Dashuria më e madhe se fati

0
623
Ilir Muharremi - kritik i artit

Ilir Muharremi

Të kam prekur vetëm unë, askush nuk e ka ndier trupin tënd aq shumë si unë. Lëkurën e lëmuar të kofsheve. Asnjëherë nuk kam mundur ta zbuloj të fshehtën e dashurisë tënde e cila ndoshta do të më kishte trembur ose gëzuar, e dashur. Të mendoja të lehtë, lozonjare, shumë fluturake atë që nuk peshonte shumë, ashtu si çdo mashkull që e mendon një femër. Unë ende të dua, ende ndjej aromën e parfumit tënd, ende në jastëkun tim ka mbetur aroma e flokëve tu.

Më pëlqen se ke frikë të ndërhysh në fatin e njeriut tjetër, ti don të harxhohesh vetëm me mua, bukuri e përjetshme e ndjenjave të mia, që në lindje u planifkuan për ty. Perëndesha e cila pushtoi burgun e unit tim dhe përvetësoi çdo qelizë. Atë ditë kur qava cipën e virgjërisë tënde e kuptova se u bashkova rrotës së fatit tëndë. Nuk të futa në kurth, jo, nuk të kam mashtruar, e as nuk të kam marrë në qafë, të dytë u mbërthyem pas njëri tjetrit. Jam shumë i lumtur dhe çdo çast planifikimi është i rrugës së jetës sonë të zgjedhur.

Netët nën errësirë të plotë, të ndjeja pranë, pinim birrë derisa deheshim, rrëzoheshim për toke, sipër nesh vezullonin yjet, shumë e ndjeja qiellin e dashur. Kur flinim bashkë, e ndjenin frymëmarrjen e njëri tjetrit, trupat tonë puthiteshin nga djersët që na shkonin rrëke, mbuloheshim me një qarqafë të hollë. Putheshim në buzë me plot mirësjellje, në sy vëreja shkëlqimin tënd, mendoja në vete mos ishte vallë ndonjë shkëndijezë kujtimi e largët, apo ndoshta vetëm e pëlqenim njëri tjetrin dhe putheshim për këtë arsye. Këtë nuk e di.

Një ditë qe si çdo ditë e jona e lumtur, dielli buzëqeshte, mirëpo këtë ditë rrezet e tij paksa belbëzonin sepse diçka pritej të ndodhte. Të putha shumë, të shtrëngova. Ti fala ca lule që i kisha në vazo e cila ishte mbi tavolinën time të bardhë rrumbullake. Atë ditë u zhduke, dhe nga ajo ditë shikoj vetëm vazon boshe mbi tavolinë rrumbullake. Ishte dita e fundit e takimit tonë, ditë ndarje, dielli më kishte paralajmëruar me rreze belbëzuese. Çdo ditë të prisja, prisja, prisja, monotonia zëvendësohej me momentet tona të lumtura kujtese.

Tre vite të tëra të prisja çdo ditë, por jo nuk dua t’i përshkruaj ato vuajtje skëterre të pritjes dhe dëshpërimit. Nuk dua të akuzoj, jo, unë të dashuroj, ashtu siç je e bukur, e zjarrtë, ashtu siç ke qenë gjithmonë, me zë të ulët, të folurën të ngadaltë, nuk ndërhyje fare gjatë bisedës e dashur, ashtu akoma je edhe sot e besoj. Doja t’i gjeja dritaret tua të ndriçuara, ta shoh hijen tënde sëpaku, askund asnjë gjurmë nga ti. Fantazma jote vërtitej nëpër dhomat e mija dhe shpirtin tim.

Në këtë orë të vonë, asnjë rresht në telefon nga ti, rreshta që dikur ishin të gjata, ishin vargje më të bukura se prozat antike, e tejkaloje Eskilin, ishe shkëndijë zjarri për zemrën time, dhe bashkëpunoje me Prometheun. Të prita, të prita, prapë të pres, asnjë rresht nuk më shkrove më. Figurina jote është ende mbretërsha ime e ndjenjave dhe e dhomes sime. E kuptova se besimi kur humbet në dashurinë, dashuria nuk ripërtrihet. Çdo gjë vdesë ngadalë.

Dashuria më shumë beson në premtim sesa në vet dashurinë, dashuria e sotme është kjo, e rëndë, materiale, strehuese, larg shiut, borës, rrufesë, yjeve, qiellit të ndritur, luleve, mushkonjave, detit dhe horizontit gjatë perëndimit të diellit. Kjo dashuri është vetëm e poetëve, krijesat e sotme nuk e besojnë. Unë ende besoj në valë të detit dhe orkestrën e vjetër e cila nxjerr lotët dhe nga loti kompozon. Ende besoj që tingulli i vuajtur është kur mungon ti.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.