Fëmija-lis

0
611
Namik Selmani

Tregim nga Namik Selmani

Në sa e sa këngë popullore të krahinave të ndryshme duke përfshirë këtu edhe Kosovën sa e sa vargje djemtë mustaqepadirsur ose dhe burrat me plisa të bardhë e me pushkët në duar, të ishin dhe të ëndërroheshin bash si lisat.

E kjo është bërë që në këngët e djepit që kanë qenë abetaret e para të dashurisë së nënave për fëmijë. Të Akademisë së Fëmijërisë që u kalon gjithë Akademive të botës për ëmbëlsinë, për maturinë, për jetëgjatësinë dhe për mençurinë që njëri brez kërkon t’ia përcjellë tjetrit.

E lisat nuk ishin kurrë baobabët e shkretëtirave që ngulin fort sa më thellë donin rrënjët e tyre për të marrë pikën e fundit të ujit që nuk ua jepte dot qielli.

Ai shi që mungonte në degët gjethembushura të baobabëve, të palmave gjethegjëmbuara apo dhe kaktuset e mprehtë, sikur jetonin në një jetë-sfidë me qiellin, me tokën e rërëzuar, me udhëtarët e karvaneve që donin pak ujë më shumë.

Donin pak hije më shumë në oazet e munguar, donin një vend pushimi si të ishte një parajsë e vogël pas lodhjes së madhe të putrave me ose pa këpucë.

Nëse vargjet e popullit shqipfolës ose edhe të mbarë Ballkanit me kaq mite dhe histori luftrash, folën e, më tej, bashkuan tingujt, shkronjat, do të më bënin edhe mua një ëndërrimtar që vargu im modesht ose dhe i skalitur artistikisht t’i ngjante lisave.

Nuk e besoja se një ditë, jo një burrë leshrathinjur, me një shkop të lisnajtë në duar, por do të takoja një fëmijë-lis në moshën 300 e ca vjeçare. Do ta takoja atje larg dhe afër në një fshat të një krahine me emrin e bukur SHPAT. Jo të atyre shpateve prej nga ngjiten e zbresin mushkat e ngarkuara me qengja, me dru dimrash, me thasë misri të bluar.

Do ta takoja këtë fëmijë-lis në një fshat emërburri LLESHAN. Po t’i heqësh atë zgjatim si do ta quaja unë atë grup tingujsh ose le ta quajmë edhe çiban AN do të mbetej në LLESH.

Po sikur po takoja një Llesh mirditor, pukian, lezhian që ka ardhur s’di se kur në këto gryka me pre dru e si një druvar i mirë me krahët e sëpatën e lodhur të ngrohte duart e vockla të fëmijëve në oxhakët e dimrit e për të mundur dëborën e madhe.

Po, po, bash aty do të takoja mbase një Llesh të vogël, një Llesh të madh në moshë, të stërmadh më mirë ta them. Të paktën 300 ose dhe 400 vite moshë.

Ia dhanë këtë emër Fëmija-Lis fshatarët që do ta zëvendësonin në një sallon që mund të quhej dikur Sheshi i Lisit. Nëse ndonjë ditë, ndonjë rast aroma e legjendave, e miteve do të na ndante menjëherë me atë që mund të kishte ndodhur, aty, në Lleshan ajo është më afër se kurrë pranë së vërtetës. Të vijnë në mendje udhët, gjethimi i lisit, degët e tij që formojnë një kurorë të çuditshme, të jashtëzakonshme qoftë edhe të paimituar nga ata që punojnë sot në vende të ndryshme me fotoshopet e sajuara.

Deri në kufirin e fundit të imagjinatës dhe të besueshmes dhe të së prekshmes.

* * *

Kishte shkuar shumë herë në Elbasan Vasili. Meqë kishin mjaft punë e ndërronin ditën e Pazarit me gruan e tij. Nganjëherë shkonte dhe gruaja. Më shumë shkonin në pranverë dhe në vjeshtë kur edhe nevojat e tyre ishin më të mëdha për ushqime, po edhe pse bora e maleve të Shpatit ia bënte të vështirë atij dhe burrave të tjerë rrugën.

Po në vjeshtë kishte mjaft begati, mjaft pemë. Ata bënin mjaft zahire e një pjesë prej tyre e dërgonin në Elbasan ku i pëlqenin shumë.

Dërgonin në tregun e zhurmshëm të Bezistanit lugë të gdhendura, mollë të thata, vezë të freskëta, me të cilat gratë e qytetit gatuanin byrekët dhe sidomos gjalpin, me të cilin ato bënin ballakumet e ëmbla të Ditës së Verës.

Pranë Sheshit të Bezistanit kishte mjaft hane. Mbase nuk i vinte shumë herë radha që të flinte aje po edhe futej për ta pirë një kafe në kafenetë e shumta ku kuqëlonte prushi i ndezur në ca mangalla dhe ku kafexhinjtë shtrëngonin në njëjtën kohë dy-tre xhezve bakri për t’i vënë në zjarr.

Por veç asaj pune që kishte menduar të bënte ai kishte mjaft dëshirë që të shihte atë qytet të bukur me rrugicat e ngushta me lulet, me njerëzit e paqtë që i shihte dhe i takonte gjithëkund.

Aty takonte ustallarët e qelesheve. Shihte bahçevanët që në rrugicat afër kalasë merreshin me lulet, me portokallet.

Dëgjonte goditjet e farkëtarëve që kishin shumë djersë në ballin e tyre. Shumë herë blinte tek ata sëpata për duart, kazma, drapërinj, shata për prashitjet pranverore.

Në disa dyqane blinte dhe patkonjtë për kalin e mushkën se në ato gryka nuk bëhej dot pa to e këmbët e tyre do t’i dhembnin nga gurët e maleve dhe nga ferrat e shumta.

Nganjëherë blinte edhe opinga për vetë e për vëllezërit e tij

Po djepin e Kolës nuk e bleu në Elbasan. E bëri në Zavalinën e tij që para se të lindëte djali Jo se nuk e mbante dot në krahë, por se donte ta bënte me këngë në buzë. Një lloj si ajo kënga e pambaruar që do ia këndonte gruaja e tij kur ai do të lindëte, e do të qante e do të qeshte, e do të mërmërinte tingujt e parë, fjalitë e para,.

E bëri vetë se këtë zanat ia kishte dhënë babai i tij Nauni, ai burrë i mirë që e njihte tërë Shpati për bujarinë dhe duart e tit ë arta.

Po asnjëherë nuk harronte që të blente dhe ca sheqerka. Ia jepte Kolës, por edhe fëmijëve që loznin së bashku me të në oborrin e shtëpisë dhe në sheshin e lagjes me ato pak shtëpi që kishte. Ishte ligji më i gjatë në kohë dhe i pashkruar që të gjithë burrat të merrnin sheqerka për fëmjët e lagjes të fisit. Sikur bashkoheshin më shumë fëmijët në atë rit të bukur që bënin burrat ose gratë kur vinin nga Elbasani.

….Këtë radhë Vasili po e bënte rrugën me gruan dhe me djalin. Ishte hera e parë që po merrte edhe djalin e tij të vogël që ishte vetëm 5 vjeç

. Ia kishin vënë Kolë në emrin e gjyshit të tyre që ta trashëgonte urtësinë, forcën, bujarinë e tij dhe të gjithë të mendonin se veç atij Kole kishte një Kolë tjetër patjetër më të mirë më të mençur e më bujar.

Një ditë më parë duke lozur në hijen e një lisi zavalinas kishte futur në gojë një lënde lisi dhe ajo i kishte ngecur në fyt. As i shkonte poshtë në stomak e as që e nxirrte dot nga goja. Përtypej shumë djali e nuk e kalonte dot. As hëngri dot atë natë. Po as ujë nuk piu. Vetëm qante qante, ankohej shumë dhe i shihte lutshëm me sy të përhumbur nënën dhe babain që ta ndihmonin. T’ia hiqnin atë gogël të mallkuar. Kush ishte fajtori i atyre psherëtimave fëminore? Kush po e sillte atë gjendje që ishte kaq e rënduar.

Dhe… ah, burri dhe vetë gruaja pa ia thënë njëri-tjetrit mendonin gjënë më të keqe . Atë që të vjen në mendje dhe nuk do t’ia thuash askujt në kë to raste.

Shiheshin në sy me njëri-tjetrin dhe heshtnin. Ç’të bënin?

Kthenin sytë nga qielli se mos vinte shpëtimi andej . Nga toka. Nga vendi ku ishte lisi që e kishte nxjerë atë gogël pa ditur se një ditë vjeshte zavalinase do të shkonte Kola i bukur do ta kullifiste si një kokërr mani, si një kokërr qershie, si një arrë.

Edhe nesër kur të shërohej e të mos ankohej më për atë të mallkuar lënde lisi, ai do ia mbushte prapë duart me sheqerka. Do ta dërgonte vetë te Usta Filipi dhe do i thoshte që të merrte sa të donte e ç’të donte në atë dyqan….

Dhe e vendosi . Më saktë të dy e vendosën do të niseshin pa gdhirë për në Elbasan as për të blerë e sa për të shitur. Do të dërgonin djalin të ndonjë njeri që ta shëronin. E dinin shtëpinë e atij shërimtari se tek ai kishin shkuar për hae sëmundjeje edhe të tjerë.

Ishte djali i parë drita e syrit që duhet të jetonte edhe për vete, edhe për ata.

Rrugë e gjatë. Shumë e gjatë. Shkonte gati tetë orë. Do niseshin në mëngjes herë të asaj vjeshte dhe do të mbë rrinin pas dite kur dielli të kishte marrë udhën e perëndimit.

Bënë diçka për të ngrënë se udhë e gjatë e do i merrte pak uria. Vunë dhe një shishe me dhallë që të pinin rrugës, edhe pse burimet ishin të shumta në Pashtresh, Gjinar, në Shelcan apo kur do zbrisnin tatëpjetën me sytë te Elbasani.

Pesha e rrugës po bëhej më e rëndë edhe nga pesha e dhimbjes dhe pesha e asaj që ishte e panjohur për të tre, për atë vetë, për gruan e sidomos për Kolën e dashur.

Kali atë ditë kishte misionin më të madh, më të dobishëm të jetës së tij. Kishte mbajtur dru për oxhakun, kishte mbajtur pleh për arën e mbjellë, kishte dërguar nuse te shtëpia e dhë ndurrëve të rinj, por sot ai duhet të dërgonte sa më shpejt djalin te ai vend që duhej.

Nuk kishte shumë njerëz në rrugë. Nuk ishte ditë pazari kur kishte mjaft njerëz që shkonin dhe vinin.

Ashtu, të lodhur e të sfilitur nga dhimbja, menduan që të ulen diku në një shpat të Lleshanit.

Ishte bërë gati gjysma e rrugës. Tashti do të kishin rrugë të tatëpjetë dhe mbase do arrinin më shpejt në Elbasan. Nxorrën bukën nga trasta pak djathë e disa domate që bëheshin vonë në atë fshat.

Kola u ul me prindërit dhe pas pak nisi të ecte pak në atë livadh të vogël që ishte në atë shpat. Gogla sikur ishte bërë pjesë e trupit të tij.

Pasi bëri disa hapa ndali. Ç’po ndodhte. Oh, po përtypej me atë lëndë dhe më tej nuk po fliste më. As po lëvizte.

– O po, çfarë ka djali që nuk po lëviz më?!!!- tha Elena.

E lanë menjëherë bukën dhe shkuan me vrap.

Oh, djali ishte shtrirë e nuk po fliste më . Kishte drejtuar sytë nga qielli sikur i kërkonte ndihmë atij, diellit që jepte një dritë të fortë në atë ditë të fundgushtit.

Kishte vdekur.
Ah, të prisje dhe pak, more bir,
Të më bëheshe dhe më mirë
Ah, ç’ma bëre shpirtin copë
Si të vë ty në një gropë ?
e nisi kujën e saj nënë Elena.

Para tyre rrinte Kola që i kishte mbyllur sytë që vetëm para pak minutash po shihnin nga degët e pishave që sapo po thanin pikëlat e vesës së asaj nate shtatori.

Ah, nuk do të bëhej burrë Kola që më vonë të ngiste buajt në zgjedhë për të mbjellë ugaret. Nuk do të mudej që të bëhej një bari i fortë që të drejtonte tërë dhentë e dhitë e tufave të bababit të tij.

Vec atij fshatari që erdhi t’i ndihmonte, asnjë nuk dukej në atë rrugë fshati.

Shkoi në një shtëpi aty afër dhe kërkoi një kazëm e një lopatë. Duhet ta varroste aty Kolën e mirë.

Ecte i menduar dhe kujtonte ato dië kur ai erdhi në jetë.

O, sa ëndrra kishte atëherë e në secilën ditë të jetës së tij!

O, sa kohë që e priste një djalë Vasili. Le të quhej Kolë, Petër, e si të donin t’ia vinin emrin.

E prisnin më shumë se blegerimat e deleve që e lumturonin kur i nxirrte nga kasollja , se petalja e luleve dhe e sytheve të drurëve. Dhe e qara e tij e parë ishte shumë e bukur.

Dhe Kola erdhi si kryegëzimi i asaj shtëpie dhe i fisit

Edhe malet rënkuan atë ditë, atë agim, me puhizën e ëmbël të vjeshtës shpatarake.

Dhe nëna e ndjente më afër atë rënkim. Po kaq dhe babai Vasil. Jo vetëm se ishin rritur në ato male dhe e njihnin edhe ndryshimin më të vogël të tyre.

Po atë ditë ky rënkim nuk po vinte në formën e një tërmeti që prish shtëpi, kotecë.

Vetë mallkmi i saj ishte rënkimi i maleve.

Te duart që shkërmoqnin dheun e varrit më të ri.

Ndoshta më i riu dhe i pari që ishte hapur në atë rrugë karvanarësh.

Dhe thonë se ai dimër që erdhi pas vjeshtës së dhimbjes u bë mjaft i egër. Pati më shumë borë. U rrëzuan më shumë drurë nga era dhe bora.

I dukej se e tërë Zavalina ishte bërë streha e tij.

Sa me padurim priste ta merrte në livadhet, t’ia mësonte emrat e shtigjeve, të burimeve, të maleve.

T’ia tregonte emrat e luleve, të bimëve, të zogjve, të kafshëve , të pëllumbave,. T’ia tregonte se si tringëllinin zilet e staneve. T’ia mësonte se si të ruheshin bagëtitë nga ujku dhe pulat nga dhelpra.

O, sa do të gëzonte kur ta shihte Kolën kur të lozte me qengjat, herë të bardhë, herë pullalli.

Të gjitha këto i shkonte në mendje kur me kazmën po i hapte varrin atij djali si lule në atë ditë vjeshtarake. Vinte në secilën rrugë aroma e pjergullave që kishte në secilin sheg nga shihnin në fshatrat që rrinin në male si në një prehër gjysheje mbushur me arra e ma bajame.

Erë e boçave të pishave që po thaheshin pak nga pak.

Edhe pse ishte i vogël, ai mezi priste një ditë kur ta dërgonte në Elbasan.

Lajmi mori dhenë si i thonë fjalës. E morën vesh mjaft shtëpi aty afër dhe, pas një dite, mjaft fshatarë shkonin për të ngushëlluar me kokën e ulur e pa shumë fjalë në shtëpinë e tyre atje lart, në Zavalinë.

* * *

Pas dy vitesh rasti e solli që Vasili të vinte prapë në Elbasan.

U ul sërish në atë vend ku Kola kishte mbyllur sytë. Tek ai varr që pak nga pak po humbte dhe po bëhej njësh me tokën .

Kur ç’të shihte????

Aty kishte mbirë një filiz. Po, po një filiz lisi. E njihte mjaft mirë lisin. Kishte punuar një jetë ai, babai dhe të gjithë burrat e krahinës.

E kujtoi sërish atë ditë të zezë. U ul në gjunjë dhe e përkëdheli atë filiz lisi. Në shtëpi atje në Zavalinë një djalë tjetër dhe një vajzë kishte zbukuruar shtëpinë.

Një nga një e morën vesh të gjithë se çfarë kishte nddhur te varri i Kolës.

Dhe më shumë se fjala e dikurshme për vdekjen e tij nga ajo e mallkuar lënde lisi ishte ky lajm i veçantë i rrallë mbase dhe i bukur.

E kuptuan të gjithë se çfarë kishte ndodhur. Trupi i Kolës fëmijë ishte tretur pak nga pak dhe ajo lëndë lisi ishte gjetur minutë pas minute, ditë pas dite, vit pas viti dritën e diellit, kaltërsinë e qiellit sheh sytë e njerëzve për të dalë lart në tokë. Bash atje vendin për të ngjitur larg. Atje ku ishte syri i njerëzve, i grave dhe i burrave që kalonin andej, i fëmijëve që ndalonin pak me prindërit e tyre.

E lisi që ishte mbirë atje nuk do të ishte një lis i zakonshëm, po ishte Lisi-Fëmijë ose edhe ndryshe Fëmija- Lis.

Ndryshe nga lisat e tjerë kudo ku ata rriten dhe gjethërojnë, Lisi-fëmijë ose Fëmija –Lis i kishte dhe i ka ende dhe sot degët që më shumë se qiellin gati prekin tokën si një përqafim i përjetshëm mbi 300-vjeçar për atë fëmijë që mbeti në një varr, po që më vonë do të ishte moshën më të madhe të një njeriu atje në atë zonë ku lisi dhe pisha qerpikgjelbër janë si vëllai me motrën në ato gryka ku shumë herë dimri i mbulon arat druët, çatitë e shtëpive, mullarët e barit, livadhet, pragjet e shtëpive, sheshet e lodrave të të rinjve dhe kasollet e bagëtive.

Dhe ndodhi ajo që edhe pritej pak nga pak . Pas drurit të lisit që rritej po kaq i bukur sa dhe trupi i Kolës së dikurshëm, lindi më këngë. Një këngë që fjongo kujtimesh i vihej secilit që vinte dhe largohej nga kjo jetë.

Lis, o lis në majë të malit
O ç’të keqe i dhe djalit!
O ti diell që ndrin tokën
Pse na nxive pragun, odën?
O ti diell rrezengrohtë
Pse na bëre det me lotë?
Zavalinë me shumë halle
Pse solle gjëmën e madhe?

Duket se kënga vetëm rritej, rritej më shumë se lulet, se fidanët e pemëve dhe të drurëve.

Ishte një këngë që i shtohej gjerdanit të këngëve që ishin kaq të shumta.

Kishte këngë për kurbetin, për punën, për dashurinë, për dasmat, po një këngë e tillë menjëherë zuri vend në kujtesë.

Mbase më e dhimbshmja. Më tronditësja. Nuk ishte vetëm mosha e djalit të vdekur, por edhe vendi se ku ai vdiq.

Mbase ishte pararendësja e viteve dhe shekujve që do të sillnin të tjera këngë, për të.

Kush e bëri këtë këngë? Kush? As atëherë e as tani nuk e morën vesh se kush e bëri. Mbase rapsodi që e mori këtë mision kujtese kur nuk kishte me se të gdhendej kjo histori tragjike.

Mbase e bëri shpirti i dhembur i Vasilit dhe Elenës.

Apo e bëri ai fëmijë-lis që mbeti sa i vogël në atë varr mes shpeteve të Shpatit aq dhe i madh sa edhe mosha e lisit që mbiu në atë vend ku ai u varros.

Aq dhe i madh sa hija e kurora e degëve të tij që mbanin në hijen e tyre burat e ardhur nga udhë të largëta dhe shkonin drejt Elbasanit e shtigjeve më larg se ai qytet.

…..Kështu ecnin vitet.

Vetëm dy tre hapa larg varrit që tani s’është më varr, por vetëm një varr-lis u ndërtua një xhami. Nuk e dimë se kush e vuri gurin i pari në themelet e asaj xhamie. Po në lutjet mbrëmësore, të agimit , mbase ata që futen në dyert e saj, mund të bëjnë kohë pas kohe të luten edhe për shpirtin e tij

…Mjaft breza iknin në kohë ose para kohe nga jeta e lisi që rritej pëllëmbë për pëllëmbë sikur i thërriste atëherë dhe tani: “Ejjj, o kalimtarë, o njerëz, o burra të lodhur e sfidantë dimrash, o ju të dashuruar që merrni që në hapat e parë të dashurisë urimin” “Të trashëgoheni!” Merrni hijen e këtij lisi! Uluni dhe tregoni brez pas brezi këtë histori sa gojëdhënë aq dhe të vërtetë. E di se askush nuk mund të gjejë këtu kufirin e vërtetë të reales dhe të pabesueshmes në këtë histori, por Kola do ju tregojë ato që nuk e keni ndier më parë dhimbjen e ndarjes dhe jetëgjatësinë e një lisi.

Boston, 6 qershor 2019

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.