Pak biografi dhe disa rrëfejza e kujtime për Prof. Dr. Zekeria Canën, Anton Çettën dhe Anton Kadri Prekajn

0
521
Bajram Kabashi dhe Dr. Zekeria Cana, 1996

Gjergj-Bajram Kabashi, Oslo

Prof. dr. Zekeria Cana, shkollën fillore, gjimnazin e ultë dhe normalen i kreu në vendlindje. Profesori i famshëm ka lindur më 15 mars të vitit 1934 në Gjakovë, ndërsa ka vdekur më 10 janar 2009 në Prishtinë.

Ka qene historian dhe veprimtar i shquar shqiptar. Një kohë punoi si arsimtar dhe korrespodent i “Rilindjes”, ndërsa pas normales, i regjistroi studimet në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në Degën e Historisë.

Historiani Zekeria Cana

Punën në Institutin Albanologjik e filloi më 10 nëntor 1967. Nga viti 1968 deri më 1976 ishte sekretar shkencor i Institutit Albanologjik. Më 1975 kreu studimet pasuniversitare në Beograd, duke mbrojtur temën e magjistraturës ”Lëvizja kombëtare shqiptare në Kosovë 1909-1912 dhe qëndrimi i Serbisë ndaj kësaj lëvizje”, ndërsa më 1984, në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, mori titullin doktor shkencash, duke mbrojtur temën ”Socialdemokracia serbe dhe çështja shqiptare 1903-1913”.

Zekeria Cana ka dhënë një kontribut të madh për historiografisë shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve gjatë kohës së okupimit të Kosovës nga Serbia.

Vlenë të përmenden e kujtohen fjalët e Akademik Pajazit Nushi, psikolog i njohur i Kosovës, i cili me rastin e vdekjes së Profesor Zekeria Canës, duke folur në emër të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (bashkëthemelues i të cilit ishte edhe Prof. Zekeria Cana), pati theksuar që “profesor Zekeria Cana në vitet e nëntëdhjeta të dy dekadave të shekullit 20, qe bërë simbol i rezistencës ndaj dhunës, përndjekjeve, tmerreve dhe vrasjeve shqiptare.

“Dita e ndarjes prej tij është ditë pikëllimi jo vetëm e familjes, e farefisnisë, e shokëve dhe e miqve, por është ditë pikëllimi i gjithë atyre që dinë ç’është dinjiteti i njerëzor dhe mbrojtja me çdo kusht e këtij dinjiteti”, pati thënë Pajazit Nushi.

Një përshkrim dhe vlerësim tepër i sakt i psikologut të njohur të Kosovës.

KUR DHE SI E NJOHA PROFESORIN ZEKERIA CANA?

Profesorin e nderuar Zekeria Cana para se ta njihja fizikisht në verën e vitit 1984, e kam njohur përmes veprës së tij në fushën e historisë kombëtare, të cilën e çmoja dhe e përcillja me kënaqësi. Më vonë i pata shpeshtuar kontaktet me atë njeri të mirë, të zgjuar e mendjehapur, sidomos para ngjarjeve, që i paraprinë rrënimit të Autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe pas rrënimit të kësaj autonomie. Profesori ishte nismëtari kryesor i nënshkrimit të atij dokumenti që njihet si: “Apeli i 215 intelektualeve shqiptarë”, që ishte thirrje alarmante për të mos e lejuar e mos u pajtuar me rrënimin e autonomisë së Kosovës nga Slobodan Miloseviç. Njëri ndër nënshkruesit e këtij Apeli, ishte edhe autori i këtij shkrimi, në atë kohë gazetar i ri i gazetës “Rilindja”.

Marrëdhënjet më të afërta e bashkëpunuese me te i kam pasur gjatë kohës sa dilte “Alternativa”-“Republika”, organ i Shoqërisë Kulturore-Artistike “Migjeni” në Lubjanë, kohë kur me poetin Ali Podrimja dhe Prof. Zekeria Canen koordinoheshim e merreshim vesh për dërgimin e shkrimeve që botoheshin atje, e që shpërndaheshin pastaj ilegalisht e gjysmëlegalisht gjithandej ku jetonin shqiptarët.

Profesori ka qenë një njeri i butë dhe i hareshëm prej natyrës dhe njihej si person që ishte lehtë të komunikoje me të, pavarësisht moshës sime a tjetrit, në raport me te në atë kohë. Njeri suptil, por edhe i ashpër kur duhej, Profesor Cana ishte i respektuar kahdo qoftë, pasi me njerëzit, pra me masën e madhe të tyre, ai nuk fliste nga pozita e një shkencëtari të fushës së historiografisë, por zbriste në nivelet më të pranueshme të bashkëbisedimit, qoftë me të riun, plakun, blegtoin apo bujkun.

PAK MË NDRYSHE, PËR PROFESOR ZEKERIA CANËN !

Meqenëse Profesori kishte qef të pinte ngapak alkool, ashtu sikurse edhe ne, që shoqëroheshim me të gjatë gjithë kohës nëpër vende të ndryshme të Kosovës e jashtë saj, shpesh bëheshim pjesë e ahengjeve të përbashkëta, duke i dhënë në atë mënyrë pak gjallëri e frymë jetës nën robërinë serbomadhe.

Meqenëse prej fundit të viteve të ’80 e të thuash gjatë gjitha viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, isha ndoshta gazetari i vetëm që më së shumëti jam shoqëruar me Zekeria Canën, i kam edhe kujtimet e veçanta për te, siç i kanë po ashtu edhe të tjerët në mënyrën e vet; kujtime që e shpalojnë natyrën e hareshme, të zellshme e plot jetë të profesorit e historianit të çmuar gjithandej. Në të vërtetë, Prof. Zekeria Cana ishte ai që më ofronte në ndejat me të si dhe që më njohtonte për shumë nga veprimtaritë e terrenit. Unë gjithmonë jam munduar t’ia ktheja këtë respekt e pranim që ai ma bënte, me të gjitha të mirat e mundësitë që i kisha si gazetar, duke i shfrytëzuar lidhjet e kontaktet e mira gjithandej në profesion.

Hapja inteligjente e tij dhe respekti që tregonte për mua e të tjerët, ndikoi që edhe ne të hapeshim në të në të njejtën mënyrë : me ngrohtësi të thuash familjare, duke mos u hidhëruar kurrë nga fjalët dhe qortimet që mund të na i drejtonte në ndonjë rast. Une dhe Musa Sabedinin, kryeradaktorin i atëhershëm i “Botës së re”, një herë shkuam që ta vizitonim në shtëpi e të mirreshim vesh për një udhëtim të përbashkët në një fshat të Kosovës pas një kohe. Me mua ishte edhe Dauti, kusheriu i im. Ne shkuam tek shpija e tij në Prishtinë, ku na pritën ashtu siç është më së miri.

“A doni të pini diçka ?” na tha Profesori Zekeria
“Po …” tha Musa Sabedini edhe n’emnin tonë !
“A doni meze të vogël apo të madhe?”, na pyeti gruaja e Profesorit
“Të madhe …” , iu përgjigjëm !
Në atë rast Profesori u mundua t’ia bënte një shenj “me sy” gruas së tij, por ne e hapëm vështrimin dhe e mbanim të koncentruar në bisedë, kështu që përpjekjet e tij për të ndikuar tek gruaja, i shkuan huq !

Kur erdhi “mezeja” e pamë që Profesori nuk ishte aq i kënaqur, por duke e njohur të dashurin tonë, e dinim që i vije disponimi ndërkohë.

Ndejtëm çka ndejtëm, dhe u ngritëm…
Në të dalë, iu drejtua gruas, duke qeshur :
“Pse bre grue gjithë atë meze, a e din që këta janë “lapera”!
“Gruja ia din rendin Profesor, mos u brengos…”, i them une.
Gruja e Profesorit qeshte … Qeshnim edhe ne !

Dhe, u ndamë, duke qeshur me atë njeri të jashtëzakonshëm, njeri aq human e të hareshëm nga ato kohë të vështira që i jetonim.

Ne vuanim, punonim dhe jetonim. Ishim të bashkuar në të mira e të këqija. Unë, gazetari Musa Sabedini, mjeku Sadik Rashiti dhe gazetari i ndjerë Rexhep Demiri, një herë patëm vendosur të shkonim në një restaurant të njohur në rrethinat e Pejës.

Kur organizonim ndeja e ahengje të tilla, të gjithë “qitnim ngapak” parë, në mënyrë që të mos rëndoheshim veç e veç, se edhe mundësitë nuk i kishim.

Duke iu ofrue Zahaqit të Pejës një plak e ngrehte me “konop” një edh bukur të madh për ta shitë diku aty afër …

Ne e ndalëm veturën, dhe pasi e përshëndetëm, e pyetëm:

“A e ke me e shitë?”
“Po”, – na tha plaku
“Sa e shet?”.

“Tridhjetë (30) marka…”.
Merri 40 marka. Ua pafsh hajrin. E morëm edhin dhe ikëm…
Edhe e këtillë, ishte ajo jetë …!

Në fillim të viteve të ’90-ta me një mik u nisëm me veturë kah Gryka e Rugovës, pasi Profesori thoshte që e ka ndërmend me kalue nëpër fshatin malor të quajtur Velika të Malit të Zi, në kufi me Rugovën, për të shkue prej aty në Plavë. Në Velikë, thoshte Prof. Zekeria Cana, të gjithë banorët janë me origjinë shqiptare, tash malazez, pasi e kanë humbë gjuhën me kohë. Profesori na propozoj të binim andejpari, pasi, sipas tij, nëse shkojmë kah Kulla e prej aty hyjmë në Rozhajë, mund t’i nxjerrin ma shumë probleme atij si dhe neve.

Por, posa shkuam tek Gryka e Rugovës na ndaloi policia serbe në një postbllok të atyshëm me ashpërsi shumë të madhe thuajse kishin qenë duke na pritë, me kërcënimin se do të na e bëjnë “ma zi se disa Kelmendve, që i kemi mbytë tuj i rrehë”.

Më vonë e kuptova se ndër ata që i kishin rrahur në atë postbllok policor, kishte qenë edhe gazetari Ibrahim Kelmendi nga Llabjani, që në atë kohë ishte korrespondent i Koha Ditore nga Peja.

Pasi mue e shoferin na kontrolluen detajisht, na thanë të largoheshim e të qëndronim në distancë. Ia nisën provokimet dhe sjelljet ngacmuese e poshtëruese ndaj Zekeria Canës.

Jesi bre ti Cana-Banana!?”, e marrëzi të tjera.

Flisnin, fyenin, bërtisnin e shanin, ndërsa Profesori vetëm përgjigjej rrallë ndonjëherë, pa shenja të dallueshme shqetësimi në fytyrë. Dikur, për ta poshtëruar nisën t’i bërtisnin e ta urdhëronin se “Duhet t’i zbathte këpucët, për të pa, mos ke fshehë diçka në to!”.

E zbathën pothuaj me zor. Mbetëm të thuash nja dy orë aty, duke i pa provokimet e policëve mizor serbë.

Dikur e liruan Profesorin, duke e përcjellë atë dhe neve me: “Idite bre u sto…” (Shkoni në njëqind p..”).

Tashmë, ishim vonuar për të shkue atje ku propozonte Profesori. Sidoqoftë, u ngjitëm nalt në Rugovë, shetitëm andej-këndej dhe u kthyem pas tre-katër orëve, duke kaluar nga po ai postbllok policor serb.

Kah tjetër ?

Në atë kohë shkonim gjithkah me Profesorin dhe shpesh në të kthyer nga ato punë, që i kryenim rrinim nëpër lokale të ndryshme, duke pirë e duke u kënaqur.

Ne e dinim çka kishte qef Profesori, andaj gjithmonë mundoheshim t’ia bënim qefin atij e vetës njëherit!

Me Profesorin Zekeria Cana kemi shkue disa herë në rajonin e Masbjeshkes, si dhe në Plavë e Guci. Sëbashku me te dhe disa të tjerë ishim edhe tek Qafa e Previsë, afër Andrijevicës në Mal të Zi, për ta identifikuar vendnodhjen e asaj që njihet në histori si Masakra e Previs’, ku sipas dëshmive historiografike janë masakruar mbi 600 shqiptarë në tentimet malazeze për t’u zgjeruar në territoret shqiptare përmes masakrave ndaj popullsisë. Për t’i kopmletuar shënimet e tij, profesori ka shkue edhe herë të tjera atje. Me të ishim edhe në Rozhajë me të, sikurse edhe bjeshkën përmbi Dacaj, ku patën ndejtur një natë tek malsorët e atyshëm, që na e patën organizue një pritje të paharrueshme në lartësinë mbidetare mbi 2000 metra.

E prenë edhe një viç për neve … Mish i pjekun në hell, meze sa të duash, raki po ashtu si dhe të gjitha të mirat e tjera. Profesori nisi ta mbante ligjëratë se si rrjedh prej “një familjeje “hanedane” kasape”, që do të thotë një familjeje me traditë të hershme thertoreje në Gjakovë dhe se e dinte “shumë mirë” se cila pjesë e mishit është “më e shijshme”. Po aq të frymëzuar, ishim edhe ne të tjerët ! (Hahaa!). Me Prof. dr. Zekeria Canën, Sadik Demajn dhe Daut Kabashin e të tjerë, pinin edhe mikpritësit, ngapak edhe dy vëllezërit e moshuar, njëri prej të cilëve i kishte mbushë 104 vjet jete në ato bjeshkë madhështore dhe dukej mjaft i shëndetshëm e i gjallë me faqet “e kuqe si molla”. Brenga jetësore e plakut ishte se Mali i Zi e Serbia “gjithmonë na i kanë shty kufitë”!

“Qy i kanë sjellë kufitë?!”, thoshte.

Ai tregohej tepër nderues e respektues ndaj Profesorit Zekeria Cana, të cilit ia kishte “ni moti zanin” dhe ishte i lumtun që e kishte mysafir në ato bjeshkë të nalta !

Guci, tek Krojet e Ali Pash’ Gucisë…

Zekeria Cana më pati lutë një herë mue e disa nga shokët e mi që të shkonim bashkërisht në Guci tek Krojet e Ali Pash’ Gucisë, Heroit të Kombit Shqiptar, me rastin e kremtimit e organizimit të përvitshëm të një takimi gjithëpopullor atje, takim që mbahej për çdo vit me 2 gusht. Të shkoje në terren me te nuk ishte nganjëhere aq lehtë, se njerëzit e njihnin kahdo që shkonte dhe e ndalnin për me bisedue apo ndejtë me te “vetëm pak”.

Duke shetitë në ato bukuri të Gucisë, para oborrit të një shtëpie disa malsorë kishtin shtrue pije e meze dhe shihej që ishin në kulmin e kënaqësisë.

Disa prej atyre që ishin në atë ndejë, posa e panë Profesorin Zekeria, e thirrën:
Ooo, tungjetjeta Profesor … Eja pak !

Une duke e ditë se Profesori mund të ulej aty e mandej gotë-pas gote mund të na harroj e mos t’i bjerë ndërmend për ne, i them: “Profesor, ose po vijmë edhe ne me ty të paftuar në ndejë, ose po shkojmë edhe ne tjetërkah !

“Jo , mos shkoni. Pritni vetëm dy-tre minuta…”, na tha

Prit e prit, Profesori nuk ngritej nga ajo ndejë e me gjasë as që i kujtoheshim se jemi tuj e pritë. Ne kishim ardhë prej Dukagjinit vetëm në “maica” dhe në atë ambient të freskët malor zumë të ndjenim të ftohtët e Bjeshkëve të Nemuna, në mbrëmjen që afrohej me diellin që fshihej mas bjeshkësh… Filloi edhe të frynte erë. Dikur, në marrëveshje me shokët me të cilët e prisnim, i afrohem dhe i them që ne do të kërkojmë një ndejë këtu afër dikund dhe të presim…

Ashtu e lamë…, për t’u takue ma vonë me të.

Duke e njohur natyrën e tij dhe faktin se kur duhej të ishte historian i mirë, ai tregohej i tillë, pleqnar i mirë, prapë tregohej; andaj pse të mos e duronim edhe qefin e tij, që në mënyrë tjetër ishte edhe qefi ynë!!

Më 1 Maj të vitit 1990 është mbajtur Kuvendi i pajtimit tek Verrat e Llukës.

Zekeria Cana ka qenë njëri ndër organizatorët kryesor të Kuvendit të Pajtimit të Gjaqeve e Ngatërresave, së bashku me Profesorin e nderuem Anton Çetta. Edhe aty u pa madhështia njerëzore dhe fuqia organizative e Profesor Zekeria Canës, Anton Çettës e shumë të tjerëve si këta, që arritën të pajtonin me qindra e qindra familje të hasmuara për motive nga më të ndryshmet.

Këta gjigand të urtisë njerëzore, në atë kohë ia patën mbyllë bukur mirë “kapakun” e grindjeve, ngatërresave, zënkave dhe vrasjeve të mirëmenduara nga UDB-a serbe që nga koha e Aleksander Rankoviqit.

Kah viti 1990 , në maj e qershor të atij viti shtegtuam andej-këndej në disa vende së bashku me Profesor Canën . Kah mesi i qershorit ishim të ftuar në një ndejë në shtëpinë e gjyqtarit të njohur të Gjykatës Komunale për Kundervajtje të Pejës, Kadri Prekajt nga Dubova e Pejës, fshat buzë Drinit të Bardhë, afër Banjës së Pejës .

Aty ndejtëm deri vonë natën me shokët që e shoqëronim Profesorin, e në fund e lamë atë aty e ne shkuam shpive tona, në fshatrat e afërta aty.

Më kujtohet se me një rast Kadri Prekaj, i cili tash është gjyqtar i departamentit të përgjithshëm si dhe udhëheqës i divizionit për Kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Pejë, po i thotë Profesor Zekeria Canës :

“Profesor , gruaja ime ka me lindë djal’ kah fillimi i korrikut’ , prandaj , a mund të ma gjesh një emër sa më të mirë për djalin?”
“Emri është i gatshëm…!” , i tha
“Cili emër…?”
“Anton. N’emën t’Anton Çettës ! A ka emër ma të mirë, o Kadri?”
“Jo, nuk ka, Profesor Zekeria … !”
“E gëzoftë emrin e madh e me kuptim… Gëzuar” dhe u rritë me prindërit!” , thamë pothuaj njëzëshëm, duke u ngritë në këmbë e cakërruar gotat me raki rrushi për Anton Prekajn e palindur, tashmë burrë të pjekur .

Në foto: Anton Kadri Prekaj nga Dubova e Pejës, djaloshi tashmë burrë i pjekur që ia ngjiti emnin Profesori Zekeria Cana, kah mesi i qershorit të vitit 1990, në një ndejë në oborrin e shtëpisë së tyre në Dubovë.

Antoni ka lindë pas tre javësh, më 11.07.1990.
Eshtë i diplomuar në Fakultetin e Biznesit në Pejë.

Që nga ajo kohë ka kalue “shumë uji nën urë”, ndërsa une si autor i këtyre mbresave e kujtimeve të ndryshme për Profesorin , me qëllim që të isha më i sigurtë për shkrimin e kujtimet e asaj kohe, e thirra në telefon mikun e hershëm Kadri Prekaj, që se kisha takuar e as që më ishte dhënë mundësia të flisja me të që nga ajo kohë. Përpos që bisedova me te si me një mik të vjetër, në fb bisedova edhe me njërin nga bijt e tij, Bardh Prekajn, i cili m’i dha shënimet që i kërkoja për vëllain e tij, Anton Prekaj, që Zekeria Cana ia vuni emnin Anton atë natë të qershorit 1990 në ndejën në oborrin e shpisë së tyre në Dubovë të Pejës, duke e nderue ashtu jo vetëm shokun e mikun e tij të ngushtë, Anton Çettën, por edhe familjen e Kadri Prekajt.

Zekeria Cana e Anton Çetta

Eshtë me rëndësi të theksohet se kudo që ishim me Profesorin; qoftë tek Qafa e Previs’ afër Andrijevicës, në Plavë e Guci, në Dubovë të Madhe (të Pejës), në Fierzë (Novosellë të Pejës) apo edhe gjetiu, ai arrinte t’i verifikonte të dhënat që i kishte përmes hartave e shënimeve të duhuna, që i kishte marrë nga periudha kur vite më herët kishte shkuar për studime e hulumtime në Cetinë të Malit të Zi dhe në Arkivin e qytetit kishte mbledhë e kopjue shënime për masakrat ndaj shqiptarëve.

“Të gjitha vendnodhjet e maskrave ndaj shqiptarëve, po përputhen me këto shënime që i kam!“, na thoshte me një ngushëllim e trishtim Profesori.

Të njejtën gjë e vërtetoj edhe në Fierzë (Novosellë të Pejës), në tubimin e organizuar posaçërisht për Profesor Zekeria Canën në shkollën fillore të fshatit nga ana e drejtorit tashmë të ndjerë të asaj shkolle, Gani Ramaj . Sikurse edhe në familje të tjera në Radac të Pejës dhe në shtëpinë e Metë Kabashit në Gurrakoc, ku u bisedua gjerë e gjatë për këtë temë me historianin e drejtorin e atëhershëm të Gjimnazit “Haxhi Zeka” të Istogut, Nasir Kabashin.

Gjithçka përputhej me shënimet nga Arkivi i Cetinës.
Edhe emrat e të maskaruarëve ishin po ata. Fatkeqësisht…

Në veçanti fshatarët e Fierzës (Novosellës së Pejës) i evokuan në detaje kujtimet e atyne masakrave, kryesisht në formën e kujtimeve nga më të moshuarit. Në prani të Profesor Zekeria Canës qysh në atë kohë qe marrë vendim për ta ngritë një shtatore në Fierzë, ku do të përkujtoheshin shqiptarët e vrarë në ato kohë të hidhura, ata njerëz të pafajshëm që e kishin dhanë jetën e vet duke mos i ba asgja askujt. Që ishin vra e maskrue në oborret, arat e shtëpitë e veta. Me Profesorin ishim edhe në disa fshatra të tjera, e patëm qëllim që me të të shkonim edhe në Lugun e Baranit, gjë që nuk ia arritëm për arsye objektive të ishim pjesë e ekipit ndihmës të historianit të nderuem, por ai punën e tij hulumtuese-shkencore edhe në Lugun e Baranit e kishte krye vet, ashtu siç ka ditë ai ma së mirë e më së mbari.

Zekeria Cana me Anton Çettën,
në logun e Kuvendit të Pajtimit të Gjaqeve e Ngatërresave në atë kohë

Fakti që pas vitit 1999, në kohë lufte, mu desht ta merrja rrugën e mërgimit duke e braktisur Kosovën dhunshëm nga ushtria e policia serbe, për ta shpëtue familjen time, më ka prishë shumë plane e projekte në fushëm e gazetarisë, të tilla që do t’ia kallxoj “vetëm natës së vorrit”.

Gazetaria bëhet vetëm duke qenë në jetë, pra duke qenë pjesë e të mirave dhe të këqijave të saj; duke vëzhguar e mbledhë shënime, duke ndejtë me sa më shumë njerëz të natyrave e profesioneve të ndryshme pa e paragjykuar asnjë njeri ; duke qeshë, qajtë e dënesë me ta …

Gjatë gjithë kohës sa isha këtu (në Norvegji) ku jetoj, mendjen e kisha atje: Tek ata njerëz dhe tek ato punë që i lashë të pakryeme. Që i lashe përgjysmë. Dhe tek punët që mendoja se më takojnë t’i kryeja ! Ma së shumëti tek punët e pakryme, që ëndërrova t’i kryja gjithë kësaj kohe por që nuk munda deri tash e ndoshta nuk do t’i kryej kurrë më në jetë !

Në vitin 2004 isha për pak kohë në Kosovë dhe arrita ta takoja Profesorin Zekeria Cana. Shqetësohem kur e kujtoj se nuk ishte më ai Zekeria Cana që e kisha lënë, ai që e njihja ! Nuk ishte më ai njeriu i guximshëm e supatrembur, që nuk donte të dëgjonte për policinë e Serbisë. E dija që ai nuk ishte frikësuar as tash, por ndihej i përhumbur, i lënduar shpirtnisht, shumë i zhgënjyer. Më tregoj diçka që nuk pata dëshirë që e ndëgjova, madje ia mora vetës inati se pse e pyeta, pse e trazova pa e pasur qëllimin që ta trazoja. Kam biseduar edhe në telefon kohëpaskoe me të, ndërsa në vitin 2007 dhe 2008 e takova dhe ndejta pak ma shumë me të në shtëpinë e tij.

Isha disa herë në shtëpinë e tij dhe librat e fundit që i kishte botuar i kam dhuratë me nënshkrimin e tij.

Në vitin 2007 e luta bukur shumë që të bashkëbisedonim për një libër jetëshkrimor për te, mirëpo megjithëse nuk ishte kundër kësaj ideje nuk e gjeti kohën për këtë, ndërsa tuj e pritë të më përgjigjej mua më erdhi koha të kthehesha në Norvegji. Në fund të qershorit 2008 ndërkaq u morëm vesh dhe e bëmë sëbashku skicën e bashkëbisedimit për librin me te. E takova edhe kah fillimi i korrikut 2008 për disa sqarime dhe kah mesi i vitit 2008 shkova së bashku me mikun tim Agim Morina, poetin e publicistin nga Londra, dhe me Fadil Gashin, redaktor i Radio Televizionit të Kosovës, që ta regjistronim pjesën e bisedës fillestare me të.

Kur shkuam na njoftuan se Profesori kishte përjetuar një infarkt tjetër të rëndë dhe se mjekët “ia kishin ndaluar të bisedonte me të tjerë për ckadoqoftë”! Megjithatë, zhagas doli të më takonte … Ishte tepër i lodhur e me një fizik të shuem. U mundova ta bindja se do t’a ruaj/më qetësinë e tij të domosdoshme, por Njeriu që e kishin rrahë aq shumë e pamëshirshëm furtunat e jetës e ndaj të cilave kishte qëndruar me stoicizëm të jashtëzakonshëm, nuk guxoi që ta pranonte edhe sfidën e fundit të jetës: që të kallxonte krej çka kishte për të thënë e që se kishte thënë deri në atë kohë për jetën e vet.

Pasi mbrëmë më 27.01.2019, e kisha postuar një foto timen të hershme me profesorin në fb, e me te edhe një pjesëz nga librit im “Rilindja – Përkushtim e Trishtim“, ku flas për Profesor Zekeria Canën, kishte reaguar edhe kolegu e miku im Fadil Gashi nga gazeta Rilindja, sikurse edhe disa të tjerë.

Fadil Gashi: I paharruar kujtimi per te. Me kujtohet kur ju shoqerova ty dhe Agim Morinen ne shtepine tij. Me vete kishit nje kamere dhe kishit planifikuar te zhvillonit nje interviste te gjate me te qe do te sherbente si baze per nje liber. Edhe sot e kesaj dite pyes veten, pse profesor Cana pritoi te fliste, pasi ai kishte shume gjera per te thene! Sidoqofte, ti dhe Agimi i dolet hakut. Nese nuk gaboj ky ka qene takimi i fundit me te Bajram!

Bajram Kabashi: Po, Fadil ishte takimi i fundit… Paraprakisht ishim marrë vesh që të bashkëbisedonim për një libër për te, libër që e konsideroja të ngutshëm, qoftë edhe me cmimin që ta “prishja pushimin”. Kah fundi i qershorit u morëm vesh për librin bashkëbisedues, andaj une isha përgatitë, i rilexova disa libra të tij, ia përgatita pyetjet dhe me Mikun tonë Agim Morinën ishim për ta regjistruar por, siç e din ti, ai papritë kishte përjetue një infarkt të dytë dhe ishte cuditnisht aq i frikësuem sa nuk pranoj të bisedonte duke ma përkujtue që “mjeku ia kishte ndalue”…

Ndihem fajtor gë nuk arrita ta zhvilloja bashkëbisedimin e fundit me atë kolos të atdhedashunisë e historian aq të zotin, që ishte aq i pranishëm ne jetën e popullit të vet, në gëzime e fatkeqësi, për pothuaj njëzet vite. Ngushëllime i vetëm, nëse mund të shprehem me “egoizëm” ishte libri i fundit që ma dha me përkushtim. Më vjen tepër keq dhe ndihem fajtor pa qenë fajtor fare që nuk arrita ta regjistroja jetëshkimin e tij.

Bajram Kabashi: Në të vërtetë ishte kërkesa e Kastriot Shehdatit nga Gjakova për të shkrue për Zekeria Canën në një libër kujtimesh që ai po e bënë për te, që më ktheu në kohë, në gjurmë, kujtesë dhe u mundova ta shpaloja “arkivin e memorjes” për të. Natyrisht që do të shkruaj, por e dij që diçka ka mbetë e zbrazët, e ajo zbrazësi asht mungesa e atij libri.

Sokol Halili: Të lumtë Gjergj Kabashi, që e kujton burrin e madh, të Shqiptarisë. Ky burrë, kishte diapazan te dijeve univerzale… por, ishte edhe trim i madh, që s’ta ka shoqin. Aty, ku e ka futë kokën Zekeria Cana, këta të sotmit, as gishtin e vogèl s’e shtinē…

Lavdi, dhe nderë, prof. Zekeria Canës ! E ty Gjergj Kabashi, respekt.

Si për shumë punë që i kam lanë të pa kryme në jetë, fakti që nuk munda as që ta filloja e as ta mbaroja një libër jetëshkrimor për historianin e famshëm Zekeria Cana , më ka lënë një boshllëk të madh në jetën time profesionale.

Dhe po ashtu më erdhi shumë keq që nuk munda t’ia plotësoja dëshirën e fundit, siç kërkoj prej meje Zekeria Cana, që t’i mblidhja shokët e mij të dikurshëm me të cilët rrinim bashkërisht përpara lufte, e të shkonim në një vend malor e të pinim e “banim hajgare”, qysh thoshim në atë kohë… Profesori Zekeria më pati thanë që kishte dëshirë vetëm të na shihte “tuj pi”, pasi ai nuk do të pinte, meqenëse mjekët “ia kishin dalue”!

Pjesëz nga libri “Rilindja – Përkushtim e Trishtim”, ku kam folë për Profesorin Zekeria Cana

“Prishtina e 1 Tetorit 1997 ballafaqohej edhe menjë ditë të saj të lavdishme. Studentët dhe populli trim grumbullohej në cakun e duhur. Aty u takuam edhe me profesorin e nderuar Zekeria Canën. Pasi ndenjëm pak me të, e bëmë edhe nga një fotografi – për histori ! Kurdoherë që dikush i delte përballë pushtimit serb në Kosovë, atë gjatë atyre viteve e ka pasur krah të fortë e në ballë.

Nëse ka njeri që më shumë se pesëmbëdhjetë vite e ka zhvilluar luftën e brendshme propagandistike në Kosovë, duke qëndruar në gëzim dhe hidhërim pranë dhe me popullin e vet, atëherë ai mund të jetë vetëm prof. Zekeria Cana, historian, publicist, eseist dhe polemist i pakompromis; themelues i KMLDNj-së së Prishtinës dhe nismëtar i Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve dhe Ngatërresave, së bashku me profesorin Anton Çetta.

Si pasues i mendimit filozofik-popullor të Anton Çeltës, Zekeria Cana me guximin e tij të rrallë, jokarakteristik për ata që thellohen në libra dhe krijimtari shkencore, ngado që shkoj nëpër Kosovë e jashta saj, – e të pakta ishin ato vende ku ai nuk ishte – i dha zemër popullit dhe njeriut të thjeshtë që t’i rezistonte armikut. Duke qenë aq i pranishëm në jetën reale gjatë më shumë se një decenieje, e sidomos në dhjetëvjetshin e fundit të shekullit njëzetë, ai u bë udhëheqës shpirtëror i popullit të paudhëhequr.

Zekeria Cana ka bërë aso punësh dhe veprash të mëdha gjatë dhjetë viteve të fundit në Kosovë, sa që për kontributin e tij të madh, thuajse kolosal, do të mund të ishte e vetëdijshme plotësisht vetëm një politikë e zgjuar shtetërore shqiptare, një politikë që deri tash i ka munguar Kosovës. Për shkak të angazhimit të madh patriotik, u bë njeriu më i njohur për policinë serbe në Kosovë dhe jashta saj ; prandaj ajo polici e arrestoi, burgosi dhe e keqtrajtoj 42 herë, derisa në fund hoqi dorë prej tij!

Me të kam dalë shpesh terreneve kosovare e jashtë Kosovës, andaj mund të them se ai prore është treguar më gazetar sesa shumë gazetarë të tjerë. Për mua Zekeria Cana ka mbetur një njeri i rrallë, ndoshta i vetmi që e preku dhe e përjetoj vuajtjen dhe terrorin që e shkaktonte policia dhe ushtria serbe në Kosovën e atyre viteve. Zekeria Cana, ai guximtari pikëlluar nga ato vite të vështira, u bë kështu mësuesi më i njohur i shqiptarizmit, një mësues i vërtetë që ngarendte fshat më fshat për të ngushëlluar, dhënë zemër dhe ofruar shpresën. Shpresën që aq shumë e luftonte armiku !

Ai edhe asaj dite ishte me studentët dhe popullin e vet…”


Bajram Kabashi: Këtë shkrim e kam përgatitur për librin e Kastriot Shehdatit nga Gjakova, i cili vdiq papritur në një moshë ende të re përpara një viti. Kastrioti e kishte si synim për t’i përmbledhë kujtimet e personaliteteve të ndryshme, që e kanë njohur, e kanë kalua kohë të caktuar me Profesorin Zekria Cana, duke dashur ta bënte një libër për të. Në mesin e të tjerëve, tashmë i ndjeri Kastriot Shehdati mu drejtua edhe mua, që të shkruaja për Profesorin Zekeria Cana, gjë që e pranova me ëndje. Shkrimin fillimisht e kam botuar në revistadrini.info, ndërsa tash po e ribotoj në drini.us.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.