Shpërthen ish partizani nga Tragjasi – ‘Kam heshtur për 70 vjet por…’

0
676
Abaz Hoxha

Kam heshtur 70 vjet

Jam një ish partizan i brigadës së pestë sulmuese. Kam marre pjese në formacionet e organizuara qysh para krijimit të brigadës që sapo kisha mbushur 13 vjec duke u bërë më vonë partizani më i vogël i kësaj brigade. Kam përshkuar rrugët e luftës që nga fshati im i lindjes Tragjas të Vlorës, në krahinën e Mesaplikut ne Kurvelesh, Përmet dhe me krijimin e divizionit të parë në marshimin e këtij divizioni ne clirimin e Shqipërise së Masme deri në clirimin e Dibrës.

Më vonë i inkuadruar në një battalion special u kthyem pranë shtabit të Korpoarmatës së parë me qendrër në Priske dhe Gurrë të Tiranës dhe morëm pjesë vetëm tre ditët e fundit në luftën për clirimin e Tiranës. Qëndrova në radhët e ushtrisë deri me kapitullimin e Gjermanisë më 9 Maj 1945 dhe dorëzova një automatik anglez dhe ju vura studimeve duke e harruar Luftën dhe duke ju përkushtuar Atdheut ne fushën e arsimit e Kulturës. Asnjëherë gjatë jetës sime nuk e kam përdorur për qëllime përfitimi ose megallomanie qënien time si veteran i luftës.

Nuk kam kërkuar asnjë privilegj dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë forum organizativ të rinisë, Bashkimeve profesionale ose të Partisë së Punës. Nuk i kam patur asnjëherë për zemër paradat, presidiumet, ceremonitë festive në përkujtim të Luftës, tundjen e shkundjen me dekorata/ të cilat nuk më mungojnë/. Kam shikuar ti shërbej Atdheut në sektorin që më ishte ngarkuar dhe e harrova Luftën që kurse dorëzova automatikun/maj 1945/. Edhe shumë nga komshijtë e mi biles edhe punonjës të kinostudios e kanë marrë vesh se kam qënë në luftë vetëm këto vitet e fundit. Pothuajse askush nuk e di që jam vëllai i një dëshmori që dha jetën për Atdheun që në moshën 15 vjecare.

Pjesëmarrjen në luftë e kam konsideruar si një detyrë patriotike i frymëzuar nga traditat historikisht patriotike të familjes dhe bashkëfshatarëve të mi të Tragjasit. Si një fëmijë që isha nuk u ngrita në luftë në shërbim të ndonjë partie sepse për atë moshë as nuk e dija c’ishin partitë por mora pushkën për të cliruar Atdheun.

Dihet tashmë botërisht që në atë luftë u ngrit e gjithë rinia shqiptare dhe vecanërisht rinija shkollore që i dha vrullin e saj rinor, i dha shpirtin dhe gjakun e saj pa marrë parasysh asnjë sakrificë sublime duke i rënë kryq e tërthor atdheut në sakrifica të panumurta. Dihet gjithashtu se u vu në krye të asaj Lufte si drejtuese dhe organizatore e saj Partia Komuniste Shqiptare dhe rinia dhe populli shqiptar e ndoqi atë kryesisht duke u nisur nga motive patriotike. Ishte një nder i madh dhe një faqe e lavdishme e historisë së popullit tonë që lufta e jonë u bë pjesë përbërëse e koalicionit të madh antifashist që udhëhiqesh nga fuqitë e mëdha botërore Bashkimi Sovjetik, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lufta jonë u vlerësua nga i gjithë koalicioni antifashist duke u renditur kontributi i Shqipërisë në vendin e 5-të në krahasim me popullsinë dhe që ishim i pari vend që u cliruam pa ndërhyrjen ushtarake të forcave të huaja.

Unë e kam për nder që kam marrë pjesë në këtë luftë clirimtare dhe heshtja ime për luftën 70 vjet nuk ka të bëjë se unë e kam mohuar atë. Do të ishte absurde të mohoja sakrificat e mija që në moshë të njomë nëpër rrugët e luftës clirimtare. Do të ishte absurde të mohoja gjakun e vëllait t’im dëshmor- Kujtim Hoxha- do të ishte absurde të mohoja gjakun e 43 dëshmorëve të bashkëfshatarëve të mi dhe vecanërisht të 13 vajzave trimëresha të Tragjasit që dhanë jetën e tyre ende pa e gëzuar atë. Lufta Nacionalclirimtare është një nga epopetë më të lavdishme të Popullit tone me të cilën duhet të nderohet cdo shqiptar dhe ta konsiderojë si një nga faqet më të ndritura të historisë tonë që u ngrit i gjithë populli, i madh dhe i vogël, burra e gra, pleq e të rinj për ti dalë zot atdheut detyrë që e kryen me nder.

Luftën Nacionalclirimtare nuk e bënë vetëm partizanët por u ngrit në këmbë i gjithë populli që kur jepesh kushtrimi i luftës rrëmbenin armët, dhe bëheshin një trup i vetëm me partizanët. Përvec kësaj populli na ndihmoi, na ushqeu, na veshi, na shëroi plagët dhe sakrifikoi edhe pjesëtarët e familjes së tij për të mos treguar partizanët e plagosur që kërkoheshin nga pushtuesit dhe bashkëpuntorët e tyre që tradhëtuan interesat kombëtare. Lufta jonë ishte një luftë e drejtuar me konpetencë jo nga gjeneralë të karrierës por nga populli i thjeshtë që i mundi ushtritë fashiste e naziste ashtu sikurse bëri edhe në epopenë e Vlorës më 1920. Këtë luftë e kanë vlerësuar edhe kundërshtarët tanë.

Një nga themeluesit e Organizatës të Ballit Kombëtar dhe Sekretari i Pwrgjithwshwm i tij, Kolonel Faik Quku në librin e tij “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore” f.27 shkruan:

…Qysh në vitin e parë, me forcën e organizimit, të disiplinës e të veprimeve, si në radhët e saj, ashtu edhe në popull, Partia Komuniste fitoi një prestigj të madh, që erdhi vazhdimisht në rritje. Ajo paraqitet si një lëvizje djaloshare e luftarake kundër pushtuesit, si një shkollë dinamike e guximtare, e sakrificës dhe e disiplinës. Me parimin e saj :Luftë për clirimin e Shqipërisë, me drejtimin e saj me zotësi, të qartë e të vendosur, me fitoret e saj të përditëshme, krijoi një atmosferë entusiazmi brenda në parti, gja që do të përbajë forcën e saj kryesore për me ba sakrifica e punë të mëdha, për me ecë kështu në drejtim të triumfit….”

Anëtarët e partisë komuniste ishin të parët që u hodhën në luftë dhe dhanë shëmbëllin e sakrificës dhe të heroizmit, ata që u vranë të parët në beteja, të parët në sakrifica duke u hedhur në zjarr vetë për të shpëtuar jetën e shokëve të tyre. Këto ishin arsyet pse populli i ndoqi dhe u bashkua me ta ne luftë.

Si mund të pretendojnë për patriotizëm ata që sa erdhën pushtuesit morën pjesë në aparatin qëndror dhe lokal të periudhës së pushtimit. Si mund të pretendojnë për patriotizëm kur qeveritë kuislinge u përfshinë direkt në luftë kundër koalicionit antifashist.
Që në 17 dhjetor 1942, kur kryeministër ishte Mustafa Kruja, shteti shqiptar nën pushtimin fashist i deklaron luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra rrjeshtohet direkt në frontin profashist kundër koalicionit të madh antifashist/ F.Quku” f.65/
Sic dëshmon Faik Quku/ f. 232/:

…Gjatë muajit korrik 1943, Komiteti Qëndror i Ballit vendosi që, nëqoftëse vijnë gjermanët në Shqipëri, cetat balliste të mos provokojnë aksione luftarake kundër tyre, por të ruejnë pozicionet dhe të mos i lanë cetat e Nacionalclirimtares me ba aksione të tilla në zonat balliste…

Pra jo vetëm të mos luftonin vetë por të mos lejonin edhe cetat partizane për ti goditur trupat pushtuese.Dhe praktikisht i mbështetur në këto orientime ballisti Rasim Babameto porositi cetat e ballit të Gjirokastrës që t’i sulmonin cetat partizane në qoftë se ato organizojnë aksione kundër italianëve që po përgatisnin operacionit kundër Libohovës dhe kështu ndodhi praktikisht

Dhe më poshtë:
….Taktika jonë ndryshonte prej taktikës së komunistëve. Ndërsa taktika e Partisë Komuniste ishte sulmuese, e jona ishte mbrojtëse, në pritje të një kohe oportune për me ba sulmin e përgjithëshëm përfundimtar. Për këtë arsye komunistat në korrik 1943 nxorrën traktin e parë “ “Prit gomar të mbijë bar, se kështu thotë Balli Kombëtar”…

. Si mund të jetë patriot një kryeministër si Mustafa Kruja/ne foto me sepatat e fashizmit/ që në pranverën e vitit 1942 në Campidoglio të Romës para gjerarkëve të lartë fashtistë mban një fjalim publik politik që bën apologjinë e fashizmit dhe të politikës italiane, një kryeministër që mban në gjoks stemën me sëpatat e fashizmit dhe është kryeministri që organizoi një fushatë terrori kundër lëvizjes nacionalclirimtare, sidomos në Shqipërinë e jugut ,i ndihmuar edhe nga ligjet mbrojtëse që bëri bashkëpuntori tjetër i fashistëve dhe nje nga krerët e Ballit Kombëtar ish ministri i Drejtësisë Hasan Dosti.Ceshtë ky kryeministër patriot që qëndron në dy karrike. Tu shërbejë italianëve deri në fund dhe nëqoftëse ata mposhten atëhere të ndërrojë karrike sic i thoshte Ali Këlcyrës/ një nga eksponentët kryesorë të Ballit Kombëtar/sipas Faik Qukut:

…Sa të jenë italianët në Shqipëri, ju duhet të më ndjekni mue dhe, në rast se lufta fitohet prej aleatëve, delni ju në krye të situatës dhe unë do të vij pas jush….!!!-

Kjo deklaratë vërteton edhe faktin që Balli Kombëtar ka qënë qysh në fillim në bashkëpunim me qeverrinë kuislinge, pra me pushtuesit. Si është e mundur që një nga krerët kryesorë të Ballit Kombëtar si Hasan Dosti të marrë pjesë qysh në fillim në qeverrinë kuislinge si Ministër i drejtësisë dhe të quhet patriot ? Pra Balli Kombëtar qysh në fillim jo vetëm që nuk ishte për luftë kundër pushtuesve por bashkëpunoi ngushtësisht me ta duke marrë pjesë direkt në aparatin qëndror dhe lokal të pushtuesve.

Por duhet pranuar që edhe në radhët e krerëve të Ballit Kombëtar ka patur dy qëndrime të kundërta. Krerët e Ballit në Vlorë Skënder Muco, Hysni Lepenica dhe ndoshta edhe Safet Butka-nje patriot i njohur- kanë qënë pothuajse që në fillim kundër pjesëmarrjes në qeverri/përgjithësisht kundër pjesëmarrjes në aparatin shtetëror të pushtuesve dhe nuk morën pjesë në të/ dhe për të organizuar rezistencën kundër pushtuesve ndonse në fillim ata iu bindën vendimeve të Komitetit Qëndror me të ashtuquajturën teorinë e pritjes se “nuk ka ardhur ende koha”. Bile Skënder Muco doli hapur në mitingun tek Rrepet e Mesaplikut edhe në prezencë të Mehdi Frashërit kur deklaroi se “Fitorja pa sakrifica është fitore pa lavdi”.Por këto mospajtime gradualisht u shuan sidomos mbas vrasjes te Hysni Lepenicws dhe Skender Mucos.

Pra heshtja ime për 70 vjet nuk ka të bëjë jo se unë e kam mohuar luftën por e kam konsideruar atë që kreva një detyre patriotike ashtu sikurse gjithë rinia shqiptare dhe pas luftës nuk kisha pse të tundesha e shkundesha me dekoratat në gjoks dhe marrjen pjesë nëpër parada, presidiume e ceremonira. Lufta mbaroi dhe unë duhej ti përkushtohesha atdheut në kushtet e reja të pas luftës ne frontin e punës që mu caktua ose që zgjodha vetë.

Por u detyrova të bëj këtë shkrim se po shikoj që ka filluar një revanshizëm i tërbuar për mohimin e kësaj epopeje të lavdishme të popullit tonë dhe po na dalin trimoshat që e tradhëtuan atdheun e tyre duke u vënë në shërbim të pushtuesve italianë dhe gjermanë. Bile po na dalin edhe disa pseudohistorianë që duan ta denigrojnë atë duke e quajtur një luftë civile, duke mos pasur as konceptin thelbësor se c’është Lufta Civile. Si mund të jetë Luftë civile kur nga njëra anë janë forcat që lutojnë për clirimin e vendit nga fuqitë e huaja dhe nga ana tjetër janë pushtuesit dhe bashkëpuntorët e tyre që kane tradhëtuar interesat e vendit të tyre. Lufta civile bëhet brenda popullit kur nuk ka pushtues sic po behet sot ne Siri ose Irak ndërsa kundër bashkëpuntorëve me armikun pushtues është një luftë direkt kundër pushtuesve. Tradhëtarët dhe spiunët janë më të rrezikshëm se vetë pushtuesit.

Në mbledhjen e Beunit në Luftën e Vlorës 1920 u morën këto vendime të rëndësishme nga vetë populli:..
”.. të bëhet një falje e përgjithëshme e gjithë armiqësive të ndodhura deri në orën e këtij vendimi. Sipas tij kundravajtësit pushkatohen dhe shtëpitë e tyre digjen.Italianëve t’u bëhet luftë e paprerë kudo që të gjenden qëndrat e tyre ushtarake. Nga cdo shtëpi një burrë për luftë dhe kur shtëpia ka 3 apo 4 burra, 2 të venë në luftë. Familjet pa ndihma do të përjashtohen nga ky detyrim. Të gjithë dezertorët dhe spiunët, vegla të armikut, do të pushkatohen….”

Gjithë popujt e botës i kanë denuar tradhëtarët, spiunët dhe bashkëpuntorët me pushtuesit. Marshalli francez Petain ishte Heroi Kombëtar i Francës në Luftën e Parë Botërore. Në Luftën e Dytë ai bashkëpunoi me gjermanët prandaj pas luftës ai u dënua me vdekje/ ndonse vdiq në burg se ishte i moshuar/. Po kështu edhe kryeministri francez i qeverrisë së Vichit që bashkëpunoi me gjermanët në kohën e luftës, pas lufte u dënua me vdekje dhe u pushkatua. Kryeministri Norvegjez Quisling/Kuisling/ u hapi portat gjermanëve dhe u anatemua gjate luftes si symbol i tradhëtisë nga gjithë koalicionin antifashist dhe me fjalën Kuisling u quajtën të gjithë tradhëtarët dhe bashkepuntorët me pushtuesit.

Lufta Nacionalclirimtare nuk ishte vetëm një luftë për clirim kombëtar. Ajo u shndrrua në një lëvizjen më të madhe që ka parë historia shqiptare në bashkimin e të gjithë popullit shqiptar që u ngrit në këmbë i gjithë vendi nga Jugu në Veri në mbrojtjen e Atdheut. Asnjëherë nuk ishte parë që të ngriheshin 27 brigada luftëtarësh që nga Konispoli dhe në Kukës e Tropojë u shndrrua në kryengritjen më të madhe popullore në historinë e shqiptarëve. Nga kjo lëvizje e madhe e bashkimit të popullit shqiptar e përjashtuan vetëm tradhëtarët e kombit të cilët u bashkuan me armikun duke u vënë kundër popullit të tyre dhe disa prej udhëheqësve të bashkëpuntorëve me armikun, krerë të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, tradhëtuan edhe të kaluarën e tyre patriotike dhe disa merita që kishin patur si atdhetarë në të kaluarën ashtu sikurse marëshalli francez Petain i cili nga hero kombëtar u shndrrua në një tradhëtar të vendit të tij bashkëpunoi me pushtuesit dhe mori dënimin e merituar nga populli francez pas luftës antifashiste.

Por Lufta antifashiste u kthye edhe në një lëvizje të madhe emancipuese të kombit. Asnjëherë më parë nuk ishte parë që të ngriheshin në masë edhe gratë dhe vajzat shqiptare të vishnin armët dhe tu qepeshin maleve duke kaluar sakrifica të pa numurta në beteja të vazhdushme dhe në kushte të jashtëzakonëshme bashkë me vëllezërit, dhe prindërit e tyre duke u përleshur me armikun. Në të kaluarën përmendeshin me gishta disa gra si Shote Galica apo Sado Koshena që u kthyen në legjendë të heroizmit të gruas shqiptare, Në Luftën Nacionalclirimtare dolën në masë qindra dhe mijra vajza dhe gra shqiptare që u kthyen në legjendë të emancipimit dhe heroizmit të gruas shqiptare nëmërohen disa dhjetra heroina vajza dhe gra që dhanë jetën në lulen e rinisë në mbrojtje të atdheut si Margarita Tutulani, Zonja Curre, Ikbale Bylykbashi, Persefoni Kokëdhima, Bule Naipi e dhjetra të tjera.

Vetëm nga fshati im i Tragjasit ranë dëshmore të atdheut 13 trimëresha vajza dhe gra si Donika Dulaj, Merjeme Gjomemo, Zonja dhe Hyrije Curre, Raime Stepa, Hanko Gjata etj. Armiqtë e Luftës antifashiste na akuzuan se po ngriheshim kundër zakoneve shqiptare bile arrijtën deri aty sa Balli Kombëtar të bënte një fushatë të madhe propagandistike dhe të shpifte se u morën vajzat në male për ti shfrytëzuar por ato ja u dhanë vetë përgjigjen me shembëllin e tyre të heroizmit, sakrificës dhe pastërtisë femërore që ishin dhe u vunë në kushte të barabarta me burrat. Kjo lëvizje e madhe e emancipimit të gruas shqiptare do të thellohesh më tej pas luftës. Këtë meritë të madhe të asaj lufte nuk duhet ta mohojnë të paktën disa gra që luftojnë për emancipimin e gruas dhe barazisë midis sekseve që sot na dalin nëpër panele propagandistike duke mohuar Luftën antifashiste Nacionalclirimtare.

Lufta Antifashiste u shndrua edhe në nje shkollë të madhe të emancipimit arsimor e kulturor. Në pushimet midis betejave me armiqtë zhvilloheshin kurse të vecanta kundër analfabetizmit që ishte një plagë e madhe kombëtare në të kaluarën kur mbi 85% e popullsisë ishte analfabete.Une vete drejtoja nje kurs te tille ne pushimet midis betejave. Kjo betejë e filluar gjatë luftës u thellua pas luftës dhe u arrit që të zhdukesh analfabetizmi në Shqipëri duke u ngritur me qindra dhe mijra kurse e shkolla në të gjithë vendin nga Jugu në Veri.

Që në kohën e luftës, me mjete rrethanore, u ngritën ansamblet e para të teatrit amator dhe të koreve të ushtrisë të cilat do të shndroheshin pas luftës dhe do të themelonin Teatrin Kombëtar me gra e vajza si dhe korin e shtetit dhe ansamblet e këngëve dhe valleve popullore që u krijuan më vonë duke patur për bazë ato embrione që u ngritën gjatë luftës, etj.

Ju drejtohem juve revanshistëve ekstremë që dje bashkëpunuat me armikun kundër popullit tuaj mos kërkoni merita për tradhëtinë tuaj dhe e lini mënjanë urrejtjen kundër komunizmit dhe regjimit të Enver Hoxhës nga i cili më vonë do të vuante i gjithë populli shqiptar duke përjashtuar ju që e meritonit një qëndrim të diferencuar për zullumet tuaja gjatë luftës. Regjimi i kaluar nuk persekutoi vetëm ju por edhe ata që e drejtuan atë luftë të lavdishme, hëngri edhe veteveten duke qëndruar në këmbë vetëm njëshi. Komunizmi nuk e ka të keqen tek idetë por te pushteti i pakufizuar dhe i gjatë i disa pushtetarëve që shndrrohen në diktatorë dhe kriminelë paranojakë që i shikojnë të gjithë rreth vetes si armiq duke e bindur veten se ata janë yjet e kombit.

Pushteti i gjatë dhe absolut i ka kthyer në diktatorë dhe kriminelë jo vetëm udhëheqësit komunistë por kështu ka ndodhur dhe po ndodh në të gjithë historinë e njerëzimit. Prandaj bëhen dhe duhet të bëhen rotacionet politike. Historinë nuk e bëjnë yjet e vecuar por e bëjnë popujt prandaj e kanë si detyrë imperative të ngrihen kundër kulteve dhe pushtetarëve të përjetëshëm që sot janë shndruar jo vetëm në kriminelë por edhe kusarë të pasurisë kombëtare dhe shkaktarë të gjitha të këqijave që i vijnë njerëzimit me prostitucionin, drogën, trafikimin e femrave dhe fëmijve etj plagë që në të kaluarën nuk i ka njohur shoqëria shqiptare.

Abaz Hoxha
Veteran i Luftës Antifashiste

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.