29 NANDOR 1944, SHKODRA PUSHTOHET NGA SLLAVOKOMUNISTET !

0
2252

Nga Fritz RADOVANI:

1946 NË SHKODER FJALA “ÇLIRIM” DOMETHANË 26 QENDRA TORTURASH E BURGJE

KËTU U NGRIT FLAMURI ME YLLIN JUGOSLLAV

Ministria e Punëve të Mbrendshme me Seksionet e Mbrojtjes së Popullit, në çdo skutë të Shkodres, me urdhën nga jugosllavët dhe të drejtueme gjithënjë po prej tyne dhe veglave qorre e tradhëtare të kryesueme nga Enver Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, etj., kryesisht në Shkodër, në vitin 1946 kishin 26 qendra torturash, hetuesi dhe burgje:

1. Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme.
2. Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
3. Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
4. Konvikti “Malet tona”.
5. Burgu i Madh pranë Prefekturës.
6. Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.
7. Burgu i vjetër i Gestapos, pranë shtëpisë së Zef Shirokës.
8. Shtëpia e Ulqinakut.
9. Kuvendi i Motrave Servite.
10. Kisha e Motrave Servite.
11. Shkolla e Çelës.
12. Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën farmaci).
13. Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë Tereza”).
14. Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).
15. Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash.
16. Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të vjetër).
17. Shtëpia e Guljelm Lukës tek rruga e Jezuitëve (ku internonin).
18. Shtëpia e Dr. Karamitrit.
19. Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajtë e Reja.
20. Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit Pedagogjik).
21. Shtëpia e Guljelm Sumës.
22. Shtëpia e Sandër Saraçit.
23. Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit.
24. Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës.
25. Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
26. Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.

KJO ISHTE SHKODRA ME 28000 BANORË…26 BURGJE…
Kjo qendër antishoveniste sllave që thirrej SHKODËR, duhej shue, duhej rrënue, duhej rrafshue, duhej qitë fare!..dhe, shihe sot si ka vojtë halli i saj!…

Shkodra, deri dje djepi i Fatosave të Atdheut duhej kthye në varr të qytetnimit europian!

Djelmtë shkodranë padallim Feje, studentë, intelektualë, artistë, politikanë e njerëz të thjeshtë jopolitikanë, tregëtarë e zejtarë, puntorë e shegertë e vigaj për kah pamja, vetëm se u thonin “shkodranë” shumë shpejt mbas vitit 1944, do të boshatisnin pjacat, shkollat, rrugicat, shtëpitë, kinematë, fushat e sportit dhe do të mbushnin birucat e Sigurimit të Shtetit komunist. Bashkë me këta azgaj do të jenë edhe mjaft vajza ku ishin ma të mirat e familjeve atdhetare shkodrane si për kah pamja, ndera e kultura.

Ardhja e komandant Sheuqet Peçit në Shkoder per me zbatue terrorin komunist pat kenë fillue me vrasjet tek Bashkija dhe mbylljet e shkollave të Motrave Stigmatine, Jezuitëve, Fretenve, Serviteve dhe të këthimit qendrave të tyne kulturore në hetuesi e burgje.

Personeli terrorist i zgjedhun nga jugosllavët dhe të drejtueme gjithënjë po prej tyne dhe veglave terroriste, kryesisht vëlleh (shif indeksin e drejtorëve të drejtorive të kësaj Ministri) , vëmendjen e kanë pasë gjithmonë në Shkodër. Fillohet me Gjush Dedën e Ndrekë Nallbanin, Ali Qorrin (Bushatin), Cuf Lohën, Lilo Zenelin, Hysni Ndojën, Qamil Gavoçin, Jonuz Dinin, Kasëm Troshanin, Pjerin Kçirën, Ylvi Dibrën, Rasim Dedën, Pjetër Ballaten, Xheudet Milotin, Vehbi Fishtën, Hys Zajen, Elez Mesin, Dul Rrjollin, Dulaq Lekiçin, Shyqyri Qokun, dhe vazhdon me Zoi Themelin, Vaskë Kolecin, Kolec Ilinë, Hilmi Seitin, Feqorr Shehun, Rexhep Kollin etj., që, të gjithë së bashku i kanë shërbye një qëllimi: TRADHËTARË E ANTISHQIPTARË ! Mos harroni me i dekorue si themelues të “SEKSIONIT KATOLIK” pranë Degës së mbrendshme!

Për këtë arësye këta kriminelë të pashpirtë, terroristë e gjakatarë, kanë krye në qytetin e Shkodrës veprat ma të shëmtueme tue torturue në mënyrën ma mizore atdhetarët, gja që, dokumentohet vetëm me kenjen e këtyne qendrave të torturave, spijunazhi, hetuesie, vrasjesh, zhdukje, burgje dhe shtëpi strehimi për të parainternuem, ku krimet e zhdukjes fillojnë me Martirët: Simon Darragjati, Muzafer Pipa, At Bernardin Palaj, Avokat Paulin Pali, Prof. Kol Prela, Kolec Deda dhe vazhdon me studentët e rinjë të gjimnazeve, me të premit në besë të Maleve dhe fshatrave rreth Shkodres.

Gjyqet janë zhvillue në kinema “Rozafat”, kinema “Republika”, Teatri i Jezuitëve, në shtëpi të Kadukut, Pogut, Dr. Prelës etj. Gjyqet e mbylluna janë zhvillue kryesisht tek Burgu i Kishës ose Kuvendi i Fretënve në Gjuhadol (në mensë), ndër dhomat e Shtëpisë së Çiurçisë, ku shpesh vriteshin, hudheshin nga dritarët dhe zhdukeshin kufomat me proces-verbale fallse të gjyqeve gjoja të zhvillueme aty.

Qendrat e masakrave ma të mëdha që nuk harrohen kurrë janë kenë: Shtëpia e Çiurçisë, Burgu i Kishës së Fretënve, Konvikti “Malet tona”, Dega e Punëve të Mbrendshme, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, shtëpia e Ulqinakut, etj.
Të vetmit dëshmitarë sikur të “flisnin” do të ishin: Pema e blinit në oborrin e Kuvendit të Fretënve, ullinjtë e pemët e shtëpisë së Çiurçisë, pemët e konviktit “Malet tona”, etj., që, edhe sot ndër rrajtë e kalbuna të tyne ruajnë britmat e virrmat e njerëzve të lidhun dhe të varun, që kanë derdhë gjakun e Shenjtë e kanë dhanë Shpirtin nën degët e tyne.

Ndër krimet e shëmtueme kujtohen: Në shtëpinë e Çiurçisë: Simon Darragjati e Kolec Deda, mbasi u torturuen për një kohë të gjatë dhe nuk pranonin akuzat, u hodhën nga dritarët prej hetuesve Fadil Kapisyzi, Lilo Zeneli e Zoi Themeli. Pal Thanin e ka mbytë në torturë me duart e tija krimineli Fadil Kapisyzi e Dul Rrjolli.

Shoqata e të Persekutuemëve Politik nuk duhet të harrojnë kurrë këto shifra!
Prandej duhen hapë Dosjet! Hapja e tyne “ndoshta” ua kujton:
Po, Muzafer Pipës, Paulin Palit e Rin Monajkës… kur do t’i vihet Monumenti ?

Melbourn, Janar 2016.

LINI NJË KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here