta nuk është e nevojshme të përdoret si një kavie sociale, për të zbuluar sekretet se si ky VIP të shndërrohet në gjithçka që ishte ky format.

Ai nuk pretendon se meriton të rrëmbente gjithë këtë qiell të famës, por s’ka arsye të hezitojë të pranojë veten si një shkas në këtë ngjarje televizive dhe afeksioni. Gjithëkjo që u bë tashmë pronë e tij nuk mund ta përjashtojmë si një zgjedhje fati. Në të si njeri, si artist, si qenie sociale, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, por mënyra se si ai depërtoi për të zënë vend kaq thellë në adhurimin e njerëzve, pavarësisht përkatësisë gjinore e moshore, sociale apo religjioze, nuk është krejt e thjeshtë për tu shpjeguar.

Për supërsticiozët, Luiz Ejlli është një prekje fati, është një vullnet njerëzor, i cili në një vetëbesim sfidues i shndërron energjitë potenciale të universit në fuqi të së sotmes, për rrëmbyer një fron në panteonin e famës.

U adhurua si një vullnet i hyjshëm njerëzor, siç u urrye dhe u sulmua brutalisht, megjithatë ai arriti të ngjitej shumë lart, aq sa të mos mund të mbërrihej nga çdo qëllesë dashakeqe dhe baltosje trazimtare. Pavarësisht se si mendon një palë dhe gjykonin një tjetër, ai ishte aty ku nuk do të mund të shpërblehej askush më parë, ai u ngjit lart, shumë lart, duke ecur në shkallaren që adhurimi ynë ngriti.

Tashmë që Big Brother VIP 2 ka mbyllur siparin, duke shpallur fitues një ndër banorët më atipik të kësaj shtëpie, Luiz Ejlli, ajo që mbetet për t’u trajtuar si fenomenologji, padyshim është ky banor, i cili për kaq shumë ditë u shndërrua në një fenomen, pavarësisht se si u prezantua, si u sulmua dhe si mbeti gjithnjë në krye të klasifikimit si banori më i preferuar i shtëpisë së Big Brother VIP. Gjithëkjo është një diçka që meriton vëmendje dhe trajtesë shteruese, ndoshta jo dhe aq për të zbritur atë nga froni, se sa për të gjetur një shpjegim racional në mënyrën irracionale, se si ai arriti të ngjitej aq lart, se si ai u shndërrua në një fenomen televiziv, po aq sa një përjashtim logjik.

Ai ishte dhe mbeti deri në fund një shkodran që meritoi dhe mori një mbështetje sfiduese, jo dhe aq për përkatësinë krahinore, se sa për dhunti dhe aftësi për të treguar se si mund të fitohen betejat e jetës me tolerancë, me zemërgjerësi dhe me shpirt vital.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.