Pse nuk flitet për një hero të vërtetë, për Dervish Caren?

0
711
Kryengritësit e Dervish Carës

Fahri Xharra Shkruan: Fahri Xharra

Historikisht është e vërtetuar që shtetet nuk shkatërrohen mbrenda natës. Farat e shkatërrimit të tyre janë të mbjella thellë në institucionet shtetërore. Pellazgët paskan pas thonë që një e mirë e arritur pa mund, ndodhë që të shkakton të vjellura që s’kanë të ndalur. Mirëpo, për këtë më vonë.

Keni dëgjuar për Dervish Carën?

Dervish Cara është patrioti i madh i cili me Kryengritjen e tij ka arrite, pa ndihmën e jashtme bashkimin e tokave shqiptare në sipërfaqen më të madhe, fatkeqësisht vetëm për 7 muaj.

Dervish Cara kishte lindur në Palçishte, Tetovë ( Kalkandelen, në kohën e turkut). Ishte një djalë shumë i qetë, prej familjes së madhe të Carajve të Maleve të Sharrit. Ai ishte organizatori i Kryengritjes Shqiptare të viteve 1843 dhe 1844.

Si zakonisht, Instituti Maqedonas i Historisë në Shkup i mohon faktet dhe të vërtetën historike, e duke e klasifikuar e këtë hero si ”një shërbëtor të turqve dhe që e paska pas qenë thjeshtë një organizator i një kryengritjeje kundër rekrutimit të myslimanëve në ushtrinë osmane”. Asgjë më tepër! Asgjë më tepër!

Por përmendja e historisë së Dervish Carës, sipas atij Instituti në Shkup s`qenka gjë tjetër vetëm se një ”keqpërdorim nacional-romantik i historisë për qëllime politike”.(?) Sa larg që jeni prej së vërtetës historike! Por: Aleksandar Markovski, edhe pse ishte sllav në vitin 1985 e ka shkruar një libër me titull ‘Kryengritja e Dervish Carës’, ku e shpjegon qartë se kryengritësit shqiptarë e kanë çliruar Shkupin dhe me te ka dalë kërkesa e parë gjatë rilindjes shqiptare për Autonominë e Shqipërisë.

Dervish Cara ka qenë një ndër kryengritësit më kryesorë të kryengritjes antiosmane. Mijëra luftëtare te udhëhequr nga Dervish Cara çliruan Prishtinën, Shkupin, Tetovën, etj.., ku i ngritën edhe organet vetqeveritare të pushtetit.

Në vitet e përmendura neve nuk na linin të shkruanim, e as që të merrnim shënime për vetën tonë; se, juve sllavëve maqedonas … ju as që ishit! Interesant në at kohë Serbisë i lejohej një autonomi; dhe ata i kishin edhe gazetat e tyre. “Serbske novine” (Gazeta serbe) e 17 majit të vitit 1844, në tekstin me titullin “Arnautlija” (Shqipëtari) shkruan se në Shkup kanë qëndruar mbi 20 mijë kryengritës dhe kanë luftuar kundër forcave osmane, të cilët kanë qenë të udhëhequr nga Dervish Cara.

”E shihni! gjërat,që ne nuk kemi guxuar t`i përmendim, janë shkruar në kohë reale mu prej atyre që më vonë as që na lejonin t`i përshkruajmë dhe t`i qesim në vellon e përpjekjeve tona për pavarësi”.

Por, e vërteta është një lloj ujë i nxehtë që del nga toka, i cili shkrin dëborërat dhe akujt që ka përqark, i bën për vete dhe shtohet duke shkuar dhe sado që mund të ngrijë duke u ftohur ajri, pa kaluar shumë kohë prapë bëhet siç ka qenë (ujë i rrjedhshëm) – ka thënë Sami Frashëri.

E njihni Tanzimatin, sepse është i njohur; dhe reformat e Tanzimatit shkaktuan burgosjen dhe likuidimin e Pashave shqipfolës: Abdurrahman Pashëne e Kalkandelenit (Tetovës) dhe dy vëllezërit e tij, Hivzi – Pashën e Yskybit (Shkupit) dhe Hysen Pashën e Kjustendilit (sot qytet në Bulgari). Po, po shqipfolës në shërbim të Sulltanit dhe të xhepave të tyre… Por edhe ashtu si ç ‘ishin, ishin të pa dëshiruar për kreun shtetëror të osmanëve. Këta shqiptar, pashallar, ishin në shërbim të osmanëve.

Dervish Cara e filloi kryengritjen e tij dhe kryengritësit e tij e morën Gostivarin dhe menjë herë në muajin Nëntor iu drejtuan Tetovës (Kalkandelenit), një luftë që zgjati tri javë. Tetova u bë qendër e kryengritësve. Jemi ne Janarin e vitit 1844. I përforcuar në Gostivar dhe Tetovë, përgatitej për Dibrën, Prizrenin, Prishtinën dhe Vranjen, por qëllimi i tij ishte Shkupi, sepse e dinte që edhe aty i kishte përkrahësit. Në Shkurtin e të njëjtit vit 1844 u murr Shkupi, dhe u formua Këshilli i Lartë, të cilin e udhëhoqi Dervish Cara, që ishte Trupi Suprem Organizativ i territoreve të çliruara. Pra, Dervish Cara e çliroi Shkupin.

Rruga e tij prej çlirimtari s`kishte të ndalur: Pas Kumanovës u çlirua Presheva, Bujanovci, Vranja dhe Leskofça ( Leskovac). Kryengritja i përfishinte një nga një tokat shqiptare, Peja, Gjakova, Prizreni dhe Shkodra. Kryengritja dhe çlirimi në pranverën e vitit të përmendur 1844 e përfshinte Ohrin me Manastir në Jug, Shkodrën në Perëndim, Kosovën Veriore në Veri dhe Kumanovën në Lindje.

Nuk ishte thjesht, vetëm Shkupi. Ata i kërkuan edhe Pashës së Janinës që Sanxhaku i tij t`i bashkëngjitej vëllezërve të tyre në luftën kundër Otomanëve… dhe qëllimi i kjartë si loti: Autonomia e Shqipërisë.

Në vitin 1830, Serbisë iu dha autonomia. Por, me shqiptarët veprohej ndryshe.
Ushtria e Guvernatorit të Libanit, me 30 000 burra, u nisë drejt Manastirit, me artilerinë më të rëndë të kohës. Shtatori i 1844-es ishte fundi i Autonomisë së Shqipërisë dhe i Dervish Carës … Dervish Cara u dënua vet i njëzeteteti më dënimin më të rëndë,me vdekje. Pra nuk ishte në pyetje vetëm Shkupi. Ndërkohë, Dervish Cara, në muajin dhjetor, në krye të qindra trimave shqiptarë, e sulmuan Tetovën. Xheladin Beu, duke iu trembur mençurisë dhe trimërisë së Dervish Carës, shfrytëzoi disa miq të tij për ta bindur trimin Cara që të hiqte dorë prej Tetovës. Dervish Crara nuk pranon.

Fjala e tij e urtë tani ka bërë për vete jo vetëm fshatarë të thjeshtë por edhe shqiptarë të viseve të ndryshme që shërbenin në ushtrinë turke, në garnizonin e Tetovës. Historiografia ballkanike,ka pranuar se luftimet për marrjen e Tetovës kanë qenë tepër të rrepta për tri javë rresht. Sidoqoftë fitorja do të ishte në krahun e Dervish Carës ngase mjaft ushtarë të garnizonit turk të Tetovës iu bashkuan me forcat kryengritëse. Edhe këtu, pas vendosjes së pushtetit të vet,Dervish Cara ndërtoi një mbrojtje sa ma efektive duke paraparë sulme të ashpra të turqve, në të ardhmen.

Ajo çka vlen të mos harrohet, në këtë kryengritje popullore, është edhe fakti se krerët kryesorë që u prinin shqiptarëve, I paraqitën Portës së Lartë disa kërkesa ultimative.

Gjyshi i Karagjorgje Petroviqit, udhëheqësit të Kryengritjes së parë serbe, ka qenë Shqiptar dhe se ai është quajtur Gjin Marash Këlmendi, thuhet në librin “Karagjorgjeviqët- historia e fshehur “ Autorët e librit janë Milorad Boshnjak dhe Slobodan Obrenoviqi e edhe Letrari dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Duklës, Jevrem Bërkoviqi e vërteton të njëjtën për përkatësinë shqiptare të Karagjorgjeviqëve. Por, përkundër saj që ishin shqiptarë ata ngritën krye kundër osmanëve.

Dhe normalisht disa gjëra edhe në Perandorinë e madhe Otomane shikoheshin jo në mënyrë të njëjtë; dy njësi të ndryshme vlerësimi për ne dhe për ortodoksët e anëve. Por sidoqoftë edhe pse shqiptarët i udhëhoqën Kryengritjet e para të quajtura Serbe, ato e fituan Autonominë e Serbisë. Pra shqiptarët luftuan për Serbi. Kurse në rastin e Dervish Carës u vërsul e tërë Perandoria kundër tij sepse kërkesat e tij nuk ishin të njëjta me ato të nipit të Marash Kelmendit.

Edhe këta ishin shqiptarë; por edhe këta turku nuk i deshi, dhe i shkatërroi. E mjera Perandori! mendonte se do të jetë përjetësisht në këto toka.

Vorbulla e historisë sonë gjithë shqiptare, ishte marramendëse. Askush nuk mendonte se nga ato përplasje centripetale drejt vrimës së zezë, do të shpëtonim. Furtunat nga ato më të fuqishmet u munduan të na zhbënin, dhe të na hidhnin në vrimën e moskthimit, duke na mohuar të kaluarën tonë, duke na çrrënjosur nga trungu ynë mijëravjeçar. Tjetërsimin tonë e kishin në përparësi; kush duke na shlyer dhe humbur historinë e kush duke na tjetërsuar në kombe të tjera me qëllim të caktuar që të harrojmë veten tonë dhe një ditë të na vjen turp me atë se çka ishim.

“Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besimit fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullsisë maqedonase. Bile, maqedonasit as që i njihte për popull, kurse shqiptarët myslimanë mundohej t’i tjetërsonte në turq. Por ama, përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e shpërdoruar për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe dhe besimin e tyre, prandaj shqiptarët ortodoks i pat “konvertuar” zyrtarisht në serbë.”

Dervish Cara e ka merituar vendin e vet në histori dhe ky është fakt që duhet të pranohet, e jo të fshihet. Hap i parë mund të jetë botimi i librit të profesor Matkovskit në maqedonisht.. I vetmi libër për Dervish Carë. Ku ishin dhe ku janë historianët shqiptar ?
Me 3 nëntor 2012 – Në Amfiteatrin e Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tetovës u përuruat vepra “Kryengritja e Dervish Carës”, të akademik Aleksandër Matkovskit, të botuar në shqip nga shtëpia botuese “BREZI 9” nga Tetova.

Nesër do ta lexoni pjesën e dytë : Pse harrohet një patriot shqiptar e pse lartësohet një kriminel shqiptar i cili ishte në shërbim të Osmanëvedhe e shkatërroi mundin e Dervish Cares. E kush ? Hajredin Pasha !

Ne duhet të flasim për dikë që ka pasur rezultate.

Fahri Xharra, 12.02.22 Gjakovë

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.