19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars 2024
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

PËRMBLEDHJE PËR LIBRIN: “KRIMI DHE PËRDHUNIMI SERB KUNDËR FEMRËS SHQIPTARE NË KOSOVË 1997-1999”

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Uebdizajner & Grafikdizajner

Naxhije Doçi Naxhije Doçi – Prof. PRISHTINË

PËRMBLEDHJE E SHKURTËR SI PARATHËNIE PËR LIBRIN: “KRIMI DHE PËRDHUNIMI SERB KUNDËR FEMRËS SHQIPTARE NË KOSOVË 1997-1999”, i përkthyer edhe në anglisht – Naxhije Doçi – Prishtinë – 2011

Gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit njëzet gjendja në Kosovë ishte tepër e rëndë nën pushtimin serb. Ishte gjendje lufte, ku shqiptarët ishin të privuar nga të gjitha të drejtat, deri edhe të e drejta për jetën. Për fillim ishin të atakuar individët shqiptarë, e me theks të veçantë intelektualët e dalluar atdhetarë, si edhe familjet e dalluara atdhetare shqiptare, që pushtuesi serb i ka njohur. Më kalimin e kohës nuk kishte më përzgjedhje të rasteve dhe shqiptarët torturoheshin e vriteshin pa dallim i madh e i vogël, kudo që gjendeshin, se donin ta pastronin Kosovën nga elementi autokton i saj. Në të vërtetë qysh prej vitit 1912, kur u bë coptimi i tokave shqiptare, të uzurpuara nga shtetet fqinje ballkanike, shqiptarët e Kosovës u robëruan dhe që nga ajo kohë kurrë më nuk panë ditë të bardha.

Në dy vitet e fundit të dymijëvjeçarit në mbyllje, pra më 1998-1999 plasi edhe lufta e hapur në Kosovë. Ishte një luftë e tmerrshme e gjenocidale për shqiptarët, ku Serbia fashiste me ushtri e polici dhe me krejt teknikën e vet luftarake vrau e preu në Kosovë diku mbi 12 mijë shqiptarë. Qytete e fshatra të tëra i dogj dhe i bëri shkrumb e hi. Një milion shqiptarë me turturime marramendëse dhe poshtëruese i dëboi jashtë kufijve të Kosovës, për të bërë jetë nomadësh nëpër rrugët e botës. Të tjerët, që për arsye të ndryshme mbetën në Kosovë, hapëruan nëpër rrugët e ferrit, pa ngrënë e pa pirë, duke jetuar nëpër shtëpi të djegura dhe nëpër male e lugina, nën qiellin e hapur. U gjymtuan dhe u vranë me plumba e me granata dhe u torturuan edhe me thika kudo që u gjetën, që jeta t’u bëhej e rëndë dhe e pamundshme në tokën e tyre, që Kosova të pastrohej nga elementi shumë i lashtë shqiptar.

Me synim që të mos i mbulojë pesha e viteve dhe pluhuri i harresës ngjarjet tragjike të luftës serbe në Kosovë, vendosa që të mbledh shënime. E ndija si obligim moral dhe kombëtar t’i rrekësha punës për një pasqyrim të tillë. Këto shënime fillova t’i grumbulloj në terren, sidomos gjatë viteve 1997- 1998, se në këtë kohë bëheshin ofensiva të tmerrshme serbe, thuajase nëpër tërë Kosovën. Mbledhjen e dëshmive shpeshherë e kam bërë edhe nëpër breshëri plumbash e gjyle topash, se doja t’i përshkruaj vuajtjet e femrave shqiptare të Kosovës, kur forcat serbe ua vranë e masakruan anëtarët më të ngushtë të familjes dhe gjatë përzënies nga shtëpitë e tyre për t’i deportuar në Shqipëri e në shtetet të tjera përreth Kosovës. Edhe gjatë luftës tremujore të pranverës 1999 kam mbledhur shënime nga popullata, që dëbohej nga qyteti i Prishtinës për në malet e Butocit e të Zllashit dhe anasjelltas, se edhe vetë me familjen time ishim në Prishtinë. Shënimet i fuqizova dhe i shtova edhe pas luftës, se atëherë Kosova ishte e çliruar dhe qarkullimi në terren ishte i papengueshëm.

Për tragjedinë e luftës shfarosëse serbe në Kosovë shënimet më së shumti i mblidhja nga femra shqiptare, që i ka shpëtuar luftës, se ajo ishte krijesa më e dhimbshme dhe më sakrifikuese. Lufta e viteve 1997-1999 në Kosovë la gjurmë të pashlyera, të vulosura si me zhig në mendjen e femrës shqiptare. Shkaktoi peripeci trishturese, që janë të shumta, ta pafundme, por që kërkojnë hulumtime, mbledhje të të dhënave të hidhura, që kërkojnë të qiten në letër, që të mos harrohen, se informatoret, përjetueset si proces i natyrshëm jetësor, një ditë edhe do të largohen nga kjo jetë. Mbi bazën e kritereve të tilla, mënjëherë pas përfundimit të luftës shkrova disa fejtone për përjetimet dhe pësimet e femrës shqiptare gjatë luftës në Kosovë, ndërsa në vitin 2001 shkrova edhe një libër.

Libri im më i ri “ Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999, II”, i përkthyer edhe në anglisht, flet për luftën e ashpër dhe gjenocidale serbe në Kosovë. Flet për ngjarjet tragjike të një periudhe kohore të caktuar dhe për një vend të caktuar. Territor i caktuar ishte Kosova, ku aparati represiv serb ushtroi dhunë të vazhdueshme dhe bëri krime e masakra, si edhe pastrim etnik mbi popullin shumicë dhe autokton shqiptar të saj. Periudha kohore që përfshihet në këtë libër është kryesisht ajo e viteve 1997-1999, por përfshin edhe tërë aparthejdin e dhjetëvjetëshit të fundshekullit njëzet e edhe më herët. Në libër janë përfshirë fakte të shumta të persekutimeve dhe të krimeve të pafundme të forcave serbe kundër nënave, motrave dhe fëmijëve shqiptarë të Kosovës.

Rrëfimet e femrave shqiptare në këtë libër flasin për ngjarje të tmerrshme reale, që ato i kanë parë me sy dhe që i kanë përjetuar mbi vete dhe mbi krijesat më të dashura të tyre. Ato kanë parë, kur ushtria dhe policia serbe ua ka marrë në shtëpi, në kalvaret e gjata biblike dhe të strehuar në male e kah kanë mundur, fëmijët, burrin, prindërit, vëllëzërit, motrat, si edhe të afërmit të tjerë dhe kur ua kanë vrarë e masakruar para syve të tyre. Më të dashurit e tyre i kanë djegur edhe për së gjalli nëpër shtëpitë, që i digjnin me bomba dore nga afërsitë dhe me topa e me granata nga largësitë. I kanë gjuajtur edhe nëpër puse të thella, mbi të cilët pastaj kanë hedhur eksploziv, që t’i humbnin gjurmët e krimit të bërë. Në këtë libër është arritur të tregohet vetëm një minimum i asaj çka kanë përjetuar femrat shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në rrëfimet e pasqyruara në librin ”Krimi dhe përdhunimi serb kundër femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999, II”, secila ngjarje e përjetuar e personazheve të kontaktuara e ka rëndësinë unikate të ballafaqimit me tmerret dhe me krimet e shkaktuara nga pushtuesi serb në Kosovë. E përbashkëta për të gjitha këto përjetime dhe për këto pësime tmerruese është tragjedia njerëzore e femrës së paarmatosur dhe të pambrojtur shqiptare në Kosovë. Është dhembja jonë e madhe si popull shqiptar i Kosovës dhe si qenie kombëtare shqiptare. Në të vërtetë në libër pasqyrohet edhe qëndresa e dinjitetshme dhe shumë krenare e femrës shqiptare për lirinë e shenjtë të Kosovës, karshi dhunës dhe krimit të paparë e të padëgjuar ushtarak serb, karshi shpirtit kolektiv kriminel të një shteti të tërë serb.

Shkrimet e mia trishtuese në këtë libër, peripecitë dhe vuajtjet e femrës shqiptare të trevave të ndryshme të Kosovës, më tërë dramaticitetin e madh të ndjenjave, humbjeve, dhembjeve dhe heroizmave, jam përpjekur që t’i pasqyroj në mënyrë bindëse e reale. Që të respektohej si e mundshme një e vërtetë e tillë rrëfimet i kam shtjelluar në vetën e parë, ku personazhet e librit flasin vetë për tmerret, që i kanë parë e përjetuar nga forcat kriminele serbe. Këtë metodë të veprimit e kanë bërë edhe krijues të popujve të tjerë me fate përafërsisht të njëjta si fati ynë si popull shqiptar i Kosovës. Krijuesi (në këtë rast unë si autore e shkrimit) bëhet bashkëudhëtari më i mishëruar i personazhit gjatë qarkullimit të tij nëpër tmerret serbe dhe ofshan e qan si edhe përsonazhi. Ai edhe gëzohet për së tepërmi kur gëzohet personazhi, që i shpëtojnë rastësisht fëmijët, apo familjarët të tjerë nga sulmet serbe me armatim të shumtë e të rëndë

Personazhet femra në këtë libër janë të moshave të ndryshme, ndërsa rastet që tregojnë ato janë tragjike dhe shumë rrënqethëse, secila në mënyrën e vet. Disa prej rrëfyeseve janë edhe fëmijë, si Saranda Bogujevci, vajzë 14 vjeçe nga Podujeva, që ka parë me sytë e saj më 28 mars 1999, kur forcat serbe ia vrajnë me pushkë dhe ia masakrojnë me thika nënën me dy vëllëzërit dhe gjyshën, si edhe familjen e xhaxhait, bashkë edhe me familjen Duriqi, më të cilët ishin bashkë të strehuar në një shtëpi në Podujevë; Afërdita Hasani, një vajzë e re 20 vjeçe nga fshati Prapashticë i Komunës së Prishtinës, të përzënë si familje dhe si fshat nga shtëpitë e tyre me pushkë e me topa, që pas peripecive të tmerrshme nëpër male dhe gjithkah, forcat kriminele serbe më 21 prill 1999 ia mbysin dy vëllëzërit, babain dhe kushërinjt. Ia vrasin në vendin e quajtur Kafeneja e Sabitit në Makoc e shndërruar atyre ditëve të luftës së tmerrshme në vendtherrtore tmerri, ku shqiptarët e nxjerrë nga kolona i kishin mbytur me plumba, por edhe duke i prerë me thika e me sharra motorrike.

Personazhe në këtë libër janë edhe gratë e moshuara, si Feride Popaj, 75 vjeçe nga Fortesa (Bellacerka) e Rahavecit, e cila përjetoi dhe mbijetoi stoikisht tri ofensiva tmerruese serbe, si më 18 korrik e më 11 gusht 1998 dhe një ofensivë më 25 mars 1999, kur iu vranë dy djem, njëri specializant i mjekësisë e tjetri inxhinier dhe tre nipër të moshës 14, 18 dhe 21 vjeç. Në këtë ofensivë ajo kishte parë kur ishin vrarë edhe 21 djem e nipër të kunetëve, si edhe 20 meshkuj të tjerë të Fortesës; Pashke Marku (60) nga Korenica e Gjakovës, së cilës kriminelët ushtarakë serbë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me fqinjët serbë ia kishin vrarë dy djemtë e saj, Xhovalinin (1963), baba të gjashtë fëmijëve dhe Milanin (1964), baba të katër fëmijëve. Në ditën e ofensivës së kobshme serbe të 27 prillit 1999, në Korenicë, djemtë e Pashkës i kishin ndarë nga kolona në fshatin Mejë dhe më kurrë nuk ishte ditur asgjë për fatin e tyre.

Më 2003, sipas identifikimit me testin e AND-së, ia kishin sjellë eshtërat e djegura të tyre. Nga dhembja e madhe për djemtë e kidnapuar kriminalisht dhe nga neglizhenca e faktorit vendor e ndërkombëtar në Kosovë për çështje të të pagjeturve të luftës, nënë Pashkja  po atë vit bënë vetvrasje në Korenicë, duke e djegur veten me lëndë djegëse. Sakrifikimin e kishte bërë në sheshin e fshatit, në drejtim të varrezave, ku preheshin eshtërat e djegur të djemve të saj, që kishin rënë për lirinë e shtrenjtë të Kosovës. Kjo ngjarje e trishtueshme i kishte tronditur për së tepërmi banorët e Korenicës me rrethinë, si edhe krejt Kosovën!

Në libër personazhet gra janë edhe të moshës mesatare, si Shemsije Hoxha 39 vjeçe nga Juniku, që kriminelët serbë më 27 prill 1999 ia kidnapojnë nga kolona në Mejë dy djemtë e mitur dhe bashkëshortin, të cilët më kurrë nuk i kishte parë dhe që nuk kishte ditur asnjëherë saktë dhe bindshëm se çka kishte ngjarë me fatin e tyre. Sipas Shemsijes, në ofensivën e 27 marsit 1999, në Junik, urdhërin e përzënies nga vendi i tyre e kishte dhënë komandanti i policisë serbe të Deçanit i quajtur Vula; Nexhmije Hoti 40 vjeçe nga Krusha e Madhe, që ushtarët barbarë serbë, në ofensivën e 26 marsit 1999 në këtë fshat, ia vranë me tmerre bashkëshortin e saj, dr. Fahredin Hotin, kur ai ishte duke i dhënë ndihmë mjekësore popullatës së zhvendosur mbi fshat, në Vreshta.

Ia vranë edhe djalin e mitur, Kreshnikun, që nuk i ishte ndarë kurrë të atit, në ndihmesë të plagosurve dhe të të molisurve nga tmerret e ofensivës së pabarabartë mbi ta; Luljeta Shehu 37 vjeçe nga Krusha e Vogël, që ka të vrarë, e edhe të djegur bashkëshortin, bashkë edhe më katër vëllëzërit e tij, e edhe më 34 meshkuj të tjerë të familjes së ngushtë dhe të zgjeruar Shehu, në vendplojën e 26 marsit 1999, në Krushë të Vogël.; Ana Dedaj (47) e Mire Kqiraj (40), si edhe Mane e Marte Dedaj, nga fshati Guskë i Gjakovës, për burrat e djemtë e tyre të vrarë në ofensivën e tmerrshme të 27 prillit 1999 në Korenicë të Gjakovës. Gratë e Guskës janë dëshmitare autentike të përjetimit të tmerreve edhe gjatë sulmit serb, më 29 mars 1999, mbi fshatin e tyre dhe kur i zhvendosën me barbari të shfrenuar në Korenicë; Sevdije Frangu (45), nga Kaçaniku, që në ofensivën e 26 marsit 1999, në vendin e quajtur Përroi i Rakocit, në Kaçanik, ka të vrarë vajzën 18 vjeçe, Emsale Franku, bashkëshortin, Izijadin Franku dhe babain, Gjemajl Haziri. Ishin strehuar në atë luginë si familje për mbijetim e shpëtim, por edhe për çështje logjistike në ndhmesë luftës për liri të Kosovës.

Krahas kësaj Sevdija ishte përkujdesur edhe për 78 të moshuar (gra e burra), të strehuar bashkë me ta; Selvije Gjinaj (51) nga Mitrovica, deputetja e Kushtetutës së Kaçanikut, që kishte parë e përjetuar ofensivë pas ofensive serbe në Mitrovicë e rrethinë. Ajo, ndër të tjera, përjetoi edhe kolonën Mitrovicë-Gremnik të 18 prillit 1999, që flitej se kishte diku mbi 300 mijë të përndjekurish shqiptarë nga trojet e tyre, dhe se gjatësia e saj ishte diku prej më shumë se 25 kilometrash. Një kalvar i tillë ishte parë edhe nga aeroplanët e NATO-s; Mihrije Çallapeku (45) nga fshati Bakajë i Komunës së Klinës, që përjetoi krejt ofensivat serbe gjatë viteve 1998-1999 në fshatrat e Klinës dhe që u plagos gati për vdekje edhe me plumbat dum-dum. Mihrija ka përjetuar, ndër të tjera edhe masakrën serbe të 2 majit 1999 në familjen Zhabota të Kërrnicës së Klinës, ku ishte strehuar me burrin dhe me një pjesë të familjarëve të tij. Në atë masakër ishin vrarë e prerë më thika 12 gra më fëmijë dhe ishin kryer dhunime të tmerrshme me krime; Mihrija kishte shpëtuar e plagosur nën të vrarët në mes të oborrit.

Në këtë libër janë përmendur edhe rastet e dhunimive të tmerrshme dhe kriminele, që i kanë bërë forcat serbe ndaj femrës së pafajshme dhe të pambrojtur shqiptare në Kosovë. Rastet i kam përshkruar me një maturi dhe rezervë të konsiderueshme, se dhunimi është çështje shumë e ndieshme dhe plagë tepër e rëndë për shoqërinë shqiptare. Agresori serb pikërisht këtë ndieshmëri kishte për qëllim ta atakonte, se përmes përdhosjes së ndieshmërisë morale donte që ta dobësojë qëndresën e shqiptarëve për lirinë e vendit të vet. Në këtë libër një rast i dhunimit, që nuk mund të ketë krahasim më asgjë në këtë botë është shtjelluar sipas rrëfimit të personazhit grua, që e ka parë tragjedinë, se përjetuesja e dhunimit nuk është më në jetë. Sipas rrëfyeses, Mihrije Çallapeku, vajzës së dhunuar 18 vjeçe, Fetije Zhabotës nga Kërrnica e Klinës, duke e dhunuar diku mbi pesë-gjashtë uniformist kriminelë serbë me radhë, i janë prerë edhe organet gjenitale, si edhe gjoksi e fytyra, e edhe krejt gjymtyrët e trupit. Dhunuesit kriminelë serbë duke e dhunuar edhe e kanë masakruar njëkohësisht vajzën e gjorë, dhe edhe krejt të mbuluar në gjak dhe duke ndërruar jetë e kanë dhunuar.

Më 21 prill 1999, në Dragaçinë të Komunës së Therandës, forcat serbe, që e kishin rrethuar e djegur fshatin me tanke e me raketa, i zënë peng më se 350 gra me fëmijë, duke i mbyllë në tri shtëpi të djegura të fshatit. Gjatë tri netëve e katër ditëve të ngujimit, prej 21 deri më 24 prill 1999, pa bukë e pa ujë as edhe për fëmijët e vegjël, ndaj tyre janë kryer ndër krimet më të tmerrshme dhe më çnjerëzore, që ishin dhunimet. Ushtarët kriminelë serbë i kishin marrë femrat shqiptare një nga një për t’i dhunuar, e ndonjëherë edhe nga tri-katër përnjëherë, duke iu thënë se tash radhën e ke ti, ti, e ti… Kështu kishin bërë, kurrë pa u ndalë, natë e ditë, duke i dhunuar të rejat e të vjetrat, pa dallim dhe në shumë raste edhe në prezencë të njëra-tjetrës. Personazhen e rrëfimit përkatës në këtë libër nga ky vend, I. T. për ta dhunuar e kishin shkëputur nga duart e fëmijëve të saj me torturime rrënqethëse, duke e tërhequr edhe zvarrë prej një shtëpie në tjetrën.

Nga tmerret e krijuara fëmijët e saj të vegjël kishin mbetur duke qajtur deri në qjerrje të zërit dhe deri në shastisje e alivanosje. Kishin mbetur të vetmuar dhe pa përkujdesjen e askujt në dyshemenë e betontë të shtëpisë së mbuluar nga bloza e të djegurit të çdo gjëje në të. Secila femër në atë karantinë të ngujimit të tmerrshëm e kishte pasur dertin e vet të ardhjes së radhës së çnjerëzimit makabër. Secila prej tyre aty e kishte pasur edhe frikën e madhe të gjendjes së krijuar trishtuese në mes të jetës e të vdekjes së mundshme të fëmijëve të tyre, poqëse ato do të kundërshtonin që të kryhej dhunimi dhe çnjerëzimi i tmerrit të pakrahasuar mbi to.

– Naxhije Doçi – Prishtinë – 08. 01. 2022

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit