APOLOGJETËT NË FUSHËN E GAZETARISË

0
493

APOLOGJETËT E ISA MUSTAFËS (3)

Përpjekja për të mbrojtur me çdo kusht dështimin e Isa Mustafës, duke i atribuuar atij merita të paqena është apologji, ndërsa ata që mbrojnë këtë mendim janë apologjet.

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Apologjetët në fushën e gazetarisë përforcohen edhe nga një treshe karakteristike e cila mbron Isa Mustafën edhe atëherë kur ai nuk e ka mirë, nuk ia qëllon, madje edhe atëherë kur ai s’ka sukses. Këta apologjetë edhe në kohën e nomenklaturës komuniste kanë qenë të tillë dhe në mbrojtje të zyrtarëve popullor. Ndërsa ardhja e Isa Mustafës në krye të LDK-së i ka trimëruar apologjetët e strukur të cilët rikthehen nga një kohë e harruar. Edhe pse dihet se Ai ka ardhur mbi shkelje të standardeve demokratike, përsëri apologjetët e mbështesin, duket mos u hëngër palla për fytyrën e as për proceset.

Ata janë në krye të misionit për të mbrojtje doktrinën e tyre, por edhe për ta përmbysur demokracinë popullore dhe për t’i prolonguar proceset e reformimit të brendshëm partiak. Në këtë kohë, gazetarë të tillë janë shumë, por qëllimisht u përcaktuam vetëm për këta, sa për të përshkruar karakteristikat e apologjetëve të cilët sikur kanë bërë plagjiaturë nga “Shkolla e Komandantëve të Hotel ROGNER”, kurse Shkolla e Apologjetëve Pacifist nga Hotel EMERALDE, drejton demokracinë në Degën e LDK-së në Zvicër?!…

Në këtë mënyrë ata i shpikën “faktet?!” me të cilat i sajojnë rrenat për procesin zgjedhor në Degën e LDK-së në Zvicër. Pavarësisht asaj se deri më tash nuk kanë gjetur asnjë dokument që flet për keqpërdorime, madje nuk shqetësohen pse kryesia qendrore e LDK-së në Prishtinë dhe zvarranikët e tyre në Zvicër, nuk janë të gatshëm, nuk kanë kuraje dhe as nuk kanë guxim për të dialoguar, ngase Isa Mustafa dhe vartësit e tij e kanë refuzuar dialogun për përballje me dokumente e fakte, andaj apologjetëve iu mjafton të marrin urdhra nga kuluare të nëntokës për të mbështetur struktura për të cilët flitet se prokuroritë në Kosovë janë duke i hetuar.

Por siç e theksuam më parë, atyre iu mjafton një sinjalizim nga nëntoka për tu lëshuar si një lukuni ujqërish të tërbuar, për të derdh vrer e për të prolonguar një proces të rregullt dhe demokratik. Askund etika gazetareske nuk thotë se për interesa personale duhet me ia dhënë krahun së keqes, falsifikimit dhe diletantizmit i cili po lulëzon, bile me teprim edhe brenda vet strukturave të LDK-së.

Përfaqësues më tipik i apologjetit vullnetar është Skënder Zogaj, emri i të cilit për LDK-në u bë i përfolur me rastin e skandalit në Zyrën e Kosovës në Tiranë, në vitin 1994, atëherë kur ky tip apologjeti i shërbente me besnikëri dr. Bujar Bukoshit, natyrisht për ta kundërshtuar dr. Ibrahim Rugovën, gjë që fytyra e tij prej demokrati vazhdimisht duhet të shikohet nga ky kontekst, veçmas kur thotë se i respekton institucione?! Prandaj do të ishte më e ndershme që pështjellësi Skënder Zogaj, të fliste atë që din për disa ngjarje që kanë përfunduar me fatalitet tragjik, qoftë në Tiranë, në Koshare ose në Prishtinë.

Është turp të heshtë vet dhe t’i shanë për turp të tjerëve nëse ata flasin, nëse ata e thonë të vërtetën, qoftë sa për ta mbrojtur vetëm dinjitetin e tyre. Ndoshta Skënder Zogajn, kur ka shkruar për “Turpin”, në gazetën “Bota Sot | 23.06.2016”, ka menduar se nuk duhet të mbrohen 56 vjetët përplot dinjitet, dhe as të mbrohen tri dekadat veprimtari të bujshme, pa rënë në grackën e yshtjeve dhe shtytjeve të cilat pak kush iu ka shpëtuar.

Por apologjeti i Isa Mustafës mund ta dinë se si dikur djelmoshat e Ibrahim Rugovës i nxirrnin zvarrë nga Zyra e Republikës së Kosovës në Tiranë apologjetët e Bujar Bukoshit, prandaj do të ishte ma e ndershme të rrëfeheshin ato bëma të nëntokës për të cilat mund t’i dijë vetëm ai, dhe ta lë rehat Degën e LDK-së në Zvicër, pasi në Kuvendin e VIII-të zgjedhor nuk ka pas parregullësi të cilat kanë lënduar një proces zgjedhor. Andaj apologjeti në fjalë të mos shpif, por le t’i thurë elozhe sa të dojë Isa Mustafës, për punësimin e bijve të tij nëpër institucionet shtetërore të Kosovës, por s’ka asnjë arsye të merret edhe me Degën në Zvicër për të cilën ka mësuar vetëm nga rrjetet sociale, ndërsa kontributi i tij është i ngjashëm me atë që e kanë bërë dikur Komandantet e Rognerit në Luftën e Kosovës.

Demokracia nuk është sorrë laraskë dhe për faqe të zezë, që mund të shihet herë zi e herë edhe ma zi, por asnjëherë drejt e mirë. Demokracia është koncept i konkurrencës dhe i votës së lirë, andaj nuk duhet me u bërë mizevir, për të mbajtur derës mbi gazetarinë sepse në vendet perëndimore nuk cenohet personaliteti i askujt, aq më pak i gazetarit, prandaj edhe AGK duhej të mos lëshonte deklarata joprofesionale dhe selektive, sikurse që nuk duhet as apologjetët të shkruanin e trillojnë pa lidhje se nuk është etikë gazetareske, aq më tepër për t’i akuzuar kolegët gazetar, të cilët nuk ushtrojnë funksione politike, nuk janë zyrtar shtetëror, nuk kanë funksione ndaj të cilëve mund të shpifet deri në këtë shkallë.
Për një gazetar e vërteta publike duhet të jetë parim themelor, kundër së cilës për fat të keq duket se janë apologjetët e sojit të Skënder Zogajt?!

E kjo kundër, lidhet drejtpërdrejt me misionin e tyre në shërbim të politikave të nëntokës që nga koha e kryeministrit të qeverisë së Kosovës në ekzil dr. Bujar Bukoshi, e deri tek kryeministri i tanishëm i Republikës së Kosovës dr. Isa Mustafa, sepse askush nuk do ketë mundësi asnjë fjalë, asnjë veprim të keq të zbuloj diçka të lig a të dëmshme, por vetëm nëse fusin në funksion rrenën, shpifjen dhe intrigën për ta shantazhuar, diskredituar e linçuar njeriun dhe qëllimin e mirë. Ky është turpi, jo fjala e vërtetë, pavarësisht kujt i drejtohet ajo. Apologjetët e zhytur në shërbimet e nëntokës mbajnë derës patetik në shërbim të politikave dështuese, sidomos kur i përkrahin grupet jo formale që kanë synim për ta shkatërruar Degën e LDK-së në Zvicër, madje duke mos u shqetësuar fare pse janë bashkuar me emrat për të cilët thuhet se janë nëpër listat e prokurorëve dhe flitet se kanë bërë keqpërdorime të shumta.

Një defekt i dukshëm shihet tek apologjeti Skënder Zogaj kur e cilëson gazetën “Bota sot – tribunë gjithëkombëtare”, për të cilën kujton se edhe të tjerët si vet ai paskan thurur elozhe e glorifikime të paqena. Më duket se ai nuk kupton se parashtesa “gjithë” është burokratizim i fjalës së bukur komb, andaj ia sqarojmë se nuk ka “gjithëkombëtar” por ka vetëm kombëtar, përjashtojmë rastin nëse Ai bashkë me Isa Mustafën dhe disa zvarranik në Zvicër përbëjnë ndonjë komb tjetër, në të kundërten nuk ka nevojë të burokratizohet fjala e bukur komb, përkatësisht e njëjta logjikë vlen edhe për shprehjen e bukur popull/ore.

Në këtë vazhdë të apologjetëve në fushën e gazetarisë janë edhe dy gazetarë të tjerë të cilët edhe pse duken të strukur, edhe pse duket se kanë raporte armiqësor në mes vete, apologjia e tyre në mbështetje të Isa Mustafës puçet në një pikë. Edhe ata, po na i kujtojnë komandantët nga Hotel Rogner që udhëhiqnin nga atje Luftën në Kosovë, këta apologjet po i përkrahin nga Prishtina grupet e dështuara në Degën e LDK-së në Zvicër, duke qitur në pah tërë demagogjinë e tyre për të vërtetën që shkruajnë.

I pari është apologjeti i cili jeton në qytetin Historik të Kosovës, shquhet me nostalgjinë e tepruar për Isa Mustafën duke i justifikuar të gjitha dështimet e tij. Ky lloj specie, në ditën kur mbahej Kuvendi i Punës i LDK-së, më 28 maj 2016, në hollin e Hotelit Emeralde, me syze të errëta mbi sy, sikur orkestronte rolin e UDB-ashit, gjë që sikur ai ti kishte dy kokrra mend, do të t’i fuste të gjitha dijet e tij në funksion për të gjetur përkrahje nga qytetarët e Kosovës, sa për t’i zgjidhur problemet e mëdha sociale që ia ka ngarkuar Zoti me mjaftë bollëk.

Po me këtë avaz i mbështet veprimet e Isa Mustafës edhe një apologjet që drejton një gazetë elektronike në Prishtinë, i njohur si nostalgjik i strukturave komuniste që nga viti 1981, prandaj edhe në LDK ka aderuar vetëm pasi Isa Mustafa është bërë kryetar i LDK-së. Në këtë përpjekje për ta përkrahur shefin e tij, ai ka publikuar në mënyrë selektive dhe të njëanshme shkrime, deklarata dhe shpifje të grupeve joformale të cilat janë frustëruar nga humbja në një proces të rregullt që ka ndodhur në Kuvendin e VIII-të të Degës së LDK-së në Zvicër. Prandaj apologjetët e këtij sektori do të ishte mirë t’i shikojnë shkrimet e tyre sepse e nesërmja mund t’iu hakmerret me pasoja të rënda për jetën dhe karrierën e tyre profesionale.

St. Gallen, 03 korrik 2016.

SHKRUAJ NJË KOMENT