ALEANCAT E LDK ME PAN, KUSHTËZUAN ANASHKALIMIN E RUGOVËS!

0
297
Presidenti Ibrahim Rugova

IDRIZ ZEQIRAJ

Shuarja fizike e Presidentit Rugova, ishte një humbje e madhe për Kosovën si dhe dhimbje e skajshme, për shumësinë e shqiptarëve të përbotshëm. Kjo përcjellje lotuese mortore, premtonte një përkujtesë të përjetshme, qoftë të figurës së Tij, qoftë të porosive, të vizionit, të parimeve të hekurta të Dr. Rugovës, të shprehur në thënien lapidare: “Kokën mund të ma ndërroni, por mendimin kurrë!”

Vërtet, Presidenti Rugova u kujtua dhe vazhdon të kujtohet, me pietet e adhurim, nga idealistët, të cilët e besuan në gjallje Rugovën dhe vazhdojnë t`i besojnë vizionit rugovian, pas amshimit. Por, kjo nuk ndodhi me drejtuesit pasardhës të LDK-së. Përkudrazi, krijesen e Tij hyjnore, LDK-në e famshme, partinë fillestare pluraliste, në hapësirën ballkanike, për shkaqe karrieriste, e përdhosen, deri në përbaltje. Një rol të veçantë, për anashkalim, deri në harrim të Presidentit Rugova, ka lozur edhe SHIK-u, që, tashme, ishte dhe vazhdon të jetë i pranishëm, jo vetëm në të gjitha institucinet shtetërore, por, edhe në vet partinë e Presidentit, LDK-në!

Ndryshimi i Statutit të LDK, ikje nga rugovizmi

“Do ta krijojmë një – Lidhje të re -“, ishte paralajmërimi i kryetarit Isa Mustafa, sapo u vu në krye të LDK-së. Dhe, vërtet, ashtu ndodhi! Gjithnjë e më pak lakohej emri i Presidentit Rugova, kur bëhej fjalë për ruajtjen e trashëgimisë dhe të vizionit rugovian. U fillua me rrënimin e demokracisë brenda-partiake në qendër, për t`u bartur në bazën partiake. Shuarja e aktivave, si celula të lidhjes dhe bashkëpunimit me bazën partake, ishte hapi i parë, i largimit nga trashgimia partiake e kryetarit Rugova.

Ndryshimi i statutit të LDK-së, ishte sinjali i qartë, se po zyrtarizohej distancimi nga trashëgimia dhe fryma rugoviane. I gjithë statuti favorizonte kreun e LDK-së, duke i dhënë kompetenca tej mbretërore në drejtimin e partisë. Kjo i dha mundësi edhe të krijimit të një rrethi vicioz, më sakt, të klanit të tij. Në marrjen e vendimeve anashkalonte, jo vetëm anëtarësinë, por edhe vetë strukturat vendim-marrëse brenda partisë, siç janë Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia. Kjo i dha mundësi kryetarit dhe klanit të tij, të riciklohen në pozitat e tyre, me aklamacion, përkatësisht, me votim fiktiv, “alla komunist”, hiç demokratik!

Sistemi zgjedhor, brenda partiak, u deformua, deri në degradim dhe degjënerim të plotë. Votimit të fshehtë demokratik, i zuri vendin akamacioni, votim i hapur, me ngritje dore. Dhe, ku? Në Kosovën tonë, pa fije kulture dhe edukate demokratike, me nj​ë hipokrizi e gënjeshtra klasike, siç ndodhë te popujt e lindur dhe të rritur në robëri.

Ilustrojmë: Në një Kuvend zgjedhor, për kryetar Dege të LDK-së, u votua me aklamacion unanimisht, njëzëri. Por, kryetari me integritet dhe dinjitoz, kërkoi përsëritjen e votimit, tashmë, me votë të fshehtë demokratike. Dhe, ashtu u bë. Rezultati sheshoi hipokrizinë e të njëjtit Kuvend zgjedhor. Pra, kryetarin e rrëzoi vota e fshehtë.

Shansi i humbur edhe i kundërshtarëve të Rugovës 

Të bëmat e Presidentit Rugova, tashmë, janë lëndore, të dukshme. Rrugëtimi i Tij i natyrshëm, me synime të qarta, për t`i sherbyer Atdheut; intelektualiteti i veçantë, parimësia proverbiale, e solli Atë në kohën e duhur, në drejtimin e Kosovës. Presidenti Rugova e bëri paqen dhe luftën. Ai realizoi shumë projekte. Maturia, aftësia unike e Tij, për të përfituar shumë miq, sepse siç thoshte Ai se “shtëpia pa miq nuk mbahet”. Dhe, kjo është arritja më e madhe, për çka nuk duhet harruar kurrë.

Presidenti Rugova kishte projekte numerike dhe fisnike, për Kosovën tonë. Shteti ligjor, pa krime e hajni, me resurse të bollshme vendore, për t`u zhvilluar e begatuar, duke siguruar mirëqenien e nevojshme, për qytetarët e Kosovës. Këto projekte ishin të arta, por, ndarja nga jeta nuk mundësoi realizimin e tyre. Përkundrazi, opozitarët e atëhershëm PAN-istë, mediokër, në vend që të mësonin nga trashëgimia e Dr. Rugovës, bënë të kundërtën. Me qëllim denigrimi, shpifën, madje, duke botuar edhe libra, me paratë e shtetit, duke mashtruar, kinse, për lobime për njohjet e Kosovës!?

Kundërshtarët e Dr. Rugovës, në vend që të përfitonin nga trashëgimia e Tij e shkëlqyer, ata, në gjallje provuan, të paktën, dy herë vrasjen e Tij, sepse, gjithsesi, e donin të vdekur. Për çudi, njëri nga atentatorët, pranon vënien dhe shpëthimin e tritolit, me telekomandë, buzë rrugës, kur kalonte vetura e blinduar e Presidentit Rugova, më ç`rast u dëmtua. Krimineli rrëfen porosinë e marrë nga anëtarë të SHP të UÇK-së, madje, me emër dhe mbiemër. Megjithatë, kriminelët janë të lirë dhe të veshur me pushtet!

“Komandantët” profanë, inferiorë ndaj Rugovës

Disa “komandantë” të babëzitur e mujëshorë, për t`u pasuruar ngutshëm e hajnisht, nëpërkëmbën, deri në përtokjen e Kosovës, shtetin më të ri, por, edhe më të brishtë të Evropës. Ata nuk lënë “gurë pa lëvizur”, për  ta lënë në harresë, veprën madhore të Presidentit Rugova. Sikur nuk u mjaftuan, me kërcënime e shantazhe, për vrasje e kidnapim të fëmijëve të Presidentit, të cilët kaluan një fëmijëri të izoluar dhe të trishtë, unike për epokën dixhitale.

Edhe tani, kur u maturuan, zyrtarët e lartë, shtetërorë e pushtetarë, rrugaçërisht e poshtërsisht, vazhduan me shantazhe, nga më të ndyrat, kundër Familjes Institucion Rugova. Qëllimi mafioz, duke i diskredituar fëmijtë e Tij, ta godasin, figurën e shenjtë të vet Rugovës, edhe pas amshimit! Megjiithatë, dështuan turpshëm. Shqiptarët kurrë nuk u lëkundën, në besimin e madh, për themeluesin faktik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të vet Shtetit të Kosovës. Për shqiptarët e përbotshëm, në mendjet dhe zemrat e tyre, figura e Presidentit Rugova, ishte dhe mbeti hyjnore. Ndërkohë, për kundërshtarët e Tij, koha, historia rezervoi fundin e palavdishëm, ashtu siç pritej nga shqiptarët dhe opinionin e gjerë botëror.

Udhëheqja e re e LDK-së, i ka premtuar elektoratit dhe popullit, se do t`i rikthehen frymës rugoviane, trashëgimisë udhë-rrëfyese, për t`i realizuar projektet e papërfunduara madhore të kryetarit Rugova. Në mes vlerësimeve numerike, shquhet ai i Prof. Dr. Sali Berishës se “Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, nuk ka ndërmjetës në histori dhe Shqiptari, pas Gjergjit tonë legjendar”!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.