ANALIZË E PËRGJITHSHME E ROMANIT “SKËNDERBEU” TË SHKRIMTARIT SABRI GODO

0
3555

HYRJE

Vepra Skënderbeu e Sabri Godos sintetizon përvojën, modelet, mjetet dhe rezultatet e letërsisë së pasur, qoftë artistike, qoftë historiografike, që u krijua për Skënderbeun. Si vepër letrare, ajo përmbledh ndërmarrjet e shumta artistike dhe historiografike për të ndriçuar në mënyrë të plotë dhe të shumanshme personalitetin e madh të Skënderbeut. Sado që më veçoritë poetike dhe me strukturën kompozicionale, Skënderbeu i Sabri Godos është roman i personazhit, megjithatë, këtë vepër letrare duhet parë si një ndërmarrje artistike për të krijuar një ‘’roman epoke’’ për kohën më të lavdishme të mesjetës shqiptare, një roman shumëplanësh, me ngjarje, subjekte, karaktere dhe nënshtresa të shumta. Mirëpo, tendencën për të krijuar një roman epoke e ka penguar besnikëria e madhe ndaj faktit historik, kufizimi i fiksionit artistik nga dokumenti historik dhe nga memorja e fortë historike.

BESNIKËRIA E MADHE NDAJ FAKTIT HISTORIK

Autori bëmat e Skënderbeut i ka shikuar me besnikërinë dhe me idealin e së vërtetës prej historiani; ka ndjekur hap pas hapi kronikën e luftërave të tij kundër Perandorisë osmane, marrëdhëniet diplomatike me Venedikun dhe me fqinjtë e tjerë; ka përshkruar në mënyrë ekstensive organizimin ushtarak të betejave të ndryshme, shpeshherë, të thuash, me gjuhën e historianit. Në vepër janë të shpeshta pasazhet e ligjëratës shkencore, siç është rasti me shembullin e mëposhtëm:

“Aristokracia e re, e rritur në vitet e pushtimeve të vrullshme, e dalë nga radhët e rajave, për të hyrë në klasën sunduese ushtarake të spahinjve, e nganjëherë për t’u ngjithur në rangjet e gazinjve dhe të oborrtarëve të lartë, iI shihte luftërat si një bekim të zotit dhe kërkonte gjithnjë e më tepër vend në ushtri dhe në punët e shtetit. Po vend nuk lëshonte fisnikëria e vjetër, që i donte të gjitha për vete (Turqinë dhe çdo pëllëmbë tokë që pushtohej, ofiqet, pasuritë dhe koncesionet). Kjo përleshje nën jorgan që po shkallmonte shtetin, s’mund të rreshtej me të butë e me dekrete”.

Kjo ligjëratë do t’i shkonte penës së historianit, i cili, me mjetet, instrumentet dhe me nocionet e shkencës, do të zbulojë arsyet e ngritjes, të lulëzimit dhe të çthurjes shoqërore dhe ekonomike të Perandorisë osmane. I bindur për funksionin njohës të letërsisë si funksion i parë, shkrimtari i kushton rëndësi të madhe faktit dhe dokumentit historik, që e gërsheton me fiksionin artistik.

FIKSIONI ARTISTIK NË SHËRBIM TË FAKTIT HISTORIK Trillimi artistik, që buron nga vetë natyra e letërsisë si art i fjalës, i nënshtrohet dokumentit historik dhe është në pozitë shërbyese ndaj tij. Jo një hërë, fiksioni nuk ka funksion tjetër, veç ilustrimit të dokumentit historik, veç rikrijimit të atmosferës në të cilën ka ndodhur lufta dhe ngjarjet e tjera, që i ka shënuar edhe kronika historike. Autori është i bindur, po ashtu, se përvoja estetike ka rëndësi të madhe për njohjen e realitetit historik. Përvojën, gjuhën, modelet dhe mjetet artistike i konsideron shkallë të parë të njohjes së jetës, të cilat i paraprijnë njohjes racionale. Njohja racionale, në anën tjetër, ka mundësi dhe instrumente më të sigurta për zbulimin e së vërtetës historike. Për këtë arsye, edhe tablot, detajet dhe skenat e ndryshme që janë prodhim i mirëfilltë i trillimit artistik u paraprijnë ose vijnë pas dokumentit dhe ngjarjeve të ndryshme që dihen si fakte të kryera.

Dokumenti historik, i cili ilustron skenat dhe pamjet e trilluara, kryen funksionin e fusnotave shpjeguese. Pavarësisht nga fakti sa a u jep përparësi kategorive, modeleve dhe mjeteve artistike, apo kategorive, instrumenteve dhe mjeteve të njohjes racionale të realitetit historik, autori tregon vetëdije të shquar estetike me vetë procedimet stilistike që na e bëjnë të ditur se autori-narrator ka bindjen se lexuesi i sotëm nuk i beson më modelit didaktik-iluminist të letërsisë, trillimit të pabazuar në ligjësitë e brendshme artistike dhe në dokumentin historik, apo kulturor, aventurës dhe lojës së lirë të imagjinatës së shkrimtarit. Shkrimtari sikur është i bindur se lexuesi i beson më shumë dokumenit sesa trillimit tërheqës, më shumë i beson faktit sesa ligjëratës patetike të përsonazhit kryesor, qoftë ky edhe Skënderbeu. Autoriteti i shkrimtarit ruhet me thellësinë e mendimit, me shkathtësinë e provës dhe me gjuhën pa patetikë dhe pa retorikë. Edhe pse i jep përparësi njohjes racionale të botës, Sabri Godo beson në mundësitë e instrumenteve, të modeleve dhe të mjeteve të artit. Përvoja historike e njeriut, e cila gjithnjë vjen duke u pasuruar, nuk mund të shprehet vetëm me kategoritë e dijes, sepse ajo përcillet brez pas brezi në trajtën e fillesave dhe të përmbajtjeve mitologjike dhe artistike.

NDËRTHURJA E FAKTIT, E MITIT DHE E TRILLIMIT ARTISTIK

Autori na e thotë se historia, jo njëherë, ka vepruar si mit dhe se miti është një formë e njohjes së botës. Për këtë arsye, në veprën e vet ai i ndërthur dhe i gërsheton faktin, mitin dhe trillimin artistik, i vë ballë për ballë me njëri tjetrin dhe jep rezultatin e bashkëveprimit të tyre. Miti ka bazën e caktuar shoqërore që e prodhon dhe, kur ai merr trajtën e vet të plotë, merr vlerë bindëse aq sa bëhet fuqi materiale. Të vetëdijshëm për vlerën virtuale të mitit, makineritë ushtarake e shfrytëzojnë, e orientojnë dhe e kultivojnë edhe më tej.

Në romanin Skënderbeu të Sabri Godos, funksionalizimin e mitit për nevojat e pushtuesit e shohim kur është puna e paraqitjes së moralit të ushtrisë së Perandorisë osmane. Fillesat mitologjike që i përpunon dhe i aktivizon makineria ushtarake turke kanë bazën e tyre në nocionet, në idetë dhe në sistemet abstrakte filozofike religjioze; ideja e Islamit, e kthimit të kaurrëve në udhën e zotit, e qytetërimit të barbarëve, gjysmëhëna, e të tjera, në emër të të cilëve pushtohen vendet e popujt e ndryshëm. Në të vërtetë, në fillesat dhe në përmbajtjet mitologjike që kanë karakter tejkohor dhe, të cilat përbëjnë substratin jo vetëm të vetëdijes gjuhësore të veprës, por edhe të sistemit të motivacionit të personazheve, qëndron karakteri i hapur i realizmit të romanit të Sabri Godos.

Autori na e thotë se historia nuk ka karakter ciklik, po disa forma përmes të cilave materializohet përmbajtja e saj, përsëriten vazhdimisht. Që nga kohët e moçme pushtimi i popujve të ndryshëm është bërë në emër të ideve, të filozofive, të qytetërimeve, të feve dhe të kulturave të ndryshme. Në të vërtetë, në fillesat dhe në përmbajtjet e ndryshme mitologjike, autori sheh mundësitë e komunikimit të së kaluarës me të sotmen, të vënies në dukje të përmbajtjeve historike dhe të paralelizmave kohorë. Miti, sipas Jungut, është formë e individualizimit të njeriut. Fillesat dhe procesi i formimit të tij shprehin procesin e strukturimit të vetëdijes kolektive.

Sabri Godo na e thotë shprehimisht bazën materiale të lindjes, të formimit dhe të veprimit të mitit. Duke përshkruar ndryshimet e mëdha që kishin ngjarë në gjirin dhe në psikologjinë e popullit në kohën e Skënderbeut, autori-narrator, që nuk i përket botës letrare, thotë se
“transformimi i tij i thellë (i popullit) kishte ardhur nga burime të brendshme të lashta, si edhe nga kushtet e kohës që i nxori lufta në shesh.” Kushtet e kohës diktojnë që Skënderbeu të vishet me aureolën mitike. Prandaj, i njëjti narrator thotë se “Skënderbeu habitej me hollësitë që dinin rreth punëve dhe fjalëve të tij edhe në kullat më të largëta.

Sipër vatrave shihte qëndisje e punë dore, të vetmet stoli të banesës, me shqipen e zezë të Kastriotëve, me vetë Skënderbeun, tek shfaroste ushtritë e pafundme të armikut me shpatën e zjarrtë të Shëngjergjit kryeengjëll, i shkelte këto ushtri me potkonjtë e kalit, i ngrinte në vend me rrufetë që lëshonte nga sytë. Populli kishte filluar të thurte për të mrekulli të paqena dhe ai mbetej keq kur duhej t’i përgenjeshtronte ato, se njerëzit e shikonin me dyshim. Ata besonin atë që kishin në shpirt dhe ishin gati të jepnin ‘’prova’’ atij vetë se ashtu kishte ngjarë dhe fyheshin kur kujtonin se ai nuk e tregonte të vërtetën.”

Me gjuhë diskursive Sabri Godo e shpjegon lindjen e mitit dhe fuqinë e tij vepruese. Ai, nga pozita thellësisht shkencore, e konstaton karakterin iracional të mitit. Miti, prandaj, konsiderohet vetëdije e shtrembëruar e njeriut, në njërën anë, dhe gjuhë e një modeli të tërë të letërsisë, në anën tjetër. Në veprën e Sabri Godos miti është humbje e ndjenjës për të vërtetën, projeksion ireal i dëshirave dhe i aspiratave të popullit në Idenë kolektive.

I krijuar njëherë, ai bëhet model i shikimit dhe i parafytyrimit të realitetit dhe, si i tillë, nuk pranon faktet pozitive e empirike. ‘’Ata besonin atë që kishin në shpirt, thotë autori-narrator, dhe ishin gati t’i jepnin “prova” atij vetë (Skënderbeut) se ashtu kishte ngjarë dhe fyheshin kur kujtonin se ai nuk u tregonte të vërtetën.’’ Struktura e vetëdijes mitike përcakton edhe strukturën e përjetimit të botës dhe bëhet, jo vetëm model i qëndrimit, por edhe i pranimit të realitetit. Në kushtet e vetëdijes mitike, njeriu i mitizon të gjitha kategoritë antropologjike. Prandaj Skënderbeu e kupton se ‘’tani punët kishin arritur në një pikë, kur lidhjet e tij me këtë popull kërkonin medoemos një drejtimtë caktuar.”

Filozofët e thonë se në mjedisin shoqëror në të cilin struktura mitike e vetëdijes është qëndrim ndaj realitetit, realizmi është profetizim.
QËNDRIMI REALIST I AUTORIT NDAJ TË KALUARËS Skënderbeu e kishte mjaft të theksuar ndjenjën e realitetit. Ai, si strateg dhe ushtarak, si kryezot dhe luftëtar, e ndjen pulsin e masës dhe i kupton rrethanat objektive në të cilat ai vepronte. Pas fitoreve të mëdha kundër Perandorisë osmane, Skënderbeu kishte fituar admirimin e Evropës së krishterë, por shpresat që kishte pasur se ajo do ta përkrahte iu rrënuan si kullat prej letre. Ideja për aleancën e krishterë kundër Turqisë osmane nuk u realizua kurrë. Skënderbeu ishte i vetëdijshëm për forcën ushtarake të Perandorisë osmane, siç ishte i vetëdijshëm edhe për gjendjen e popullit të tij. Në kushtet e luftës së vetmuar kundër fuqisë më të madhe të kohës ai e dinte se ishte mjaft vështirë të mbaje të ndezur vazhdimisht entuziazmin dhe moralin luftarak të popullit. Prandaj, e thotë vetë “se punët kishin arritur në një pikë, kur lidhjet e tij me këtë popull kërkonin medoemos një drejtim të caktuar”.

Për këtë arsye, forcën e vet e sheh në popullin, në të cilin mbështetet plotësisht. Skënderbeu në veprën e Sabri Godos nuk është gjysmëperëndi, i cili me një lëvizje të krahut mund armikun dhe që nuk di për ndjenjën e humbjes, të dëshpërimit, të zemërimit, të dashurisë, të hakmarrjes e të tjera. Skënderbeu është njeri i rëndomtë, po të cilin e shquajnë aftësitë luftarake, ndjenja e realitetit dhe dashuria e madhe për popullin. Pas betejës së Beratit, në gojë ndjen shijen e baltës, ndonjëherë i duket vetja njeri gjysmë i vdekur i hipur në kalë, apo një “Skënderbej tuhaf që përdridhte shpatën majë kalit, ndërsa anash kalonin njerëzit, lumenj fytyrash të kyçura që rendin drejt fitores ose vdekjes, me një shpresë të fshehur se një ditë ai do të zbriste gjithnjë tek ata”.

Mënyra e trajtimit të Skënderbeut shpreh qëndrimin realist të Sabri Godos ndaj të kaluarës historike. Skënderbeu i Godos është ndërmarrje artistike për ta zhveshur Skënderbeun nga autreola mitike, në njërën anë, dhe për t’iu kundërvënë modelit didaktik-iluminist të letërsisë me temën historike, në anën tjetër. Mirëpo, për arsye të vënies së Skënderbeut në qendër të interpretimit epik, shkrimtari nuk ka mundur ta realizojë qëllimin që i ka vënë vetit. Si personazh kryesor që është, Skënderbeu është ku ta kërkosh, thuaja, në të gjitha episodet, tablot dhe detajet, bile edhe në personazhet e tjera, domethënë edhe atëherë kur nuk flitet për të. Për këtë arsye themi se Skënderbeu në këtë vepër vepron në dy mënyra: si personazh konkret historik dhe si frymë, si ide, prej kah në planin stilistiko-gjuhësor, burojnë reminishencat stilistike-romantike, patois dhe thirrjet retorike.

Jo vetëm në një vend autori-narrator na e thotë se arbëri asokohe e ndjente veten dragua që luftonte kundër kuçedrës aziatike. Kjo thënie e narratorit nuk mund të kuptohet si egzegezë poetologjike e strukturës imtike të vetëdijes së njeriut, por edhe si shprehje e konceptimit të Skënderbeut si personazh-ide, si frymë. Si ide Skënderbeu vepron edhe në personazhet e taborrit armik, në ushtarët e thjeshtë, në kronistët, në Këshillin ushtarak të luftës, bile edhe në vetë sulltanin. Shpërndarja e personazhit të Skënderbeut në personazhet, në detajet, dhe në tablot e ndryshme të tekstit, ekzistenca e tij in abstentia është shprehje e idealit artistik të shkrimtarit për ta paraqitur zulmën e madhe të heroit tonë kombëtar në Evropë dhe në Azi, në njërën anë, dhe për të treguar karakterin gjithëpopullor të luftës së tij, në anën tjetër.

Jetën e popullit nuk e përbëjnë vetëm luftërat kundër të huajve, kolizionet historike midis udhëheqësve të tij, aktiviteti i tyre ushtarak dhe diplomatik, e të tjera. Jeta e popullit, siç nuk është vetëm gjendje natyrore e ekzistencës, nuk është as vetëm gjendje e zakonshme e luftës, por është shumë më e gjerë dhe më e përbërë dhe shprehet përmes rasteve, dukurive dhe formave të ndryshme. Në vepër ka personazhe që paraqesin dukuri, raste, forma të ndryshme përmes të cilave tregohet mënyra e jetesës së popullit, por në strukturën receptuese të lexuesit të gjitha mbesin në hijen e Skënderbeut si shembëlltyrë historike, si personazh-ide.

GËRSHETIMI I GJUHËS SË ARTIT ME LIGJËRATËN SHKENCORE Objektivi i autorit për ta zhveshur Skënderbeun nga aureola mitike përmes gjuhës së artit letrar nuk ka mundur të realizohet plotësisht, për arsyen e thjeshtë se edhe vepra letrare është një formë e mitit, sidomos romani historik i cilitdo tip qoftë.

Duke e ditur këtë kundërthëne, Sabri Godo në veprën e vet ka gërshetuar gjuhën e artit me ligjëratën shkencore, teknikat, procedimet, modelet dhe mjetet e artit letrar dhe teknikat, instrumentet dhe mjetet e njohjes racionale. Për këtë arsye, shkrimtari thërret në ndihmë autoritetet e ndryshme të dijes për të provuar tezat, situatat dhe idetë e shprehura përmes autorit-narrator, apo përmes gojës së personazheve. Teknikat, procedimet, citatet dhe instrumentet e ndryshme të ligjëratës shkencore autorit i hyjnë në punë për të hequr paralelizma midis kohëve të largëta historike dhe midis shembëlltyrave të ndryshme historike, midis Lekës së Madh dhe Skënderbeut, midis Pirros dhe Skënderbeut. Në këtë mënyrë, krahasimi si mjet metodologjik bëhet model artistik i mitizimit të figurës së Skënderbeut.

CITATET, FUSNOTAT SHPJEGUESE, KOMENTET DHE TË FOLURIT E HUAJ Përdorimi i komentit, i fusnotave dhe i citateve përbën një nga teknikat kryesore të sistemit të motivacionit të letërsisë së sotme dokumentare. Përmes tyre autori shpreh lirisht pikëpamjet e tij për kohën dhe përmes gojës së personazheve që marrin pjesë, ose edhe nuk kanë të bëjnë me botën letrare të veprës, por ekzistenca historike e të cilëve për lexuesit është e njohur, ose përpos personazheve që përmenden në kontekste, të cilat sugjerojnë objektivitetin e thënies, autori do t’i lërë përshtypje lexuesit se ngjarja ka ndodhur ashtu siç përshkruhet, ose ka mundur të ndodhë vetëm ashtu për arsye të rrethanave të caktuara historike, politike, diplomatike e të tjera, apo madje edhe për shkaqe të panjohura. Për të argumentuar idetë e tij, autori thërret në ndihmë autoritetet e ndryshme shkencore dhe kulturore, historianët, kronistët, bile edhe kuriozitetet e ndryshme , të cilat s’dihet se si përhapen. Ja një citat, me të cilin fillon një tërësi semantike-artistike e tekstit:

“Hydavendegjari, urdhëruesi i lartë, hoqi dorë nga dëshira për të kapur nusen e fitores”, thotë historian Kemal Pasha zade për tërheqjen e Muratit nga Kruja”.

Thënia që i vihet në gojë historianit Kemal Pasha Zade ka dy funksione retorike: 1. t’i mundësojë lexuesit ta shohë me sytë e kronistit turk disfatën e sultan Muratit në Krujë dhe 2. të paradizojë ligjëratën e një modeli të tërë të historiografisë dhe të kronikës turke të kohës. Në funksion të parodizimit janë edhe kuriozitetet e shpikura, trillimet qesharake që i atribuohen të folurit të huaj, të cilin teoricienët e konsiderojnë trajtë të argumentimit të autorit, siç është puna me shembullin e mëposhtëm; “Në Evropë u përhap me shpejtësi lajmi I habitshëm se Sulltan Mehmeti po fryhej. Atë e kishte kapur një trashje e panatyrshme e trupit. Asnjëri nuk e kishte parë sulltanin të trashej e të fryhej, por askush nuk e vinte në dyshim se ashtu po ndodhte. Krishtërimit iu ngrit zemra lart dhe në kasha bëheshin lutje që ky përbindsh të trashej një centimetër çdo ditë dhe në këtë ishin varur shpresat”.

Të folurit e huaj autori-narrator e shfrytëzon për të vënë në tallje përpjekjet e Evropës për t’i dalë përpara pushtimeve osmane, në njërën anë, dhe për të ironizuar premtimet boshe se do ta përkrahte Skënderbeun, në anën tjetër. Në citatet, në fusnotat shpjeguese, në komentet dhe në të folurit e huaj hetojmë praninë dhe njësinë e vizionit të shkrimtarit. Dekodimi semantik i këtyre trajtave të shprehjes letrare tregon modelin e kundërt me letërsinë didaktike-iluministe me temën historike. Dekodimi i tyre estetik vë në dukje se autori i ironizon format e shkrimit romantik, mjetet e stilit dhe të gjuhës së modelit didaktik-iluminist të letërsisë. Raporti që shkrimtari vë me lexuesin është raport i historianit me sensibilitet artistiko-letrar, apo i kronistit, i cili nuk interesohet vetëm për të bëmat dhe për datat historike, por edhe për kompozicionin letrar, për frazën gjuhësore dhe për vlerat ekspresive të të folurit poetik. Sabri Godo, prandaj, me mjetet e artit letrar dhe me instrumentet e dijes racionale ka krijuar ciklin e lindjes, të vdekjes dhe të rilindjes së njeriut, që është qëllim kryesor i romanit historik përgjithësisht. Ai ka ditur të fiksojë elementet themelore që e përbëjnë këtë cikël dhe ka nxjerrë përgjithësime nga situatat e ndryshme jetësore.

Mirëpo cikli jetësor i krijuar në veprën Skënderbeu ndonjëherë copëzohet për arsye të rënies në fotografim të thjeshtë të realitetit, të stivimit të detajeve me të njëjtin funksion poetik.

PËRSHKRIMI EKSTENSIV I NGJARJEVE
Disa herë janë përshkruar në mënyrë ekstensive betejat e luftës, organizimi i paravijës dhe i prapavijës, ndarja e luftëtarëve në togje, taktika e luftës e të tjera, gjë që është e panevojshme artistikisht. Përshkrimi ekstensiv i betejave nuk ka funksion tjetër artistik veç krijimit të situatave jetësore që paraqesin pika kritike të ekzistencës së njeriut. Me përshkrimin ekstensiv dhe të gjerë të betejave të ndryshme luftarake shkrimtari sikur do t’u konkurrojë strategëve ushtarakë. Kjo punë të cilën kurrë nuk do të mund ta bëjë me suksesin e ushtarakut, nuk bie në rrethin e interesimeve të artit letrar. Situatat jetësore, në të cilat njeriu gjendet rastësisht ose domosdo tërheqin vëmendjen e rrëfimit epik. Po të lëmë anash përshkrimet e gjera ekstensive të betejave të luftës, shkrimtari tregon invencion të shquar artistik për rikrijimin e situatave jetësore dhe të rasteve të ndryshme që kanë vlerë të madhe përgjithësuese.

Janë kuptimplote skenat që krijon pas luftës së Beratit. Përmes paraqitjes vizuele të tablove të ndryshme dhe të pmjeve makabre, autori rikrijon artistikisht dramën njerëzore të Beratit. Fati individual i njeriut në këtë dramë është i kushtëzuar nga logjika e domosdoshme e zhvillimit të ngjarjeve dhe nga rastësia. Mirëpo, rasti nuk është segment vetëm i ligjeve të domosdoshme, po edhe rezultat i arbitraritetit. Rasti, si rezultat i arbitraritetit të arsyes, ndodh që përcakton, jo vetëm fatin e një njeriu, por edhe të një lufte të tërë, madje edhe të rrjedhës historike të ngjarjeve. Kështu, ndodhi me mbretin Vladislav dhe me fatin e luftës së polakëve:

“Mbreti Vladislav, thotë narrator, u vra nga një jeniçer i thjeshtë, që e ngriti kokën e tij në një majë shtize. Polakët u prapsën të tmerruar. Murati ktheu kalin dhe nisi sulmin. Ushtria e krishtere pësoi katastrofë.”

Ja se si ky narrator e komenton vrasjen e mbretit Vladislav dhe disfatën e polakëve:
‘’Kishte fluturuar një shtizë dhe kishte rrëzuar një mbret dhe nga ajo kishte shpëtuar një perandori e ngritur mbi kontinente me njqëind vjet luftëra të paprera.. Dhe, sikur ai mbret i krisur të mos ishte vërtitur përpjetë me kalin e tij të bardhë, tani koka e një sulltani të madh do të kalbej majë një huri.’’

PERSONAZHET HISTORIKË DHE TË TRILLUARA DHE LIDHJET E SKËNDERBEUT ME TO

Skënderbeu i Sabri Godos ka mjaft veçori poetike. Në raport vartësie ndaj Skënderbeut janë të gjitha personazhet e tjera, qoftë të trilluara, qoftë historike. Por, lidhjet e Skënderbeut me personazhet e tjera shprehin raporte të njohura historike: me Mojsi Golemin, Vrana Kontin, Lekë Dukagjinin, Lekë Zaharinë, Gjergj Stres Balshën, Gjuraq Brankoviqin e të tjerë. Mirëpo, raportet e Skënderbeut, veç lidhjeve intensive dhe të larmishme me Mojsi Golemin, me personazhet e tjera janë të zbehta, të pakarakterizuara dhe të padistancuara estetikisht, janë marrëdhënie, në radhë të parë, ushtarakësh dhe bashkëluftëtarësh ofiqesh të ndryshme, të bazuara në urdhërin dhe në kryerjen e detyrës.

Marrëdhëniet e Skënderbeut me Mojsiun nuk janë raporte konvencionale bashkëluftëtarësh, po të gjithanshme dhe shprehen në shumë plane, private dhe zyrtare; janë të mpleksura me ndjenjën e respektit, të frikës dhe të urrejtjes dhe, si të tilla, shenjojnë situatat e mëkatit dhe të dënimit, të fajit dhe faljes, të xhelozisë dhe të urrejtjes e të tjera. Mojsi Golemi ishte krah i djathtë i Skënderbeut. Nga nami që fitoi në luftërat kundër turqve si luftëtar trim dhe i zhdërvjelltë, i guximshëm dhe i urtë, i shkathtë dhe i rrëmbyer, përfitoi dashurinë dhe respektin e Skënderbeut dhe të popullit. Është për të vënë në dukje se personazhet e veprës Skënderbeu të Sabri Godos plotësojnë njëri-tjertrin: Mamica- Skënderbeun, ndërsa Zanfina-Mojsiun.

Kështu, përmes Mamicës manifestohen tiparet e karakterit dhe të shpirtit të Skënderbeut, të plakut Gjon dhe të derës së Kastriotëve përgjithësisht. Mamica është një personazh-tip dhe në planin strukturor përmban të gjitha elementet që e përbëjnë tipin letrar. Por, Mojsiu, i nxitur nga Zanfina ziliqare, e tradhëton Skënderbeun. Nami që kishte fituar Mojsiu, ambicia e tij e sëmurë për të hipur në fronin e kryezotit të Arbërit dhe brejtja e ndërgjegjës për aktin e tradhtisë janë përshkruar me mjete ekstensive stilistike-gjuhësore. Është mjaft shprehëse skena e kthimit të Mojsiut te Skënderbeu dhe pendesa për aktin e bërë.

Skënderbeu e fal në mënyrë të natyrshme, si vëllai-vëllanë.
Është përshkruar në mënyrë plastike, sidomos qëndrimi i Mojsiut në oborrin e sulltanit dhe gjendja e tij e mjerë në ambientin e zhurmshëm anadollak. Po ashtu, portreti i Mojsiut është plotësuar me Zanfinën. Në paraqitjen e ambicies së sëmurë dhe të karakterit të lig të Zanfinës autori-narrator ka shprehur gjithë mërinë e tij subjektive, po jo si autor që mund të bëjë ç’të dojë me personazhet e veta. Mëria që derdhet mbi Zanfinën vjen nga goja e personazheve të ndryshme, nga zërat e shumtë dhe nga nëntekst i pasur alegorik. Në këtë mënyrë Zanfina bëhet motër e Pandorës mitologjike, Dama e Zezë shqiptare, e cila njerëzit, nga rruga e zotit, i kthen në udhën e djallit. Ajo kënaqet për trazimin shpirtëror të Mojsiut, për ngjalljen e ambicies së sëmurë për pushtet, për planet e fsherhta që Mojsiu po thurte kundër Skënderbeut.

Për të krijuar karakterin e Zanfinës, veç mmjeteve ekstensive tregimtare, autori ka aktivizuar edhe mjetet stilistike intensive, dialogun, aksionin, ligjëratën e drejtë, e të tjera. Karakteri dhe fizionomia e saj morale dhe shpirtërore bëhen më të qarta përmes vënies në pozita kundërshtie me Mamicën. Në qoftë se Zanfina me karakterin, me gjestet, me sjelljen, me veprimet e të tjera është motër e Pandorës, apo një Eridë e Arbërit, Mamica, me dinjitetin, graciozitetin, me pastërtinë e nderit dhe me devotshmërinë ndaj atdheut dhe të vëllai, kryezotit të Arbërit, do të mund të krahasohej me figurën mitologjike të Erinisë, e cila si perëndeshë e ekzekutimit të drejtësisë ndaj keqbërësve, dënon të keqen që në zanafillë, amoralitetin, meskinitetin dhe tradhtinë ndaj mikut dhe ndaj atdheut. Për vizatimin e karakterrit të saj me ngjurat më të mira, më të ndritshme dhe më të theksuara ka ndikuar etosi estetik, i cili është shprehje e Erosit të autorit karrshi figurës së skënderbeut: si motër e Skënderbeut, Mamica është përplotësim artistik i shembëlltyrës së heroit tonë kombëtar.

Ajo ka të gjitha vetitë e të vëllait: guximin, nderin, ndjenjen e së drejtës, intuinën e lashtë të Kasrtiotëve, e të tjera. Si motër e kryezotit të Arbërit, ajo nuk mund të ketë asnjë ves, asnjë të metë, qoftë edhe fizike. Si dhe i vëllai, ajo shquhet për bukurinë e pashoqe femërore dhe për intuitën e pagabuar, për mençurinë dhe për zhdërvjelltësinë mashkullore. Për tipizimin dhe individualizimin e pertsonazheve më pak të njohura historikisht shkrimtari përgjithësisht tregon mjeshtëri më të dukshme. Ndaj tyre ai tregon qëndrimin më të lirë dhe i trajton si kracione të pavarura estetike. Derisa personazhet e trilluara modelohen, në radhë të parë, sipas teknologjisë së strukturës letrare, personazhet historike janë në funksion të krijimit të funksionit të paraformuar për ta, të traditës, në njërën anë, dhe të argumentimit të ngjarjeve dhe të dokumentit historik, që jepet në formë të fusnotave, të citateve apo të folurit të huaj, në anën tjetër.

PËRFUNDIM
Skënderbeu hyn në radhën e romaneve të personazhit, po dallohet nga ato për nga shkalla e realizimit artistik, për nga ‘’fotografia epike’’ që krijon për Skënderbeun dhe për epokën e tij, si dhe për pikëshikimin objektiv të raportit të prijësit me popullin. Sabri Godo është i bindur se vlera artistike e veprës letrare nuk qëndron as në standarditetin, as në modernitetin e tipit, por në mundësinë përgjithësuese, në shkallën e sintetizimit artistik të përvojës jetësore dhe historike të njeriut. E kaluara historike nuk mund të trajtohet objektivisht me gjuhën dhe me mjetet e modelit didaktik-iluminist të letërsisë. Lexuesi i sotëm i beson më shumë dokumentit historik sesa thirrjeve patetike, ekspresivitetit koloristik dhe retorikës së ngritur. Këto veçori ideo-artistike Skënderbeun e Sabri Godos e radhisin ndër romanet më të mira me temën historike në letërsinë tonë.


Sabri Godo, Skënderbeu, Naim Frashëri, Tiranë, 1976, faqe 73 2Karl Jung, Njeriu dhe simbolet e tjera, Mladost, Zagreb, 1973, faqe
160
3 Sabri Godo, Skënderbeu, faqe 335.
4 Po aty, faqe 334
5 Po aty, faqe 334
6 Po aty, faqe 335
7 Po atu, faqe 334
8 Po aty, faqe 169
9 Po aty, faqe 363
10 Po aty, faqe 71
11 Po aty, faqe 72

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here