Shkolla e Zall-Dajtit në rrjedhën e viteve…

0
837

Ibrahim Kabili Kishte kohë që isha i ftuar për një vizitë në Shkollën 9-Vjeçare “Hamdi Mansaku” Zall-Dajt, nga drejtoresha e re e shkollës Rajmonda Mansaku. Emërimi i saj në këtë detyrë, u bë duke qenë mësuese në shkollën e Zall-Bastarit. Vitet zëvendësojnë njëri tjetrin. Ato përcillen nga gjenerata të reja, nxënësish, mësuesish, drejtuesish. Shkolla e Zall-Dajtit është shkolla e parë shqipe e hapur në krahinë në vitin 1896 si mejtep, ku bëhej edhe shqip. Kjo qe shkolla e parë e mesme që u hap në zonë, dhe sot funksionon si shkollë 9-vjeçare me shkolla vartëse, dhe me numër të reduktuar nxënësish.

Migrimi dhe emigrimi kanë bërë punën e tyre pas viteve ’90, në lëvizjen e popullsisë dhe shpopullimin e zonave rurale. Shkolla bën mësim me klasa kolektive nga klasa e I-IX. Kam shumë kujtime nga kjo shkollë pasi nxënësit me mësuesit përkatës në vitet ’70 të saj kryenin praktikat në Shkollën e Mesme Kamëz. Shkolla e Mesme e Zall-Dajtit e atyre viteve qe e konsoliduar dhe me një staf pedagogjik që ka lënë mbresa. Koha ka ndryshuar dhe në varësi të saj, shkolla vazhdon ta ruaj traditën…

Me datën 26.05.2022 shkoj në shkollë pasi kishte filluar mësimi. Në drejtori më pret me përzemërsi, Monda. Pasi e uroj për detyrën e re, bëmë një bisedë të gjatë! Ndër të tjera, ajo shprehet: “Jam emëruar në këtë detyrë më 14.02.2022. Eshtë privilegj për mua që drejtoj shkollën e fshatit tim, Shkollën 9-Vjeçare “Hamdi Mansaku”, Zall-Dajt. Ndërkohë është një përgjegjësi e madhe mbasi unë mbaj mbiemrin e Hamdiut, “Mansaku”. Kështu pëgjegjësia ime shtohet edhe më shumë, pasi nuk kam edhe përvojën e duhur në drejtimin e shkollës. Kolektivi më priti shumë mirë duke ma lehtësuar shumë punën. -Natyrisht fillimet e çdo pune kanë vështirësitë e veta. Drejtimi i shkollës është art më vete. Me punë sistematike, përkushtim, seriozitet e korrektësi, shtuar elementin kohë, mund të arrihet gjithçka…

Më tej Monda, shprehet: -“Unë kam mbaruar shkollën e mesme gjimnaz në Zall-Bastar në vitin shkollor 1999-2000. Më pas mbarova Shkollën e Mesme, dy vjeçare, Pedagogjike “Luigj Gurakuqi në Elbasan. Në vitin 2006-’07 mbarova arsimin e lartë në Universitetin e Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, dega Histori-Gjeografi. Kam punuar 18 vjet në shkollën Zall-Dajt si mësuese e Ciklit Fillor. Nga viti 2018-2022 kam punuar si mësuese histori-gjeografie në Shkollën e Mesme “Bahri Nela”, Zall-Bastar ku kam përfituar një përvojë të mirë pune në lëndët e profilit tim. Këtu kam përfituar edhe nga përvoja e mësuesve më të vjetër, atje. Hap pas hapi në detyrën e re po ndjek planin e drejtorisë së shkollës të hartuar nga drejtori para meje. Stafi është i përkushtuar në punë.

Shkolla e Zall-Dajtit ka si vartëse: Shkollën e Selitës së Malit e cila funksionon me klasa kolektive nga klasa I-IX; shkollat vartëse të ciklit fillor me klasa kolektive nga klasa I-V, të fshatrave Dajt dhe Besh, si edhe të lagjeve, Kurth dhe Kodër-Shupal. Brenda kësaj kohe të shkurtër unë i kam shkelur, kontrolluar e lënë detyra për secilën prej tyre. Në shkollën tonë me gjithë vartëset japin mësim mësuesit: Mehmet Hidri, Lirie Islamaj, Bashkim Popshini, Flamur Nasufi, Vilma Skufi, Xhavit Sida, Mimoza Balla, Agim Dyrmishaj, Nuri Husenaj, Skënder Hoxha, Sefide Hysa, Ismail Dajti, Liman Lila, Alen Shkalla, Marsilta Koçi. Pavarësisht vështirësive që ka mësimi me klasa kolektive ne si mësues do të bëjmë gjithçka mundemi që puna me nxënësit të jetë më efektive dhe të rrisim cilësinë e mësimdhënies”, – përfundon Monda.

Gjatë qëndrimit në këtë shkollë bëj një bisedë edhe me mësuesin e matematikës Bashkim Popshini dhe mësuesen e gjuhës shqipe Lirie Islamaj. – Bashkim, si mësuesi me stazh pune më të gjatë në shkollë dhe ish drejtor i saj, mundësisht diçka shkurt për mbresat dhe kujtimet e kësaj shkolle, në vite. -“Faleminderit që më jepni mundësinë të them diçka për Shkollën 9-Vjeçare “Hamdi Mansaku”, Zall-Dajt. Kjo është shkolla ku unë kam qenë nxënës. Drejtuesit e shkollës në vite kanë qenë; Dhimitër Xhoga; Maksim Gumeni, Lalo Dyrmishi, Fredi Nase, Jovan Kristiqi, Kujtim Kryeziu, Zija Muça, Liman Doko, Mehdi Hoxha, Kujtim Daka, Bashkim Popshini, Ylli Hysa dhe Monda Mansaku. Kam mbaruar shkollën e mesme me rezultate shumë të mira dhe Universitetin Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” për Matematikë në vitin 1994 me rezultate të mira. Kam punuar si mësues matematike në Shkollën e Mesme Zall-Bastar në vitet 1992-’98.

Ruaj kujtimet më të mira për atë shkollë, për kolektivin pedagogjik dhe drejtuesit e shkollës. Atje përfitova shumë përvojë. Në vitet 1998-2005 dhe 2014 e në vazhdim punoj si mësues matematike në Shkollën e Zall-Dajtit. Në vitin 2005 drejtori i DARQ Tiranë Ramazan Gjuzi, më emëron drejtor të kësaj shkolle. Punova në këtë detyrë deri në vitin 2014. E kam vlerësuar maksimalisht detyrën”. Në shkollën e Zall-Dajtit kanë dhënë kontribut një numër i madh mësuesish, ndërmjet të cilëve, edhe: Seit Halvaxhiu, Hamdi Mansaku, Mustafa Kamberi, Selman Muça, Bilal Kuka, Abdulla Cani, Mustafa Duhani, Abaz Muça, dhe shumë të tjerë. Në këtë shkollë jam munduar të punoj me përkushtim dhe të bëj më të mirën”. Mësuesja Lirie Islamaj ka vite që punon në këtë shkollë. Fillimisht si mësuese e gjuhës së huaj dhe prej kohës si mësuese e gjuhës shqipe. Ajo ka krahas Shkollës së Mesme e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” nē Tiranë, ka mbaruar në vitin 2009 edhe UT, Fakulteti i Histori-Filologjisë dega Gjuhë-Letërsi.

Ajo është serioze në punë, vlerëson punën e kolegëve, nuk pranon të flasë për vehten e saj. Ndër të tjera Liria, pohon: “Kujtoj me nostalgji mësuesit e ciklit të ulët që më kanë dhënë mësim, si; Sajde Skora, Fitor Muça, Skënder Hoxha. Mësues Skënderin tani e kam koleg e megjithëse është në prag pensioni ai vaxhdon të punoi me të njëjtin pasion e përkushtim. Përmend me shumë respekt mësuesit e përkushtuar të Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja; drejtorin e saj Mustafa Xheneti dhe mësuesin tim idhull të frëngjishtes, Prokop Kero. Në shkollën Zall-Dajt ka edhe mësues të vjetër me eksperiencë që ne përfitojmë prej tyre. Mësuesit e vjetër, si; Liman Lila, Nuri Hysenaj, Xhavit Sida, etj. janë të përkushtuar në punë dhe me më të rinjtë mësojmë prej përvojës së tyre”.

-Nga viti 2021 e në vaxhdim në Shkollën e Zall-Dajtit punon edhe mësuesi i Ciklit Fillor të shkollës vartëse Maricaj, Liman Lila. Mësuesi është në prag pensioni dhe punon me përkushtim me nxënësit. Ai është korrekt me punën, kërkues ndaj vetes, po kështu edhe ndaj nxënësve. Ka razultate në punën me nxënësit dhe komunikim shumë të mirë me komunitetin. Mendimi im për Limanin, është vlerësim objektiv prej kolegu, pasi kam punuar rreth 30 vjet në një shkollë me të…

Ish drejtori i kësaj shkolle Ylli Hysa, shprehet: “Faleminderit që kërkon opinionin tim për këtë shkollë dhe mësuesit e saj. Shkolla ka një kolektiv të përkushtuar në punë. Mësuesit pa asnjë përjashtim bëjnë përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e tyre shkencore dhe profesionale. Unë kam vlerësimet dhe përshtypjet më të mira për të gjithë kolektivin e mësuesve. Meqenëse ka mbi 40 vjet punë në Ciklin Fillor, dua të veçoj mësuesin Skënder Hoxha. Ai në të tre shkollat ku ka punuar ka nxjerr nxënës me nivel të lartë. Nxënësit e tij në vite kanë patur rezultate të larta mësimore në ciklet pasardhëse. Ata kanë dalë me nota shumë të mira në mësime. Edhe shkrimi i tyre përgjithësisht është me kaligrafi shumë të mirë. Edhe në Shkollën e Zall-Bastarit nxënësit e tij bëjnë diferencën”.

Pas viteve ’90 si rezultat i lëvizjeve demografike ka rënë ndjeshëm numri i nxënësve. Shpresojmë që me hapjen dhe funksionimin Rrugës së Arbërit, Zall-Dajti si nyje lidhëse dhe vend atraktiv do të rigjallërohet si dikur. Turizmi malor, prodhimet bio në blegtori dhe bujqësi do çojnë në rritjen e mirëqenjes së banorëve të zonës. Me rritjen e mirëqenjes dhe rikthimin e disa banorëve edhe Zall-Dajti do ketë perspektivë tjetër. Me këto zhvillime të mundshme është e lidhur edhe shkolla. Unë besoj dhe shpresoj se në një të ardhme jo të largët këto ambiente shumë të bukura të shkollës do gumëzhijnë sërish nga zërat e bukur të më shumë fëmijëve!

Ibrahim Kabili
Tiranë më 17.06.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.