E harruam Alije Vokshin

0
267
Alije Vokshi

Ilir Muharremi, kritik i artit

Shpirti i saj tashmë ka udhëtuar drejt parajsës, drejt shtigjeve të pa përvojë. Xhamat e djersitur e të avulluar tashmë vizatohen nga një dorë e tejdukshme, një dorë e cila nga parajsa shtyn gjurmët. Në këto xhama shohim portete dhe akte. Artistët nuk vdesin, ata jetojnë dy herë. Ata na shfaqen kudo, në ekran, pikturat e tyre jetësohen nëpër mure të dhomave të shtëpive, Muzeve, Galerive dhe kafeterive. Nuk mund të themi se piktorja Alije Vokshi ka vdekur, ka ikur, ka ndrruar jetë, ose u përjetësua. Vokshi jeton sepse mbijeton arti i saj.

Tash të gjithë e kujtojnë nëpër rrjete sociale, askush nuk e dëgjoj zërin e saj derisa dergjej në vetmi. Tash secili nga ne e gdhendim si një statujë ikonike, me sy të njomur që shkëlqenin nga reflektimi i dritës. Kujtojmë atë buzëqeshje rreth gojës që shoqërohej gjithnjë me falenderim. Nuk mund të kujtojmmë dhimbjen e ditëve të pleqërisë e cila asnjëher nuk u zhduk.

Artisti në pragë të vdekjes asnjëherë nuk është i paduruar para jetës sepse e dinte bukurinë dhe pasurinë e saj që e shfaqte në telajo. Realitetin e hidhur të mbuluar me shumë perde, Vokshi shprehte atë lakuriqësinë e tij, atë sakrificën e ndaluar e besa edhe të obliguar nga një mentalitet i hidhur i cili ishte prezent vite me parë. Artisti është si një magjistër dhe parashikues dhe pak nga ne u interesuam për magjinë e saj e cila tashmë jeton në vepra. E harruam Alijen sikur po i harrojmë të gjithë artistët e vjetër. E lamë të vetmuar, të dergjej brenda vetvetes dhe ja, erdhi kjo ditë e cila po na pret të gjithëve duar hapur dhe gëzim të thellë.

Në pikturë Vokshi paraqiti motive nga veshjet tona, zakonet e fshatarëve, sakrifica e tyre, puna dhe mundi. Dominonte figura e gruas dhe e burrit. Gruaja paraqitej në pozicion të ulur, me shuplaka të dorës së zmadhuara si simbol i punës ditore, fizike, përkushtimit rreth shtëpisë. Madje vëreheshin edhe të qarat nëpër shuplaka të dorës. Shpirti dhe rezistenca e gruas përballë stuhisë dhe sfidës jetësore, ishin nga imazhet dhe problemet të cilat Vokshi i jetësoi në pikturë. Në një punim shihet një plakë e këndshme dhe shumë gazmore, duart i mban njërën mbi tjetrën.

Qëndrimi i saj i drejtë, krenar aspak lodhës me gjithë atë sakrificë që e bënë. Një burrë në moshë të shtyer me plis në kokë, në pozicion të ulur, me duar të mbështetura mbi këmbët e tij, duket i lodhur i rraskapitur nga puna. Figura e njeriut, jeta e tij, mundi i tij, punët fizike janë disa nga motivet në veprat e Vokshit. Ngjyrat në fytyrë janë oker, me reflesk drite krahas kostumit të zi ose kafe që nxjerr në pah kontrastin e fytyrës. Prapavija është e zbrazët pa ndonjë figurë, me ngjyrë me shtresë të hollë krahas figurës.

Piktorja Alije Vokshi ishte gruaja e parë shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë. Vokshi ka lindur në vitin 1945 në Prishtinë. Ka mbaruar Shkollën Pedagogjike në Prishtinë, ndërsa përfundoi studimet e magjistraturës në Beograd në vitin 1981. Ajo kreu edhe një vit specializim në Paris dhe më pastaj u angazhua deri në pensionim, si ligjëruese në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës nga viti 1974-2015.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të artit dhe gjithë kulturës sonë. U prehtë në paqe shpirti i saj i pastër.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.