PUSHKINI – “EUGJEN ONJEGINI”

0
2807
Alexander Pushkin

Xhelal Zejneli

Analiza e veprës“Eugjen Onjegini”  është roman në vargje i poetit, tregimtarit dhe dramaturgut  rus Aleksandër Sergejeviç Pushkin (Moskë, 1799 – Shën-Petërburg, 1837).  Është një prej shkrimtarëve të parë i cili filloi të shkruajë në gjuhën e folur.  Njëherazi, konsiderohet themelues i letërsisë bashkëkohore ruse.  Pushkini kombinon kulturën ruse me traditën e Evropës Perëndimore, ndikimi i të cilit vërehet edhe në këtë roman. Në këtë roman ka punuar mbi shtatë vjet. Konsiderohet vepër më e mirë e tij si dhe një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë ruse.

Romani konsiderohet i pazakonshëm për arsye se është shkruar  me varg . Përbëhet prej tetë këngëve që u përgjigjen “kapitujve” të romanit. Romani përmban 5600 vargje. Çdo këngë përbëhet prej një numri të madh strofash. Strofat e tilla që përmbajnë katërmbëdhjetë vargje jambike, mund të ndahen në tre katrena dhe një distik. Ato janë rimuar sipas parimit abab ccdd efe gg.

Me këtë roman për “njeriun e tepërt” dhe për fisnikërinë ruse, Pushkini i ka çelur rrugët e romanit realist rus në prozë.  

Gjatë shkrimit të romanit, Pushkini shkroi nëntë kapituj. Pastaj, pjesë të caktuara i censuroi. Në fund i pakësoi në tetë kapituj. Romani u botua pjesë-pjesë, d.m.th. këngë pas kënge. Romani përfundoi në vitin 1831, ndërsa doli i plotë në vitin 1833. Përpos që është shkruar në vargje, romani përmban edhe dy letra. E para është Letra e Tatjanës dërguar Eugjen Onjeginit në të cilën ia pranon dashurinë e saj, por ai mbetet indiferent ndaj saj. Letra e dytë i dërgohet Tatjanës dhe ndodhet te kënga e fundit. Ka zgjuar pasione të reja tek Eugjeni, por rrëfimi tanimë ka ndryshuar – Tatjana është grua e martuar dhe ka detyrime ndaj burrit të saj, kështu që e refuzon Eugjenin.

Në këtë pjesë, kthesa kah realizmi vërehet nga përshkrimi i jetës së përditshme që mund të shihet në çdo kapitull. Pushkini i përshkruan njerëzit e thjeshtë, jetën e tyre, traditat dhe mënyrën se si i kalojnë ditët. Romani e përcjell personazhin kryesor Eugjen Onjeginin për të cilin, në fillim mësojmë pothuajse çdo gjë, që nga rrethanat familjare, gjendjes materiale, gjërat që i adhuronte, mënyrën e veshjes.

E përcjellim ndryshimin e tij që nga dalja në qytet të madh, deri në tërheqjen në qetësinë e fshatit. Transformimin e personazhit e shoqërojnë ngjarje tragjike, ndërsa udhëtimin e tij e ndërpret Pushkini, kështu që nuk e dimë në do të ketë ndryshime të rëndësishme. Figura e Eugjenit na përkujton heroin romantik klasik i cili i kupton të gjitha padrejtësitë në jetë, ndërsa ikjen e kërkon në libra. Nuk mund t’i shmanget fatit tragjik të vet që vazhdon ta ndjekë në jetë. Shpirti i trazuar i tij e s’e lë dot të qetë. Çdo gjë që bën përcillet nga gjurma e tragjedisë. Nuk i takon shoqërisë e cila shpesh e refuzon dhe e largon. Mërzitet në qytet, por në fund edhe në fshat. Nuk e gjen qëllimin e vet apo mënyrën për t’i kontribuar shoqërisë. Po ashtu vërehet edhe indiferenca e tij ndaj çdo gjëje. Është i prirë të gjejë kënaqësinë e vet dhe nuk mund t’i ikë natyrës së vet, madje edhe atëherë kur vajza Tatjana sinqerisht ia shpreh dashurinë. Ai është zanafillës i tipit të tepërt të karakterit.

Vepër është përshtatur në shumë forma, që nga filmi deri në balet dhe operë. Vargjet e saj janë imituar me të madhe. “Eugjen Onjegini” ka lënë gjurmë të madhe në letërsinë ruse.

Elementet letrare – Sa i përket llojit, është roman në vargje. Ngjarja zhvillohet në shekullin XIX. Vendi ku zhvillohet ngjarja: në Rusi (në fshat, në Shën-Peterburg, në Moskë).

Tema e veprës: Jeta e Eugjen Onjeginit. Vuajtjet me të cilat ballafaqohet, mendimet e tij dhe pozita e tij në shoqëri. Dashuria që ndjen Tatjana ndaj tij dhe ai ndaj saj. rrënimi i barrierave të konvencioneve shoqërore.

Ideja e veprës: Po qe se dikë vërtet e duam, këtë duhet edhe ta pranojmë. Nuk duhet ta presim momentin e fundit për të ndërmarrë diçka.

Ritregimi i veprës:

Kapitulli I: Romani fillon me përshkrimin e jetës së Eugjen Onjeginit. Një kohë të madhe e ka kaluar duke u kujdesur për xhaxhain e vet i cili ishte njeri i mirë. Vjen një kohë kur ai sëmuret dhe ka nevojë për përkujdesje. Eugjenit i duhej të mbante shtëpinë dhe të kujdesej për të sëmurin e shkretë dhe për t’i siguruar barna. E tërë kjo s’ishte një detyrë e lehtë për heroin e romanit. Eugjeni ishte një djalosh i gjallë, me karakter të mirë, të cilin e thërriste bota e argëtimit. Zbavitjet e kishin pushtuar të tërin. Ai e la shtëpinë. Ishte plotësisht i lirë. Vishej sipas modës së fundit, që në atë kohë i thoshin “dandi”. Përveç kësaj, ishte shumë i shkolluar, i ditur, dinte të vallëzonte dhe sillej mirë, ndaj kishte raste të shumta për të qenë i suksesshëm në jetë, të ngjitet në shoqërinë lartë. Kishte njohuri për historinë, për ekonominë,  por jo edhe për poezinë.

Eugjeni ishte i dhënë edhe pas femrave. Shpesh i duhej të zihej me kundërshtarët për t’i bërë për vete vashat që i adhuronte. Shpesh e ftonin nëpër darka, ndonjëherë në tri darka përnjëherë. Shkonte te të gjithë, sillej në shoqërinë e lartë, shkonte nëpër darka ku shtronin ushqim të mirë, shkonte në teatër, ndërsa ballot apo vallëzimet dhe shoqërimet e ndryshme ishin bërë përditshmëria e tij. Kujdes të veçantë i kushtonte pamjes së tij. Nuk rinte me të njëjtat rroba, ndaj shkonte në shtëpi për t’i ndërruar dhe për të veshur të tjera. Kur darkat apo ballot i dukeshin monotone, sajonte një arsye për t’u larguar. Përpos që i kushtonte rëndësi veshjes së vet, Eugjeni i kushtonte kujdes edhe dukjes së shtëpisë së vet. I adhuronte pjatat e porcelanit, qelibarin dhe parfumet. jetonte në begati dhe nuk çante kokën për shpenzimet. Çdo gjë që posedonte ishte e modës së fundit.

Pas përshkrimit të shprehive jetësore dhe sjelljeve të tij, përshkruhet vallëzimi apo balloja në të cilën erdhi Eugjeni. Ishte një atmosferë e gjallë, luante mazurka, djemtë dhe vashat vallëzonin. Në të katër anët mbizotëronte zhurma, dëgjohej gumëzhimë, ndërsa ai, me shikim e përcillte vashën që e pëlqente. Eugjeni na zbulon se i adhuronte këmbët e vajzave. Ishin këmbët e tyre që ia tërhiqnin vëmendjen. Më pas i numëron të gjitha femrat që i ka pëlqyer, flet për gjërat që i pëlqente tek ato – këmbët e Terpsihorës, gjinjtë e Dianës dhe fytyrën e Florinës. Pas një kohe, lodhet duke vallëzuar, mëngjesi sa s’kishte aguar. Mësojmë se krejt kjo është përsëritur nga dita në ditë. Me kalimin e kohës, Eugjeni është bërë indiferent ndaj çdo gjëje – ballove, vallëzimeve dhe tubimeve shoqërore të mëdha. E rroku “splini” anglez, përkatësisht mërzia dhe indiferenca. Tanimë nuk ndjente kënaqësi te gjërat që dikur i kishte adhuruar.

E humbi dëshirën për të vajtur në ballo. Shikimet e femrave, tanimë nuk e shqetësonin. Eugjeni gjeti një argëtim të ri, i cili dita-ditës gjithnjë më tepër e preokuponte. U thellua dhe u preokupua plotësisht në leximin e romaneve. Tani gjeti një mënyrë të re për ta kaluar kohën. Në këtë kohë Eugjeni njohu shkrimtarin me të cilin kishte pikëpamje të njëjta mbi botën. U bënë miq të mirë. Dëshironin ta kalonin kohën bashkë. Por, erdhi koha që shkrimtari të kthehej në Rusi. Eugjeni donte të nisej me të, por i vdiq babai. Kjo e pengoi të nisej. Babai i kishte lënë borxhe të mëdha që cilat duhej t’i shlyente. Eugjeni e harxhoi një pjesë të trashëgimisë së vet për t’i paguar borxhet. Por kjo nuk e brengosi fort ngase e dinte se pas vdekjes së xhaxhait, do ta trashëgonte pasurinë e tij. Duke qenë se jeta në qytet Eugjenit iu bë e mërzitshme, ai vendosi të shpërngulet në fshat për ta shijuar natyrën dhe qetësinë e fshatit. Një pjesë të madhe të kohës e kalonte duke lexuar, kënaqej duke shëtitur në natyrë, filloi ta donte këtë mënyrë jetese.

Kapitulli i dytë – Me kalimin e kohës u mërzit edhe nga jeta në fshat. Duke qenë se atje nuk kishte shumë të rinj, ndërsa me të tjerët nuk shoqërohej, mbeti i vetmuar dhe i mungonte shoqëria. fqinjët e përgojonin dhe nuk ishte i adhuruar. Ndërkohë, në çifligun që ndodhej në afërsi të fshatit, mbërriti Vlladimir Lenski. Ky është një djalosh i pajisur me dituri, me flokë të zinj deri në shpatulla. Tek Onjegini kishte gjetur bashkëmendimtarin e vet. Duke qenë se asnjëri prej tyre s’kishte ndonjë farë interesimi në fshat, filluan të shoqërohen. Kohën e kalonin duke biseduar dhe duke u shoqëruar. Nuk kishin ndonjë angazhim dhe në fshat nuk ndodhte asgjë dhe kjo bëri që të afrohen.

Bisedonin për çështje të ndryshme. Një ditë Lenski ia rrëfeu Eugjenit rrëfimin e vjetër për dashurinë e tij të parë. E kishte bërë për vete vajza e bukur e quajtur Olga, e cila kishte qenë fqinje e Eugjenit në fshat. Ishte një vajzë e qetë, e dëgjueshme, me sy të kaltër dhe flokë të arta. Kishte një motër më të madhe e cila quhej Tatjanë. Vlladimir Lenski filloi të fliste për të. Ajo nuk ishte e bukur sa e motra, ishte e ftohtë dhe frikacake, nuk dinte si t’u afrohej të tjerëve. Më shumë dëshironte të rijë vetë. Kohën e kalonte duke lexuar romane.

Kapitulli i tretë – Onjegini dhe Lenski e vazhdojnë bisedën për motrat Olgën dhe Tatjanën. Pas një mosmarrëveshjeje të shkurtër, vendosin t’i vizitojnë. Eugjeni më shumë e donte Tatjanën e cila i dukej shumë më interesante, ndërsa Lenski më shumë e donte Olgën. Edhe te Tatjana lindi simpatia për Eugjenin. Për shkak të shqetësimit të fuqishëm, nuk mundi të flejë, ndaj e thirri dadon për t’ia treguar atë që e mundonte. Kërkoi nga dadoja t’i siguronte letër dhe penë, për t’i shkruar letër. Tatjana mbeti vetë, ishte natë, mendoi një kohë të gjatë. Në fund vendosi t’i shkruaj. letër Eugjenit. Në letër shkroi krejt çka ndjente dhe e shprehu dashurinë e vet për të. E vetmja dëshirë e saj ishte që ta takonte, që edhe ai t’ia kthente dashurinë.

Në letër i shkrua se do të ishte grua besnike e tij dhe nënë e mirë e fëmijëve të tyre. I premton dashuri të përjetshme. Letrën e përfundon, duke shpresuar se edhe ai do t’ia shprehte ndjenjat e tij ndaj saj. Ditën e dytë e zgjoi dadoja Filipovna. Faqet e Tatjanës nuk ishin më të nxehta, ndërsa marrëzia e dashurisë i kishte kaluar. Filipovna ndjeu njëfarë lehtësie se padronia e saj ndjehej më mirë. Tatjana iu lut Filipovnës që letrën t’ia dërgonte fqinjit Eugjen. Iu lut njëherazi që për letrën askujt mos t’i thoshte gjë. Kaluan dy ditë, Tatjana nuk mori kurrfarë përgjigjeje. U zbeh dhe u bë më e qetë se më parë. Me padurim priste përgjigje, dridhej. Në një çast dëgjoi kalin që u ndal para shtëpisë. Ishte Eugjeni i cili më në fund erdhi me përgjigjen. Kjo e gëzoi, ndërsa shpresat iu rritën.

Kapitulli i katërt – Eugjeni si një i ri u dëshpërua në dashuri. Pas kësaj u dha pas pasioneve të ndryshme, ngase nuk besonte më në dashuri. Letra e Tatjanës e preku, ndërsa qetësia e tij u çrregullua. Iu kujtua shikimi i saj, por njëherazi e dinte se nuk donte të martohej. U takuan në oborr. Edhe pse i vinte rëndë, ndonëse i respektonte ndjenjat dhe sinqeritetin e saj, nuk ndjente diçka të njëjtë për të. I tha se ajo do të kishte qenë një grua ideale për të, sikur ai të kishte vendosur të martohej. Nuk mund t’ia kthente ndjenjat e veta asaj dhe mendonte se kjo nuk është korrekte ndaj saj. Nuk donte ta përbuzë, ndaj i tha se nuk kishte ndërmend të martohej dhe se nuk e ndjente për të atë që ndjente ajo. Tatjana nuk mund ta shihte me sy. U ndje e turpëruar dhe thellësisht e pafat. U sëmurë rëndë. Fqinjët filluan të flasin se Tatjana do të martohej. Ishte më e madhe se Olga.

Mendonin se është koha të martohej, por Tatjana as që mund të dëgjonte për një gjë të tillë. Ishte e dashuruar te Eugjeni, nuk dëshironte të jetë me askënd tjetër. Në të njëjtën kohë, dashuria midis Olgës dhe Vlladimir Lenskit, sa vente e forcohej. Dashuronin njëri-tjetrin, i shkruanin njëri-tjetrit dhe një pjesë të madhe të kohës e kalonin bashkë. erdhi dimri, me të edhe dëbora e parë. Lenski i sugjeroi Eugjenit t’i vizitonte fqinjët, ngase Tatjana e kishte festën e emrit. E ftuan e ëma dhe motra. Eugjeni nuk vjen me arsyetimin se do të ketë shumë të huaj. Lenski e bind duke i thënë se në festë do të jenë vetëm të afërmit dhe fqinjët e tjerë. Në fund Eugjeni lëshoi pe. Lenski ia bëri me dije se ai dhe Olga kanë ndërmend që së shpejti do të martohen.

Kapitulli i pestë – Tatjana e adhuronte dimrin dhe dëborën e cila i kishte mbuluar shtëpitë dhe fushat. Mirëpo, kishte disa dyshime të çuditshme. Kur atë mbrëmje ra të flejë, pa një ëndërr të çuditshme. Derisa vraponte nëpër dëborë e rroku një arushë. Vrapo deri në kasolle, u mbyll në dhomë. Në atë çast u shfaq te dera Onjegini i cili u përpoq ta rrokte dhe ta sulmonte. E penguan Olga dhe Lenski të cilët në atë çast mbërritën në kasolle. Onjegini nxori thikën dhe vrau Lenskin. Kur u zgjua, Tatjana ndjeu se do të ndodhë diçka e tmerrshme. Olga e kuptoi se e motra kishte parë ëndërr, ndaj e pyeti për ëndrrën, por Tatjana nuk iu përgjigj. Ishte një ëndërr e tmerrshme që e shqetësoi ditë të tëra. U përpoq të mësonte domethënien e saj. Erdhi dita e kremtimit, dita e emrit e Tanjës (Tatjanës).

Nisën të vijnë të ftuarit, miqtë, fqinjët dhe farefisi. Në shtëpi kishte gjallëri, ndërsa të qeshurit u përhap anekënd. Ndërkohë, ia behën Lenski me Olgën. Që të dy u ulën përballë Tatjanës, ndërsa kjo bëri që Onjegini të mos ndjehej mirë. Edhe Tatjana nuk e ndjeu veten mirë. Filloi muzika dhe vallëzimi. Në një moment Onjegini e ftoi Olgën për të vallëzuar dhe vallëzoi me të. Kjo e zemëroi Lenskin. Iu vardis dhe i pëshpëriti diçka në vesh. Lenski, i përshkuar nga xhelozia, vendosi ta ftojë të fejuarën e vet Olgën për të vallëzuar me të, por ajo e refuzoi. Vlladimir Lenski nuk mund të besonte se Olga i ishte nënshtruar vardisjes së shokut të tij dhe për këtë e kishte refuzuar të fejuarin e vet. Nuk e kuptonte se krejt kjo s’ishte veçse një shaka. U orvat të gjente revole.

Kapitulli i gjashtë – Darka përfundoi. Askush nuk dinte se ku ndodhej Lenski. Të gjithë u shpërndanë dhe vajtën nëpër shtëpitë e tyre. Vetëm Tatjanën atë mbrëmje s’e merrte dot gjumi. zemrën ia mbushi yhelozia. Iu zemërua motrës e cila me sjelljen e vet ia kishte thyer zemrën. Ishte e zemëruar edhe me Eugjenin i cili në atë mënyrë i kishte shpërfillur ndjenjat e saj.

Në këtë pjesë shkrimtari e thyen veprimin duke i përshkruar personazhet e njohura dhe duke futur një personazh të ri, Zarecki-n. Ky ishte një prej shokëve të Onjeginit me të cilin shpesh shoqërohej. Një kohë të gjatë s’e kishte takuar, deri në ditën kur kishte trokitur në derën e tij. Ia kishte sjellë letrën në të cilën Lenski e sfidonte për dyluftim. Eugjeni e pranoi kërkesën për dyluftim, por pastaj tërhiqet në dhomën e vet. Fajësoi veten për prishjen e shoqërisë me Lenskin. Duhej të kishte vepruar ndryshe, por tani asgjë nuk mund të përmirësohej. Në të njëjtën kohë, zemra e Tatjanës digjej nga xhelozia dhe pikëllimi. Olga e pyeti Lenskin përse para një dite ishte larguar aq shpejt dhe e kuptoi se ai ende e donte. Për ta mbajtur Olgën, u detyrua t’i kundërvihet shokut të vet.

Të nesërmen u zgjua në orën shtatë dhe u nis për te vendi i dyluftimit. Onjegini dhe Zarecki tanimë ndodheshin atje, pushkët i kishin të mbushura. Tani u mbetej të largoheshin nga gjashtëmbëdhjetë hapa. Zarecki përcillte çdo gjë. U dha shenja e gjuajtjes. Eugjeni krisi dhe e vrau shokun e vet. Rendi drejt Lenskit, por plaga që ia shkaktoi ishte vdekjeprurëse. Lenski vdiq sakaq. Eugjeni u shkua nga humbja e shokut të vet. Zarecki dhe shërbëtorët u kujdesën për kufomën. Eugjeni ishte i ngashënjyer dhe i erdhi keq për këtë që ndodhi.

Kapitulli i shtatë – Erdhi pranvera. Përrenjtë vërshuan, livadhet i mbuloi gjelbërimi. Pikëllimi i Olgës nuk zgjati shumë. Për shkak të bukurisë, kishte shumë vardisës. Në fund e zgjodhi njërin prej tyre dhe u largua nga fshati i vogël. Tatjana vazhdonte të ishte vetë. Ditë pas dite ishte gjithnjë më fatkeqe. Dëshironte ta kalojë kohën duke shëtitur vetë. Dëshironte t’i hakmerrej Ogjeginit, por edhe, sikur Olga, ishte larguar prej fshatit. Një natë ishte duke ecur. Në fund të rrafshnaltës përreth fshatit, sytë i shkuan te prona e një fisniku. U afrua, por qentë filluan të lehin ndaj prania e saj u shpalua. Prej qenve e shpëtuan fëmijët, vajtën pas çelësit dhe ajo hyri në oborr. Këtu sillej Lenski derisa ishte gjallë. Tatjana me një interesim të madh vështronte mjedisin dhe më së shumti e impresiononte biblioteka. U ndal para rafteve të mbushura me libra. Shfletoi disa prej tyre, derisa nuk e kuptoi se ishte koha për t’u larguar. Tatjana u kthye edhe mëngjesin e të nesërmes. Ana plakë e lejoi të hynte në bibliotekë. Tatjana zuri një vend dhe filloi të lexonte.

E ëma ende ishte e brengosur për Tatjanën e cila ende s’ishte martuar. Ishte motër më e madhe, por ende ishte e pamartuar, ndërsa Olga tanimë e kishte lënë shtëpinë e prindërve. Mendonte ta dërgojë në Moskë. Në fund vendosi të bëjë një gjë të tillë. I përgatitën sajat dhe e caktuan afatin e nisjes së Tatjanës në Moskë. Ditën e nisjes, Tatjana ishte e pikëlluar, u përshëndet me të gjithë dhe u nis. Udhëtoi shtatë ditë. Edhe pse udhëtimi ishte i mundimshëm dhe i lodhshëm, atij i vinte fundi. E pritën gjyshja dhe gjyshi, emtat dhe xhaxheshat. Ishin të lumtur që e panë, ngase kishte kaluar një kohë e gjatë nga takimi i tyre i fundit. I gatuan pasta dhe e strehuan në dhomë. Edhe pse Tatjana ishte tejet e druajtur, vashat e Moskës shoqëroheshin me të. Tatjana nuk dëshironte që prindërit të turpërohen, por kurrë nuk gjeti fjalë të vërteta dhe kurrë nuk arriti t’i përshtatet asaj shoqërie. I vinin oferta nga shumë të rinj, por asaj as që i shkonte ndër mend të martohej.

Kapitulli i tetë – Shkrimtari është dashuruar te Tatjana, pushoi të dalë me shokët dhe iu përkushtua asaj. Ndërkohë, u martuan. Në një takim, shkrimtari takon Onjeginin. Ka pyetur nëse ende është ashtu i zemëruar apo është qetësuar, si e kalon kohën dhe ç’është duke punuar. Shkrimtari i afrohet dhe mësojmë se Eugjeni, as është në punë as është i martuar. Qëkur e vrau shokun e vet, Eugjenin e pushtoi shqetësimi nga i cili nuk mund të lirohet në asnjë çast. Në atë turmë, Eugjeni e ka parë Tatjanën. Nuk ka mundur t’u besojë syve se ajo ishte Tatjana Larina, e cila tani e dy vjet ishte martuar me shkrimtarin. Kur ia prezantoi asaj Eugjenin, Tatjana u shtang, por sakaq u qetësua. Eugjenit iu kujtua letra dhe sinqeriteti i saj ku e shprehte dashurinë e saj dhe thoshte se e dashuron. Ia zgjoi kujtimet dhe dashurinë e re ndaj saj. Të nesërmen e ftuan në darkë. Shpresonte se Tatjana ende e donte. Shokët u tubuan dhe me të qeshura filluan t’i evokojnë ditët e rinisë.

Nuk vërejti zemërim te Tatjana. Ajo ishte fare indiferente. Nuk vërejti tek ajo kurrfarë vuajtjeje, as dashuri, që ai ndjente tani ndaj saj. Pas kësaj Eugjeni u sëmurë. Mjeku donte ta dërgonte në banjë, por ai, pa hamendje e refuzoi një gjë të tillë. Siç i kishte shkruar dikur ajo, ai vendosi t’i shkruajë letër asaj. Në letër i shkruante se e dashuron dhe se kishte bërë gabim fatal kur e kishte vrarë Lenskin dhe e kishte refuzuar dashurinë e saj. Përgjigje për letrën nuk mori, edhe pse i shkroi disa herë. Mendonte se Tatjana frikohet se mos kuptonte burri i saj për atë që kishte ndodhur midis saj dhe Eugjenit dhe mos njerëzit do të fillonin të flisnin. Çdo ditë e më tepër bëhej gjithnjë e më i zemëruar. Përsëri u dha pas librave dhe leximit. Në pranverën e ardhshme u shërua. Tani vendosi që përsëri ta vizitojë Tatjanën. E gjeti të përlotur duke e lexuar letrën e tij.

Ajo i rrëfeu se ishte e detyruar të martohej. Nuk e fajësoi për atë që kishte ndodhur dhe për refuzimin e dashurisë që ia kishte shfaqur. Pendimin e tashëm të tij e konsideroi si një akt të ndershëm. Nuk ishte e mundur ta dashuronte sot kur më në fund e kishte gjetur qetësinë e vet. Që të dy e adhuronin qetësinë e jetës fshatare, librat dhe jetën idile – nuk çanin kokën për shkëlqimin e oborrit mbretëror, për festat dhe ballot. Nuk i përkitnin asaj bote. E pranoi se ende e dashuron, por tani kishte detyrime ndaj burrit të vet. Bisedën e tyre e ndërpreu ardhja e burrit të Tatjanës. Ajo u ngrit dhe shkoi. E la Eugjenin vetëm, duke e përfunduar të kënduarit.

Analiza e personazheve – Eugjern Onjegini, Vlladimir Lenski dhe Tatjana Larinova.

Eugjen Onjegini – Është personazhi kryesor i romanit, “dandi” i cili i kushtonte rëndësi pamjes së vet. Ai gjithmonë i zgjedhtë me kujdes rrobat e veta. Përpos rrobave, i kushtonte rëndësi edhe rregullimit të shtëpisë së vet. Në të ritë, e kalonte kohën duke dalë me shokët, nëpër ballo. Ishte plot pasione dhe ishte i dhënë pas femrave. Në një çast, pushojnë t’i interesojnë gjërat, ndaj u kthehet librave dhe mësimit. I kanoset rreziku të dalë nga binarët, ndaj jeta në qytet i bëhet e mërzitshme. Shpërngulet në fshat. Atje takon Vlladimir Lenskin me të cilin bëhet shok i pandarë. Por, për shkak të vardisjes të fejuarës së tij, Vlladimiri e fton në dyluftim. Në dyluftim, Eugjeni e vret Lenskin. Kjo i lë një vragë gjatë gjithë jetës. Pas kësaj, e humbi qetësinë dhe nuk e nxirrte nga mendja shokun e vrarë. Gjatë jetës në fshat, nuk ia pranoi dashurinë vajzës së quajtur Tatjanë e cila i shkroi letër. Por, vjen një ditë dhe fati kthehet. Tani,   ky bëhet ai të cilit nuk i refuzohet dashuria.

Vlladimir Lenski – Mbërrin në fshat. takohet me Eugjenin me të cilin lidh një shoqëri të fortë. bashkërisht i vizitojnë fqinjët, motrat Olgën dhe Tatjanën. Dashurohet te Olga, me të cilën fejohet. Në festën e emrit të Tatjanës, janë tubuar shokët dhe farefisi. Aty sheh se si Olga vallëzon me Eugjenin. Çmendet nga xhelozia. U frikua mos ndoshta Olga tanimë nuk e do. E thërret Eugjenin në dyluftim, në të cilin e humb jetën.

Olga – Është një vajzë e bukur e cila i ka rrëmbyer zemrat e shumë të rinjve, por në fund, dashurinë e vet ia premton Vlladimir Lenskit. Ishte më e bukur se motra e vet, më tepër shoqërohej dhe argëtohej. Kur i fejuari iu vra në dyluftim, nuk mbajti zi aq shumë dhe shpejt u martua me një tjetër.

Tatjana – Motra më e madhe e cila nuk i ngjante Olgës. Pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke lexuar, e tërhequr dhe e qetë. Pjesën më të madhe të kohës dëshironte ta kalojë vetë. Dashurinë e vet ia shprehu Eugjenit, por ai nuk ia pranoi, nuk ia ktheu me dashuri. Kjo i shkaktoi dhimbje të madhe. Kur ndodhej në Moskë, ndjeu se nuk i takon atij mjedisi. Kishte pasion për të lexuar libra dhe digjej për vendlindjen.

Shënime për autorin – Aleksandër Sergejeviç Pushkin ishte romancier, poet dhe dramaturg rus. Lindi në Moskë më 6 qershor 1799. Është konsideruar si një prej poetëve më të mirë rusë. E kanë quajtur baba të letërsisë moderne ruse. Ishte themelues i gjuhës bashkëkohore ruse dhe një prej shkrimtarëve të parë i cili e filloi shkrimin në gjuhën e folur, me çka tregon shmangie nga letërsia e romantizmit e cila në atë kohë ishte më e përhapur. Karakteristika të vargut të tij janë kombinimi i elementeve romantike, i dramës dhe i satirës. Rrjedh nga një familje fisnike.

Në fëmijërinë e hershme, u edukua nga bujqit Nikita Kozlov dhe Arina R. Jakovleva. Në vitin 1811, familja e dërgoi për shkollim në lice në Carsko selo. Që atëherë filloi të shkruajë. Vepra më të njohura të tij janë “Eugjen Onjegini” (1833), drama “Boris Gudunov” (1825), romani historik “E bija e kapitenit” (1836), tregimi “Dama e Pikut” (1833), “Përralla për gjelin e artë”, “Përralla për princeshën e vdekur dhe shtatë trimat”, “Përralla për perandorit Sallatan”, poema “Ciganët” (1824), “Përralla për peshkatarin dhe peshkun” etj.

Vdiq në Shën-Peterburg më 29 janar 1837 nga pasojat e plagosjes në dyluftim.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.